Ditari i ish-ambasadorit: Gjenocidi serb në Kosovë dhe qëndrimi rus

April 10, 2019 14:00

Ditari i ish-ambasadorit: Gjenocidi serb në Kosovë dhe qëndrimi rus

Nga Shaqir Vukaj*

Kanali televiziv ORT, mjaft i afërt me qarqet zyrtare ruse, më ftoi në një emision televiziv për Kosovën. Ky është një emision i titulluar “Vid” ku ftohen  politikanë që mund të kenë mendime të ndryshme për të njëjtin problem. Mund të angazhohen edhe persona të tjerë për të sqaruar opinionin për problemin që diskutohet ose për të bërë komentet e tyre.

Shaqir Vukaj

Megjithëse e mora me mend se çfarë do më pyesnin, u kërkova ndonjë sqarim se për çfarë problemi do të diskutohej. Për Kosovën – ishte përgjigja. Në këtë emision ishin ftuar edhe ish – zv/kryeministri i Rusisë, B. Njemcov, tani përfaqësues i së djathtës ruse (që së bashku me tre katër vetë, mbas fillimit të bombardimeve, ndërmori një udhëtim jo fort të suksesshëm në Jugosllavi, Itali e ShBA), deputeti i Dumës Shtetërore, Semaga, si dhe ambasadori rus në Beograd, që fliste prej andej, nëpërmjet satelitit.  Fillimisht më thanë se do të jetë i pranishëm dhe Kozirevi ish – ministër i jashtëm  i Rusisë në periudhën 1992-1996. Emisioni drejtohej nga gazetari Ljubimov, një gazetar shumë i përgatitur, (që është dhe  kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Rusisë), por që në emisionet e programet e tij për Kosovën, si shumë të tjerë, anon nga serbët e Millosheviçi.

Këto emisione transmetohen direkt, zakonisht mbas emisionit të lajmeve të orës 20, dhe, kuptohet, ndiqen nga shumë teleshikues, veçanërisht tani. Kështu, u organizua dhe sonte, rreth orës 20 e 30 minuta. Madje emisioni ishte paralajmëruar, që një ditë më parë, duke  përmendur dhe pjesëmarrësit.

Rrugës, duke shkuar  aty, mendja më punonte, si të flisja shkurt e saktë, për ato që po bën Millosheviçi e kriminelët e tij kundër vëllezërve kosovarë, të flisja me fakte e argumente për gjenocidin e spastrimin etnik që kishte ndërmarrë Beogradi. E kisha të qartë se do të më pyesnin për takimin e I. Rugovës me Millosheviçin, madje ky ishte dhe qëllimi për të cilin  më kishin ftuar. E kisha vendosur që, çfarëdo pyetjeje që do të më bënin t’i shmangesha me kujdes dhe të përgjigjesha ashtu si doja unë. Pyetja që më bëri Lubimovi nuk ishte e papritur. Ai kërkoi opinionet e mija rreth takimit Millosheviç – Rugova…

Në moment më doli përpara fytyra e I. Rugovës, me të cilin isha takuar një herë në Kongresin e Partisë së Prosperitetit Demokratik, në Tetovë, në shkurt të vitit 1992, madje kishim ngrënë edhe një darkë bashkë. Nuk e di se si m’u kujtua qëndrimi i tij  për Projektkushtetutën  “e bekuar nga zoti” të vitit 1994, kur ai pa patur as idenë më të vogël se ç’bëhej në Shqipëri, tha se “ata  që do të votojnë kundër kësaj kushtetute janë antishqiptarë” dhe qëndrimi i tij në mitingun e Tiranës për Projektkushtetutën,  kur, mbasi pa situatën, tha pak fjalë, mbylli letrat, siç u pa atëherë nëpërmjet ekranit, me mendimin se kjo Projektkushtetutë  nuk do të votohet nga populli….

