GJENIALE / Edi KM zbulon sloganin fitues të fushatës. Ja si kundërpërgjigjet opozita

February 27, 2021 08:15

GJENIALE / Edi KM zbulon sloganin fitues të fushatës. Ja si kundërpërgjigjet opozita

 

TIRANË, SOURREILLE e rrethina – Një hap tjetër drejt fitores elektorale të 25 Prillit ka hedhur Partia Socialiste ditët e fundit, pasi kryetari Edi KM ka shpalosur publikisht sloganin dhe frazën kyçe të qeverisjes së tij.

Së pari le të kujtojmë se gjetja e tij më e hershme, që mbërthente psikologjikisht çdo ankimtar të mundshëm ndaj punëve të pambaruara të qeverisë socialiste, ishte: “Do t’i bëjmë të gjitha, por me rradhë: Ti fëmijët i bëre të gjithë bashkë, apo një e nga një?”

Përgjithësisht ky reagim gozhdues rezultoi i suksesshëm, pavarësisht disa episodeve të veçuara që e vunë në siklet Edi KM-në.
Lexuesit me siguri e mbajnë mend kundërpërgjigjen e të riut Shëndet Xhabeqo, që ja preu shkurt Edit se nuk kishte fare fëmijë; apo të 33 vjeçares Trëndafile Gjembi, që deklaroi faqe kamerave se, po, kishte tre fëmijë dhe i kishte bërë njëherësh, trinjakë.

Kësaj rradhe, makineria publicitaro-plebishitare e Edit vjen me produktin e ri, që vetë kreu socialist ka filluar ta përdorë sakaq.

“Ke të drejtë që ankohesh, por ta dish se unë jam edhe më i pakënaqur se ty”, i thotë ai çdo qytetari e fshatari që nis të hapë gojën për ndonjë vërejtje.

“Unë jam kritiku numër Një i kësaj qeverie,” deklaroi ai në televizor në një rast tjetër, ndërsa në një episod të tretë e shpalli hapur:
“Po të isha unë në opozitë, kritikat që do t’i bëja këtij kabineti do ishin dhjetë herë më të ashpra se të Lulit!”

Çelësi komunikues elektoral, që mesa duket është studiuar gjatë nga ekipe psikologësh, sociologësh dhe inxhinerësh socialë të ish-fondacionit “Qemal Stafa” pranë PS-së, (sot Instituti “Selfo Qorri”), ka rezultuar i suksesshëm.

Siç është vënë re edhe gjatë transmetimeve live, pasi të pakënaqurit shohin reagimin e Edit KM, stepen, ngecin dhe nuk vazhdojnë dot. Madje në ndonjë rast, hallexhinjtë janë zënë aq ngushtë nga përgjigja e Edit, saqë janë tërhequr nga ankesa e tyre.

“Mirë… shiko, pensioni im pret akoma, nuk ta thashë për keq… keni pasur dhe arritje,” i tha me keqardhje 70 vjeçari Derman Katrani.

“Zoti Kryeministër, unë vërtet s’kam shtëpi ku të fus kokën se e shita për ilaçet e koronavirusit, por ama dritat s’na kanë ikur njëherë të vetme,” e ngushëlloi invalidi Llazi Tolloni.

“Ma murrte mrapsht llafin, na përmytje kena pas përvit, edhe ma keq se kaq. Mos ma ven re,” i tha fermeri nënujor Zef Hidrovori.

Gojët e Liga mësojnë se auto-agresiviteti elektoral socialist, ka zënë pa mendje edhe opozitën.

Demokratët kanë kryer mbledhje urgjente, si parti dhe si koalicion, për të zhbiriluar mënyrën e kundërpërgjigjes.

“Autokritika e tij është kaq e ashpër, saqë rrezik ta votojnë njerëzit vetëm nga keqardhja,” deklaroi i merakosur kreu i PD Lulzim Valiumi, “ndaj ne duhet t’ja prishim këtë skemë. Ai nuk na e hedh dot”.

Një prej zgjidhjeve që po diskuton opozita, është që të dalë në fushatë me qëndrimin: “Kryeministri i tanishëm ka qeverisur mjaft keq, po ka dhe disa arritje të vogla”.

Madje mësohet se Lulzimi mund të hedhë një hap akoma më të guximshëm: Në gjurmët autokritike të Edi KM, ai mund të deklarojë se opozita demokrate e këtyre viteve, ka qenë më e keqja, më qesharakja, më idiotja, më e pakualifikuara që është parë ndonjëherë!

—–

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike para-elektorale. Për periudhën e fushatës, mendojnë vetë partitë…

February 27, 2021 08:15
Komento

4 Komente

  1. Pesa Karo February 27, 14:07

    Duhet t’ia beje me te forta kritikat vetes Adi KM, dhe duhet te jete me i shqetesuar qe s’i zgjidh dot hallet e atyre qe i kane hallet hobi te dores se dyte, pasi nuk po e ben mire opoziten dhe qeverisjen njekohesisht.
    Prandaj shqetesohet edhe Valumi B, qe sapo kishte pare nje enderr te keqe sikur, Adi the KM, ne mandatin e trete e kish falur tespine badjava dhe i ishte perkushtuar opozitarizmit si lider i opozites se vertete qe do Shqiperia, e per Shqiperine qe ka qene e ku do shkoje, a ku eshte. Por ajo qe i kishte nderprere endrren ishte ajo pjesa e keqe kur po merrte kthesen, pasi i kish rastisur qe ato pergjimet e paligjshme te Maqedonise t’i kish patur edhe ay qe i mori tepsine ne mandatin e 2.

    Reply to this comment
  2. Pesa Karo February 28, 12:01

    Fiton mire kush fiton i parafundit thone mjeshtrat, pasi i fundit e ha ngahere!
    Nga ana tjeter sloganin e ka mare perseri ay i skapit.

    Reply to this comment
  3. Nje qytetar neutral February 28, 18:37

    Ka te dhena qe Edi KM po studion variantin me shtyrjen edhe me tutje te kesaj ideje. Ne rast nevoje ka gati slloganin: “Jemi gati te dalim ne Opozite qe ti tregojme Lulzim Valiumit si behet opozita. Pastaj kur te behen zgjedhjet ne 2025 fitojme mandatin e trete, qe do te quhet i katerti meqe ne dolem vullnetarisht ne Opozite”.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim