Mitat Tola: Më mirë t’ju kthehet djali pa patentë se patenta pa djalë

Entela Resuli - INTERVISTE October 24, 2014 18:30

Mitat Tola: Më mirë t’ju kthehet djali pa patentë se patenta pa djalë

Ndryshimi i Kodit Rrugor, vendosja e masave shtrënguese ndaj shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit, rritja e gjobave, shihet si një mundësi për të disiplinuar drejtuesit e automjeteve. Ka nga ata që i shohim këto ndryshime dhe masa të ekzagjeruara të Policisë Rrugore dhe Ministrisë së Brendshme. Janë shtuar ankesat, janë shtuar radhët e personave që dalin në komision për shkak të heqjes së patentës…

Reagimi i atyre që janë drejtues automjetesh ka qenë i madh. Ndërsa në Kuvend është duke u diskutuar drafti i Kodit të ri Rrugor, rritja e masës së gjobave ka sjellë dhe debate mes vetë deputetëve.

Për të folur për situatën DITA ka ftuar sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Rrugore, Mitat Tola.

Z.Tola, sa e vështirë është të bësh këtë punë?

Mjaft e vështirë referuar ambientit që ju evidentuat, numër i lartë aksidentesh, një “popullsi rrugore” jo fort e edukuar me automobilin. Shpeshherë “sytë dhe vëmendja” e njerëzve pas çdo aksidenti rrugor kthehet nga policia rrugore, duke evokuar një të kaluar të largët, kur shumicën e përgjegjësive e kishte Policia. Sot gjërat kanë ndryshuar – përgatitja e drejtuesve të mjeteve për të përfituar licencën e drejtimit të mjetit nuk është në tagrin e Policisë, por të një enti civil pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Ndërtimi i rrugëve dhe monitorimi i tyre në pjesën më të madhe të përgjegjësive është po jashtë policisë, e cila në fakt në këtë “tortë” të ndarjes së përgjegjësive në parandalim të aksidenteve ka ndikim nëpërmjet një kontrolli efikas të trafikut, evidentimin e shkeljeve dhe ndëshkimin e tyre etj, të themi një 10%.

Ne jemi një vend i vogël, dhe pak e shumë të gjithë e njohin njëri-tjetrin; apo në mos e njohim, arrijmë të gjejmë fijet…  Si u rezistoni ndërhyrjeve?

Është e vërtetë, ne jemi një vend i vogël dhe pak e shumë të gjithë e njohin njëri-tjetrin apo i gjejnë fijet dhe lidhjet, kështu që ka ndërhyrje sa tek unë po aq edhe tek kolegët sa herë që dikush shkel rregullat, gjobitet apo i hiqet patenta, “ky dokument magjik” në xhepat e shqiptarëve. Po do të dua të mos zgjatem – policia rrugore në respekt të dispozitave ligjore i ka të limituara ndërhyrjet dhe në shumicën e rasteve ndërhyrjet tek ne rezultojnë të pasuksesshme…

Është rasti të shkruaj me germa të mëdha një slogan të përdorur nga të tjerët për të gjithë ndërhyrësit, prindër, vëllezër, shokë, kushërinj, etj: “Më mirë të kthehet djali, shoku, vajza, miku pa patentë në shtëpi, se sa të kthehet patenta pa djalin, shokun, mikun, vajzën…”.

A ka ndryshuar ndopak sjellja e drejtuesve të automjeteve që nga momenti kur janë përballur me masa të rrepta ndëshkimore? A mund të themi tani që kemi drejtues më të disiplinuar?

Ky është një konstatim që në fakt ne rrugorët e presim ta konstatojnë të tjerët, ju media dhe publiku. Ne kemi kërkuar rritjen e kërkesës së llogarisë ndaj shërbimit të policisë rrugore në zbatimin e ligjit, kontrollin efikas të trafikut me aq mjete e teknologji sa kemi aktualisht në dispozicion, me synim final parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në finale mund të them që ka ndryshim dhe ndryshimi nuk ka ardhur nga masat, rritja e tyre, por nga detyrimi që këto masa dhe këto gjoba të paguhen.

A mund t’u kujtoni edhe njëherë lexuesve se cilat janë shkeljet që penalizohen me heqje patente dhe vendosje gjobash të majme?

