Gjokë Dabaj: Arratisja nga Jugosllavia në Shqipëri, shpresa dhe zhgënjimi në tokën amë

Kujtim Boriçi July 6, 2013 17:11

Gjokë Dabaj: Arratisja nga Jugosllavia në Shqipëri, shpresa dhe zhgënjimi në tokën amë

Quhet Gjokë Dabaj dhe sapo i ka kaluat 75 vite të jetës së tij. Ka lindur në Stamboll por në moshën një vjeçare është kthyer në vendlindje në Shestan të Tivarit. Në shkollim e sipër në disa qytete të ish-Jugosllavisë, bëhet pjesë e lëvizjeve kombëtare për ndërlidhje kulturore e heqjen kufijve mes shqiptarëve, bashkimin me shtetin amë. I ngarkuar nga shoqata “Liria”, në vitin 1962, mes peripecive të shumta, arratiset nga ish-Jugosllavia e vjen në Shqipëri për të kërkuar ndihmë në shtetin amë. Por nga viti 1962 kur kaloi kufirin e për gati 3 dekada, ai nuk mundi të rikthehej më në vendlindje. Shokët e grupit u kapën dhe u dënuan. Ndërsa në Shqipëri, Gjokë Dabajt, shpresa i kthehet në zhgënjim… Sigurimi i Shtetit dhe policia e shikojnë si të dyshuar, e ai përfundon në internim… “Jeta ime, është një dramë e dhimbshme, një dramë që u bë e tillë nga shpresa e dashuria e pakufishme dhe admirimi që kishte brezi im i shqiptarëve jashtë kufijve për shtetin amë… Kam provuar shumë vështirësi në jetë, nga arratisja me rrezik koke në kufi me Shkodrën, tek internimi, e ndarja me familjen. Nënën e kam takuar pas 30 vitesh. Mundi të vijë si turiste në vitin 1989 e më takoi… Por asgjë nuk ka lëkundur ëndrrën time e të brezit tim, dashurinë për Shqipërinë, shqiptarët kudo që janë, e bashkimin e natyrshëm si vëllezër të një gjaku”, pohon mes të tjerave në rrëfimin e tij të gjatë Gjokë Dabaj…

 

Zoti Gjokë! Si do ta perifrazoni jetën tuaj që nga lindja, rritja e një pjesë e rinisë në ish-Jugosllavi, arratisja në Shqipëri, internimi në shtetin amë e deri tek kontaktet pas 30 vitesh me nënën e familjarët?

-Një jetë e trazuar, më shumë me dhimbje, vështirësi, por me një ëndërr të pashuar që më vlon dhe sot kur i kam kaluar 75 vite jetë: Dashuria për Shqipërinë e shqiptarët kudo që janë, dëshira(e realizuar pjesërisht vitet e fundit) për heqjen e barrierave e kufitare mes shqiptarëve, për bashkimin kulturor e ekonomik të tyre… Kjo ishte dhe dëshira e misioni që më dhanë shokët e grupit patriotik ‘Liria’, kur vendosa të arratisem nga ish-Jugosllavia e të vij në Shqipëri, për të kërkuar ndihmë nga drejtuesit e shtetit amë… Edhe pse pësova zhgënjim, përsëri jam i bindur se bëra atë që duhet bërë. Po të isha në të njëjtat kushte, edhe sot që jam 75 vjeç, po të duhej të ndërmerrja këtë mision, do ta bëja përsëri atë që bëra… Ju sot këtu në Shqipëri, nuk mund ta kuptoni se sa dashuri e mall kishin ne atëherë për shtetin amë, për vëllezërit tanë këtu… Thashë më lart se në jetë, larg familjes e të afërmve, kam vuajtur shumë… Është një jetë e trazuar që nis nga fëmijëria ime e hershme…

 

Diçka për jetën tuaj?

