Gjiknuri: 95 milionë eurot për CEZ, shpëtojnë sistemin e shpërndarjes

July 4, 2014 08:23

Gjiknuri: 95 milionë eurot për CEZ, shpëtojnë sistemin e shpërndarjes

Ministri e Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka folur dje për negociatat e vështira me CEZ, dhe mungesa e investimit në këtë sektor për 4-5 vitet e ardhshme nëse kjo marrëveshje nuk do të arrihej. Sipas tij rritja e performancës së shoqërisë, për atë vlerë në krye të katër vjetëve nuk është asgjë po të marrësh parasysh vetëm një fakt, ajo vlerë përfaqëson vetëm 50% të humbjeve të energjisë në një vit. Gjithashtu ministri nuk la jashtë vëmendjes dhe privatizimin e dështuar të Albpetrol dhe 85 milionë eurot garanci për këtë proces. Sipas tij nuk mund të vazhdohet më me çështje që nisin dhe nuk përfundojnë dot hetimin, për shkak të gangrenizimit të sistemit të drejtësisë.

 

Zoti Gjiknuri çështja me CEZ u mbyll me 95 milionë euro. Është në fakt një vendim kontraversial. Dikush e ka quajtur arritje, opozita e ka quajtur një tjetër grabitje që i bëhet interesave shtetërore për shkak të konfliktit me CEZ-in që sipas saj u zgjidh në mënyrë të gabuar nga qeveria dhe ju keni qenë negociatori kryesor apo jo?! Pra, 95 milionë paguam CEZ-in apo 95 milionë paguam edhe integrimin?!

 Një çështje komplekse siç ishte vetë konflikti i CEZ-it dhe unë po kaloj tek ajo temë që ju e ngritët me të drejtë, dhe u hap si temë kryesore e ditës. Patjetër që çdo lloj zgjidhje do të quhet si kontraversale. Ishte çështje komplekse pasi kërcënoheshin interesa të mëdha të sigurisë kombëtare, ku bëhej fjalë mbajtja peng e sektorit energjetik për një kohë të gjatë, derisa të vazhdonte konflikti në arbitrazh. Gjëra që shumë njerëz mbase si dinë, po dua ta shpjegoj që konflikti do të donte minimalisht 4 deri në 6 vjet në rastin më të mirë të përfunduar dhe ku pala shqiptare akoma nuk kishte paraqitur padinë, kërkesën e saj për këtë çështje. Do të thotë se pala çeke, fatkeqësisht kishte paditur e para Shqipërinë, ndërkohë që Shqipëria duhet të ishte e para që t’i kryente këto veprime. E thënë thjesht shtrohej përpara mbajtja peng e sektorit, ngrirja e gjithë regjimit rregullator, sepse në një situatë 4 deri në 6 vjet, siç e thashë do të ishte e pamundur për qeverinë shqiptare të ndërmerrte masa të tjera për shkak se çdo veprim i saj do të ndikonte në regjimin rregullator. Një prej pretendimeve të çekëve ishte pikërisht për mos respektimin e regjimit rregullator dhe cënimin e investimeve të huaja. E thënë me pak fjalë, të gjithë shqiptarët e dinë situatën në të cilën gjendet sektori i shpërndarjes. Të mos investosh në atë sektor 4 deri në 6 vjet dhe të presësh si do të shkojë një gjyq që nuk ja di kurrë përfundimin nuk ishte zgjidhja e duhur. Në bazë të konsultave të vazhdueshme që kemi bërë me studion ligjore të avokatisë, të kontraktuar për këtë punë, risqet ishin shumë të mëdha, kështu që preferuam një zgjidhje deri diku komplekse. Mund të quhet kontraversale, por përballë kostove të mëdha me të cilat ne përballeshin, rrezikun që kërcënonte sektorin, them se është zgjidhja më e mirë, aq më tepër që fatura financiare do të mbahet direkt nga shoqëria dhe jo nga Buxheti i Shtetit siç thuhet. Rritja e performancës së shoqërisë, për atë vlerë në krye të katër vjetëve nuk është asgjë po të marrësh parasysh vetëm një fakt, ajo vlerë përfaqëson vetëm 50% të humbjeve të energjisë në 1 vit. Sikur të kemi një përmirësim në disa vjet dhe përmes uljes së humbjes së energjisë ajo faturë do të lahej. Çdo zgjidhje tjetër, për mua, për shumë kolegë të mi, edhe për Kryeministrin mund të ketë qenë një vendimmarrje e vështirë. Më kollaj është të thuash, “le të shkojë çështje në gjyq, ç’punë kam unë”, por problemi është se kur flitet për një aset siç është sektori i shpërndarjes, për rreziqet që i kërcënohen këtij sektori përmes konflikteve të vazhdueshme dhe pa e ditur fundin e sigurtë, në një farë mënyre do të thotë t’i nënshkruash fundin.