Mosrespektimi i kërkesave të normave të sjelljes, si shkelja e detyrimit të respektimit të sistemit të sinjalizimit semaforik, tejkalimi i shpejtësisë mbi 20km\orë se norma e lejuar e vendosur, përdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit, pozicioni i gabuar i mjetit në karrexhatë gjatë qarkullimit të tij, drejtimi i mjetit me leje drejtimi të kategorisë jo përkatëse; shkeljet e konstatuara në transportin publik janë shkelje për të cilat janë parashikuar sanksione plotësuese me pezullim të lejes së drejtimit përveç masës me gjobë.

Cila është kategoria e njerëzve që janë më problematikë në qarkullim?

Kategoria e drejtuesve të mjeteve të cilët kanë një vjetërsi në përftimin e lejes së drejtimit nga 1-3 vjet. Kjo referuar statistikave të aksidenteve rrugore, ku kjo kategori është më e përfshirë në aksidentet me pasojë. Më duhet të përsërisë që “e drejta rrugore” në Shqipëri njihet fare pak nga të gjithë ne, kur të gjithë ne jemi pothuaj tre të katërtat e ditës “rrugorë”, këmbësorë, udhëtarë, drejtues mjetesh dhe motomjetesh.

Masat e ashpra që janë zbatuar këto kohët e fundit, kanë dhënë efekt pozitiv në uljen e aksidenteve apo thjesht i kanë shtuar buxhetit të shtetit ca para më shumë?

Absolutisht që po. Në trekëndëshin e famshëm të sigurisë rrugore: Inxhinierim rrugësh, edukim rrugor dhe “enforcement” (zbatim me korrektësi dhe me ashpërsi i ligjit), policia rrugore ka përveç të tjerash detyrë të kërkojë zbatimin e ligjit nëpërmjet aplikimit të masave, pa e kthyer këtë në qëllim në vetvete.

Shpeshherë në media del që policia rrugore u heq patentën ose u vë gjoba politikanëve apo njerëzve publikë në vend. Mos po duket se po bëhet më shumë shou për këtë gjë?

Jo, nuk besoj se jemi në këtë dimension, nëse më lejoni të bëj pak humor, mjaft policë rrugorë kanë filluar të mos i njohin politikanët dhe njerëzit e famshëm, dhe kjo i bën të ftohtë ata përballë shkeljeve të tyre.

A mund t’i vendosësh gjobë një drejtuesi apo një shoferi, në një qytet që ofron vende të limituara të parkingjeve publike?

Shërbimi i Policisë Rrugore është në rrugë dhe në kontroll të territorit për të zbatuar ligjin dhe jo për të kryer politika të administrimit të territorit dhe të parkingjeve. Ne të gjithë duhet të mësohemi të respektojmë sistemet e sinjalizimit vertikal dhe horizontal ekzistues, duhet të respektojmë normat e sjelljes në rrugë se kështu ndihmojmë njëri-tjetrin, kursejmë kohë dhe para.

Shumë drejtues automjetesh ankohen se pjesën më të madhe të gjobave i marrin në momente që nuk janë prezentë aty dhe në një rast kur i ndalon policia, rezulton që kanë disa gjoba të papaguara: Mos do të ishte më mirë që të merrej një masë për të lajmëruar drejtuesit e automjeteve për masën ndëshkimore që kanë marrë?

Saktë, jam në dijeni gjithë ditën që ka drejtues mjetesh që ankohen për gjoba në mungesë, por dua të them që formalisht policia rrugore e kryen njoftimin e drejtuesit të mjetit kur në raste të veçanta ai ndëshkohet pa qenë prezent. Por pa u zgjatur në këtë argument, më duhet të them që jemi duke bashkëpunuar me Postën Shqiptare për të bërë të mundur një njoftim sa më të saktë të drejtuesve të mjeteve të ndëshkuar jo prezentë.

Një nga shqetësimet që kanë qytetarët është se nuk zbatohet orari për mjetet me tonazh të rëndë, vazhdojmë akoma të shohim betoniere apo maune që lëvizin në qytet në orare të papërshtatshme gjatë ditës. Pse nuk zbatohet ligji edhe për këto raste?

Ekziston një vendim i Këshillit Bashkiak Tiranë për kufizimin e qarkullimit të mjeteve të sipërpërmendura në orare të caktuara brenda unazës së Tiranës, që në mjaft raste po nga drejtuesit e bashkisë Tiranë lejohet të “shkelet” me autorizime, për motive që drejtuesit e sipërpërmendur i justifikojnë në autorizimet që iu lëshojnë këtyre mjeteve. Në të gjitha rastet kur shërbimi i Policisë Rrugore konstaton se shkelet sistemi i sinjalizimit i vendosur, ndotet rruga ose dëmtohet ajo nga këto mjete, ky shërbim ka vendosur gjoba dhe ka detyruar subjektet për të rivendosur gjendjen dhe eliminuar ndotjen dhe dëmtimet.

 

 

Për 9-mujorin e parë të vitit 2014 kanë ndodhur:

1421 aksidente

me pasojë 185 shtetas të vdekur, 259 të plagosur rendë dhe 172 të plagosur lehtë.

1796 shtetas

(drejtues mjetesh) janë arrestuar për përdorim të pijes alkoolike dhe të drejtimit të mjeteve pa lejedrejtimi në këtë periudhë 9-mujore.

7672 lejedrejtimi

janë pezulluar në total për periudhën 9-mujore, për të gjithë shkeljet e konstatuara nga drejtuesit e mjeteve.

 

Entela Resuli - INTERVISTE October 24, 2014 18:30
Komento

7 Komente

  1. raimond vlonjati October 24, 15:10

    Shume bukur flet zoteria —Me mire te vije djali pa aptente ne shpi, se sa te vije vetem patenta …..
    Sa me te forta te jene regullat e qarkullimit rugor aq me mire

    Une kur isha ne Shqiperi , ecja shume shpejt dhe nje zot e di si kam shpetuar ,Tani kur e kujtoj cuditem me veten…..
    Sa njehere duke shkuar per Tirane me plakun tim , ngaqe ecja shume shpejt , im ate me ulerinte ne makine : Mbaje makinen se do zbres fare…….Mirpo une isha pilot dhe i fusja gaz derrase ……

    Nje zot e di si kam shpetuar nga aksidentet –Ndaj ky shefi i policise e ka shume mire

    Policia te zere prita neper kthesa dhe , kushe shte shpejt mbi norme ta gjobisi rende fare , ne emnyre qe te mos behen aksidentet

    Sidomos rinia duhet mbikqyrur kur dalin nga lokalet , se jane edhe te dehur dhe ecin shume shpejt …..
    Apo tani qe jane ebre dhe ruget e reja aty ne Shqiperi –O nene, o nene , mire qe nuk jam aty, se do fluturoja nga shpejtsia

    Kur ishte bere autostrada Tirane – Durres , une e provova ate ruge me makinen time qe ecte shume shpejt dhe kisha edhe nje shoqe te “luftes” ne makine….
    Por po ecja shume shpejt se me kenaqte ruga …Ajo “luftarakja” u tremb se e pa qe shigjeta e kilometrazhit vente ne fund fare , po u tregua e zgjuar se me tha : ..Perse te bejme lufte me zotin?..
    Atehre e ula shpejtesine …dhe mire qe e ula, sepse nja 200 metra perpara meje doli nje karo qe ecte me nge………

    NDAJ POLICIA te qendroje ne ruge , duke u fshehur neper kthesa dhe tu dali papritmas dhe ti gjoboje rende kure cin shpejt –Por mos i gjoboni ne leke te rinjte se nuk kane para, por mejruni patenten dhe mbaja nja 6 muaj –Ne kete menyre do behen cuna te mire

    Reply to this comment
  2. bimi henri October 24, 15:36

    po mire mo zotrote… po talljen e bythes se kamerave pse ee lejoni…nje kat me siper keni kamerat dhe thoni i ka bashkia… pse se vertetoni kameren dhe psataj komisioni te bej gjykimin… po duhet me e hedh ne gjyq…?dhe te vjen koha me e marr sa te vjen dt e gjyqit…?

