Gjokë Dabaj: Si themeluam organizatën “Liria”, me qëllim komunikimin e lirë me shtetin amë, Shqipërinë

Nga Kujtim Boriçi July 8, 2013 20:37

Gjokë Dabaj: Si themeluam organizatën “Liria”, me qëllim komunikimin e lirë me shtetin amë, Shqipërinë

Ekskluzive / Rrëfim i 75-vjeçarit Gjokë Dabaj nga Tivari, një nga ish-drejtuesit e organizata patriotike “Liria” në vitin 1962 në ish-Jugosllavi. Si u krijua kjo organizatën, themeluesit dhe misioni i saj, konspiracioni përballë ndjekjes së UDB-së, programi dhe mënyra e kontaktit ilegal me strukturat e shtetit shqiptar për ndihmë.

75-vjeçari: Ishim një grup të rinjsh që nuk e duronim shtypjen kulturore e diskriminimin e UDB-së e shtetit jugosllav. Krijuam organizatën patriotike, me qëllim mbrojtjen e identitetit e kulturës kombëtare dhe sensibilizimin e opinionit e strukturave shtetërore për lidhje e bashkëpunim pa pengesa me vëllezërit tanë në Shqipëri.

 

Në pranverën e vitit 1962, një grup i shkolluar të rinjsh shqiptar, duke parë diskriminimin e shqiptarëve në Jugosllavi, nën hundën e UDB-së, mblidhen ilegalisht e krijojnë në Prizren shoqatën atdhetare “Liria”, me qëllim realizimin e objektivave tepër të guximshme për kohën. Gjokë Dabaj, një nga themeluesit e saj, i dërguar për mision ilegal atë vit në Shqipëri, në vazhdim të rrëfimit të tij, sjell detaje interesante rreth situatës së asaj kohe në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi…

 

Si vazhdoi më tej jeta juaj?

-Po jemi në vitin 1962. Kjo shënon dhe kurorëzimin tonë për krijimin e shoqatës patriotike “Liria”. Mendoj se këtu ja vlen të ndalemi pak më gjatë jo vetëm për vështirësitë në themelim, rolin e saj në komunitetin shqiptar në ish-Jugosllavi, e sigurisht, në rrjedhën e mëtejshme të jetës sime, midis shpresës e zhgënjimit… Pra, nga përpjekjet deri në krijimin e “Liria”!

 

Cilat janë vështirësitë që kaluat deri tek krijimi i shoqatës “Liria” ?

-Me shokun tim të ngushtë, Fadil Cukajn e disa të tjerë, takoheshim shpesh në banesën time dhe bisedonim për situatën në Kosovë. Flisnim për gjendjen ekonomike, kulturore, politike e shoqërore të Kosovës, gjëra që na binin veçanërisht në sy kur ishte ditë tregu. I shihnim katundarët të leckosur, të lodhur dhe me fytyrë të rraskapitur. Por më tepër mendja dhe gjuha na ktheheshin drejt vendlindjes sonë, trevave të Tivarit e të Ulqinit. Mund të dallonim se në pikëpamje ekonomike tek ne ishte diçka më mirë se këtu, edhe pse këta i kishin tokat shumë më pjellore. Në pikëpamje kombëtare dhe arsimore kishim njerëz te cilëve mund t’u referoheshin, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejtja, Shote Galica, Sefë Kosharja, Bajram Curri. Kurse me zë të vogël përmendnim edhe Shaban Polluzha, Rifat Berisha, Xheladin Hana. Kish në Rrafsh të Dukagjinit dhe në Kosovë edhe të tjerë, që i shihnim në buste e përmendore: Emin Duraku, Mustafa Bakia, Ramiz Sadiku, që ne në trevat shqiptare të Malit të Zi ose nuk i kishim, ose nuk i njihnim. Kur shikonim këtë trashëgimi patriotike, na u nxit dëshira që si të rinj të shkolluar që ishim, të bënim diçka, të organizoheshim…

 

Çfarë bëtë në këtë drejtim?

-Kur rrinim në banesë, me Fadilin, me Selatinin, me Gjergjin, diskutonim për situatën në trojet tona dhe bënim pyetjen: “Çka mujmë me ba na, për me e tërhjekë vëmendjen e pushtetit, po edhe të Botës, që ekziston një popull shqiptar, i ndarë, i okupuar dhe pa të drejtat më themelore?”

Arrinim deri atje sa thurnim në mendjet tona edhe aventura gati fëminore: Të bënim një tubim diku afër kufirit dhe të kalonim qe ashtu të tërhiqej vëmendja e ndërkombëtarëve… Dhe filluam…

 

Cili ishte hapi i parë?

