Gjeneral Ramohito:Lufta për Pashalimanin, përplasja me delegacionin e Traktatit të Varshavës në Tiranë, në mars 1961

Kujtim Boriçi March 5, 2013 11:58

Gjeneral Ramohito:Lufta për Pashalimanin, përplasja me delegacionin e Traktatit të Varshavës në Tiranë, në mars 1961

Rrëfim i Gjeneralit 88 vjeçar për vitet e tij në Traktatin e Varshavës

 

Halim Ramohito: Në kundërshtim me marrëveshjen, rusët sjellin në Bazën e Vlorës si përforcim 2000 ushtarakë, së bashku me logjistikën luftarake!

Pranvera e vitit 1961, sjell ‘dimrin e ashpër’ në marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Në Shqipëri, zbarkon një ekip i Traktatit të Varshavës (në fakt, përfaqësues i interesave të Bashkimit Sovjetik) lidhur me incidentet dhe situatën e rënduar në Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit. Ndërkohë, në Moskë e qytete të tjera ruse, studentët dhe ushtarakët nga vendi ynë jetonin pothuaj krejtësisht të izoluar… Këto detaje të përjetuara i sjell në rrëfimin e tij në vazhdim gjeneral Halim Ramohito, ish-përfaqësuesi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës…

 

Çfarë ndodhi pas mbledhjes së 27-28 marsit 1961 të Traktatit të Varshavës ku nga Hrushovi e mbështetësit e tij u kryqëzua me akuza delegacioni shqiptar?

-Ashpërsimi i BRSS dhe Traktatin e Varshavës, në mbledhjen e 27-28 marsit 1961, me ne dhe udhëheqjen e Shqipërisë do të rëndohej me orë e me ditë, duke u ‘transferuar‘ edhe në Tiranë. Në këtë mbledhje, siç u kërkua me këmbëngulje nga Hrushovi e mbështetësit e tij, ne ramë dakord që të vinte në Shqipëri për të parë situatën në vend, një delegacion i Shtabit të Ushtrive të Bashkuara të Traktatit.

 

Cili ishte objekti i bisedimeve mes palëve?

-Ata paralajmëruan se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në interpretimin e marrëveshjes së 2 shkurtit 1957, që ishte firmosur në emër të palës sonë nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë  Arif Hasko dhe asaj të 3 marsit 1959 të firmosur nga ish-Shefi i Shtabit tonë të Përgjithshëm Petrit Dume. Në fakt, delegacioni, edhe pse emrin e kishte si përfaqësues ushtarak i Traktatit të Varshavës, në fakt ishte i gjithi pothuaj Sovjetik.

 

Kur erdhi ky delegacion në Shqipëri?

-Ky delegacion, mbërriti në Tiranë në 18 maj 1961-shin. Delegacioni kryesohej nga Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të BRSS, N.T. Firjuvin (burri i ngritur në rangun e Udhëheqësit të Forcës nga Hrushovi). Në të bënte pjesë dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Bashkuara të Traktatit të Varshavës dhe njëkohësisht zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë T.T. Antonov e Kundëradmirali N.D. Sergejev, që ishte njohës i mirë i problemeve të Flotës sonë ushtarake detare. Dua të theksoj dhe një herë këtu, siç kam pohuar dhe më parë, në hartimin e marrëveshjeve ushtarake, posaçërisht asaj për Bazën Ushtarake Detare të Pashalimanit, kishin punuar kuadrot tona të afta e të përgatitura, nën drejtimin e Gjeneral Vaskë Gjinos, shef i Drejtorisë Operative të ushtrisë sonë, Admirali Abdi Mati, zëvendëskomandant i Flotës sonë Luftarake Detare, etj. Me ta, isha dhe unë, Gjeneral Halim Ramohito, përfaqësuesi shqiptar në Komandën e Forcës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, e njëkohësisht edhe Atashe ushtarak i vendit tonë në Moskë.

 

Cilat ishin pikat kryesore në marrëveshjet e nënshkruara me sovjetikët?

