Gjermania, shembulli i një modeli të munguar evropian

May 4, 2015 15:49

Gjermania, shembulli i një modeli të munguar evropian

Politika që Gjermania ndjek mbi imigracionin është vlerësuar si ekzemplare. Nga një pikëpamje juridike dhe konstitucionale, pozicionimi i saj është gjykuar si ekselent. Lider i politikave të reja të migrimit, kryesisht të imigrantëve punëtorë, Gjermania po shndërrohet në modelin reformator, që i nevojitet Evropës. Por, çfarë konstaton studimi i kryer në këtë fushë, dhe ç’propozime ofrohen në nivel evropian ?

Raporti vjetor i Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane mbi Migrimin dhe Integrimin (SVR-2015) është fokusuar mbi një analizë të politikave të migrimit dhe të integrimit në Gjermani, si edhe në krahasimin e tyre me disa vende të tjera të BE-së, por edhe me kontinentet e tjera imigruese, si Amerika e Veriut (SHBA dhe Kanada), apo Australia.

Ky studim e prezanton Gjermaninë, si një nga pionierët e politikave të migrimit modern, sidomos në politikat mbi punësimin. Studimi arrin në konkluzione surprizuese, që sfidojnë diskutimin e gjerë publik mbi migrimin dhe integrimin në Gjermani. Në një kuptim politik dhe konceptual, Gjermania, ka përmirësuar ndjeshëm skemën e menaxhimit të migrimit dhe ka futur një sërë masash të gjera, me synim lehtësimin e integrimit të migrantëve dhe pjesëmarrjen e tyre sociale, përgjatë viteve të fundit. Me këto reforma, Gjermania ka arritur nivelin e vendeve, që vlerësohen se, kanë skema migrimi dhe integrimi progresive. Konkluzionet tërheqin vëmendjen, pasi Gjermania është krahasuar me vendet modele në këtë drejtim si Kanadaja, Australia, Suedia, apo Holanda.

E hapur si ndaj politikave të migrimit të personave me profil akademik, por edhe ndaj punëtorëve, Gjermania ka zgjedhur të adaptojë një model hibrid të politikave të punësimit të imigrantëve. Raporti vlerëson, se nuk është i mjaftueshëm zhvillimi dhe implementimi i politikave të reja të migrimit dhe integrimit, por duhet që masat e reja të bëhen publike dhe botës t’i thuhet se, Gjermania është një vend modern i migrimit, dyert e të cilës janë të hapura për talentet botërore.

Nevoja dhe realiteti i mospërputhjes

Nga njëra anë, studimi konfirmon tendencat parashikuese se, konkurrenca për persona të kualifikuar do të rritet dhe imigrantët nga vendet Evropiane nuk do të mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e tregut gjerman të punës. Në këtë këndvështrim vlerësohet gjithashtu se, situatat e ndryshimit demografik në Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore tregojnë se, rëndësia e këtyre vendeve si burim pune për Gjermaninë, do të jetë në një të ardhme në rënie. Si rrjedhojë, Gjermania duhet të bëjë përpjekje për të bindur qytetarët e vendeve, që s’janë pjesë e BE-së, se janë të mirëpritur dhe të kërkuar.

Por, nga ana tjetër, raporti thekson gjithashtu se përtej kësaj përqasje, lind edhe domosdoshmëria  që ky kuadër nevojshmërie në rritje për imigrantë, t’i shpjegohet edhe popullatës gjermane, si edhe përfitimet, që mund të vijnë nga një prurje apo fluks imigrantësh. Gjithashtu raporti sugjeron që të gjithë partitë politike në Parlamentin Federal Gjerman dhe shumica e aktorëve të shoqërisë civile, duhet të mbështesin orientimin e ri të migrimit në vend, dhe të politikave integruese. Kjo qasje e re, duhet të jetë përgjigja e Gjermanisë ndaj një sërë sfidash që po përballet vendi, që përfshijnë, ato demografike, tregun e punës dhe ndryshimet socio-politike, të ndërthurura me të drejtat e njeriut dhe detyrimet ndërkombëtare të bazuara në ligj.

Në këtë drejtim kërkohet që politikë-bërësit teksa ndryshojnë kuadrin ligjor për ta përputhur me ndryshimet në shoqëri, çka gjerësisht është pranuar nga shoqëria e gjerë, duhet të bëjnë përpjekje që të harmonizojnë gjithashtu, ndryshimet në politikat e imigracionit, me mbështetjen e qytetarëve në këtë drejtim. Duke iu referuar lëvizjes Pegida, raporti i bën thirrje politikë-bërësve, që të jenë aktivë në këtë drejtim.

