Gjithçka duhet të dini rreth kancerit të lëkurës

April 11, 2018 16:27

Gjithçka duhet të dini rreth kancerit të lëkurës

Melanoma është një ndër llojet më të rrezikshme të kancerit që shfaqet në lëkurë. Pavarësisht rrezikshmërisë së saj, kjo sëmundje mbetet e nënvlerësuar në trajtim. Kjo pasi pjesa dërrmuese e pacientëve paraqiten për trajtim kur sëmundja ka mbërritur në stadet më të rënda, kur edhe trajtimet mund të mos jenë efikase sa duhet.

Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se melanoma zhvillohet në qelizat prej të cilave prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Ndërkohë që ka edhe raste në të cilat melanoma mund të formohet edhe në sy, apo më rrallë në organet e tjera të brendshme, siç mund të jenë zorrët, etj.

Njohja e simptomave të para të këtij lloj kanceri mundëson zbulimin dhe trajtimin e tij përpara se sëmundja të përhapet. Melanoma mund të trajtohet suksesshëm nëse zbulohet në kohë. Shenja shqetësuese më e rëndësishme për melanomën është shfaqja e një nishani të ri, apo nëse është ekzistues por që ndryshon përmasat, ngjyrën dhe kufijtë. Në këtë situate duhet të paraqiteni menjëherë tek mjeku specialist për një kontroll të specializuar dhe për të vlerësuar rrezikun nëse ndryshimi i nishanit përbën rrezik për shfaqjen e kancerit të lëkurës.

Janë një sërë faktorësh që mund të ndikojnë në shtimin e rrezikut për zhvillimin e kësaj sëmundjeje. “Shkaku i melanomave nuk është i qartë, por ekspozimi ndaj rrezeve ultra violet të diellit, apo solarëve rrisin shumë riskun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Gjithashtu, në faktorët rriskues ka edhe një komponent gjenetik, i cili luan jo më pak një rol të rëndësishëm”, bëjnë me dije ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Zonat ku zhvillohen më shpesh melanomat
Melanomat mund të zhvillohen kudo në trup, por më shpesh në zonat që kanë një përqindje të lartë ekspozimi në diell si: shpina, këmbët, krahët dhe fytyra. Mund të ndodh që ajo të zhvillohet edhe në sipërfaqe më pak të ekspozuara ndaj diellit, si: sholla e këmbës, palma e duarve, thonjtë, në membranat mukoze të organeve kavitare si: goja, rektumi, vagina, etj.

Jo rrallë mund të kemi shfaqje të kësaj patologjie malinje edhe në sy, e quajtur ndryshe melanoma okulare. Këto melanoma të fshehura janë më të zakonshme në individë më lëkurë të errët. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara kategoritë që janë më të rrezikuara, si dhe masat që mund të merrni për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Lëkurat e bardha
Njerëzit me lëkurë të bardhë përfshihen në kategoritë e riskut, ku sëmundja zhvillohet më shpesh. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, të kesh më pak pigment melanine në lëkurë do të thotë të kesh më pak mbrojtje ndaj rrezeve të dëmshme të diellit UV. Nëse keni flokë biondë, apo të kuq, quka, apo digjeni shpejt nën rrezet e diellit, ju keni më tepër mundësi të zhvilloni melanoma.

Ndërsa njerëzit me lëkurë të errët kanë shanse më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell, kryesisht tek sytë dhe sistemi imunitar.

Djegiet e diellit
Një apo më shumë episode të djegies së lëkurës nga rrezet e diellit në fëmijërinë tuaj mund të rrisin rrezikun e melanomës në mosha më të rritura.

Ekspozimi i shpeshtë dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri mund të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme, të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Ndaj kujdesi për mbrojtjen e lëkurës nga rrezatimet e dëmshme duhet të nisë në fëmijëri.

Shumë nishane në trup
Të paturit shumë nishane, apo nishane që janë të pazakonta në pjesë të ndryshme të trupit, gjithashtu përbën një faktor risku për zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Konkretisht thuhet se paturit e më shumë se 50 nishaneve të zakonshëm në trup tregon një risk të lartë për të zhvilluar melanomë. Edhe ekzistenca e tipeve të pazakonta të nishaneve ndikon për një tendencë në rritje ndaj mundësisë së zhvillimeve malinje në lëkurë.

Histori familjare të melanomës
Nëse një i afërm, prind, fëmijë apo vëlla ka patur melanomë, individi ka një shans më të madh për ta zhvilluar atë gjithashtu.

Sistem imunitar i dobët

Në këtë kategori futen të gjithë pacientët me HIV/AIDS dhe ata që i janë nënshtruar një transplanti. Në kushtet e një imuniteti të dobët, si dhe faktorëve të tjerë rriskues, atëherë edhe rreziku për të zhvilluar sëmundjen e melanomës është më i madh.

Disa fakte që duhet t’i dini rreth kancerit të lëkurës
• Shkaktari parësor i kancerit të lëkurës është ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet (UV) në diell.
• Ekspozimi në sasi të vogël ndaj rrezeve ultraviolet është i dobishëm për njerëzit dhe luan një rol të domosdoshëm në prodhimin e vitaminës D.
• Çdo vit diagnostikohen rreth 130 000 melanoma malinje në gjithë rruzullin.
• Ekspozimi i shpeshtë dhe djegiet e shpeshta të lëkurës nga dielli në fëmijëri mund
të shkaktojnë dëmtime të pakthyeshme të cilat më pas mund të bëhen shkak për shfaqjen e kancerit të lëkurës.
• Njerëzit me lëkurë të errët kanë shanse më të pakta për shfaqjen e kancerit të lëkurës, por ata përsëri preken nga dëmtimet e shkaktuara nga ekspozimi në diell,kryesisht tek sytë dhe sistemi imunitar.

Si mund të parandalohet
• Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet UV (ultravjollcë).
• Këshillohet që të shmangni me çdo kusht djegiet nga dielli.
• Midis orës 11 dhe 15, kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe duhet të rrini në vende ku nuk ka shumë diell.
• Në rast se nuk mund të shmangni këtë gjë, këshillohet që mbani kapele, syze dielli dhe rroba të përshtatshme.
• Gjithashtu këshillohet që të përdorni kremra për mbrojtjen nga dielli me një faktor të lartë mbrojtës.
• Foshnjat deri në moshën një vjeçare duhet të mos i ekspozohen kurrë drejtpërdrejt diellit.
• Krahas foshnjave, mbrojtje maksimale ndaj rrezeve të dëmshme të diellit duhet të sigurohet edhe për të vegjlit e moshave të tjera.
• Gjithashtu një ndër këshillat që nuk duhet të lini pas dore është edhe ekzaminimi i nishaneve që keni në trup nga një mjek specialist. /DITA 

 

p.k/dita 

 

 

April 11, 2018 16:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim