Gjiknuri: Pakti me CEZ shmangu kolapsin

June 25, 2014 18:45

Gjiknuri: Pakti me CEZ shmangu kolapsin

Intervista e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri për televizionin “Top Channel”

Zoti Gjiknuri, pse e konsideroni si sukses arritjen e marrëveshjes me mirëkuptim me kompaninë CEZ, në një kohë kur shteti shqiptar duhet të paguajë një shumë prej 95 milion euro?

Në fakt, për të sqaruar qytetarët shqiptarë, këto para nuk paguhen direkt nga Buxheti i Shtetit. Nga performanca më e mirë e kompanisë, mendohet se do të mund të krijohet mundësia që të shlyhet ky detyrim deri në vitin 2018. Është sukses, sepse ne hapëm rrugën e reformimit të sektorit, hapëm rrugën e investimeve. Sektori energjitik është mbajtur peng, pikërisht për shkak të këtij konflikti të gjatë dhe do të vazhdonte të mbahej peng edhe për gjashtë apo shtatë vite të tjera, nëse çështja do të endej në arbitrazh, sidomos nëse do të kishim bashkimin e dy çështjeve me paraqitjen edhe të padisë së palës shqiptare. Kjo do të thoshtë, se Shqipëria në 6-7 vite do ta kishte të vështirë të bënte reformat e kërkuara në sektorin energjitik, do ta kishte të vështirë të investonte ato fonde të donatorëve që ishin të gatshëm të investonin. Pse? Sepse, asnjë institucion financiar nuk mund të investojë në një sektor që është në një paqartësi juridike, pa zgjidhur statusin final të CEZ-it. Ne morëm parasysh të gjitha kostot oportune, të cilat do t’i kishte në kurriz Shqipëria me vite dhe menduam se kjo që arritëm është zgjidhja më e mirë e mundshme. Mendoni, përfaqëson gati gjysmën e humbjeve teknike dhe jo teknike që janë në sistemin energjitik shqiptar. Sikur të kemi një përmirësim drastik në dy-tre vitet e ardhshme, kjo vlerë e shleu veten dhe ne kemi bërë të mundur që sektorin energjitik ta kthejmë në një sektor likuid e që ecën me këmbët e veta.

Zoti Ministër, gjithësesi kemi të bëjmë me një konflikt që ka kosto për Shqipërinë. A do të kërkojë qeveria nxjerrjen e përgjegjësive për ata që çuan në këtë situatë?

Patjetër që ka nevojë për përgjegjësi. Dua ta them një gjë, që në një shtet normal që do të ushtronte trysninë e nevojshme, do të bënte mbikëqyrjen e duhur, ajo situatë do të ishte evituar me kohë. Fatkeqësisht, qeveria e mëparshme mund të ketë bërë marrëveshjet e saja me kompaninë CEZ, ka anashkaluar interesat e shqiptarëve në atë kohë, madje ka bërë veprime që kanë përkeqësuar pozitat e saj. Nganjëherë, duket sikur gjërat janë bërë me qëllim që pozitat e shtetit shqiptar të përkeqësoheshin. Sëfundi, edhe pas heqjes së licencës dhe marrjes në kontroll të detyruar të kompanisë, nuk bënë asgjë. Pra, nuk bënë asgjë për ta dërguar çështjen e Shqipërisë në arbitrazh, nuk bënë vlerësimin teknik e as atë financiar. Përkundrazi, i krijuan mundësi palës çeke që të bëjë padi e para. Dua të them se kjo është bërë me interesa të pastra politike nga ish qeveria, për ta lënë litarin jashtë. Për të parë se nëse dilnin zgjedhjet mirë për ta, do ta zgjidhin vet në mënyrat e tyre, nëse siç ndodhi e në fakt i kishte ardhur dita që ajo qeveri të largohej, lanë litarin jashtë për qeverinë e re dhe me qëllimin për ta mbajtur këtë sektor peng për shumë vite.

 Nëse jeni të bindur se ka përgjegjësi, të themi për shkak të veprimeve apo mosveprimeve që kanë cënuar interesat kombëtare, a do të kërkoni ndërhyrjen e organeve kompetente?

Patjetër, organet kompetente duhet të bëjnë detyrën e tyre. Fatkeqësisht, organet kompetente edhe më parë kanë filluar hetime për këtë çështje dhe i kanë pushuar. Kjo tashmë është bërë e njohur se Prokuroria nis hetime dhe më pas i pushon. Siç ndodhi me vlerën e zhdukur të mbi 80 milion euro të garancisë së pa sekuestruar në një proces privatizimi. Pra, fatkeqësisht, Prokuroria Shqiptare ka qenë në inaktivitet të plotë dhe kjo është një gjë që të gjithë shqiptarët po e ndjejnë dhe po e kërkojnë me force, që kemi nevojë për një sistem drejtësie efikas dhe efiçent, që ti shkojë të vërtetave deri në fund. Patjetër, mendoj se ish zyrtarët shqiptarë kanë përgjegjësinë e tyre për shmangien e interesave shtetërore, në një moment kur duhet të ishin prioritet dhe parësore për ta. Kjo është një gjë që shpresoj që hetimi t’i shkojë deri në fund.

 A do të bëni ju ndonjë kallëzim në lidhje me këtë çështje?

Kjo mbetet për tu parë. Faktet janë aty, kanë dalë edhe fakte të tjera se si Enti Rregullator është sjellë me urdhëra të Kryeministrit apo dhe çështje të tjera të cilat do të bëhen prezente. Ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar organet e drejtësisë që ti shkojnë kësaj çështjeje deri në fund.