 

Aq më tepër kur mund të ishte një vendim që edhe mund të cënohej nga kjo zvarritje apo jo. Vendimi i marrjes së statusit…. Thoni të vërtetën, ka ndikuar kjo çështje?

Unë nuk dua të hy në këtë pjesë. Kur kemi filluar negociatat, kjo çështje nuk ka qenë në tavolinë. Edhe në negociatat tona, nuk është shtruar në tavolinë. Ka qenë një diskutim i mirëfilltë juridik-financiar dhe problemet e përplasjeve të interesave komercale të të dyja vendeve. Por, një gjë është e vërtetë dhe unë nuk kam pse t’ia fsheh publikut, që divorci i sforcuar i CEZ-it në Shqipëri kishte shkaktuar një grirje dhe një ftohtësi të marrëdhënieve midis Çekisë dhe Republikës së Shqipërisë. Natyrisht, çdo shtet përdor instrumentet e tij të presionit politik, gjë që me ç’kam dëgjuar edhe ka dalë nga goja e një zyrtari, por të paktën në tavolinë tonë të negociatave kjo çështje ka qenë jashtë influencës së arritjes së një marrëveshje.

 

 

…Pra do i binte që shteti në këtë arbitrazh do kishte përballë më shumë veten e vet se sa CEZ-in. Armikun më të madh veten e tij…!!

Realisht, në të gjitha arbitrazhet shteti shqiptar ka vështirësi në komunikim, në koordinim, në gjetje dokumentesh. Vetë zyra avokatore na i ka bërë me dije se që nga momenti i heqjes së licencës, deri në Shtator pothuajse nuk është bërë asgjë nga ana e shtetit shqiptar për këtë çështje. Qeveria jonë, kur erdhi në pushtet e trysnuar pozitivisht do të thoja nga të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare, kërkoi zgjidhjen me marrëveshje të kësaj çështje. Ky hap u ndërmor pasi sektori kishte nevojë për financime të mëdha, jo për financime çikërima…

 

Bëhet fjalë për alokimin e një kredie 150 milionë euro? Apo jo?

Minimalja, sepse 150 milionë USD janë vetëm nga Banka Botërore. Ndërkohë është edhe KFË-ja edhe BERZH-i të cilët janë të gatshëm të shkojnë në një shifër mbi 200 milionë dollarë, ku pjesa më e madhe do të shkojë në sektorin e shpërndarjes, i cili ka një nevojë imediate. Pra, opsionet janë të vështira.

 

…Shkojmë tek 800-900 milion euro. Çka flitet se në fakt është edhe shifra reale e problemit prapa CEZ-it.

Shifra reale, mjafton vetëm borxhet mes kompanive janë mbi 1 miliardë e ca..

 

 

…Po ndonjë zgjidhje financiare nuk është apo jo…

Çdo qeveri mundet të gjejë argumentet e saj, qoftë për interes publik, për të marrë një vendim, të shfuqizojë një kontratë apo elementë të tjerë…

 

A do ketë një hetim..

Patjetër duhet të ketë. Fatkeqësia në Shqipëri është se u filluan hetimet edhe për shumë çështje të tjera por po pushojnë. Ti ke një proces privatizimi  me një garanci false prej 85 milionë euro dhe askush nuk përgjigjet dhe pushohet çështja nga prokuroria. Kanceri i drejtësisë shqiptare i ka shfaqur metastazat kudo, edhe në çështjen e sektorit energjetik. Realisht, meriton një përgjigje për gjithë atë aferë çeke që shkaktoi këtë dëm se nuk është vetëm çeke, është një marrëdhënie, një fjetje në krevat mes qeverisë shqiptare dhe palës çeke, të cilët për katër vjet bënë çfarë deshën me sektorin energjetik.

 

Si do e zgjidhni këtë z.Ministër. Unë mendoj se dy probleme janë të këtyre 23 vjetëve në Shqipëri. Një ka qenë vjedhja e votave, dhe e dyta ka qenë vjedhja e dritave. Me vjedhjen e votave sikur diçka rregulluam vjet, tani me vjedhjen e dritave çdo bëjmë? Keni bërë ndryshime të mëdha, do përjashtoni firmat e mëdha etj,..