Karta Blu dhe Dublin II 

Teksa raporti sjell një këndvështrim shumë interesant ndaj rritjes së nevojave të brendshme të tregut gjerman të punës, flukseve të nevojshme të imigrantëve, si edhe ndërgjegjësimin e domosdoshëm të popullatës gjermane mbi përfitimet në këtë fushë veprimi, ai shënjestron edhe dy problematikat në nivel evropian (Karta Blu dhe Dublin II), duke nxitur autoritetet gjermane për të pasur rolin e motorit kryesor në këto iniciativa.

Sistemi i Kartës Blu, vlerësohet nga raporti si një zhvillim i rëndësishëm dhe një përgjigje evropiane ndaj mundësive për migrim ligjor, përballë gjigantëve të politikave të tregut të punës mbi thithjen e imigrantëve, si SHBA, Kanada apo Australi.

Por, raporti thekson se, është për të ardhur keq që Karta Blu, ndonëse një sukses në Gjermani, ka qenë një dështim, thuajse për të gjithë kontinentin. Shtetet e tjera, ndonëse kanë futur këtë sistem, e kanë injoruar, atë, duke favorizuar instrumentet e rekrutimit kombëtar. Përqasje, që ka dëmtuar synimin e Kartës Blu, për ta bërë Kontinentin Evropian të migrimit më tërheqës për punëtorët. Në mënyrë që të fuqizojnë pozicionin evropian si një kontinent për imigracion ndërkombëtar të kualifikuar, shtetet anëtare duhet të këshillohen për të zhvilluar një plan për të vazhduar mbajtjen e sistemit së Kartës Blu. Vendet e BE-së, duhet të zhvillojnë një strategji të përbashkët, që e bën efektiv përdorimin e kuadrit ekzistues për punëtorët, ndërsa konsideron paralelisht specifikat e politikave të tregut të punës së çdo vendi. Gjermania duhet të vazhdojë të insistojë në mbajtjen e Kartës Blu në nivel Evropian dhe duhet të përpiqet të bindë shtetet e tjera, se një zonë migrimi, që përmban afërsisht 30 rregullore të ndryshme është jotërheqëse dhe jo transparente.

Po në këtë kuadër, kërkohet dhe reformim i sistemit aktual të kërkimit të azilit. Kryesisht Dublin II dhe Sistemi i Përbashkët Evropian i Kërkimit të Azilit. “Zgjedhje e lirë” reforma e shumë përmendur është zgjidhja e duhur ndaj problematikës, se shteti i parë ku imigranti shkel, duhet të jetë përgjegjës për kërkesën e tij të azilit. SVR sugjeron një sërë veprimesh që të mundësojnë si mbajtjen e principeve të Dublin II por edhe kombinimin me nocionin e zgjedhjes së lirë. Nëse ky propozim rezulton të jetë i suksesshëm dhe një përqindje e ngjashme e kërkesave për azil njihet në vendet e Evropës Jugore si edhe në pjesën tjetër të kontinentit, një tjetër hap mund të ndërmerret: njohja e së drejtës për të zgjedhur lirisht vendin e rezidencës, pasi të jetë përmbyllur çështja e azilit.

Ndonëse raporti, është bërë  i njohur “pjesërisht” apo në forma të “përzgjedhura”, nga mediat e huaja, ai shfaqet tërësisht i vlerësueshëm, teksa vendos në tryezë problematikat aktuale dhe sugjeron zgjidhjen reale të tyre. Ndoshta ai mund të jetë ndër raportet e paktë, që sugjeron haptazi nevojshmërinë që aktorët politikë, paralelisht me ndryshimet ligjore, të ndërgjegjësojnë opinionin publik mbi përfitimet, që sjell hapja ndaj imigracionit, në një kuadër të pastër financiar. Ai shfaqet tejet i rëndësishëm edhe në optikën e nxitjes së autoriteteve gjermane për veprim të domosdoshëm në nivel evropian, në lidhje me hapjen ndaj sistemit të ligjshmit të migrimit si edhe reformim të domosdoshëm të politikave të azilkërkuesve./im.ta/

May 4, 2015 15:49