Gjithçka duhet të dini për kancerin, testet dhe format e trajtimit

January 7, 2018 10:49

Gjithçka duhet të dini për kancerin, testet dhe format e trajtimit

 

Pranvera Kola

Kanceri është ndër patologjitë që po përhapet së fundmi me ritme të frikshme. Në terma shkencorë, kanceri i referohet qelizave që rriten jashtë kontrollit dhe pushtojnë indet e tjera. Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se qelizat mund të bëhen kancerogjene për shkak të akumulimit të defekteve, ose mutacioneve në ADN-në e tyre. Sipas saj, disa defekte gjenetike të trashëguara dhe infeksione të ndryshme, mund të rrisin rrezikun e kancerit. “Faktorët e mjedisit (për shembull ndotja e ajrit), mënyra e jetesës (si pirja e duhanit dhe abuzimi me alkoolin), gjithashtu mund të dëmtojnë ADN-në dhe të çojnë në kancer. Në shumicën e rasteve, qelizat janë në gjendje vetë të zbulojnë dhe të riparojnë dëmet e ADN-së. Nëse një qelizë është e dëmtuar rëndë dhe nuk mund të riparojë vetveten, zakonisht i nënshtrohet vdekjes së programuar të qelizave. Kanceri ndodh kur qelizat e dëmtuara rriten, ndahen dhe përhapen në mënyrë jo normale në vend që të vetë-shkatërrohen, ashtu siç duhet. Një masë e qelizave të tilla jonormale quhet tumor”, thekson mjekja Xhelili. Më tej ajo sqaron se tumoret mund të jenë beninje (të “mirë”) dhe malinjë (kancerogjenë). Tumoret beninje rriten në nivel lokal dhe nuk përhapen. Si rezultat, tumoret beninjë nuk konsiderohen kancer. Megjithatë, ata mund të jenë të rrezikshëm nëse shtypin (konprimojnë) organet vitale. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar format se si zhvillohet kaneri, rrezikun që mbart nëse nuk trajtohet në kohë, si dhe masat parandaluese.

Sa të rrezikshme janë tumoret malinje?

Ndërsa tumoret malinjë kanë aftësinë për t’u përhapur dhe për të pushtuar indet e tjera. Ky proces, i njohur si metastazë, është tipari kryesor i kancerit. Ka shumë lloje të kancerit, bazuar në origjinën e tij. Qelizat e kancerit metastazohen në vende të tjera nëpërmjet sistemit limfatik dhe qarkullimit të gjakut. Qelizat e kancerit nga tumori fillestar, ose primar mund të udhëtojnë në zona të tjera, si: mushkëritë, kockat, mëlçia, truri, etj. Këto tumore metastatike janë “kancer dytësor”, sepse ato lindin nga tumori primar. Kanceri metastatik mban emrin e kancerit primar, për shembull kanceri i fshikëzës së urinës që metastazon në mëlçi nuk është kancer i mëlçisë, por quhet kancer metastatik i fshikëzës së urinës. Kjo ka rëndësi për përcaktimin e mjekimit. Me zhvillimet e reja dhe hovin që ka marrë mjekësia sot, shumë lloje të kancerit metastatik janë të shërueshme.

Cilët janë shkaktarët kryesorë që dëmtojnë ADN-në dhe rrisin rrezikun e kancerit?

Disa gjene kontrollojnë ciklin e jetës, rritjen, funksionimin, ndarjen dhe vdekjen e një qelize. Kur këto gjene janë dëmtuar, ekuilibri midis rritjes së qelizave normale dhe vdekjes, prishet. Qelizat e kancerit shkaktohen nga dëmtimi  i ADN-së dhe rritja e qelizave jashtë kontrollit. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes së kancerit.

Mutacionet gjenetike

Së pari janë mutacionet (ndryshimet) gjenetike, të cilat mund të pengojnë aftësinë e trupit për të mbrojtur dhe riparuar ADN-në. Kopjet e këtyre gjeneve të ndryshuara (të mutuara) mund të kalojnë gjenetikisht në gjeneratat e ardhshme, duke çuar kështu në një rrezik të rritur, gjenetikisht të trashëguar të kancerit.

Ndotja e mjedisit

Si faktor tjetër rreziku, renditet mjedisi. Rrezet e diellit mund të shkaktojnë kancer përmes rrezatimit ultravjollcë. Po ashtu, ndotja e mjedisit me gazet e makinave, tymrat kimikë (uzinat, fabrikat).

Ndikimi i mikrobeve

Gjithashtu shumë mikrobe raportohet të jenë të lidhura me kancerin si për shembull virusi i hepatitit B ose C, HPV (herpes papilloma virus), helikobakter pylori (që njihet si shkaktar më i shpeshtë i ulcerave të stomakut), etj.

Stili i jetesës

Mënyra e jetesës mund të çojë gjithashtu në rritjen e rrezikut të kancerit. Ushqyerja jo e shëndetshme, jeta pasive, pirja e duhanit, abuzimi me alkoolin, ekspozimi ndaj kimikateve dhe toksinave janë të lidhura me rritjen e rrezikut për kancer. Sot numërohen mbi 100 lloje të kancerit. Stresi është po ashtu një tjetër faktor që shton rrezikun për zhvillimin e kancerit.

Shenjat dalluese

Çdo kancer dhe individ është unik në paraqitjen dhe trajtimin e tij. Simptomat dhe shenjat e kancerit varen  nga madhësia dhe vendndodhja e kancerit, si edhe nga prania, ose mungesa e metastazës. Shenjat klinike janë të shumta, por ajo që duhet të na tërheqë vëmendjen më shumë janë shenjat klinike të pashpjegueshme, si për shembull rënie e konsiderueshme në peshë dhe për një kohë të shkurtër, çrregullimet e zorrëve pa gjetur një shkaktar, kolla e vazhdueshme edhe pse e trajtuar, çrregullimet e shpeshta urinare, etj.

Cilat janë klasifikimet e kancerit?

Kanceri klasifikohet së pari sipas indit në të cilin lind. Kështu, kemi karcinomat që ndodhin në indet epiteliale dhe që përbëjnë 80-90 për qind të të gjitha llojeve të kancerit. Shumica e kancereve të gjirit, mushkërive zorrës së trashë, lëkurës dhe prostatës janë karcinoma. Pas kësaj vijnë sarkomat, të cilat e kanë origjinën nga indi lidhor, si kockat, kërcet, enët e gjakut dhe muskujt. Formë tjetër janë myelomat, të cilat janë kancere që ndodhin në plazmën e gjakut (për  shembull myeloma multiple). Një formë mjaft e njohur është leukemia. Këto përfshijnë një grup të kancereve të ndryshme me origjinë nga gjaku i palcës së kockave. Këtu përgatiten një grup i madh i qelizave anormale të gjakut për të hyrë në qarkullimin e tij. Dhe së fundi kemi limfomat që janë kancere të qelizave të sistemit imunitar (për shembull Limfoma Hodgkin dhe jo-Hodgkin). Dhe nëse kanceret lindin nga më shumë se një lloj indi, atëherë ato quhen kancere të përziera.

Cilat janë kanceret më të shpeshta që ndeshim?