-Po. Unë jam nga fshati Shestan i komunës së Tivarit, sot në kufijtë e Malit të Zi. U linda në vitin 1938 në Stamboll të Turqisë, ku prindërit e mi kishin shkuar në kurbet për një jetë më të mirë… Fillimi i luftës së Dytë Botërore bëri që im atë të mos mund të vinte në vendlindje, por të mbetej atje në Stamboll. Kur unë nuk kisha mbushur më shumë se një vit jetë, së bashku me nënën vijmë dhe vendosemi në vendlindje. Disa vite më pas, përkatësisht në vitin 1947, vjen përfundimisht nga Stambolli në vendlindje dhe babai e vendoset me ne. Thuajse, prindërit e mi e nisën jetën nga e para, e cila mbaj mend, që dhe atje ishte shumë e vështirë. Por im atë, ishte i shkolluar, i lëvizur e donte që unë, të bëhesha me shkollë… E për këtë, ai bëri sa mundi…

 

Diçka për shkollimin tuaj në ish-Jugosllavi?

-Dhjetë vitet e para të shkollimit, ( përfshi dhe katër klasë të tetëvjeçares e dy të shkollës së mesme), i kam bërë në Tivar dhe Ulqin. Në vitin 1957 më del bursa për mësuesi në Nikshiq. Mësimi bëhej në gjuhën sllave. Pastaj shkova u shkollova në të njëjtën degë edhe në Prishtinë. Këtu dua të theksoj diçka: Ne shqiptarët jashtë kufijve, vazhdimisht kemi qenë nën shtypjen e shumëfishtë të sllavëve, duke u detyruar që të shkolloheshim në gjuhën e tyre e jo në gjuhën e nënës, viheshim përballë goditjes së makinerisë shtetërore kurdoherë ku përpiqeshim të theksonim identitetin tonë, të bënim aktivitete shqip, të shkruanim e të botonin në gjuhën shqipe. Duke jetuar gjatë në Shqipëri, detyruar nga kalvari i mundimshëm i jetës sime, dua të theksoj se ju këtu në Shqipëri, nuk e njihni mirë jetën që kanë bërë e ende po bëjnë(sigurisht jo si në kushtet e diktaturës) bashkëkombasit jashtë kufijve të shtetit amë. Është mirë që kjo të dihet e të njihet mirë nga brezat… Ja, bie fjala, ne të rinjtë e asaj kohe, që gjuhën shqipe dhe dashurinë për Shqipërinë e kishim të gjallë, pasi kjo ishte biseda në familjet tona çdo ditë, por ishte shumë e vështirë të shkolloheshim me gjuhën e nënës, me kulturën tonë, pasi politika jugosllave donte të na asimilonte… Kudo që ishim ne nxënësit, jo vetëm na privonin nga sa thash më lart, por dhe na fyenin… Unë e shokët e mi, kemi pasur shumë zënka, grindje e përgjakje kur na përbuznin duke na thënë “shqiptar”.

 

Diçka më konkrete në këtë drejtim?

-Po. Ja, po përmend një nga shumë momente kur ishim në shkollën e  mesme të Nikshiqit. Me nxënësit malazezë nuk shkonim mirë, e siç thashë shpeshherë edhe rriheshim. Profesorët e Nikshiqit më donin në fakt, sepse ndoshta u pëlqeja si tip. Rrinim në oborrin e shkollës dhe mundoheshim të bisedonim, por unë, në fillim vihesha në vështirësi pasi nuk e dija mirë gjuhën e tyre… Ja po tregoj një rast sherri që mori përmasa të mëdha. Isha në korridor para dhomës së fjetjes. Një malazez, i quajtur Vllahoviq duke më thënë “shqiptar”. Unë fizikisht vija i dobët, por dhe teknikën e nevojshme në një ndeshje të afërt, nuk e kisha aty ku duhet në përballje fizike të pabarabarta. Në korridor ishte një fshesë. E kapa dhe i rashë me atë fshesë disa herë, derisa e përgjaka mirë dhe u futa pastaj brenda.