    Reply to this comment
  3. sarmir CT October 24, 16:08

    Une mendoj me mire te ecim ne kembe te gjithe ose me gomar, qe te kthehemi te shtepia,

    Reply to this comment
  4. nina October 24, 16:34

    Edhe me te rrepta te behen biles. Se ne shqiperi ka me shum makina , se sa eshte popullsia. Nuk e di pse i duan makinat , kur tiranen e pershkon ne kembe te gjithen dhe pak lodhesh, kur je ne makin harxhon benxin dhe nuk arrin ne destinacion kur duhet, ecni me bicikleta ju qe preferoni makinat, populli aty duhet te behet i nderhjegjshem per cfar gjenje ka, dhe te shtrij kamet sa ka jorganin. Prandaj dhe aty ka smundlliqe nga me te ndryshmet se nuk mendojne per ekologjin e vendit te vet, po ne ketu ne danimark cfar na gjen qe ecim me bicikleta dhe bussa?? Prandaj aty duhen te zvoglohet sa me shum sip e rrugeve qe te ecin vetem busat dhe makinat te bllokohen jo aq shum sa njerez, behuni me verte te ndergjegjshem se nuk jeni te integruar per te qen ne eu. Me vjen keq, aty qe nga deputetet qe gjoja bejn ligjet dhe deri te ai njeriu i thjesht , nuk e e meritoj te jen shofera plis me te jen banor europia. Aty skan edukat dhe sjellje te mia qe nga femija i klases se pare deri te ai me i vjetri. Se kete drejtim jua dha ai sali antikombetar, ku ju tha, vidhni vritni merruni me arm drog shitni femra dhe mos e duani vendin tuaj se keshtu eshte demokracia!!! Me fal po te till jemi ne shqiptaret åa nuk na don njeri. Turp per ne.

    Reply to this comment
  5. USHTARAKU October 24, 19:52

    o zoti MITAT jam shume dakort, me gjobat, por duhet policia te provoj shkeljen me kamera blic, dhe jo me ato palo polic, qe jane pa edukate, pa rrespekt, vetse servila te shefave kur them servila e kam fjalen per allyshverisha, qe luajne ato me kreret qe kane mbi koke, qe fatkeqesisht, me gjithe punen e mire qe ju po beni ato jane shumice. pra dhe nje here zoti MITAT po te kujtoj se bota te denon me prova, e jo me deshiren e policise. po spati prove, gjoben duhet ta pagoj polici. cfare po shohim jemi shume te zhgenjuer por ishalla do i rregulloni keto pune te behemi dhe ne si bota RRESPEKTE
    ,

    Reply to this comment
  6. Pëllumb zaimi October 25, 00:27

    Znj. Entela sjell nëpërmjet intervistës një temë të mprehtë për të cilën shoqëria dhe veçanërisht drejtuesit e automjeteve kanë shumë nevojë? Po përgjaken rrugët e Shqipërisë nga tekat,drogat,halabakllëqet,pijet dhe papërgjegjshmëria? Duhen rregulla të forta,masa drastike por me kusht që të jenë të drejta e të arsyeshme? Eshtë shumë keq kur ndëshkohet një drejtues mjeti për “teka polici”? Kjo nxit zëmërimin,kundërveprimin dhe asfikson faktorët që na duhen për t’u bërë shtet i së drejtës? Policia ka nevojë të kalojë në shkollën e policisë dhe piksëpari në atë të ligjit dhe të drejtësisë,në atë të sjelljes etike e qytetare? Duhet të jesh polic i ligjit por,parasëgjithash qytetar i ligjit? Madje dhe më me halabakun polici nuk duhet të harroje e të neglizhojë kurrë sjelljen në mënyrë të civilizuar. Në këtë sjellje futet dhe respektimi rigoroz dhe pa asnjë lëshim i ligjit? Nderime!

    Reply to this comment
  7. Theofan October 25, 15:13

    Problem I madh eshte dhe parkimi ne Tirane. Ne shume rruge parkojne makina qe jane per shitje. Vetem ne rr. Hoxha Tahsin jane te parkuara me 10-tra makina te tilla. Policia I sheh, madje cdo mengjez nje polic rrugor qendron pikerisht ndermjet ketyre makinave per te drejtuar trafikun e renduar, qe vjen dhe si pasoje e parakalimeve vend e pa vend dhe polici vetem shikon katrauren qe behet cdo mengjez.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*