Gjenerali nazist: Zerva masakruesi i çamëve bashkëpunoi me ne

July 5, 2016 11:33

Gjenerali nazist: Zerva masakruesi i çamëve bashkëpunoi me ne

Më poshtë pjesë nga interrogimi i Gjeneralit Gjerman Hubert Lanz komandant i divizionit elitar të XXII malor, drejtues i operacioneve ushtarake në Epir. Këto dëshmi janë marrë nga hetuesit amerikane pas lufte dhe nuk jane botuar kurre. Nje material i plotë i dëshmive të gjeneralit po pregatiten për botim. Gjenerali është deshmitar real i bashkëpunimit të tij me Napoleon Zerven statuja e të cilit është në sheshin kryesor të Igumenicës afër Portit.

Nga Auron Tare

“Në Tetor të ‘43 me kapitullimin e ushtrisë Italiane dhe çarmatimin e njësive ushtarake Italiane në Greqi, Komanda Gjermane në Epir vendosi ndërprerjen e aktivitetit partizan në këtë zonë. Një kërkesë e jona për Komandën e Lartë e Wermahtit për negociata me liderët e njësive nacionaliste u refuzua personalisht nga Hitleri, i cili kërkoi dorëzimin pa kushte të bandave guerile.

Meqënëse kjo përgjigje ishte shumë larg realitetit të betejës në terren që shikohej nga Komanda e Lartë e Ëermahtit, u detyrova që ta merrja situatën vetë në dorë. Duke kuptuar ndarjen e madhe ideologjike midis Trupave të Zervës dhe njësive komuniste të ELAS, i propozova Zervës një armëpushim me njësitë Gjermane duke evituar humbjet në popullsinë lokale dhe njësitë e tij dhe të bashkonim forcat në luftën kundër komunistëve.

Gjenerali Zerva e kuptoi menjëherë avantazhin e këtij propozimi të bërë nga Komanda Gjermane e Divizionit XXII Malor për vendin e tij në përgjithësi, por edhe për EDES në veçanti. Megjithatë ai nuk mundej të vepronte pa instruksione nga Britanikët dhe për këtë gjë ju drejtua Kajros.

Ashtu siç edhe pritej, prej andej mori një përgjigje negative. Megjithatë pozitat reale të tij në terren si dhe logjika e ngjarjeve influenconin më shumë se përgjigjet e Komandës së Lartë Britanike apo propozimi i Komandës Gjermane.

Megjithëse jo zyrtarisht, një hap bashkëpunimi midis trupave Gjermane dhe partizanëve nacionalistë filloi të vendosej në mënyrë të heshtur. Luftimet nga të dyja palët filluan të rralloheshin deri sa u shuan fare. Kontaktet, megjithëse në mënyrë jo formale, u mbajtën midis përfaqësuesve të EDES dhe Komandës Gjermane.

Gjatë periudhës së pranverës të vitit 1944, kur presioni i forcave komuniste nga Veriu drejt Jugut filloi të rritej dhe pjesë të tjera të Epirit filluan të merreshin nga forcat komuniste, përsëri Komanda Gjermane e Divizionit Malor i ofroi ndihmë Liderit të EDES. Këtë radhë me sukses.

Të gjitha luftimet u ndërprenë dhe Zerva mbajti lidhje me Komandantin Gjerman të Janinës, me të cilin ndërmori operacione të përbashkëta kundër komunistëve. Në këtë mënyrë, nacionalistët kishin avantazhin që jo vetëm t’i zmbrapsnin komunistët, por edhe të furnizonin njësitë e tyre luftarake nëpërmjet ardhjes së vullnetarëve apo edhe rekrutimeve sistematike.

Në këtë mënyrë, forca e tij arriti në 15 mijë persona në Gusht të 1944. Ndërkohë, Misioni Ushtarak Amerikan i ishte bashkuar Misionit Ushtarak Britanik për të ndihmuar partizanët në luftën kundër forcave Gjermane. Gjithsesi kjo nuk e pengoi EDES që të bashkëpunonte në mënyrë të heshtur me Trupat Gjermane.

Ndryshimi i situatës luftarake në verën e 1944 në frontin Europian solli sigurisht edhe një fazë të re në luftimet e Epirit dhe në Shqipëri. Si rezultat i kapitullimit të forcave ushtarake Rumune dhe Bullgare dhe dezertimit nga ushtria e Boshtit, por edhe avancimi i trupave të Ushtrisë së Kuqe në Ballkan, sollën ngritjen e moralit për partizanët komunistë. Po kështu, ndihma materiale e aleatëve, e cila tashmë po vinte jo vetëm nga ajri, por edhe nga deti, i ndihmoi shumë komunistët, të cilët tashmë kishin mbi 20 mijë vetë nën komandë.

Në disa sulme të furishme në këtë periudhë, Zerva u mundua që t’i shfaroste “ish-shokët’” e dikurshëm. Beteja të përgjakshme ndodhën në Jug dhe Perëndim të Epirit ku trupat e EDES humbën mjaft vetë si rezultat i superioritetit të forcave Gjermane.

Për këtë arsye Zerva kishte në dispozicion vetëm 8 mijë trupa kur në Tetor të 1944 Gjermanët braktisën Epirin dhe kufirin me Shqipërinë. Me këto trupa ai mori Janinën e cila ishte e braktisur tashmë. Si rezultat i betejës që ai pati me komunistët të cilët e superonin në numër 3 me 1, Zerva pësoi shumë humbje dhe e braktisi Epirin duke u hedhur në ishujt Jonianë.

July 5, 2016 11:33
Komento

12 Komente