 

Çfarë ndodhi më pas?

-Një malazez tjetër, i klasave të larta, e pa Vllahoviqin duke qarë, në atë gjendje dhe e ka pyetur se pse qante e ishte bërë ashtu. Ai i përmendi fjalën “shqiptar”. Në atë çast, del Seladini, shoku im i dhomës. Malazezi i klasave më të larta, që ishte më i madh se ne, i fut një shpullë të fortë Selatinit, duke menduar se ishte ai që e rrahu Vllahoviqin. Bëhet alarm, e vjen edukatori në shkollë. Në fakt, pas bisedave, ai e mbylli si çështje, por u mor vesh në gjithë shkollën, e ne shqiptarëve, nxënësit sllavë, në përgjithësi, na shikonin me inat, na fyenin, e kërkonin shkas të grindeshin me ne. Nxënësit malazez ishin të indoktrinuar kundër nesh, por edhe druheshin. Ne shqiptarët ishim pak, por kishim unitet, shkonim mirë me njëri tjetrin dhe e mbronim njëri-tjetrin. Për këtë na e kishin frikën. Kishte mes tyre që edhe shoqëroheshin me ne. Por ata ishin shumë të paktë. Unë më pas shkova për shkollim pedagogjik në Prizren, ku popullsia është shqiptare… Por dhe aty, sllavët na fyenin e përçmonin… Qëndrimi i tyre ndaj nesh, në një farë mënyre armiqësor, buronte nga politika tradicionale shtetërore jugosllave kundër ne shqiptarëve që ishim autoktonë në trojet tona etnike… Ata përdornin ndaj nesh edhe fyerje nëpërmjet këngës… Krijoheshin shpesh edhe situata të rënda.. Ja të tregoj një rast, që ka ndodhur në një aksion që bënim gjatë verës në Ostosh…

 

Çfarë incidenti ndodhi në aksionin për ndërtimin e rrugës në Ostosh?

-Gjatë verës së vitit 1960, në Ostosh u organizua një aksion për ndërtimin e rrugës Ostosh-Shjerrç. U mblodhën disa brigada shqiptarësh të Kreanjës dhe disa brigada malazezësh të Cërrnicës. Në pushim, këndonim këngë dhe luanim valle. Edhe pse territori ishte 100% shqiptar, dhe aksionistët 80% shqiptar, komandat jepeshin në gjuhë sllave, urdhrat dhe dekorimet, gjithashtu në të njëjtën gjuhë në të folur dhe në të shkruar. Kjo, ishte, si të thuash, një fyerje indirekte. Por ç’farë të bënim. Por fyerja bëhej dhe në mënyrë të drejt për drejtë, për shembull, me anë të këngëve. Këndohej sllavisht, por na vinte shumë inat kur këndonin këngë kundër Shqipërisë. Më kujtohen dhe tani disa vargje nga fjalët e një kënge të tillë: “Oj narodo Albanije/ Ubij Hoxhu shteta nije”. E përkthyer kjo është: ”O ti popull i Shqipërisë/ Vraje Hoxhën, dëm nuk bëhet”. Ky vit shënon dhe periudhën e organizimeve të para rinore kundër diskriminimit shtetëror nga shteti ndaj ne shqiptarëve…. Përmend këtu një revoltë rinore..

 

Cila ishte dhe si u organizua kjo revoltë?