Kisha mendimin tim për këtë figurë të rëndësishme të zhvillimeve të fundit në Kosovë, pavarësisht nga qëndrimet e tij shumë herë kontradiktore. Ndodh që politikanët bëjnë gabime, madje edhe të rënda, por takimi me Millosheviçin ishte një faj ose, thënë shqip, një veprim i pafalshëm. Sido që të ketë ndodhur, ai veprim ishte një njollë e zezë në jetën e tij politike. Nuk më hiqej nga mendja e qeshura e tij në këtë takim…

E fillova përgjigjen time me fjalët… po, edhe Rugova është viktimë e politikës serbomadhe të Millosheviçit, i asaj politike që prej njëqind vjetësh ndjek Serbia në tokat e pushtuara shqiptare. Por Rugova është viktimë e një lloji të veçantë, në krahasim me dhjetëra mijëra vëllezër e motra të tij që janë vrarë, masakruar, përdhunuar, burgosur e zhdukur pa lënë gjurmë në krahasim me ata qindra mijëra shqiptarë që janë përzënë nga Kosova për të realizuar ëndrrën serbomadhe për serbizimin e Kosovës…

Gazetari Ljubimov që e kisha përballë thartoi fytyrën, por s’kishte ç’të bënte. Vetë më kishte ftuar. Vazhdova me të njëjtin ton duke përmendur edhe shembuj konkretë, për 5 – 6 minuta. Sikur u lirova nga një peshë e rëndë. Indirekt fola edhe kundër atyre që me veprimtarinë e tyre ndihmojnë Millosheviçin, sigurisht pa përmendur emra… por kushdo e kuptonte se e kisha fjalën për politiken zyrtare ruse…

Prej vitesh isha mësuar të flisja në vende publike, të jepja intervista, apo të flisja në mbledhje të rëndësishme ndërkombëtare, por sot kisha një lloj tensioni të veçantë. Ndoshta nga se për herë të parë po flisja publikisht para miliona  teleshikuesish të shumtë rusë, mbas fillimit të bombardimeve dhe ai lëmshi i urrejtjes që më ishte grumbulluar, bënte punën e vet…

Nuk më bëri pyetje tjetër. Mbas emisionit, më përcolli deri tek hyrja kryesore. Rrugës më tha – z.Vukaj, nuk ju përgjigjet pyetjes sime. Të them të drejtën nuk e prisja një reagim të tillë.

Me të qeshur e falënderova për ftesën dhe shtova se kisha pritur  të më bënte ndonjë pyetje tjetër. Me sa duket – i thashë – e kini lënë, kur të më ftoni një herë tjetër…

Nuk më ftuan më asnjëherë. Atyre u duhej Borisllav Millosheviçi, të cilin e ftonin sa herë të donte ai… madje edhe e lusnin për intervista.

06.04.1999

Këto ditë ishte për vizitë në Jugosllavi një delegacion i Dumës Shtetërore i kryesuar nga nënkryetari,  Baburin.

Në një konferencë shtypi që dha menjëherë mbas kthimit, ndërmjet të tjerave ai tha se “Do t’i kërkoj presidentit dhe qeverisë që brenda datës 15 prill,  t’i dërgohen Jugosllavisë  ndihma në teknikë luftarake e, veçanërisht, në ato të mbrojtjes kundërajrore,  në mënyrë që ajo të përballojë sulmet barbare të avionëve të NATO-s”.

Ky Baburin, me të cilin kam zhvilluar një bisedë interesante për Ballkanin, se hiqet si specialist i madh i çështjeve tona ballkanike e, veçanërisht i Jugosllavisë, madje ka shkruar edhe libra për të, gjithmonë ka qenë mbrojtës i Millosheviçit dhe, në përgjithësi, i politikës së Serbisë. Deklarime të tilla nuk më çudisin, madje për të janë më se normale.

Por më çuditi një fakt tjetër. Menjëherë pas tij, doli në një konferencë shtypi zv/kryeministri Masljukov (edhe ky si shumë të tjerë, i njohur për qëndrimin e tij proserb), i cili si për t’iu kundërvënë nënkryetarit të Dumës Shtetërore, tha se: “Dërgimi i çdo lloj armatimi në Jugosllavi, është pune pa mend dhe e pamundur. Qeveria Ruse nuk do të futet në aventura të tilla. Ajo do të vazhdojë  edhe në të ardhmen, që zgjidhjen e konfliktit jugosllav ta kërkojë në rrugë diplomatike”.

Më bëri përshtypje një deklaratë e presidentit Jelcin, i cili mbas takimit me kryeministrin Primakov, deklaroi se: “Bombardimet e NATO-s në Jugosllavi janë një barbari. Por Rusia nuk do të hyjë në rrjedhat ushtarake. Ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqesore të konfliktit”.

