Gjeneza e popujve dhe gjeneza e gjuhëve

March 14, 2018 10:18

Gjeneza e popujve dhe gjeneza e gjuhëve

Moikom Zeqo 

 (Vijon nga numri i kaluar)

3.

Gjeneza e popujve indeuropianë është edhe gjeneza e gjuhëve të tyre. Është kjo një e vërtetë aksiomatike.

Por problemet e gjenetizmit në fakt janë shumë të komplikuara dhe aspak të thjeshta.

Zbulimi i afërsisë së gjuhëve indoeuropiane u bë në shekullin e XIX dhe qe një nga zbulimet më madhështore të mëndjes së njeriut.

Historia e gjuhësisë indoeuropiane do të qe ndryshe nëse do të kishim dhe tekste të gjuhëve të zhdukura si ilirishtja, thrakishtja etj. Mundet që në bibliotekën e Aleksandrisë që u dogj, ka patur vepra të këtij lloji.

Në komeditë e Aristofanit del ndonjë nga personazhet të ashtuquajtur “barbarë” ndonjë tribal, ose thrak e shqipton fjalë të çuditshme, të pazbërthyeshme. Po faktet gjuhësore të gjuhëve të zhdukura nuk i kemi fatkeqësisht në dorë.

Vetëm në mesjetë qysh me poetin gjenial Danten, që në shekullin e XII, që vuri pika afrimi midis italishtes dhe latinishtes e më pas me Filip Sasetin në shekullin e XVI, që udhëtoi në Goa të Indisë dhe vuri re se fjalë të indishtes lidheshin me fjalë të italishtes (psh indisht “sarpa” ose “diva” dhe italisht “serpente” dhe “dio” – përkatësisht “gjarpër” dhe “zot”) u arrit në një bazë konceptuale për një gjuhësi të shkollës krahasimtare për hetimin e marrëdhënieve të gjuhëve indoeuropiane, që sidomos u shtjellua sëpari nga Ulliam Xhons (1746-1794).

Me Franc Bobin (1791-1867) që botoi veprën e parë në 1816 të gjuhësisë së mirëfilltë indoeuropiane nis argumentimi sistematik i shtjellimeve dhe afërsive gjenetike të gjuhëve në fjalë. Në 1854 Bobi boton veprën “Mbi shqipen dhe lidhjet e afërsisë së saj me gjuhët e tjera indeuropiane” në 1854, duke përcaktuar dhe gjuhësinë shkencore të gjenezës dhe të zhvillimit të shqipes duke bërë një punë pionieri. Mbiçmimi i sanskrishtes nga Bobi e çoi atë në mendimin e një gjuhe mëmë nga rrjedhin gjuhë të tjera bija.

Termi “indeuropian” ka historinë e vet.

Bobi këtë term e mori nga August Slegeli (1821-1868), i cili në veprën themelore “Kompedium i gramatikës krahësuese të gjuhëve indogjermane” identifikonte termin “indoeuropian’ me termin “indogjerman” Ky sinonim, qe në fakt i sforcuar e mjaft i kërkuar.

Në fakt të dy termat në fjalë nuk kanë konsistencë historike e janë konvencionale.

Emri “Europa” nuk është i epokave prehistorike të largëta por një krijim antik relativisht i vonë. Europa qe një figurë e  mitologjisë greke lokalizuar në një provincë të Thrakisë afër Andrianopolit. Edhe emri “lind” nuk ka ekzistuar si dhe emri “europain” për të kaluarën zanafillëse të kontinentit tonë. Diçka më i lashtë është emri “arian” që përfshinte dy degët e iranasve të vjetër dhe të indasve të vjetër.

Termi ‘indoeuropian” u përdor së pari nga dijetari T.Young në vitin 1813.

Termi i mësipërm si dhe termat e përafërt është një rindërtim e koncept emërtues i dijetarëve, që donin të përfaqësonin një bashkësi popujsh dhe gjuhësh të veçantë.

August Shlegeli i përkiste biologjizmit gjuhësor. Qe ithtar i darvinizmit linguistik.Konsiderimi i gjuhës si organizëm i gjallë nuk qe i drejtë e shpejtë do të braktisej sepse qe aprioristike.

Gimpera në librin që kemi në dorë flet gjerë për teoritë gjuhësore të indoeuropianishtes.

Në fakt gjuhësia i ka ndërlikuar shumë hipotezat e veta.

Sigzmund Fajst (1913-1914) parashtroi një tezë “heretike” që e përkrahu dhe ZMeteja në Francë, që gjermanët nuk kanë qenë një popull indoeuropian në fillim e më pas qenë indoeuropianizuar, duke përjashtuar që atdheu i indoeuropianëve ka qenë Veriu i Europës, siç mendonte Kosina.

Në të kundërt Kreçmeri e kërkon tërë origjinën e indoeuropianëve në Europën Veriore e Qëndrore. Po ndërkohë ai godet vdekshëm teorinë gjenealogjike.

Mejeja hedh poshtë një rindërtim të indoeuropianishtes primitive. Në shënimet e shumta të Fan Nolit ka edhe konspekte të shkrimeve gjuhësore të Mejesë, sidomos për periudhën paraindoeuropiane.

Benvenisti saktëson se gjuha tokarishte i përket një grupi arkaik indoeuropian duke bërë të njohur rëndësinë e tokarishtes për tërë gjuhësinë indoeuropiane.

Trubeckoi kritikon besimin kultik në një gjuhë zanafillëse, pra, në gjuhën mëmë. Edhe Krahe e ka quajtur absurd supozimin e një gjuhe dhe një populli origjinar që nga mijëvjeçari i tretë para erës sonë. Gjuhët në këtë cak kohor qenë një gjendje fluide. Po Krahe qe krijues i teorisë paniliriste kaq në modë në vitet 30’ të këtij shekulli. Nga fundi i jetës Krahe e modifikoi këtë teori absolutiste dhe foli për grupe të një indoeuropianishte primitive, arkaike. Këtë gjë e mbështet edhe Kreçmeri e më pas dhe kryembrojtësi i ilirzmit të topomisë së Europës Qëndrore Pokorny.

Të tërë këto teori Gimpera i paravendos në mënyrë kritike. Këtu është vendi të theksojmë se shkatërrimi dhe renimi i teorisë së panilirizmi më të drejtë nuk duhet që të bënte [për të shkruar në një skajim absurd të skepticizmit hiperpozitivist ndaj problemit ilir dhe ilirishtes, siç u bë  në dhjetëçarët e fundit të shekullit të XX> E vërteta për ilirët dhe ilirishten qëndron në mes. Larg skajeve të mbivlerësimit dhe të nënvleftësimit. Kjo gjë nuk ka qenë dot një objekt i vëmendjes shkencore të Gimperës.

Për ta bërë më të kuptueshëm e më të lexueshëm librin enciklopedik të Gimperës, dua të flas pak edhe për teorinë e origjinën e ilirishtes dhe te shqipes sipas prof.Eqrem Çabejt.

Në paleontologjinë ballkanike problemi i Ilirishtes është i një rëndësie të veçantë. Çabej me të drejtë ve në spikamë faktin se elementët e lashtë që mbijetojnë në gjuhën shqipe shpjegojnë edhe ilirishten nga e cila ruhen vetëm disa glosa dhe toponime. Pra, rindërtimi i ilirishtes është jashtëzakonisht i vështirë dhe bën një “algjebër gjuhësore” të një sfondi me mjaft të panjohura.

Shqipja gjuhësisht dhe etnikisht ka një pozicion gjeografik të vijuar, autokton midis Lindjes dhe Perëndimit, pra një status ballkanik të pashlyeshëm. Dy vargmalet e Europës Qëndrore e Lindore Karpatet dhe Beskidet gjejnë shpjegimin e tyre etimologjik me gjuhën shqipe. Shqipja paraqet lidhje leksikore me shumicën e gjuhëve indoeuropiane veriore. Teza me prejardhje Veriore të ilirëve e mbështetur nga gjuhësia deri më sot është në një kontradiktë me tezën e prejardhjes jugore të ilirëve, që përfaqësohet nga arkeologjia moderne shqiptare.

Ky karakter kontradiktor midis gjuhësisë dhe arkeologjisë është një paradoks konceptual ende i pakapërcyer në rrafshin e iliriologjisë.

Nga ana tjetër, mendimet kryesore për origjinën e ilirëve ndahen në tri lagje dijetarësh.

Lagja e parë  e sheh origjinën e shqiptarëve nga ilirët e vjetër në vijë direkte (Thunman, Xylanderi, Hahni)

Lagja e dytë gjen origjinën e shqiptarëve nga Thrakët.

Lagja e tretë bën një sintezë: mbështet mendimin se shqiptarët janë rrjedhës nga ilirët po me komponentë thrake (Norbert Jokli).

Përgjithësisht edhe ilirologu më i madh i kohërave tona Eqrem Çabej i përket opinionit shkencor, që procesi i formimit, ngjizjes së shqipes u bë mbi një shtrat ilir, po jo pa ndikime të thrakishtes.

Gjuha shqipe trashëgon sipas ligjeve të saj fonetike mbijetesën e toponimeve antike në trevat e Shqipërisë, që nga ilirët në fqinjësi e bashkëveprim me grekët e romakët e vjetër.

Po shqipja është një degë më vete, krejt e veçantë në familjen e gjuhëve indoeuropiane.

Përcaktimi i saj si gjuhë kentum apo satem vazhdon akoma duke anuar më shumë nga klasifikimi kentum.

4.

Me rëndësi fundamentale është kreu V i librit të Gimperas të quajtur ‘Përfundime”.

Këtu Gimpera bën abstraksion nga teoritë e ndryshme për popullin zanafillës, atdheun e parë, gjuhën zanafillëse, mëmë, nga nënndarjet e grupeve gjuhësore sipas sistemit të drurit gjenealogjik si dhe nga hipotezat që për shumë kohë u quajtën “tabu” shkencore.

Gimpera e di se mekanizmi i formës dhe ndërlidhjeve gjuhësore si dhe mekanizmi i tipeve antropologjike racore është shumë më i ndërlikuar dhe aspak i thjeshtëzuar.

Gimpera me të drejtë i jep parësi arkeologjisë në raport me gjuhësinë që mund të japë një kontribut më të sigurtë për teoritë gjenetike. Mospërputhja midis disiplinave (gjuhësisë, arkeologjisë, antropologjisë) është mëse e kuptueshme.

Arkeologjikisht popujt indoeuropianë spikatin në fillim të neolitetit dhe është e vështirë të përcaktohen që në epokën emezolitike. Gjuhët e mezolitit kanë formuar një substrat të përgjithshëm në kontinent.

Kristalizimi përfundimtar indoeuropian mbart vijimësinë e substratit gjuhësor, të mozaikut të gjuhëve drejt zhvillimeve të reja.

Grupet e ndryshme, burimet kryesore të indoeuropianizmit janë jo vetëm në Veri të kontinentit por në tërë gjeografinë e tij duke patur parasysh edhe qendrën edhe Jugun apo Juglindjen.

Koha e bronxit rezulton si kohë stabilizimi etnik e formacionet etnike tashmë indoeuropiane të lashta të kontinentit tregojnë përsonalitetin e kulturave dhe qytetërimeve të tyre.

Interesante janë depërtimet indoeuropiane, formësimet e ngjashme në Kaukaz si dhe në rajonet danibiane e pontike.

Dyndjet e popujve në fundin e epokës së bronxit dhe në kalimin e  në apokën e hekurit bëjnë kristalizimin përfundimtar të gjuhëve të tyre.

Trako-frigasit po në epokën e bronxit janë formësim i marrëdhënieve etnike danubiane dhe pontike e ndërmjetme midis qëndrës europiane (kentum) dhe pontikëve (satem). Pikërisht kjo tezë e mbështet edhe tezën e origjinës së ilirëve dhe statusin e tyre indoeuropian.

