Gjermani-Francë të bashkuar kundër etheve nacionaliste

October 8, 2015 13:00

Gjermani-Francë të bashkuar kundër etheve nacionaliste

Më 22 nëntor 1989, kur ideologjitë po shembeshin dhe Gjermania po bashkohej, për të aderuar në klubin e Evropës së Bashkuar, kancelari gjerman Kohl dhe presidenti francez Mitterrand, iu drejtuan së bashku Parlamentit Evropian, në një fjalim historik. Skena përsëritet. 26 vite më pas, aksi drejtues franko-gjerman rishfaqet sërish, po në Parlamentin Evropian. Vend i zgjedhur simbolikisht. Atje, ku qytetarët evropianë kanë deleguar të zgjedhurit e tyre. Në atë platformë, ku forcat nacionaliste ekstremiste, nuk reshtin së zgjeruari territorin e tyre, duke kërkuar me insistim shpërbërjen e Evropës. Por, si mund të lexohet rishfaqja e fundit franko-gjermane, para të zgjedhurve të qytetarëve evropianë ?

Evropa po përballet si rrallëherë me një situatë krize të shumëfishtë, kriza ekonomike, kriza greke, kriza e refugjatëve, kriza e Shengenit, kriza e shfaqjeve nacionaliste, krizë e lokalizuar demokratike, kriza e identiteteve politike, pa nënvlerësuar edhe krizën britanike.

Kriza ekonomike dhe platforma e ofruar për dalje nëpërmjet programeve të shtrëngimit ekonomik, u shoqërua me një sërë problematikash, që tronditën skemën klasike të ideologjive partiake. E majta, në emër të nevojshmërisë për shpëtim dhe dobishmërisë së pamohueshme të një pragmatizmi politik, nuk u pozicionua në emër të mbrojtjes së interesave të shtresave më të prekura, duke toleruar dhe sjellë në këtë mënyrë nëpërkëmbjen e të drejtave të njeriut dhe të barazisë sociale. Kjo rrëshqitje nga boshti i saj klasik ideologjik, ka krijuar në mënyrë të pashmangshme një krizë identiteti, që reflektohet gjerësisht në të gjithë partitë e majta në vendet e jugut, dhe jo vetëm. Krizë, që ka çuar në shpërthimin apo lindjen e partive të ekstremit të majtë, që në mënyrë paradoksale kanë marrë në mbrojtje pikërisht, braktisjen e përkohshme të ideologjisë së majtë. Por, kjo krizë ekonomike ka tronditur edhe klasën e djathtë politike, ku fuqizimi i ekstremit të djathtë po kryhet pikërisht në terrenin elektoral të së djathtës klasike. Pasojat e kësaj krize ekonomike i gjejmë të konfiguruara në Parlamentin Evropian, ku ekstremet e majta dhe të djathta vetëm po zgjerojnë hapësirat e tyre, duke ngushtuar radhët e së majtës dhe të djathtës klasike.

Pa u përmbyllur kriza ekonomike, një tjetër krizë me përmasa të konsiderueshme godet Unionin, kriza e refugjatëve. Krizë, që rishfaqi kufirin e padukshëm ideologjik mes Lindjes dhe Perëndimit. Krizë, që tronditi vlerat dhe parimet bazë, si solidariteti, humanizmi, të drejtat e njeriut, që janë shtylla kryesore e një Unioni, aktor rajonal dhe ndërkombëtar. Pozicionimi në grup kundër solidaritetit dhe humanizmit dhe bllokada e ish vendeve të Lindjes (Visegrad),  shfaqën jo vetëm problematikën e aderimit dhe respektimit të vlerave kryesore të Unionit, por ekspozuan edhe mungesën e vullnetit të Unionit për të përdorur të gjithë mekanizmat e tij, për detyrimin e këtyre vendeve, që të respektojnë vlerat dhe parimet bazë të organizmit ku aderojnë. Kjo mungesë vullneti, nxori në pah një tjetër problematikë më të rëndë, ku kahet politike mbrojnë me fanatizëm dhunuesit e të drejtave të njeriut, dhe kjo në emër të solidaritetit apo vëllazërisë partiake.