Shpresoj të kalojnë sepse akoma nuk kanë kaluar. Shpresoj në korrik të kalojnë ndryshimet. Kemi marrë një sërë masash për të përmirësuar likuiditetin në sektor, masa që do ti quaja rrethanore ose të çastit, për të arritur disa rezultate të shpejta. Jo për të rregulluar të gjithë problematikën e sektorit që ka mbi 20 vjet, por mbi të gjitha të thashë do reforma shumë më thella. Përshembull, disa nga masat janë se kemi filluar me pastrimin e llogarive mes institucioneve publike dhe shoqërive.

 

 

Zoti ministër, ju kam dëgjuar ju, por veçanërisht Ministrin e Financave që kur flet për reformën në sektorin e energjisë elektrike ka përdorur fjalën e dhimbshme. Çfarë dhimbje tjetër do kemi përveç kësaj dhimbjes 95 milionë euro që sapo e morëm vesh që do kemi. Do ketë ndërhyrje në çmim për konsumatorët familjarë apo kosto të tjera shtesë për buxhetin që burojnë nga reformat?

Çdo reformë është e dhimbshme. Patjetër që hendekun financiar ose do e përballojnë konsumatorët ose do e përballojë qeveria. Ne atë hendek do të vazhdojmë ta përballojmë derisa sektori të vijë në parametrat e duhur. Se çfarë bëjmë ne, atë përballojmë. Ti ke mbi 10-15 vjet që Buxheti i Shtetit në mënyrë indirekte e përballon. Sektori energjetik shqiptar asnjëherë nuk ka qenë vetë eficient. Gjithmonë energjia është subvencionuar, është mbajtur e lirë, është abuzuar shpesh dhe do reforma të thella. Po duke nxjerrë të paktën 30% të tregut të liberalizuar fillon e transferon një pjesë të riskut në sektorin privat. Do merresh me pjesën më të vështirë që është popullata. Pse është pjesa më e vështirë. Sepse do reagojnë për pjesën e çmimit. Të gjitha këto janë reforma të dhimbshme, kërkojnë financime, kërkojnë masa të forta. Edhe këto masat që kemi vënë për pagesën e energjisë nuk janë masa tipike, janë atipike, po justifikon kushtet e Shqipërisë. P.sh firma private s’ka pse të marrë tender publik po s’ka demonstruar që ka paguar energjinë. Janë masa tepër të domosdoshme nëse duam të kemi siguri energjetike në të ardhmen, ndryshe sistemi do të kolapsojë.

 

Jeni të vetëdijshëm që nxjerrja e atyre që ju i quani konsumatorë industrialë, praktikisht bizneseve të lidhura në tensionin e mesëm mund të krijojë një situatë kaotike?

Jo nuk do të dalin përnjëherë, do të dalin kur të jetë siguruar edhe aspekti teknik sidomos matja në distancë e konsumit. Këto janë reforma që i ka e gjithë bota, në këtë drejtim do të veprojë edhe Bashkimi Evropian. U bëmë kandidatë të Bashkimit Evropian, do të ndjekim strukturat e tregut evropian, do të thotë që këto janë reformat e vetme. Kështu u fol edhe për fabrikat e çimentove, nuk donin. Po ti pyesësh tani, kanë gjetur veten e tyre në një treg të liberalizuar. Ka shumë oferta të mira në Evropë, ka tepricë energjie nganjëherë, sidomos gjatë natës. Çmime fantastike, gati zero. Industria mund ti përdorë shumë mirë, ta zhvendosë prodhimin në një kohë të caktuar ku çmimi energjisë është më i lirë. Prandaj je biznes, duhet të bësh koston sa më eficente.

 

 

…Zoti Ministër, projekti TAP nuk është vetëm tubi që kalon por ka edhe investime anash…

 Ka infrastrukturë që i shërben gazsjellësit. Në fakt, është konceptuar në fakt si një tub që kalon në Shqipëri por është sfidë e kësaj qeverie që TAP-in ta kthejë nga një gazjellës tranzit në një  burim për diversifikimin e burimeve energjitike. Kjo është një sfidë dhe po punojmë me masterplanin,  po punojmë me qeveritë mike si Azerbajxhani dhe përspektiva është shumë e mirë.

 

Kur do të fillojë konkretisht?

Fillon procesi i rrugëve të aksesit për gazsjellësin, investim mbi 60 milionë dollarë dhe më pas nis ndërtimi i gazsjellësit. Investim i konsiderueshëm që hap vende pune dhe unë si ministër e si qeveri kemi lobuar që të paktën 30 për qind e parave që hidhen për ndërtimin e gazsjellësit në vendin tonë të mund të kalojnë tek kompanitë private vendase që të menaxhojnë një pjesë të punimeve. Kjo në mënyrë që komuniteti dhe ekonomia të përfitojë sa më shumë.

 

Marrë me shkurtime nga Top Story

 

 

July 4, 2014 08:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*