– Ilirët, së bashku me keltët, gjermanikët, baltët etj., kanë luajtur një rol të dorës së parë në krijimin e fytyrës skulpturore të Europës së lashtë.

5.

Në vitin 1925 është përkthyer dhe botuar në Tiranë libri “Dituria  gjuhore indogjermane” nga P. Kreçmeri. Ky libër është i domosdoshëm për t’u lexuar fill ose edhe e para se të lexohet libri i Gimperas. Po kështu, edhe dy librat e Karl Paçit të botuar po në këtë hark kohor në shqip për ilirët janë fillimi i një biblioteka të ilirologjisë. Për fat të keq një nismë e tillë nuk vazhdoi për shumë vjet.

Ka ardhur koha që kultura shqiptare të pasurohet me vepra fundamentale të arkeologjisë dhe gjuhësisë dhe përgjithësisht shkencave historike botërore, ku flitet edhe për ilirët.

Libri i Gimperas plotëson një mungesë të ndjeshme.

Së fundi dy fjalë për përkthimin e librit të Gimperas nga miku im, intelektuali i shquar filolog Xhevat Lloshi.

Përkthimi ka paraqitur parakrakisht vështirësi jo të vogla.

Përkthimi tekstula duhet të përputhet me përkthimin terminologjik. Aq më tepër që tradita e terminologjia e gjuhësisë dhe arkeologjisë apo edhe e etnologjisë apo disiplinave të tjera historike ka nevojë të pasuorhet. Natyrisht që termat në shumicën e rasteve janë internacionale dhe shqipërimi i tyre nuk parakupton një purizëm apo krijime neologjizmash, bazuar në etimiologjinë shqipe. Dihet që purizmi gjuhësor total ka dështuar prej kohësh.

Xhevat Lloshi me një akribi të admirueshme ka përcjellë tekstin e vështirë dhe profesional të librit të lexuesit e sotëm duke na bërë të kënaqemi estetikisht me mundësinë e pakufishme dhe terminologjike dhe të shprehjes së mendimeve më të ndërlikuara të gjuhës shqipe.

Duke mos qenë një libër i lojës së çuditshme dhe shpesh antikulturore të tregut të lirë, pra, duke i drejtuar një publiku të kulturuar po dhe intelektualëve profesionistë ai bën një sfidë të admirueshme, për të treguar se kultura e vërtetë është e domosdoshme dhe prezente në çdo kohë, më e rëndësishme nga standardet mediokre të kulturës së konsumit.

Guximi i botuesit mendoj se do të justifikohet dhe bile do të admirohet.

March 14, 2018 10:18
Komento

3 Komente

  1. Strugani2 March 14, 11:46

    I nderuar Moikom. Trajtesat që ju na paraqisni janë me vlera informuese. Lidhur me sa lexova përqëndrohem tek tezat ku bëhet fjalë për prejardhjen veriore të ilirëve e cila bien ndesh me tezën e prejardhjes jugore. Nga hulumtimet e bëra rezulton se nuk ka vend për teza kontradiktore. Ilirishten nuk mund ta ndajë askush në veriore e lindore. Nëse tentohet për një version të tillë ka qëllim ndarjeje të saj. Ndarje deri në dy identitete, gjë që është e papranueshme. Ju merreni me Hulumtime dhe studime , patjetër gjithkush në kërkime, studime, në profesione kur kërkon të nxjerrë konkluzione arrin, nxjerrjen dhe jep diçka të re. E keqja jonë është se shteti shqiptar ka qenë dhe është i vogël, me burime financimesh të pakta dhe historikisht të pamjaftueshme për kërkime shkencore në të tre fushat që trajtohen në shkrimin tuaj. Kjo mangësi e qëllimshme ose jo, ka penguar në kërkimet e gjuhës së ilirishtes. Ne jemi kufizuar për kohët më tej se Buzuku. Në këto kushte le të thellohemi në gjuhën e shkruar e të folur të Buzukut dhe të ballafaqohemi me dialektin e sotëm ose të para 70 viteve të të folurit më jugor të Shqipërisë. Nëse ju do ta shtroni këtë këshill në punimet tuaja, do të arrini të bindeni se gjuha shqipe e kohës së Buzukut (Buzuku është i krahinës veriore) do të jetë e njëjtë me të folurën e banorëve të jugut të Shqipërisë ose më e qartë do të duket me të folurën e sotme të banorëve të veriperëndimit të Greqisë apo dhe të ishujve jonianë. Me anën e këtij hulumtimi, ju do arrini të na jepni të drejtë se ilirishtja nuk ishte në kontradiktë me veriore dhe jugore.
    Respekte Strugani2