-Në prill të vitit 1960, në konviktin e Normales së Gjakovës ndodhi një revoltë e konviktorëve. Drejtoria e konviktit kishte pezulluar nga ushqimi një numër nxënësish. Unë dhe një grup shokësh, në shenjë revolte, organizuam dhe vendosëm që në solidaritet me të dënuarit, ushqimi të refuzohej nga të gjithë. Ndër organizatorët dhe më të vendosurit ishin Hasan Sala, Gjekë Nikprelaj dhe Selatin Gjenashi. Dua të them se për shkak të terrorit, organizimin e bënim në sistemin 1+3, domethënë unë kisha tre shokë të tjerë, që kontaktoja dhe i dija vetëm unë, e seicili prej tyre, kishte nga tre shokë e kështu sistemi zinxhir. Kjo eksperiencë do të na vlente më pas ne të rinjve që organizuam grupin patriotik “Liria”. Revolta filloi e vazhdoi për më shumë se tri orë me thirrjet masive “Duam bukë! Duam bukë!”. Më në fund, pushteti lokal i Gjakovë, në orën një pas mesnatës, u detyrua të plotësoj kërkesat e konviktorëve. Kështu, 60 nxënësit e lënë pa ushqim, rifituan të drejtën, ndërkohë që organizatorët e revoltës u ndjenë krenarë dhe morën zemër… Ndërkohë, situata në konvikt, alarmoi UDB-në jugosllave e cila nisi hetimet e goditjet…

 

Cili ishte reagimi i UDB-së?

-Organet shtetërore, pa dyshim, por veçanërisht UDB-ja nisi hetimet për të përcaktuar organizatorët dhe t’i ndëshkonte ata. Por aty, për herë të parëm, jo vetëm për faktin se seicili nga ne nuk kishte lidhje me më shumë se 3 tre persona, por për frymën e qëndresës, UDB-ja nuk arriti atë që këmbënguli me të gjitha forcat dhe mjetet. Unë, e jo vetëm, unë, përballë presioneve e torturave, nuk pranonin të tregonim asgjë, të bindur deri në vetëflijim… Kështu, pamë se dhe ne kishim forcë… Nuk mendonim se kjo revoltë, do të kishte ndikim të madh e të menjëhershëm…

 

Cili ishte ndikimi i revoltës?

-Revolta bëri bujë në qytetin e Gjakovës. U forcuan lidhjet mes nxënësve të Normales, gjimnazistëve e me popullin vendas. Profesorati gjakovar ishte lidhur edhe më shumë me nxënësit, duke i marrë ata në mbrojtje. Një frymë entuziazmi patriotik e përfshiu krejt qytetin e Gjakovës. UDB-ja, ndërkaq, shihet shumë e alarmuar. Dua të ritheksoj këtu se organizimi 1+3 e ka zanafillën pikërisht në këtë kryengritje të vogël konviktorësh në Gjakovë në vitin 1961 dhe ai sistem, në vitet 1968 dhe 1981, është përdorur në shkallë shumë më të gjerë në krejt Kosovën… Këtu, ose pas pak kohësh, nis zanafilla e krijimit të shoqatës patriotike “Liria”, që shënon arratisjen time me mision në Shqipëri dhe kalvarin e mundimshëm të jetës…

 

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e Gjokë Dabajt për takimin e parë në bibliotekën e shkollës i grupit ilegal të të rinjve për krijimin e shoqërisë patriotike “Liria”. Kush ishin nismëtarët e kësaj nisme.

-Mbledhja e majit të vitit 1962, nënshkrimi i themelimit të shoqatës “Liria”, statuti(misioni) i saj dhe përcaktimi i rrugëve të komunikimit ilegal me Shqipërinë për të kërkuar mbështetje.

-Përcaktimi dhe roli i aktivistit i cili do të arratisej nga ish-Jugosllavia për në shtetin amë, në Shqipëri.

 