-Në marrëveshjet e nënshkruara, për të cilën erdhi dhe delegacioni i Forcës për vizitë tek ne, kishte të përcaktuar qartë se Traktati i Varshavës, merrte përsipër që teknika (12 nëndetëset) të merreshin në administrim fillestar, përkatësisht 8 nga rusët e 4 nga ne. Pas përgatitjes së efektivave (siç kam theksuar më lart) tanë komandues Detarë, kjo teknikë(theksuar në marrëveshje) do i mbetej ushtrisë shqiptare.Në marrëveshje theksohej qartë edhe fakti se ekuipazhet sovjetike në këto nëndetëse janë vetëm provizore dhe ushtarakët specialistë të tyre do të konsideroheshin vetëm si instruktorë, e se të gjitha anijet që ishin në këtë Bazë do të kryenin detyra luftarake, do të dilnin në lundrim, vetëm me flamurin tonë. Por rusët kishin plane të tjera, e kishin thyer këtë marrëveshje…

 

Ku ishte shkelur kjo marrëveshje nga pala ruse?

-Gjithë këtë marrëveshje tepër të qartë, sovjetikët kishte kohë që e kishin thyer, duke tentuar jo vetëm të kishin plotësisht në dorë komandën e nëndetëseve dhe anijeve, por dhe të tentonin lundrime e detyra luftarake me flamurin e tyre, gjë e cila kundërshtohej prerë e nuk pranohej nga ushtarakët dhe marinarët tanë. Kështu që, herë pas here, shënoheshin incidente, e kjo jo për fajin tonë.

 

Kush e kryesonte delegacionin tonë në këto bisedime?

-Delegacionin tonë në këto bisedime e kryesonte zëvendësministri i Punëve të Jashtme Halim Budo, Kundëradmirali Hito Çako dhe kundëradmirali Abdi Mati, drejtues i FLD-së.

 

Kur filluan dhe çfarë u trajtua konkretisht në këto bisedime?

-Bisedimet filluan në datë 19 maj, në një nga mjediset e ministrisë sonë të Jashtme. Në këto bisedime, delegacioni jonë mbrojti të drejtën ligjore, atë që nëndetëset dhe të gjitha anijet e tjera janë pronë e shtetit shqiptar, se ato janë dislokuar në tokën shqiptare që nga viti 1953, e nga ky vit, për 8 vjet, deri në vitin 1961, për ndërtimin e kësaj baze, janë bërë shpenzime kolosale. Njëkohësisht, në këto bisedime zuri vend situata jo e këndshme, që nga maji 1961 me të cilën po përballeshin 957 studentët dhe ushtarakët shqiptarë në 44 qendrat e qyteteve të ndryshme ruse. Me fakte e shembuj konkretë, palës ruse (që ishte nën petkun e Traktatit të Varshavës) se ata jo vetëm nuk po zhvillojnë normalisht vitin akademik, shkollimin e detyrat për të cilat ishin atje, por po jetonin në një jetë kazerme, të izoluar e nën vrojtim, nën presione të ndryshme për të qëndruar në Moskë, të tradhtonin interesat e vendin e tyre.

 

Ndërkohë, Moska ju kishte shpallur ‘Non Grata’?

-Po. Në diskutime, u shtrua me forcë nga pala shqiptare qëndrimi e vendimi pa precedent i Qeverisë Ruse për largimin tim brenda 24 orëve nga Moska, si person “Non grata”, ndonëse përfaqësoja qeverinë e ushtrinë time në organizmin më të lartë ushtarak të Paktit Lindor, pjesëtarë të së cilit ne ishim prej vitesh. Rusëve, në bashkëbisedimin e tensionuar, iu tha se Baza Ushtarake në Pashaliman, ku ata kishin dhe efektiva të thyer, ishte në një situatë të tensionuar. Por gjithashtu, rasti i rëndë i izolimit, pothuaj në arrest nga ana e rusëve për studentët dhe ushtarakët tanë në Moskë e qytetet të tjera ruse, ishte i pa tolerueshëm e menjëherë duhej ndryshuar me një urdhër urgjent. Në të kundërtën, u thamë hapur delegacionit rus, se pala shqiptare(ushtarakë të FLD-së e drejtuesit e tyre), jo vetëm që do të mbronin me çdo mjet nëndetëset dhe anijet si pronë të tyren (sipas marrëveshjes), por do të detyrohet të mbajnë të njëjtin qëndrim edhe për ushtarakët e tyre në Bazat Ushtarake Detare shqiptare.

