Gjiknuri: Albpetrol dhe Bulqiza, të gjithë në sitë

JAVA November 12, 2013 15:32

Gjiknuri: Albpetrol dhe Bulqiza, të gjithë në sitë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, është mjaft i zënë këto kohë. Pas ngjarjeve të dhimbshme të orëve të fundit, ku 7 të rinj lanë jetën në galeritë e minierave, ministri thotë se është urgjente marrja e masave për disiplinimin e sektorit minerar në Shqipëri.

Më poshtë, intervista e Gjiknurit dhënë revistës “Java”.

 

Zoti ministër, pak ditë më parë bëri zhurmë një deklaratë e juaja për rishikimin e të gjitha koncesioneve dhe lejeve minerare në Bulqizë. Në cilën pikë ndodhet ky proces deri tani, sa do të zgjasë ai? Cilat janë përmasat e verifikimit, për sa leje e koncesione bëhet fjalë?

Është mëse e qartë se situata në Bulqizë është e rëndë dhe e papranueshme. Numri i minatorëve që kanë humbur jetën në galeritë e Bulqizës gjatë viteve të fundit mund të konsiderohet si dëshmia më e mirë për realitetin e zymtë dhe kushtet mesjetare të punës. Si Ministër i Energjisë dhe Industrisë kam firmosur urdhrin për gritjen e një Grupi të Posaçëm me që­llim vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar sipas detyrimeve të marrëveshjeve koncesionare dhe lejeve minerare. Grupi po vepron në terren, po analizon realizimin e programit të koncesionit, duke kontrolluar me prioritet absolut edhe plotësimi i kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në  punë të punonjësve të punësuar në aktivitetin minerar.  Nisur nga fakti se situata më problematike mbetet me mos respektimin e kushteve të punës në zonat ku ushtrohet aktivitet i palicensuar, po kryhen veprimet e duhura për të evidentuar të gjitha këto aktivitete. Subjekteve që kanë marrë koncesione leje minerare po u kontrollohet realizimi i grafikut të investimeve të kryera si detyrim i parashikuar në kontratat koncesionare, ashtu sikurse edhe bilanci i rezervave të mineralit të kromit për secilën leje minerare, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të tyre. Nisur nga puna në terren e cila po vazhdon prej disa ditësh, Grupit do t’i duhet një kohë prej rreth një muaj që të përmbyllë raportin paraprak për situatën në Bulqizë. Kjo tablo do të mund të na orientojë për marrjen e masave afatshkurtra dhe afatgjata me qëllim vendosjen e aktivitetit minerar në binarët e ligjit. Ekziston vullneti i palëkundur për të rishikuar dhe për të marrë masa drastike për çdo aktivitet i cili rezulton në shkelje të detyrimeve kontraktuale me shtetin shqiptar. Ndërhyrja në Bulqizë kërkon bashkëveprimin e të gjitha mekanizmave të shtetit, përfshirë mbështetjen e fortë të Policisë, Drejtorisë së Tatimeve dhe Drejtorisë së Doganave.
Si e keni gjetur situatën në sektorin energjitik? A keni sot diçka më shumë për të thënë rreth gjendjes në burimet minerare, hidrokarbure etj?

Nuk është diçka për tu fshehur tanimë fakti se sektori energjetik është lënë në një gjendje kolapsi financiar duke akumuluar në total një borxh prej gati 1 miliard dollare. Pika më të dobët padyshim është sistemi i shpërndarjes i cili akumulon sot humbje të mëdha, 45 përqind,  jo vetëm teknike, por edhe vjedhje.  Po të shtosh ketu edhe faktin qe arketimet e energjise se faturuar janë në rastin më të mirë 80 përqind, na del për cdo 100 leke energji të hedhur në rrjet arketohen në rastin më të mirë 50 lek.  Në një sistem që vepron me 50 përqind humbje nuk ka para të mjaftueshme për të paguar të gjithë hallakt sic janë Koorporata Elektroenergjetike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Nuk mund të lë pa prekur faktin se politika e qeverisë së mëparshme dhe sloganet për një superfuqi energjetike e kanë futur sistemin në një kolaps edhe më të thellë financiar, për shkak të burimeve të reja gjeneruese dhe  tarifave nxitëse që detyrojnë shtetin t’i paguajë blerjen e energjisë së prodhuar nga  hidrocentraleve private. Kjo ka bërë që modeli në Shqipëri i tregut, çmimi dhe të gjitha elementët që kanë të bëjnë me tregun energjetik të jenë jashtë kontrollit dhe nuk reflektojnë gjendjen reale dhe çmimin real të energjisë. Me këtë, nuk aludoj  se zgjidhja është rritja e çmimit por nevoja dikton zgjidhje afatgjatë  per  sistemin energjetik shqiptar. Për sa i përket burimeve hidrokarbure prodhimi vazhdon të rritet duke arritur  në këtë vit në 1.2 milion ton naftë bruto , një shifër historike për shqipërinë dhe më tendencë rritje. A po materializohet kjo në më shumë para për publikun? Mendoj se jo,  dhe për këtë do të punojmë pasi deri më tani ka munguar kontrolli i duhur mbi shoqëritë e hidrokarbureve duke bërë që shpenzimet të deklarohen të larta duke dalë vazhdimisht me humbje e si rrejdhim duke pagur në favor të shtetit vetën 10 përqind të rentes dhe prodhimin paraekzistues. Kjo gjë duhet të ndryshojë dhe ne po punojmë për këtë.
Një ndër premtimet e para që keni bërë është ai i transparencës në Albpetrol. Në cilën pikë të verifikimit të situatës ndodheni? A kanë fakte konkrete për ato që i keni quajtur abuzime milioëshe në Albpetrol? Nëse po, a mund të përmendi ndonjë rast konkret?