Kanceri është shkaku i dytë i vdekjeve sot në botë pas sëmundjeve kardio-vaskulare. Kanceri më i shpeshtë është kanceri i gjirit. Edhe pse shkalla e vdekshmërisë është zvogëluar që prej vitit 1989, mendohet se më shumë se 40 mijë gra amerikane kanë vdekur nga kanceri i gjirit vetëm në vitin 2015. Kanceri i dytë më i zakonshëm është ai i mushkërive dhe prek më tepër burrat se gratë. Në vitin 2012, më shumë se 210 mijë amerikanë u diagnostikuan me kancer të mushkërive dhe në të njëjtin vit më shumë se 150 mijë amerikanë vdiqën nga kanceri i mushkërive. Mjaft i zakonshëm për meshkujt është edhe kanceri i prostatës. Nga kanceret që ndikojnë njësoj, si te burrat, ashtu dhe te gratë është ai i zorrës së trashë që konsiderohet si vrasësi i dytë më i madh në SHBA. Mjaft i shpeshtë është edhe kanceri i mëlçisë që prek më tepër burrat (ndoshta si rezultat i abuzimit më të madh me alkoolin). Hepatitis B dhe C dhe alkooli rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të mëlçisë. Rreth 20 mijë gra amerikane diagnostikohen çdo vit me kancer ovarial (të vezoreve). Për gratë amerikane ky është kanceri i tetë më i zakonshëm dhe shkaku i pestë kryesor i vdekjeve nga kanceri. Nga të gjitha kanceret kryesore, kanceri i pankreasit ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Nga afërsisht 53 mijë amerikanë të diagnostikuar me kancer pankreatik, çdo vit, vetëm 8 për qind mund të mbijetojnë më shumë se pesë vjet.

Si diagnostikohet sëmundja?

Janë një sërë testesh dhe ekzaminimesh që mund të bëhen për të vlerësuar rrezikun për zhvillimin e kancerit. Konkretisht, ndër testet dhe procedurat më të zakonshme përfshihen: “Mamografia (për gjirin), Pap testi (për qafën e mitrës), Testet e markuesve të ndryshëm tumoralë, rezonanca magnetike, Biopsia e indit dhe e nyjave limfatike, tomografia e kompjuterizuar (PET-CT), si dhe skaneri kockor.

Cilat janë mundësitë e trajtimit?

Trajtimi i është shumë i ndryshueshëm në varësi të llojit dhe fazës së kancerit, si edhe shëndetit të përgjithshëm të pacientit. Trajtimet më të zakonshme janë kirurgjia, rrezatimi dhe kimioterapia. Trajtime të tjera përfshijnë terapitë hormonale, terapitë biologjike, transplantet etj. Çdo trajtim ka rreziqe potenciale, përfitime dhe efekte anësore. Pacienti dhe ekipi i tij i kujdesit (mjeku internist, onkolog, kirurg, onkologë të rrezatimit, personeli infermieror) do të ndihmojnë në përcaktimin e paketës më të mirë terapeutike.

A ka shërim për kancerin?
Me gjithë përpjekjet dhe financimet e mëdha, ende nuk është gjetur shërimi përfundimtar. Prandaj parandalimi përmes një jetese të shëndetshme është mënyra më e mirë për të parandaluar kancerin. Ajo që rekomandohet është një ushqyerje me fruta dhe perime të freskëta, ruajtja e një peshe të shëndetshme, kujdes në masën e alkoolit, mos pini duhan dhe mos frekuentoni ambiente me duhan, shmangni rrezet e dëmshme të diellit, bëni kontrollet paraprake mjekësore (jo vetëm kur keni ankesa klinike) dhe kryeni një aktivitet të rregullt fizik në përputhje me situatën individuale shëndetësore.

 

Masat parandaluese

  1. Duhet t’i thoni jo duhanit.
  2. Ruani peshë të shëndetshme.
  3. Kufizoni kripën dhe ushqimet e përpunuara.
  4. Kufizoni sa më shumë të jetë e mundur sheqernat dhe yndyrat.
  5. Duhet të pakësoni dozën e ushqimeve me prejardhje shtazore.
  6. Kërkohet ekskluzivisht ushqyerje me gji deri në 6 muaj.
  7. Nuk duhet të neglizhoni kryerjen e aktivitetit fizik për të paktën 30 minuta në ditë
  8. Duhet t’u thoni jo suplemneteve dietike për parandalimin e kancerit.
  9. Duhet të hani më shumë perime, fruta dhe drithëra.
  10. Pas trajtimit, të mbijetuarit duhet të ndjekin me përpikmëri rekomandimet e dhëna nga mjeku në parandalimin e kancerit.

 

January 7, 2018 10:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*