Ç’ishte kjo deklaratë e stërpërsëritur, menjëherë mbas takimit?. Mos ndoshta Primakovi, që njihet për qendrime më të rrepta ndaj Perëndimit e pro Millosheviçit, ka hedhur idenë e ndonjë ndihme ushtarake për Jugosllavinë, apo ndonjë ide tjetër të kësaj natyre?. Siç gjykoj unë, diçka serioze duhet të ketë ndodhur sot në këtë takim, diçka që Jelcini nuk e kapërdin lehtë. Diçka, për të cilën, ai do të gjejë kohën dhe do të përgjigjet ashpër…

Sot u nis për Jugosllavi kontigjenti i parë i ndihmave humanitare, për të cilat, siç thuhet, ka dhënë kontribut edhe Bjellorusia. Kisha ortodokse ruse, në një kishë të Moskës, do të bekojë ndihmat që do te nisë për “ vëllezërit e saj ortodoksë sllavë serbë”.

Megjithë vështirësitë për të  gjetur hapësirë në mediat ruse, arrita të organizoj një intervistë direkte në radion “Eho Moskvi”, radio më e fuqishme ruse, e që dëgjohet në të gjithë botën. Në studiot e kësaj radio kanë dhënë intervista Klintoni, Shrederi, Shiraku e shumë personalitete të jetës politike, kulturore etj. është pikërisht kjo radio, për të cilën kam shkruar në shënimet e mija në muajin janar, ku pata dhënë një intervistë, për futjen e armëve në Kosovë  pata përmendur edhe Rusinë e qe u bë shkak për një notë të Ministrisë së Jashtme ruse …

Intervista u transmetua direkt dhe zgjati plot 22 minuta. Në studion e transmetimit ishin instaluar kamerat e të gjitha kanaleve televizive të Moskës, si dhe  të disa kanaleve  televizive  të huaja që kanë përfaqësi në Moskë, të cilët e filmuan të plotë të gjithë intervistën. U përpoqa të isha sa më i kujdesshëm në çdo fjalë, në çdo fjali, sepse, tashmë nga përvoja, ata numd të marrin vetëm diçka të shkëputur, e t’ia transmetojnë shikuesit të vet…siç bënë në janar për armët.

Në lajmet e darkës, në një emision për Kosovën, drejtuesi i emisionit të kanalit NTV, duke folur për refugjatët dhe numrin e shqiptarëve që kanë qenë të detyruar të largohen nga Kosova, më citoi  edhe mua, duke transmetuar një episod të filmuar, ku kisha thënë se “Në se spastrimi etnik do të vazhdojë me këto ritme edhe njëzet ditë, në Kosovë nuk do të mbetet më asnjë shqiptar”.

Në intervistën që dhashë sot  kam theksuar me qëllim dhunën, vrasjet masive, përdhunimet, spastrimin etnik etj për t’u bërë të qartë rusëve se ç’po ndodh në të vërtetë në Kosovë, si dhe për t’iu kundërvënë politikës zyrtare ruse. Disa herë personalitete të larta të politikës ruse, kanë thënë se ushtria serbe nuk ka ushtruar dhunë në Kosovë, pa le vrasje e spastrim etnik që nuk bëhet fjalë.“Janë shfaqje teatrale të shqiptarëve“ – tha para pak ditësh Ministri i Jashtëm, Ivanov.

Ndërsa në një deklaratë që bëri kryeministri Primakov, ditën që u kthye nga Jugosllavia,  u shpreh “Më thoni ku është gjenocidi? Jo, në Kosovë nuk ka gjenocid”.

Ministri i jashtëm Ivanov organizoi një konferencë shtypi për problemin e Kosovës. Vazhdoi si zakonisht me sulme kundër NATO-s dhe e akuzoi atë se po përgatit një sulm tokësor, që ka për qëllim shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia, krijimin e një qeverie të formuar nga UÇK-ja dhe se të njëjtin fat mund të kenë më vonë Mali i Zi dhe Vojvodina. Më poshtë foli për problemin e refugjatëve, por sipas tij,  si refugjatë nuk janë larguar vetëm shqiptarët, për të cilët Rusia është e shqetësur dhe e konsideron si detyrë kryesore kthimin e tyre. Për këtë NATO duhet të ndërpresë bombardimet, kurse Beogradi të bëjë gjithçka çka është e domosdoshme. Sipas tij gjithçka të domosdoshme, por asnjë fjalë nuk përmendi për ushtrinë, policinë e gjithfarë lloj trupash ushtarako – kriminele që ka futur Millosheviçi në Kosovë.