KUSH ËSHTË GJOKË DABAJ

Gjokë Dabaj u lind në vitin 1938 në Stamboll të Turqisë ku familja e tij ishte në emigrim, dhe ende pa mbushur moshën një vjeçare, kthehet me nënën e tij në vendlindjen e prindërve, në Shestan të Tivarit, në ish-Jugosllavi. Babai mbeti në Turqi. U kthye në familje në vitin 1947. Gjokë Dabaj u shkollua në vendlindje në Ulqin, në Tivar, në Nikshiq (këtu në gjuhën sllave) në Prishtinë dhe në Prizren. Është ndër të rinjtë e shkolluar që kërkojnë lidhjet me Shqipërinë, me shtetin amë, duke kundërshtuar kufijtë absurd dhe ndarjen e njerëzve të një gjaku. Për këtë qëllim, ai dhe shokët e tij bien në sy të UDB-së dhe ndiqen prej saj. Është një prej themeluesve të organizatës patriotike “Liria”, e cila kishte për mision bashkimin e shqiptarëve, komunikimin kulturor e fizik mes tyre. Për këtë, grupi vendosi që të kontaktoj me strukturat e shtetit shqiptar të kohës. Pasi hartohet materiali informues, Gjokë Dabaj është personi që ngarkohet të arratiset nga ish-Jugosllavia e të vijë në Shqipëri për kontakte. Kjo ndodh në prill të vitit 1962. Ndërkohë, UDB-ja ka rënë në gjurmë të aktivitetit të shoqërisë “Liria”, ka bërë arrestimin e drejtuesve të saj dhe i ka nxjerrë në gjyq. Gjoka jo vetëm mbetet në Shqipëri, por këtu përballet me shpërfillje e pëson zhgënjim… Dërgohet në internim në Tepelenë… Më vonë, pas shumë peripecive, shkollohet dhe punon si mësues në disa rrethe të vendit, kryesisht në Mat. Në Shqipëri është martuar e krijoi familjen. Pas afro 30 vitesh, përkatësisht në vitin 1989, ai takohet për herë të parë me nënën, e cila ka mundur të vij si turiste në Shqipëri… Pas gati 3 dekada e gjysmë takohet dhe me vëllanë që e kishte lënë atëherë të vogël, fëmijë… Dabaj është publicist i njohur, autor i  disa librave historikë, studimor e artistik…

Kujtim Boriçi July 6, 2013 17:11
Komento

12 Komente

  1. lleshi July 6, 20:08

    Mire , mire Dita ! Cili eshte qellimi i ketij rrefimi ? Ne rast se eshte e vertete se ndodhemi perpara nje rasti “skarcitet” te punes se Sigurimit , gje qe nuk mund te vleresohet vetem nga theniet e zotnise Dabaj , se eshte vertet skarcitet ose jo , cfare i sherben ky rast opinionit publik ?

    Na jepni ndonje rast zyrtar se si eshte zberhyer ndonje rrjet spiunesh te UDB-se dhe cfare qellimesh kishin ata ! Ose merrni dhe publikoni dokumentet e “nacertanjes” ose te Akademise se Beogradit apo te Athines ! Platformat zyrtare te qarqeve poltike te tyre , taktikat dhe strategjite e ketyre dokumenteve ! Mundet te publokni edhe menyrat qe perpunoi shteti shqiptar (deri ne 1990-ten) per t’iu kundervene qellimeve antishqiptare !

    Reply to this comment
    • lleshi July 6, 20:42

      Pse deri ne 1990-ten ? Edhe pas 1990=tes deri ne ditet tona , sepse nuk e di dhe une pse u tregova kaq miop …..

      Reply to this comment
  2. liri July 7, 07:29

    Njeriu i UDB ka qene dhe ky ce vlersoni .
    dihen keta spiune perse erdhen tregonte puna e tyre.
    I dinte Enveri keta ndaj ua gjeti vendin.

    Reply to this comment
  3. preshi July 7, 12:56

    Po ta donte kaq shume Shqiperine ky Dabaj , nuk duhet te fliste tani , te pakten jo ne kete menyre ! Mosha qe ka nuk e lejon “te qaje” , pse mamaja i ra me pellembe kur duhej perkeledhur !
    Por ky me siguri qe eshte kontigjent i LKJ-isteve te LDK-se se Rugoves tani dhe helmin serb gjeti rastin ta hedhe !
    Zoti Dabaj , por edhe ju te Dites , nuk e c’beni dot historine ! Shqiperia gjithe jeten e saj e ka mbeshtetur me zemer Kosoven edhe kur shtetaret e saj Zogolli me kompani pushtonin Shqiperine me ushtrine Serbe ! Edhe ne ate kohe Shote Galica , megjithese ne mjerim , vdiq ne token shqiptare e ndihmuar ekonomikisht nga shqiptaret e varfer !
    Ndersa gjate kohes se “zotit Gabaj” Shqiperia dhe shteti i saj , bene te pamunduren jo vetem per Kosoven , por per te gjithe faktorin shqiptar ne rajon !
    Shume keq zoti gabaj , i thote vehtes edhe shqiptar ………

