Gjiknuri: Energjia drejt liberalizimit

Edlira Shehu January 24, 2014 09:44

Gjiknuri: Energjia drejt liberalizimit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i pranishëm në analizën e punës së Operatorit të Sistemit te Transmetimit (OST), deklaroi se së shpejti do të liberalizojmë pjesë të këtij tregu dhe pranoi problemet që ka krijuar CEZ. “CEZ ka krijuar probleme të mëdha në sistemin elektroenergjetik”, tha ministri, që njoftoi hartimin e një masterplani për sektorin e shpërndarjes. “Roli juaj, këtu është deçiziv pasi ju do të jeni baza, platforma mbi të cilën do të zhvillohet i gjithë procesi. Shqipëria vuan nga një disbalancë, dhe po të shikoni rrjetin e vendit, është i përqendruar më shumë në veri, duke lënë pjesët e tjera të jugut, të cilat po zhvillohen jashtë përqendrimit që duhet për rrjetin. Vetë Operatori i Transmetimit ka hyrë në një fazë ristrukturimi.

Ka edhe shumë elementë të tjerë ligjorë apo administrativë që duhen përshtatur me dinamikën, që ka dhe zhvillimi i tregut evropian, ku shumë i rëndësishëm mbetet për Operatorin e Transmetimit anëtarësimi në ENCO”, u shpreh Gjiknuri, duke pranuar problemet që janë në sistemin energjetik si dhe zgjidhjet që pritet të jepen nga qeveria shqiptare. Sipas Ministrit situata me CEZ shpërndarje dhe ngërçi që është krijuar, qoftë nga ana juridike, por qoftë edhe ekskluziviteti i shpërndarjes, duke i përfshirë të gjithë në klientë të rregulluar, ka krijuar një problem të madh me sektorin e energjisë.

“Reforma jonë, do të synojë pikërisht në ndarjen e një pjesë të konsumatorëve të rregulluar dhe kalimin e furnizimit të tyre direkt nga rrjeti, duke dalë nga ekskluziviteti i sektorit të shpërndarjes së CEZ-it”, është një zgjidhje që Gjiknuri propozoi dje. Natyrisht që kjo kërkon investime në rrjet dhe  “këtu roli i OST-së është shumë i rëndësishëm. Janë shumë të rëndësishme investimet e reja që do të bëjmë dhe  ajo që tha drejtori është e vërtetë: qeveria i ka kushtuar një vëmendje të madhe investimeve në rrjetin e transmetimit”.  Ministri i Energjetikës cilësoi se ka ardhur momenti, që të zhvillohet masterplani i zhvillimit të të gjithë rrjetit të transmetimit në Shqipëri.

“Të mos mbetemi më tek këto projektet “ad hoc”, një copë këtu e një copë atje, por ka ardhur momenti që ne të kemi një perspektivë për 20 vitet e ardhshme, që reflekton edhe dinamikën e zhvillimit ekonomik të popullsisë, por mbi të gjitha edhe gjenerime të reja”, u shpreh ai. Gjenerimet e reja ai i lidh me faktin e zhvilllimit të jugut në fushën e energjisë, duke mos mbetur të fokusduar vetëm në veri. “Sa më shumë të liberalizohet tregu i energjisë në Shqipëri, për shkak edhe të reformave që do të ndërmarrë kjo qeveri, patjetër do ketë edhe metodologji më transparente për alokimin e kapaciteteve.

Kjo është shumë e rëndësishme dhe do të bëhet çmos që ato rregullat më të mira të standardeve të transparences, të zbatohen edhe në Operatorin e Sistemit të Transmetimit”, vlerësoi Gjiknuri. Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i OST, Engjëll Zeqo, paraqiti problemet me të cilat po përballet kjo kompani për shkak të vështirësive nga detyrimet e papaguara prej kompanisë CEZ shpërndarja. “OST është në vështirësi për shkak të borxheve që ka krijuar CEZ-i, që arrijnë në vlerën 90 milionë euro”, tha Zeqo. Ai kërkoi mbështetje edhe për ndërtimin e nënstacioneve, ndërsa parashtroi vështirësinë për furnizimin me energji në zonat e jugut. Engjëll Zeqo gjithashtu kërkoi që të mos lejohet më asnjë ndërtim në zonat e stacioneve elektrike të transmetimit të energjisë. 

Edlira Shehu January 24, 2014 09:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*