Në fund ai rreshtoi edhe një herë tezat e Rusisë, të cilat, siç tha ai, janë miratuar nga presidenti,  në të cilat nuk kishte ndonjë ide të re.

Gazeta “Sevodnja”botoi një intervistë të shkurtër të kryeministrit Primakov, ku përsëriti tezën e tij të njohur se “Bombardimet e NATO-s, do të sjellin konfrontime në Kosovë, dhe jo vetëm aty, por  edhe në Ballkan, edhe në tërë Evropën”

07.04.1999

Shembullin e NTV-së kanë filluar ta ndjekin edhe disa gazeta. Kështu në numrin e saj të sotëm “Njezavisimaja Gazeta” pohon se “që nga fillimi i bombardimeve kanë ikur nga Kosova 360 mijë vetë. Kjo është një shifër fantastike.”. Megjithëse   nuk shkoi më tej, të paktën filloi t’i dalë frika e të thotë diçka të vërtetë.

Kam shkruar diku se ku janë ata pak gazetarë, analistë apo historianë që në morinë e fushatës antishqiptare e prosebe, kanë patur kurajon e kanë folur e shkruar publikisht  të vërtetën për historinë tonë, për ne shqiptarët. Dhe ja sot, gazetari G. Sisojev, një ndër specialistët më të mirë të gazetarisë ruse për çështjet e Ballkanit, doli me një kryeartikull në gazetën “Komersant”, titulluar  “Mbas 20 ditësh nuk do të mbetet asnjë shqiptar në Kosovë” (Kishte vënë si titull atë që unë kisha përmendur në intervistën për radion Eho Moskvi). Ne të ai fliste me hollësi se qysh nga fillimi i bombardimeve, ushtria dhe policia serbe u dyndën mbi krahinën e Kosovës, duke ushtruar terror mbi banorët shqiptarë, duke i përzënë ata me dhunë nga vatrat e tyre drejt Shqipërisë e Maqedonisë…Artikulli ishte mjaft pozitiv.

Sot përsëri, ministri i jashtëm Ivanov, organizoi një konferencë shtypi, për problemin e Kosovës. Në ndryshim me atë të ditës së djeshme, kishte disa elemente të rinj, që hedhin dritë mbi disa levizje të reja të Milloshevicit e për mendimin tim, jo pa kontributin e këshillat e Moskës. Më bën përshtypje veçanërisht rëndësia që duan t’i japin I. Rugovës, i cili, siç kuptohet nga deklarata e Ivanovit, me Millosheviçin e ambasadorin rus nuk është takuar vetëm për t’u filmuar para kamerave….

Ivanovi e filloi konferencën me inisiativat dhe propozimin e Beogradit, bërë një nate më parë, të cilat, sipas tij, janë mbështetur edhe nga presidenti Jelcin. Më poshtë ai sqaroi se ku konsistojnë ato:

– Së pari, Beogradi në mënyrë të njëanshme, mori vendim të ndërpresë të gjtha veprimet luftarake të ushtrisë dhe policisë jugosllave kundër të ashtuquajturës Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Kështu, pala jugosllave bëri një xhest të rëndësishëm të vullnetit të mirë për ndërprerjen e gjakderdhjes në krahinë. Lind një mundësi reale, vetëkuptohet, në se do të ndërpriten bombardimet e NATO-s për të ndaluar rrjedhën e rrefugjatëve nga Kosova, të cilët ikin nga tmerret e luftës. Meqë ra fjala, sipas të dhënave, në spitalet e Kosovës shumica e të dëmtuarve janë shqiptarë, viktima të bombardimeve që bën NATO-ja me raketa e avione.

– Së dyti, përfaqësuesit e Qeverive të RF Jugosllavisë dhe Serbisë, me përfaqësuesit e atyre shqiptarë që përfaqëson Rugova, do të fillojnë menjëherë përgatitjet e marrëveshjeve politike…

Në të ardhmen kjo marrëveshje do të jetë themeli i ndërtimit të qëndrueshëm të autonomisë së “qenësishme” të Kosovës.