Si pasojë e kësaj krize, gjenerohet një tjetër krizë, tronditja e sistemit Shengen, mbyllja e përkohshme e kufijve të brendshëm. Ndonëse, nëpërmjet shpjegimeve fine dhe elegante, ofrohet ideja se kjo mbyllje është brenda normave të Shengen, ajo ka kaluar çdo normë dhe përkufizim ligjor, duke marrë trajtat e një inovacioni të paimagjinuar më parë, sepse asnjë normë e Shengen, nuk parashikon ngritjen e mureve të lartë me gjemba, në kufirin mes dy vendeve anëtare të një Evrope të bashkuar. Vendosja e njëpasnjëshme e barrierave dhe kufijve konfirmoi edhe njëherë se problemi më i vogël që ndodh, nxit kombet të rendin pas ambicieve dhe tkurrjeve nacionaliste.

Projekti nuk duhet të ndalet 

Kjo situatë e shumëfishtë krize, ka sjellë si pasojë, ekspozimin e një sërë problematikash sa të njohura aq edhe të panjohura për Unionin: vënia në dyshim e funksionimit të zonës euro dhe mekanizmave të saj mbështetës; krijimi i mekanizmave për monitorim të sundimit të ligjit dhe demokracisë në vendet anëtare, pasi ato bëhen pjesë e Unionit; rol më të fuqishëm në fushën e politikës së jashtme; rishikim të politikave të azilit apo të rregullores Dublin, etj.

Por, ky zinxhir krizash dhe pasojat, që ai po shkakton nuk duhet të shkurajojnë thelbin e vazhdueshmërinë së integrimit politik dhe ekonomik të Unionit. Evropa ka një projekt politik me frymëzim federal. Projekt, që është shpallur dhe mbrojtur publikisht nga aksi kryesor drejtues i saj Gjermania dhe Franca, thellimi i eurozonës.

Një thellim, i cili nuk do të kryhet mbi BE-28, por vetëm me vendet e zonës euro (19 shtete). Ky projekt synon një përforcim politik dhe ekonomik të Eurozonës, thellim të politikave fiskale dhe buxhetore, duke krijuar mundësinë për një rol më të madh kontrollues dhe stabilizues. Sigurisht duke nënkuptuar edhe lëshime të tjera të kompetencave kombëtare drejt atyre evropiane. Projekt, që do të mundësojë edhe një skicim institucional, si krijimi i një parlamenti të zonës euro, apo të një dhome të dytë ose Senati brenda parlamentit aktual. Por, edhe krijimin e postit të Komisionerit të Euros, i cili jo vetëm do të përfaqësojë këtë eurozonë të fortë, të fokusuar mbi politikat fiskale, rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin e punësimit, por propozimet shkojnë deri në dhënien e kompetencave më të larta, si e drejta e vetos ndaj buxheteve kombëtare.

Dalja e aksit drejtues evropian Merkel-Hollande në një fjalim të përbashkët në Parlamentin Evropian, përpara të zgjedhurve dhe të deleguarve të qytetarëve evropianë, sigurisht që duhet parë në kontekstin e një krize të shumëfishtë, që po kalon Unioni. Krizë, që përtej ekspozimit të një sërë problematikash mosfunksionuese të Unionit, mbart edhe një rrezikshmëri akoma më të lartë, shkurajimin për të avancuar më tej me integrimin e thelluar evropian. Thirrjet e presidentit francez Hollande, për t’i qëndruar projektit për më shumë Evropë, për thellim të eurozonës, për më shumë veprim të Unionit në politikën e jashtme dhe për përforcim të lëvizjes së lirë, konfirmojnë pozicionin delikat dhe të brishtë në të cilën ndodhet Unioni. Kjo dalje e aksit franko-gjerman, 26 vite pas dhënies fund të një ideologjie dhe politike të ftohtë përçarëse, duke konfirmuar vullnetin për bashkim të mëtejshëm, duket se mbart fuqinë e së njëjtës simbolikë, rikonfirmimin e vullnetit për një tjetër bashkim “atë të projekteve, të popujve dhe interesave të përbashkët”./im.ta/

 

 

October 8, 2015 13:00