Gjirokastra, kapitullimi pa kushte i shtetit shqiptar!

AURON TARE July 17, 2013 11:39

Gjirokastra, kapitullimi pa kushte i shtetit shqiptar!

8 vite të shkuara pas një lobimi të gjatë nga një sërë emrash të njohur të kulturës europiane, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO vendosi unanimisht të pranonte Gjirokastrën në gjirin e saj për vlerat universale që mbart ky qytet. Shqipëria përveç Butrintit, mund të krenohej tashmë edhe me Gjirokastrën.
Hyrja në një klub të tillë prestigjioz sigurisht që ka edhe detyrimet e veta. Por, fatkeqësisht shteti shqiptar më saktë Ministria e Kulturës ka dështuar në mënyrë spektakolare për të përmbushur detyrimet ligjore të këtij klubi elitar. Institucionet tona kulturore nuk janë të afta për të mbrojtur jo vetëm trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe atë botërore, një angazhim që kanë marrë në emër të shqiptarëve kur kërkuan të anëtarësoheshin në UNESCO.
Pardje ishte 8-vjetori i pranimit të Gjirokastrës në UNESCO. Festë e madhe dhe shumë të rinj. Ndoshta si asnjëherë tjetër rinia kishte ardhur në Gjirokastër. Po pardje, në Gjirokastër bashkë me një sërë miqsh të mitë isha edhe unë për të folur mbi rëndësinë e madhe të vlerave që ka ky qytet. I ftuar nga deputeti i ri Veliaj, së bashku me Shkrelin, Lamen, Xhufin dhe Dr.Koçollarin sollëm për njerëzit që kishin ardhur të na dëgjonin, dëshmi historike të këtij qyteti. Meqenëse kam qenë personalisht në një debat publik me Institutin e Monumenteve dhe me ministrin që iku dhe atë që erdhi për një ndërtim skandaloz që po kryhet në sheshin qendror të qytetit, vajta për ta parë se ç’po bëhej me të. Nuk mund të besoja se ndërkohë që si unë, si të tjerë që debatonin mbi këtë shkelje flagrante të ligjit, ndërtuesit ditën për diell vazhdonin të lartësonin godinën e tyre pa iu bërë syri terr. Kjo godinë mu në sheshin kryesor të Gjirokastrës, aty ku dikur ishte vendosur shtatorja e Enver Hoxhës është simboli më i qartë i falimentimin të shtetit shqiptar në fushën e trashëgimisë. E ngritur në mënyrën më flagrante në shkelje të konventave të trashëgimisë, me leje të shkruar nga ish-ministri i Kulturës, Bumçi, me aprovimin e heshtur të poetit ministër Zhiti, me firmat e një sërë profesorësh të tredhur të Këshillit të Lartë të Restaurimeve, godina simbolizon falimentimin e shtetit shqiptar. Falimentin përballë klientelizmit, korrupsionit, ndërhyrjes së deputetëve për një grusht votash e kështu me radhë. Kjo godinë dhe simbolika e saj u debatuan në mbledhjen e fundit të UNESCO-s, ku qartësisht iu kërkua Ministrisë së Kulturës të ndërhynte për të ndaluar ndërtimet në sheshin e qytetit. Por jo, mu në mes të ditës punëtorët vazhdonin të ndërtonin pa asnjë problem, pa përballjen me ligjin, pa reagimin e komunitetit, dhe ajo që më çudit më shumë, nën dritaret e bashkisë. Unë u heq kapelen pronarëve të truallit, të cilët kanë guximin e vazhdojnë të ndërtojnë në një shtet rrumpallë si ky yni, përse të mos e bëjnë? Kur dy deputetë gjirokastritë që janë në qeveri, Ruli e Ksera nuk flasin. Kur poeti Zhiti nuk flet, kur drejtori i Trashëgimisë që i punon babi këshilltar tek Sali Berisha nuk di gjë, kur profesorët e tredhur të IMK firmosin falsifikimin e projektit, kur drejtori i IMK, profesor Baçe thotë “përse të mos bëhet” a thua se ai vjen nga Marsi dhe nuk i di ligjet në fuqi, kur vetë IMK institucioni që ka detyrë ligjore të ruajë monumente u harton projektin pronarëve, përse këta njerëz që kanë pronën të mos ndërtojnë? Ky shtet është han pa porta dhe në një rrëmujë të tillë përse të mos shfrytëzosh rastin dhe të bësh ç’të duash?
Unë personalisht nuk kam asgjë kundër këtyre pronarëve dhe jo vetëm tyre, por të gjithëve atyre që po ndërtojnë në zona historike. Ata janë në të drejtën e tyre të pushtojnë, zaptojnë, ndërtojnë, lartësojnë çfarëdo lloj ndërtese që duan.
Dikur, kundër këtij takëmi, bota e qytetëruar ndërtonte mure mbrojtëse, pastaj kala dhe fortifikime të sofistikuara. Më vonë, në kohët tona u shpikën edhe institucionet mbrojtëse, të cilat e mbrojnë civilizimin nga këto shkatërrime. Mirëpo duket se përpos mureve, kalave e fortifikimeve, këta njerëz kanë pushtuar edhe institucionet, kështu që nuk ka asnjë dyshim se shteti shqiptar sot është i kapitulluar përfundimisht.
Këtë përfundim e kanë nxjerrë me sa duket edhe shqiptarët që votuan kundër këtij kapitullimi. Prandaj pas shtatorit e tutje, në Gjirokastër nuk shkohet më për t’u treguar njerëzve histori, por për t’u treguar se si bëhet shteti. Drejtësia në trashëgimi duhet të fillojë pikërisht nga simbole të tilla korrupsioni, ku të gjithë ata që kanë lejuar që shteti të kapitullojë, të përballen me drejtësinë. Besoj se ky do të jetë thelbi i leksioneve të ardhshme jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Krujë, Butrint apo Apoloni, Tiranë apo Korçë e kështu me radhë.

AURON TARE July 17, 2013 11:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*