    Reply to this comment
  2. Tz March 14, 17:47

    Mikom perrallaxhiu prap ti…….me Cabej e kompani.Pse nuk ju referove nje here te vetme ,Petro Zheit,Aristidhe Koles,Niko Stilos, Elena Kocaqit,Mathju Aref,Agron Dalipajt,Kastriot Melyshajt e shume te tjereve.Gjuha Shqipe nuk eshte ajo e profesorit tend Cabej dhe shume fatkeqeve te tjere profesore,doctore te diplomuar nen studimet e Cabej shkaterrusit .Fatkeqesi Shqiptare

    Reply to this comment
  3. demo March 15, 07:56

    Nje njohes siperfaqesor i gjuhes,historise,arkeologjise do te vereje tek keto shkrime te Moikomit,nje nxenes qe kerkon te cquhet ne Tabelen e Emulacionit.Perserit Hyrjen ne Gjuhesine Historike te Cabeut,,hidhet ne shtresat e vendbabimeve Ilire,rreshton gjuhetare,arkeologe,historiane me emra dhe mbiemra,hedh dorashken e sfides midis gjuhesise dhe arkeologjise moderne ilire dhe pastaj pasi le detyrat qe duhet te zgjidhin gjuhetaret,historianet dhe arkeologet,ngjitet ne krye te tabeles se emulacionit,qe ta adhurojne kureshtaret.Me kesi gjithollogesh :”asht fa dynjaja”.Qe te zhytesh thelle ne histori te gjenezes se popujve dhe posacerishte ne gjenezen e popullit qe banon sot ne Shqiperi,duhet te ndermarresh nje KONSULTE me arkeologe te periudhave te sterlashta,me specialiste te gjuhesise historike,me antropologe,me mjeke biologe njohes te komponenteve gjenetike,ashtu si vepron sot shkenca moderne per ti shkuar gjer ne fund Enigmave shkencore.
    Sharlatanet amatore ne shkence kane luajtur qysh heret me Enigma dhe zbulime te bujshme,qe kane prodhuar LAVDI TE MOMENTIT…Poor,poooor perfundimi ka qene i njejte:NJE FIASKO.Keshtu ka ndodhur me perbindeshin e Lochnesit,me kafkat prej qelqi te Inkasve,me hibridin gjysme majmun,gjysme njeri te Muzeut historik te Londres.Keta historiane,gjuhetare,arkeologe te shquar qe kemi pasur,sot jane nga 80 vjec.Keta nuk kane nevoje te zgjohen,as te rrebejne armet.Natyra nuk ben cudira.Problemi eshte se ne fushe te shkences TRANZICIONI KRIJOI SHARLATANE,KOPJE TE BERISHES,RAMES,GRIDES,JOSEFINES dhe nuk pregatiti nje brez te ri shkencetaresh.Kush do ta zevendesoje Xhevat Lloshin?Si Moikom Zeqwo ka media me oke,por kush do ta zevendesoje Frederik Stamatin?A ka Durresi me nje Vangjel Toci,qe te mos lere te shkaterrohen ato thesare te TROJES SE ADRIATIKUT?Aty ka qene Moikomi kur 7 krybashkiake funderrina te tranzicionit dhane leje ndertimi te shkaterrohet perla e qyteterimeve mesdhetare!Sikur te kishte ligj me pushkatim,keta kryebashkiake te Durresit,qe nga Gjoshe deri tek Arqile Gorrea duheshin pushkatuar pa gjyq,si 22 martiret e bombes se Ambasades Sovjetyike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*