Albpetrol është një nga shoqëritë të cilat meritojnë një hetim të plotë për të nxjerrë në dritë të gjitha abuzimet që siç e kam deklaruar janë në miliona e miliona dollarë. Shpërdorime përmes ankandesh fiktive dhe vjedhje në naftë. Albpetrol nuk e ka më aktivitetin ekonomik të mëparshëm dhe tanimë ai ushtrohet nga kompani koncesionare duke e kthyer këtë  më shumë në një shoqëri rentiere.  Në ditët e fundit të jetës së saj qeveria  Berisha dha me koncesion edhe vendburimete e mbetura  që kishte Albpetroli duke e lënë shoqërinë praktikisht pa asnjë vendburim. Kjo ka bërë që shoqëria të ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike dhe në një udhëkryq për të ardhmen e saj.  Kjo situatë meriton përgjegjësi dhe MEI po punon për këtë. Teksa komunikojmë në Albpetrol po zhvillohet një auditim për veprimtarinë e viteve të fundit duke nxjerre shkeljet dhe personat përgjegjës, një proces që patjetër do të marrë kohën e vet.


Një ndër çështjet delikate me të cilat po merreni është CEZ. Si e ka parashikuar qeveria zgjidhjen e nyjes së CEZ-it?

Privatizimi i sistemit të shpërndarjes është një nga dështimet më të turpshme të ish qeverisë me kosto të mëdha për vendin deh me pasoja që do të zgjasin. Packa se pala Ceke ka shkelur në mënyrë sistematike detyrimet e saj, shteti shqipëtar mbylli sytë dhe bëri strucin atëher kur duhet të vepronte në kohë dhe rreagoi me nxitim atëher kur duhet të kishte treguar qetesi dhe maturi përapara se t’i hiqte licencen CEZ. Kam krijuar bindjen që pala ceke do të largohej nga Shqipëria për shkak të keq manaxhimit të kontratës dhe në muajt  e fundit të saj punoi  me sukses për një qëllim,  si të përfshinte dhe palën shqiptare në faj përpara se ERE në mënyrë të justifikuar të hiqte licencën. Megjithatë në këtë pikë dua të jem i rezervuar pasi palë në konflikt nuk është PD apo Berisha por Republika e Shqipërisë, ministër i qeverisë së të cilës unë jam. E rëndësishme është të gjejmë një zgjidhje të shpejtë dhe pa implikime të konsiderushme financiare per vendin. Rikthimin e palës ceke e shikoj të pamundur duke lënë në tavolinë opsionet e tjera dhe cliruar pronësinë e shpërndarjes nga Ceket. Në këtë zgjidhje e rendësishme është koha pasi sistemi i shpërndarjes ka nevojë për masa urgjente dhe reforma të thella pasi është pika më e rendesishme e gjithe sistemit të energjise elektrike e cila po nuk u përmirësua dukshëm do të jetë plaga më e madhe fiananciare edhe në vitet në vazhdim për këtë vend.
Verifikimi i asaj që është bërë keq është njëra anë e problemit. Ana tjetër ka të bëjë me reformën që qeveria e juaj duhet të avancojë në sektorin energjitik. Cilat janë ndërhyrjet e para që parashikoni të bëni, si ministri i linjës në këtë drejtim?

Në radhë të parë duke i dhënë një zgjidhje situatës kritike  në sistemin e  shpërndarjes përfshirë dhe gjetjen e një zgjidhje me Ceket. Reduktimin e humbjeve ne rrjet nëpërmjet masave të rrepta kundër vjedhjes së energjisë  dhe më pas investimeve të  mëtejshme në rrjetin energjitik. Por në terma më afatgjatë do të duhen masa  më efektive për liberalizimin e tregut,  rishikimin e strukturës së kompozimit të cmimit të energjisë pa e kaluar tavanin aktual por duke ndare vec shtresat  në nevojë nga konsumatoret e zakonshem. Për të krijuar një stabilitet dhe siguri energjitike afatgjatë  vendi ka nevojë për  diversifikimin e burimeve energjitike duke mos u varur vetem nga prodhimi i HEC. Gazesjellesi TAP dhe mundësia e përdorimit të gazit në shqipëri është një mundësi e artë që duhet shfrytëzuar për diversifikim  sic është edhe bashkëpunimi si një treg i vetëm me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC e Kosoves  me burimet tona. Siguria energjitike është një nga sfidat më të mëdha qe ka cdo vend sot  dhe si e tillë do të kërkojë kohë dhe vemendjen e nevojshme nga të gjithë si një prioritet i vazhdueshëm, pasi energji ka dhe do të ketë por gjithmonë pyetja shtrohet me cfare cmimi?

JAVA November 12, 2013 15:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*