 Zoti Ministër, ju thatë se zgjidhja e mosmarrëveshjes hap dritën jeshile për reformimin e sektorit të shpërdarjes. Çfarë ndodh tani e tutje?

Zgjidhja e çështjes na jep mundësinë që të nisim reformat në sektor. Së pari, që të fillojmë të përmirësojmë administrimin e kompanisë, të investojmë në sektorin e shpërndarjes dhe mbi të gjitha të kemi mundësinë të kalojmë ligjin e ri të energjisë, që parashikon një sërë detyrimesh dhe të drejtash të reja, që ndryshojnë dhe sistemin se si funksionon sektori energjitik shqiptar. Rregulla që ndryshojnë modelin e tregut, marrin përsipër të adresojnë edhe një sërë problemesh afatgjata që kanë qenë në themel të gërryerjes së këtij sektori. Pa zgjidhjen e këtij konflikti, ne nuk mund të bënim dot përpara për të reformuar sektorin energjitik. Ndaj, hapat që do të ndiqen i kemi thenë dhe i kemi bërë publike. Së pari, do të nisim të kryejmë liberalizimin e një pjese të tregut, çka ishte e pamundur, nëse sektori i shpërndarjes do të ishte akoma në konflikt. Do të shohim të gjejmë një marrëdhënie më të mirë midis KESH-it furnizuesit publik me shumicë dhe prodhuesve të pavarur. Pra, se si do të përfshihen këta në skemën e re të sistemit energjitik, gjë që me një CEZ në konflikt, kjo do të ishte e pamundur. Do të kryejmë edhe rishikimin e mënyrës se si i kanë raportet shoqëritë energjitike me njëra-tjetrën, që ato të mos varen vetëm në një kompani siç ishte CEZ që rënkonte dhe krijonte atë borxh të madh financiar në kurriz të kompanive tjera, dhe në fund të fundit në kurriz të qytetarëve shqiptar. Pra, zgjidhja e kësaj çështjeje hap mundësinë, krjon mundësitë për të kaluar tre-katër ligje shumë të rëndësishme, të cilat po i përgatisim dhe për të cilat jemi në konsultim me partnerët ndërkombëtarë, të cilët po na mbështesin në këtë drejtim. Pa zgjidhjen e këtij problem nuk mund të avanconim më përpara.

 Zoti Ministër, ndoshta është pak herët për të pyetur por gjithësesi në vizionin e qeverisë cila është e ardhmja e sektorit të shpërndarjes? Është një e ardhme publike apo drejt privatit?

Përkohësisht publike, por përspektiva them se do të jetë private. Por, kjo gjë duhet parë e duhet bërë me maturi të plotë, nuk duhet bërë ai procesi që do ta quaja i dështuar dhe nxituar që bëri ish-qeveria për arsyet e saja politike. Mbi të gjitha, ne na intereson që ky sektor të shëndoshet, kompania të shëndoshet, të gjejmë forma më të mira të administrimit, qoftë edhe rajonalizimin apo fragmentimin në zona të caktuara të kësaj kompanie dhe më pas nisjen e një procesi që mund të shkojë drejt një privatizimi. Është shumë shpejt për ta thënë këtë, pa u bënë investime, pa e ngritur dhe shëndoshur performance, pa rritur nivelin e pagesave dhe reduktimin e vjedhjeve, privatizimi do të ishte i parakohshëm dhe do të sillte një dështim të dytë, ndaj kjo qeveri nuk ja lejon vetes.

 Zoti Ministër, pagesa që do të transferohet për llogari të grupit çek është vetëm njëra prej atyre kostove të atij privatizimi të dështuar për Shqipërinë. Keni ju një llogari totale se sa ishte dëmi që shkaktoi ky proces i dështuar?

Mjafton fakti që zinxhiri i borxheve midis kompanive është mbi 1 miliard dollar. Do ta kuptoni vet se privatizimi i dështuar e ka çuar në këtë pikë. Pra, është mbi 1 miliard dollar borxhi që ka krijuar i gjithë sektori energjitik, nisur nga raportet jo të drejta nga dështimi i privatizimit dhe veprimet jo të drejta, siç ishin privatizimi i katër HEC-eve në mënyrë skandaloze e me dëm të madh për interesat e sektorit energjitik, dhe procese të tjera që bëri ish qeveria në vitet e fundit të pushtetit. Dëmi është pra shumë i madh dhe nisur edhe nga magnituda e demit, jemi të detyruar të marrim disa nisma radikale siç ishte dhe kjo që mbase për çdo palë mund të ishte më e thjeshtë ta linte çështjen të shkonte në gjyq, pa marrë asnjë lloj përgjegjësie. Por, në fakt, një shtet i përgjegjshëm, për interesat strategjike dhe për këtë sektor i cili është jetik nuk mund t’ia lërë gjërat rastësisë.

June 25, 2014 18:45
Komento

2 Komente

  1. info analitike June 26, 06:13

    “Performanca me e mire” mos valle nenkupton rrjepjen me te mire te klienteve qe gjithmone kane paguar rregullisht?
    “Shpetimtaret e Kombit” ne vend te fjaleve bombastike do te benin mire te ishin me trasparente e te shpjegonin me hollesisht se me cfare kushtesh u arrit kjo marreveshje dhe pse priten deri tani?

    Reply to this comment
  2. G June 26, 11:36

    Gjuhe e njejte me shefin e vet dhe te gjithe qeverise,… vetem propagande.
    Kur do filloni te beni dy leke pune?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*