    Reply to this comment
    • zefi July 7, 14:17

      Zoti,Gabaj!
      Mos u trishto,se shpejt do te dalin te gjithe SPIUNET E UDB-se,qe hidheshin ne Shqiperi,gjoja si te arratisur nga represioni serb,por kane qenre SPIUNE TE SERBIT!!!
      Shikoni se cfare ka bere e ben edhe nje AGJENT tjeter si ju,por ne Shqiperi,SALI BERISHA,i rekrutuar qe ne 1976-ten dhe ka 23 vjet,qe e ka cuar Shqiperine ne HUMNERE!!!
      Edhe sot shume prej jush VIJNE SI AGJENTE TE SERBIT,KETE HERE NE SHERBIM TE BERISHES,duke votuar per t’i zgjatur SUNDIMIN E TIJ GJAKATAR!!!

      Reply to this comment
  4. tol francezi vl July 7, 14:55

    Po pse salehu berisha qe eshte agjent UDB cfare beme asgje ky qen e mbajti 23vjet peng dhe remuje shqiperin

    Reply to this comment
  5. N.VJOSA July 7, 18:53

    Te nderuar gazetare te Dita-s,
    Ne se sherbime t inteligjente te Shqiperise do te kishin nje vazhdimesi, nuk do arrinte dot te fliste per “aktivitetin”e tij nje spiun si Gjok Dabaj!
    Por Sali Dhendrri i Milices i shkaterroi sherbimet qe punonin per popullin shqiptar!
    Kujdes kush ju rekomandon per aktivitetin e tipave si B. islami, Gjok Dabaj dhe te tjere, shume te interesuar per te shtire ne dore aktivitetin e zbulimit shqiptar kunder UDB-se!….

    Reply to this comment
  6. Zgerbonja perballë... July 8, 10:20

    Ky i nderuar shqiptar prej Malit të zi, mund te ketë të drejtë, për cthotë!Ish sigurimi shqiptar duhet kuptuar ishte i ndarë ne dy linja:Ajo me drejtim atdhetar dhe ajo me drejtim antikosovë,që punonte gjer dhe paguar nga UDB(Ka deklaruar Milloshevic” Në Ballkan kemi 2 mijë agjente qe i paguajme,”50 perqind mesiguri shqiptare!Ndaj ne Shqiperi politika ne krey të KQPPSH dhe banda e Veriut(tashme në agoni edhe elektorale) lozte me dy “porta”.-Ajo forcoi luften e Klasave,interrnimet,burgjet dhe gjer dhe vrasjet!Jagot,gjithshka e bënin të mos ngrihej Kosova.Kosovareve kur tu permendje Shqiperi,te kuptonin “ferrin”dhe te perqafonin Titon!…Shqiperia sipas Titos,thene edhe Stalinit,duhej të ishte disa dhjetra hapa mbrapa në “socializëm” Jugosllavise qe Kosova te mos shkeputej se Serbet nuk duan dhe ka lufte.Tito i thote Stalinit se e kemi ne dore situaten qe desh iku,pas Kobferences se Bujanit(dhjetor-1943-janar-1944).Ne krah te nacionalistit Hoxha,kemi njerzit tane…Ndaj Stalini kur u prish me Titon,denoncoi si agjent Koci Xoxe;por ceshtja shtrohet kush zevendesoi ne krah te nacionalistit Koci Xoxe sepse e pamundur te lihej vendi bosh!Dhe besohet se UDB e kish njeriun bile ai nxori dhe pasardhësin qe nuk pranoi Rambuje,U dha nafte per sulm serbeve ne Kosove dhe quajti bande terroriste UCK.Por jemi tek ky shqiptar dhe duhet ta besojme.Shume kosovare a shqiptare nga Mali i zi,pasi i shoshiste krahu i UDB,ua rikthente serbeve,pasi shumica ishin atdhetarë shqiptare!…Ata qe u interesonte,i mbante sigurimi,krah i UDB!Pra duhet kuptuar drejt Miloshevici,kur thote se me 6 gjahtare tani une marr dhe Shqiperinë!…Sepse perpos shkaterrimit te industrise dhe forces ushtarake(vend i dyte ne Europe,pas Turqise,per fryme popullsie,kur ishte lidhja me Kinen qe Banda e Veriut e prishi me urdher Beogradi dhe sabotoi lidhjen me Gjermaninë…(Kush e kerkoi,eshtë fakt historik!)Ndaj ka vuajtur ky shqiptar interrnimin.Ka qene atdhetar dhe uroj te na sjellë fakte për dhenderrin malazes,qe zevendësoi JAGON!