– Së treti, Beogradi merr përsipër të përgatisë së bashku me përfaqësuesit e shqiptarëve që përfaqëson Rugova, programin e kthimit të refugjatëve me pjesëmarrjen dhe ndihmën adekuate të Komisariiatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe Komitetin ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Më poshtë  foli për kontaktet që ai mban me ministrat e jashtëm të SHBA-së dhe vendeve të tjera kryesore evropiane, si dhe me përpjekjet që po bën Rusia për zgjidhjen e problemit. Ai shprehu shpresën se Perëndimi, do të reagojë pozitivisht ndaj propozimit të Beogradit. Atij i kishte  bërë përshtypje përgjigja e “ngutur” (siç e quati ai) e UÇK-së, e cila hodhi poshtë menjëherë inisiativën e Beogradit. Ndërsa mua më bën përshtypje se ai e bën fakt të kryer pranimin nga ana e I. Rugovës. Diku më sipër kam shkruar për vizitën e tij në Beograd, se diçka po lot, tani jam i bindur se diçka ka luajtur. Ivanovi nuk flet kot. Ky është mesazh që ai u çon të gjithëve për qëndrimin e Rugovës.

Në vazhdim të intervistës, duke folur për mundësinë e daljes së Rusisë nga rregjimi i embargos së armëve ndaj Jugosllavisë, ai tha se kjo pyetje shtrohet edhe në kryeqytetet evropiane edhe në bisedat telefonike nga ministrat e jashtëm etj. Lidhur me këtë, vazhdoi më poshtë ai, qëndrimi i Rusisë është deklaruar nga presidenti dhe kryeministri. Por, sipas tij, rezolutat e shumta të KS të OKB-së (të cilat ai i numëroi një për një) “janë shkelur nga vendet e tjera, në radhë të parë, nga NATO, të cilët furnizojnë dhe përgatisin të ashtuquajturën Ushtri Çlirimtare të Kosovës”. Mbasi foli për shkeljen e rezolutave nga të tjerët e nga Rusia asnjëherë, ai foli për katastrofën humanitare të krijuar e largimin e refugjatëve, të cilët, sipas tij, kanë mbetur pa strehë për shkak të bombardimeve të NATO-s!

Në përfundim ai njoftoi se Rusia sot do të nisë kontingjentin e parë të ndihmave prej rreth 300 mijë ton ushqime, medikamente etj. për në Jugosllavi. Më vonë tha se do të planifikojnë nisjen e ndihmave për në Maqedoni.

Për në Shqipëri, ku është numri më i madh i kosovarëve të përzënë me dhunë nga Kosova, asnjë fjalë. Siç duket me Shqipërinë i kanë prerë telat….

Në orët e vona të mbrëmjes, u bë e njohur nga të gjitha kanalet televizive ruse se Millosheviçi i është drejtuar Rusisë me kërkesë për ndihma në armatime dhe lëndë djegëse. Sipas këtyre informacioneve, Millosheviçi e ka bërë këtë gjatë takimit me kryetarin e Dumës Shtetërore të Federatës Ruse, Seleznjov. Në intervistën që dha në Beograd mbas takimit me Millosheviçin, ai u shpreh se presidenti jugosllav i është drejtuar zyrtarisht për ndihmë në armatime dhe lëndë djegëse dhe se ai, nga ana e tij, i kishte premtuar se këtë kërkesë do ta transmetonte menjëherë, sapo të arrinte në Moskë.

Shumë herë janë dhënë mendime e janë shprehur dyshime për kërkesat e Beogradit për armatime, por ky është rasti i parë që kërkesa bëhet zyrtarisht dhe publikohet.

*Shaqir Vukajt, ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse ditët e bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi. Pjesët e botuara sot në Dita janë shkruar në prill 1999 Vijon…

 

April 10, 2019 14:00
Komento

2 Komente

  1. Lakja April 10, 14:21

    Nuk duam me per Belulin.

    Reply to this comment
  2. geg hyseni April 10, 15:04

    Ja nje shembull i shkelqyer i atedhetarit dhe diplomatit elitar Shaqir Vukaj…Ju lutem beni krahasime me anonimet qe kan mbushur sot perfaqesite tona diplomatike ne bote, e deri ne MEPJ ne Tirane !!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin