Gjermani: “Turqia e Erdoganit nuk ka vend në Europë”

August 13, 2014 16:50

Gjermani: “Turqia e Erdoganit nuk ka vend në Europë”

Pas fitores së Erdogan në zgjedhjet e së dielës në Turqi, partia e koalicionit qeverisës në Gjermani, CSU i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që pranimi i Turqisë në BE, të arkivohet, pra të mos konsiderohet. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Andreas Scheuer ka deklaruar për “Hannoversche Allgemeine Zeitung”, se “Turqia e Erdoganit nuk ka më vend në Europë”. Ai ka ekspozuar gjithashtu shqetësimet mbi fshirjen e principeve thelbësore demokratike në Turqi. Por, çfarë po ndodh aktualisht me përpjekjet gjysëm-shekullore të Turqisë për t’u integruar në BE? Nëse Turqia e Erdogan, nuk dëshirohet të ketë aspak vend në Europë, si është pozicionuar BE në qëndrimet dhe dëshirat e saj përballë Turqisë së Ecevit, Turqisë së Yilmaz, të Çiller apo edhe të Turgut Özal ?

Rasti turk, do të memorizohet në historikun e zgjerimit të BE-së, si një prej vendeve, që përpjekjet e tij, për të qenë një ditë, pjesë e strukturave integruese të Unionit, janë shtrirë në një hark gjysëm shekullor. Kërkesa e saj e parë për anëtarësim në Komunitetin Ekonomik Evropian daton në 1959. Në vitin 1999, Këshilli evropian i Helsinkit e deklaron Turqinë vend kandidat dhe në vitin 2005 hapen negociatat e aderimit. Që prej momentit të hapjes së negociatave, konstatohen bllokime {1} dhe ngecje të herëpashershme të procesit, që kryesisht mbartnin si problematika marrëdhëniet dypalëshe me Qipron. Turqia do të shënojë gjithashtu në këtë historik zgjerimi, ndoshta shembullin e parë, se si problematikat në diplomacinë dypalëshe, po transferoheshin për zgjidhje politike, në nivel evropian. Presionet e diplomacisë së Qipros do të shkaktojnë vazhdimisht bllokime të negociatave të mëtejshme, duke e shndërruar marrëdhënien mes dy vendeve, si një nga kriteret për avancim të mëtejshëm në integrimin evropian.

Por, përtej problematikave dypalëshe, drejt rrugës së saj integruese, Turqia është përballur dhe po vazhdon të përballet me bllokime të vazhdueshme edhe nga aksi franko-gjerman. Parisi dhe Berlini duket se, janë në sinkron për sa i përket çështjes turke. Dy vendet me influencë tejet të konsiderueshme në BE, shfaqin shenja hezitimi frenues, përballë një ndryshimi të mundshëm të skemës politikbërëse, nga fuqia e shifrave turke (~76 mil.banorë), që mund të përkthehen në dominim dhe influencë pushteti. Ky hezitim i aksit Paris-Berlin, rritet ndjeshëm, ndërsa shoqërohet edhe me frikën logjike të mbështetjes së hapur të diplomacisë britanike, ndaj anëtarësimit të Turqisë. Diplomacia britanike ka shprehur hapur mbështetjen ndaj Turqisë, duke përcjellë edhe sugjerimin amerikan, se anëtarësimi i shpejtë i Turqisë në BE është, “tejet thelbësor për ekonominë, thelbësor për sigurinë dhe thelbësor për diplomacinë” .

Për Francën, problemi kryesor i ekspozuar në kohë edhe nga elita akademike, ndërthuret në  rënien e influencës së saj, si në terma rajonalë, por edhe global. Me  një fuqi të padiskutueshme në BE, duke refuzuar dy herë anëtarësimin e Britanisë së Madhe në Union, Franca do të fillojë përjetimin e humbjes së fuqisë së saj, përballë bashkimit të Gjermanisë (’89) dhe fuqizimit të vazhdueshëm ekonomik gjerman. Edhe dy zgjerimet e fundit evropiane (2004-2007) janë shoqëruar me reagime dyshuese, të cilat përcillnin një skepticizëm të elitave franceze mbi përfitimin ekonomik të Berlinit, duke e fuqizuar më tej atë.  Me ndryshim të pushtetit të shifrave, që përktheheshin në vota dhe në vendimmarrje, Franca fillon të shfaqë një lloj hezitimi, që reflektoheshin në refuzime të mëtejshme ndaj zgjerimit. Rasti turk, do të jetë shembulli i refuzimit kategorik, sidomos nën presidencën e Sarkozi. Diplomacia franceze do të shprehej për një “Partneritet të Privilegjuar” me Turqinë, për të shmangur në këtë mënyrë një anëtarësim të mundshëm të Turqisë në BE. Berlini mbështeste gjithashtu këtë propozim, i cili u refuzua kategorikisht nga Ankaraja zyrtare.

Edhe pse, pozicionimi i fundit diplomatik i presidencës socialiste të Hollande (2013) i ka hapur rrugën zhbllokimit të kapitujve për të mundësuar avancimin e mëtejshëm turk, duket se asgjë nuk do të ndryshojë në rrethin vicioz të politikbërjes evropiane për sa kohë, zhbllokimit francez do i kundërvihet bllokimi gjerman dhe zhbllokimit të aksit franko-gjerman do i kundërvihet bllokimi qipriot.