    Reply to this comment
    • preshi July 8, 16:53

      Po ti fol hapur o burre i dheut , sepse kemi folur hapur edhe atehere kur ishin ne pushtet si Nexhmije Hoxha edhe Ramizi Alia kelyshi serbeve dhe vartesi i saj ! Te dy keta pinjolle UDB-ashe duhet t’i kuptoje cdo shqiptar me inteligjence normale dhe mesatare , pasi te gjithe veprimet e tyre edhe pasi zgjodhen pasardhesit televizive , Sali Berishovicin dhe Fatosis Nanos , kane qene drejtuar kunder shtetit shqiptar .

      Nderrimi i pushtetit dhe kaosi me te cilin e kryen , iu sherbeu te gjithe ketyre krimnelevee prodhonte per te shkaterruar Shqiperine ! Rendi i ri shoqeror duhet te prodhonte zhvillim te hovshem , ne nje vend qe kishte nevoja te medha per zhvillim dhe jo te eksportonte se pari Fuqine punetore e cila ishte nje nga Pasurite Kombetare me te medha !

      Cfare ta zgjas mo ! Telooo te hengert tenja se e ke te keqen brenda !

      Reply to this comment
  7. Presarani July 8, 11:46

    “Analistet” e sotem bejne mire te mesojne historine dhe pastaj te bejne te diturin. Sigurisdht qe ne punen e sigurimit ka pasur edhe shume te meta, deshtime, gjykime te gabuara, por asnje nuk eshte ndeshkuar pa faj. Nje nga keto te verteta eshte edhe historia dhe jeta e GJ. Debajt. Millosheviçi ka deklaruar se jane harxhuar 18 miljon dollar ne Shqiperi pas 1990. Ta zeme se Sigurimi ka bere gabime te shumta e te madha ndonse une mendoj se ka qene plotesishte ne perputhje me interesat e kombit, tani keta “analistet” te ne tregojne dhe organet e inteligjences shqiptare te vertetojne ku dhe nga kush jane marre dollaret e UDBs se Millosheviçit? Kush i ka marre? Kush i nxit partizanet e Neçertanies dhe Megali-ides qe ti glorifikojne arritjet e tyre? Është mire qe te flasim me fakte e dokumenta.