 

Cili qe pozicioni i delegacionit të Traktatit të Varshavës për këto pika të parashtruara nga delegacioni shqiptar?

-Kreu i delegacionit rus, gjatë bisedimeve mbrojti përsëri ashtu si dhe më parë në mbledhjen e Traktatit të Varshavës në Moskë, kërkesën se nëndetëset, pajisjet dhe anijet luftarake ishin të tyret, se baza, aksesorët e objekte të tjera janë ndërtuar nga punëtorët e specialistët sovjetikë, e se këmbëngulja juaj(jona pra) për të mbajtur një pjesë të tyre, është pa vend. “Ju po mundoheni të na i mbani me metoda pirateske!” -akuzonin ata herë pas here.

 

Paraqitën ndonjë argument për sa këmbëngulnin?

-Sipas argumentit që hodhën në tavolinë lidhur me dy marrëveshjet e nënshkruara, këmbëngulnin se “përsa u përket atyre(dy marrëveshjeve), ata tani nuk mund të kenë më vlerë ligjore se janë bërë në kushte të tjera, kur marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe ushtrive tona në Traktatin e Varshavës ishin miqësore!”.

 

Po për vendimin e shpalljes suaj “Non Grata”?

-Lidhur me vendimin e Qeverisë Sovjetike për shpalljen time “Non grata” dhe largimin nga Moska brenda 24 orëve, ata u përgjigjën: “Qeveria Sovjetike natyrshëm nuk mund të anashkalonte sjelljen e Atasheut Ushtarak Shqiptar Gjeneral Major Halim Ramohito i cili në bisedat me kursantët shqiptarë lëshon shpifje për politikën e jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe sulme të ashpra në adresë të marrëdhënieve me Partinë Komuniste dhe Qeverinë Sovjetike, për më tepër gjatë kalimit nëpër institucionet mësimore u jepte garanci studentëve e ushtarakëve shqiptarë duke i nxitur ata për veprime provokative!” Në këtë pikë, në diskutime, sovjetikët kërkuan që në shenjë reciprociteti të largohej nga Shqipëria dhe Atasheu i tyre Ushtarak. Ndërkohë, situata me studentët dhe ushtarakët tanë në Bashkimin Sovjetik, bëhej më e vështirë…

 

Më konkretisht në këtë drejtim?

-Pikërisht, më 19 maj kur sapo në Tiranë kishin filluar bisedimet e bëheshin deklaratat e mësipërme, unë ndodhesha në Leningrad dhe isha në kontakt të vazhdueshëm (telefonik) me ç’ndodhte në atdhe, pikërisht në tavolinën e bisedimeve. Në kontakt me ambasadorin në Moskë diskutojmë për situatën e ndërlikuar në të cilën ndodhen rreth 500 studentët tanë, të vënë në “arrest” nga rusët. Por dhe mua, pas takimeve të para e solidaritetit me ushtarakët tanë, më ishin qepur, nuk më linin jo vetëm që të bëja detyrën, të kontaktoja bashkatdhetarët, por me vendimin e marrë, çdo gjë mund të ndodhte në punë minutash. Pra, studentët duhej të ktheheshin në atdhe, por as që bëhej fjalë që mua në këtë situatë, në këtë drejtim, të mund të më jepej ndihmë nga komandat ushtarake për të realizuar këtë detyrë të vështirë.

 

Përveç presionesh, kërcënimesh, pohuat se ju keni patur dhe oferta nga sovjetikët?