Pozicionimi i fundit i CSU-së, që i sugjeron BE-së të arkivojë dosjen turke, sigurisht që përcjellë një sërë shqetësimesh. Turqia nën Erdogan është vënë në krye të kritikave nga një sërë organizmash mbi fshirjen e principeve thelbësore demokratike në Turqi. Me një drejtim autoritar në rritje që prej vitit 2002, Erdogan është akuzuar për shtypje të lirisë së shprehjes dhe arrestime ndaj gazetarëve, duke e renditur Turqinë krahas vendeve si Kina. Freedom House në raportin e saj të përvitshëm e ka renditur Turqinë nga një vend me shtyp “pjesërisht të lirë” në një vend me shtyp “jo të lirë”, duke qëndruar përkrah Zimbaves dhe Somalisë. Ndalimi i rrjeteve sociale si Twitter dhe Youtube është një tjetër aspekt i kufizimit të lirive, tejet i kritikuar edhe nga BE dhe duke e pozicionuar sërish Turqinë krahas vendeve si Kina, Kuba, Kore e Veriut dhe Pakistani. Krijimi i një ligji të ri mbi internetit, që i jepte qeverisë të drejtën për të fshirë përmbajtje të ndryshme online, të bllokonte individë të ndryshëm dhe të kishte akses në korrespondencën elektronike private, u shoqërua gjithashtu me reagime të forta në nivel evropian. Erdogan është përballur me kritika ndërkombëtare për përdorimin e dhunës gjatë protestave të zhvilluara vitin e kaluar. Pas fitores së tij, ai premtoi se do të jetë një “president aktiv” dhe se do të përdorë “pushtetin e gjerë të fuqive kushtetuese”, duke ekspozuar shqetësime, mbi fuqizimin e presidencës dhe duke shndërruar Turqinë nga një demokraci parlamentare në një sistem presidencial.

E gjithë kjo panoramë ka qenë në fokusin e BE-së, e cila rifillon sërish të propozojë, ndonëse në nivele jo publike, ndaljen e avancimit të mëtejshëm integrues të Turqisë, që kishte rifilluar vetëm pas tre vitesh bllokimi. Pas marrjes së presidencës nga Erdogan, rishfaqet publikisht reagimi gjerman, që në fakt përmbledh edhe shqetësimin evropian.

Por, propozimi për bllokimin e radhës, duket se përtej shqetësimit real, për një përkeqësim të kuadrit të përgjithshëm të lirive dhe principeve themelore demokratike, mbart shqetësime, që e tejkalojnë këtë dimension. Jo vetëm Turqia e Erdogan, por edhe Turqia para tij, po vijon prej gjysmë shekulli të endet përballë portave evropiane me shpresë, se ato do të hapen për ta mirëpritur atë, dhe në çdo moment pretendimet, sugjerimet e shumëllojshme, kërkesat dhe justifikimet bllokuese të karakterit politik të aksit franko-gjerman dhe të shteteve të ndryshme anëtare, nuk kanë konfirmuar veçse shprehjen e mungesës së qartë të vullnetit politik, për anëtarësimin e Turqisë në BE. Frika ndaj një ribalancimi apo riekuilibrimi të mundshëm të faktorit politik vendimmarrës brenda BE-së, pas anëtarësimit turk, duket se është edhe gjeneruese e vazhdueshme e debatit shumëplanësh, që përshin si anën fetare, si konceptin gjeopolitik, por edhe vetë thelbin e ekzistencës së BE-së. A mund të jetë i gabuar perceptimi logjik, se kërkesa në thelb për mos grumbullim pushteti, ndaj Erdogan, ekspozohet në përplasje me filozofinë politike të aksit drejtues, pikërisht për mos humbje të këtij pushteti?! Sigurisht që po, nëse logjika e toleron pranimin e filozofisë së thjeshtëzuar, që shpeshherë sugjerohet dhe rekomandohet, se Europa demokratike me vullnet të qëndrueshëm politik, nuk po kërkon veçse përmbushjen e elementeve teknikë, të cilat Turqia ende nuk po i plotëson./im.ta/

 

 

{1} BE ngrin fillimisht negociatat mbi 8 Kapituj, që i konsideronte të lidhur me unionin doganor dhe vendosi se asnjë prej tyre nuk mund të mbyllej, as përkohësisht, para aplikimit të Protokollit Shtesë të Marrëveshjes së Ankarasë. Bllokimi i radhës vjen menjëherë pas ardhjes në presidencën franceze të Sarkozisë në 2007. Franca u angazhua menjëherë në bllokimin e hapjes së 5 kapitujve të tjerë, të cilët konsiderohen se kanë një influencë direkte mbi aderimin (Kapitulli mbi Politikën Rajonale, Politikën Agrikulturore të Përbashkët; Unionin Ekonomik dhe Monetar, Dispozitat Institucionale dhe ato Financiare). Sërish shtete të ndryshme anëtare për arsye politike bllokojnë sërish hapjen e kapitujve të tjerë, edhe pse Turqia vlerësohej se kishte avancuar teknikisht mirë në këtë drejtim (p.sh. në 2009 Qipro bllokon 6 kapituj të tjerë, etj). Kjo situatë çoi gradualisht në një ngecje totale të negociatave BE-Turqi, të cilat u shoqëruan gjithashtu edhe me gjenerimin e një debati për diskriminim të mundshëm nga ana e BE-së, nën pretendimin se Turqia, nuk po trajtohej në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera aderuese në BE, përballë plotësimit të kritereve të Kopenhagenit. Pas tre vitesh bllokimi negociatash, vetëm në nëntor 2013, Franca dhe Gjermania zhbllokuan kapitujt, duke hapur përkohësisht kapitullin mbi “Politikat Rajonale”.

 

August 13, 2014 16:50