    Reply to this comment
  8. Laberia e pergjakur July 8, 21:10

    Keto o i nderuar prezaran,nuk i kane ne dore analistet, kush i merrte ato para te Milloshevicit,18 milion si thua ti.Kunderzbulimi shqiptar duhet te kete ndonje emer,por R.Hoxha,pershembull,perse e eleminoi sigurimi(SHIK) i Berishës!Cfare pa ai,qe e eleminuan barbarisht,pa i bere as gjyq!…Ai sigurisht ka kapur mat,mesiguri Berishën,mendoj une,pasi ai ka heshtur!…Si mund te heshtet,kur opinioni zien dhe shqiptari eshte i zhdukur nga shteti?Kupton pse qe ne kohen e monizmit UDB ishte ne Kupole ne krah te Hoxhes,thone analiste,bile arriti ta izoloje ate,pas atakut.Nuk eshtë ceshtja te ringjallim Enverin,por tu shkojme te vertetave thellë,aty ku jane manipuluar.Alia qe ne monizem eshtë quajtur Jago,askush analist nuk e ka analizuar kete,as Zgerbonja perballë…Perse u quajt,dhe cdo te thote JAGO?Por Jagua solli Jagushin bile e veshi me pardesy te bardhe sigurimi…(nuk eshte e vertete)Nuk jane keta Banda e Veriut,qe largoi me politike Kinen,sot vend i dyte ne bote?Po tufezat kush i beri qe racionoi dhe mishin e qumshtin?Po Gjermanine kush e largoi,kur Shtraus erdhi me projekte?Por Kosova ndizej dhe ajo duhej shuar!Shuarja me e mire vinte nga Shqiperia!Te kujtohet Isuf Gervalla,qe u vra ne Gjermani nga UDB?Kush e mbrojti hapur ate?Po me pas, Alia,Berisha qe moren pushtet dhe perkujtoi ky i fundit tradhetare e reaksionare,si nuk perkujtoi asnjehere Isuf Gervallen?Pse?Sepse ate e vrau ai qe paguante keta,UDB!…Thua nuk eshtë e vertet?Nuk e vrau UDB dhe”Borba”ka dhjetra artikuj per te si irredentist,pasi e vrau me të vellane dhe te tjere?Po te lexosh shkrimtarin malazes Vujevic,ai kerkon Shkodren dhe diku thote ne Librin”Un montenegrino in Italia”se bashkimi i shqiptareve te malit te zi, ne luften e dyte botrore, me Shqiperine, ishte nje tmerr per Malin e zi,sepse zvogelohej(e pastsj?Ka shtete me të vegjel,San Marino,pershembull)dhe ai iu drejtua mbretit italian pasi Elena,gruaja,ishte malazeze!…Vujevic vazhdon te thote se krushqite do e rimarrin Shkodren,pasi me krushqi ne rritemi…Kush ka bere krushqi me ta,90 perqind jane agjente…Ky atdhetar ka te drejte,pasi e do vendin e vet,por ai nuk kupton ende kush e tradhetoi dhe tradheton kombin tone te mjerë!Ai prej shqiptareve e ka pesuar,por cilet shqiptare?Ata qe nen emrin e Hoxhes benin politiken(ne plan te pare,ishte parrulla)dhe nga ana tjeter i ngulnin thiken shqiptareve tej kufijve,sepse duhej trumbetuar se ne Shqiperi eshte ferri!Me mirë nen Serbine,se me Shqiperine!Alia ishte Jago!Por ai la pasardhes dhe pasardhesi po le pasardhes Bashen, nje super antishqiptar qe dhe vrau shqiptare!Kjo eshte dhe banda e Veriut qe i ka shkaktuar deme te pallogaritshme Shqiperise!Fillo me industrializimij qe u varros,me vendet e punes te humbura,me shitjen e detit e zbrit tek lufta e klasave,interrnimet,burgosjet e vrasjet!Rilindja ka pune per te bërë dhe drejtesi per te vene,edhe per kete shqiptar atdhetar!

    Reply to this comment
  9. tol francezi it July 9, 18:48

    klani UDB i ramizit alise u be i fuqishem ne ppsh,ne dem te krahut patriot KAPO-SHEHU,ENVERI ne 10vjecarin fundit te jetes nuk kontrollonte dot si duhet aparatin e sigurimit te shtetit.prandaj sali serbi na mbajti 23vjet peng.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*