-Mua, sovjetikët, edhe në ato momente tensioni, presioni por dhe me oferta premtimesh, përsëri më theksonin se problem i bisedimeve për Bazën e Pashalimanit ishte bilateral. Por sipas vendimit të mbledhjes së 27-28 marsit 1961, kërkonin të na e merrnin komandën e vetme ta kishte Marshalli Greçko, Komandanti i Traktatit të Varshavës. Nëse Shqipëria pranonte, jo vetëm unë si ushtarak madhor e kolegë të mi që kishim bërë betimin ushtarak, devotshmërinë për sakrificën më të madhe për mbrojtjen e vendit, por dhe shqiptari më i thjeshtë e kuptonte që rusët me këtë situatë që krijuan, nuk kërkonin vetëm nëndetëset, anijet luftarake, bazën e Pashalimanit, por territore të gjera të Gjirit për t’i përdorur për interesa të tyre e të Paktit Lindor të cilin e kishin nën komandë.

 

Pra, synimi i tyre ishte më i gjerë e strategjik?

-Po. Praktikisht, kjo do të thoshte që përveç teknikës së mësipërme, brenda “vijës së verdhë” të tyre të përfshihej Gjiri i Vlorës, Qafa e Llogarasë, fshati Kaninë dhe gjithë vargu i kodrave mbi qytet, Babica, Bestrovë, e përfshi Fushë-Terom. Sigurisht, po të pranonim ne (udhëheqja e kohës) këto kushte, do të thoshte t’i vihej kryq indipendencës së Shqipërisë…

 

Si i gjykoni sot pas 52 vitesh këto qëndrime që keni mbajtur?

-Plotësisht të drejta. Ajo që Shqipëria parandjeu atë kohë dhe nuk pranoi kushtet robëruese, vërtetohet vite e dekada më pas edhe nga vetë Hrushovi nëpërmjet kujtimeve të tij, lidhur me këtë problem. “Në rast se shqiptarët do të na i mbanin me forcë nëndetëset në këtë Bazë, ne do të përdornim ndaj tyre forcën!” Kjo u konfirmua dhe në tryezën e debateve në Tiranë, por falë vendosmërisë së patolerueshme të palës shqiptare, palët toleruan në orët e ditët në vazhdim duke çuar që situata e tensionuar të mos gjeneronte deri në konflikt të armatosur.(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

– Rrëfimi i Ramohitos, gjeneralit nga Shqipëria në Traktatin e Varshavës. Si sollën në prill të vitit 1961 sovjetikët, një efektiv ushtarak prej 2 mijë vetë me trupa e mjete luftarake shtesë në Pashaliman.

-Konfliktet në Bazën e Pashalimanit dhe roli i KGB-së ruse në këto konflikte të ashpra.

-Prag lufte në Pashaliman. Qeveria shqiptare urdhëron ngritjen në alarm të popullsisë rezerviste të Qarkut të Vlorës.

Kujtim Boriçi March 5, 2013 11:58
Komento

2 Komente

  1. EGLI March 5, 15:19

    Ketu tregohet qarte sesi donin ta perdornin shqiperine per presione kundra Europes dhe Amerikes …dhe Enveri nuk pranoi … Hrushovi ka qe nje qen i amerikes … ai i percau vendet komuniste … nje arsye tjeter qe socializmi u tradhetua… keta plera e vrane Stalinin e shkrete …dhe ne si popull ” na ngulen thiken pas shpine “… Aso kohe 3/5 e popullates neper bote ishin pro Socializmit , pra kur ishte gjalle Stalini … Sapo vdiq Stalini , erdhi hrushovi , cuditerisht u prish blloku socialist … pra ne kohen e Hrushovit filluan krizat per ushqime neper vendet socialiste …Sa ishte gjalle Stalua i madh (STALINI) , grure , makineri industriale , armatim te gjere , lende te para , edukim falas … ti pagonin shtetet socialiste kur te donin , kur te kishin … Kurse sot Amerika ne vend te na jape , po na i merr , po privatizon gjithcka , si pune Albpetrolit …

    Reply to this comment
  2. Shqipta March 6, 07:45

    Egli plotesisht e sakt. Hrushovi e helmoi Stalinin dhe qe nga kjo kohe socializmi degjeneroj. Socializmi nuk ndertohet duke qene vetem me emer socialist por duhet ti sherbesh me nder e perkushtim .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*