-Nevoja për një formë organizimi ishte shtruar midis nesh gjatë gjithë dimrit të vitit 1961-1962. Bisedat u bënë edhe me Haxhi Zybën. Kontakti i pare me Haxhiun, qe në fillim të vitit dhe u bë një ditë kur shkuam tek biblioteka. Para nesh ishin 2 vajza serbe. Ato kërkonin një libër… Haxhiu bëri sikur e kërkoi dhe u tha: “S’ka. E kanë marrë.” Pastaj kërkova unë të njëjtin libër. Haxhiu tha: “Për ty ka.” Shkoi, e mori librin, e regjistroi dhe ma dha. Pastaj biseduam… Pas këtij rasti takoheshim shpesh të tre ose të pestë, bashkë me Gjergjin dhe me Selatinin, dhe bisedonim për gjërat që na shqetësonin. Gjatë atij dimri u organizuan disa veprimtari kulturore në të cilat ne u munduam te infiltronim frymën tonë. Në rrethin letrar ishte tradite që mblidheshin bashkë nxënësit shqiptarë dhe ata serbë. Por serbet dëgjonin punimet në gjuhën e tyre dhe largoheshin. Ne shtruam kërkesën që, ashtu siç i dëgjonim ne punimet në gjuhën serbe, duhej edhe ata t’i dëgjonin punimet që lexoheshin shqip. Ose për ndryshe s’kishte pse tuboheshim bashkë… Kjo, vetëkuptohet, shkaktonte reagim të fortë midis nxënësve serbë e malazezë. Kurse ne u thoshim: “Ju nuk po zbatoni parimin e vëllazërim-bashkimit, që është parimi më i shenjtë në shtetin e Jugosllavisë Socialiste”. Përgatitëm e shfaqëm edhe një teatër nxënësish në gjuhën shqipe. Shfaqja u dha ne një sallë të qytetit. Pamë lot, e vetëm lot tek njerëzit… Ndodhte për herë të parë kjo… Për Prizrenin, kjo përbënte rigjallërim të traditës së dikurshme, por të ndërprerë dhunshëm nga pushteti… Kjo na dha kurajë, e në ditët në vazhdim kërkuam më shumë… Kërkuam barazi…

 

Si e kërkuat barazinë?

-Ne mbledhjen që u organizua në një rast, diskutuan disa të rinj, të para përgatitur prej palës pro qeveritare. Unë, në bashkë mendim me Fadil Cukajn, u ngrita dhe fola mbi nevojën e realizimit më mirë të barazisë midis të rinjve shqiptare dhe atyre serbë e malazeze, si në veprimtaritë jashtë mësimore, ashtu edhe në programet e mësimit. Drejtuesit, nuk i pëlqeu kjo e tentoi të më presë fjalën… Por unë vazhdova me këmbëngulje… Atëherë, një serb, i cili kishte ardhur në shkollën tonë nga Shkolla e serbëve, e tani ishte sekretar i Komitetit të Rinisë Socialiste për shkollën, më erdhi ty nga mbrapa, duke më goditur nga këmbët e të më detyrojë të pushoja me dhunë… Ishte një incident, ku gjithë se si, unë i thashë ato që kisha ndër mend.

Më në fund, në pranverën e vitit 1962 u poqën kushtet të organizoheshim më mirë në realizimin e idealeve tona. Pas bisedave të vazhdueshme për çështjet tona kombëtare, herë 2-3 vetë e herë më shumë, erdhi çasti kur menduam se duhej të bënim një mbledhje themeluese të një organízate ilegale, e cila do të përbënte vazhdimin e punës së gjeneratave paraardhëse. Kjo ishte mbledhja e parë…

 

Ku dhe si u zhvillua mbledhja e parë?

-Në fillim të prillit u bë mbledhja e parë në varrezat e qytetit ku gjendej një shesh i pazënë me varre. Morën pjesë në atë mbledhje: Bedrush Qollaku, Haxhi Zyba, Fadil Cukaj, unë, Zymer Bucaj, Iljaz Zogaj, Gjergj Nikprelaj, Selatin Gjenashi dhe Haki Baraliu. Të gjithë nxënës shumë të mirë e të shkëlqyeshëm… E kemi marrë fjalën të gjithë me radhë. Për shkak të ruajtjes së fshehtësisë, 2 vetë, duke u ndërruar me ata që e mbaronin fjalën, luanin me top, ndërsa të tjerët flisnin. Secili parashtronte mendimet e vet mbi qëllimin dhe domosdoshmërinë e organizimit, mbi mënyrën se si duhej të funksiononte kjo organizatë e fshehtë, mbi taktikat dhe sjelljet tona në jetën legale, mbi rrezikshmërinë që po merrnim përsipër, jo vetëm për karrierën tonë personale, por edhe për jetën tonë dhe për familjet tona.

 

Çfarë diskutuat e vendosët në këtë takim?

Pika e parë ishte: Të kemi të qartë faktin që ne shqiptarët nuk jemi jugosllavë dhe që bëjmë pjesë paradoksalisht në shtetin jugosllav. Mbështetur në këtë të vërtetë të pa diskutueshme, ne do të punonim që krejt territoret ku banojnë shqiptarë, prej Manastirit e deri në Tivar, të shkëputeshin prej atij shteti, që nuk ishte i yni, dhe të bashkoheshin me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Pika e dytë: Duhej të ishim të vetëdijshëm që ky mision, kjo detyrë jetike për Kombin tonë, nuk mund të realizohej në një kohë të shkurtër. Pra, organizimi ynë duhej të ishte afatgjatë të këtij synimi do të vinte si pasojë e zhvillimeve në histori. Por ne duhej të ishim faktori subjektiv për të orientuar energjitë tona dhe të mjedisit ku jetonim drejt të njëjtit qëllim.

Pika e tretë: Qëndrimi ndaj elementëve që tashmë ishin ekspozuar si kundërshtarë të regjimit, i cili s’mund të emërtohej ndryshe veçse regjim pushtues. Ndaj këtyre njerëzve, ndaj ish-të burgosurve apo ndaj pjesëtarëve të familjeve të tyre ne do të silleshim me kujdes. Të mos u afroheshim shumë, të mos ua tregonim sekretin e ekzistencës sonë si organizatë, por as të mos u qëndronim larg.

Pika e katërt: Duhej të përpiqeshim që të kishim njerëzit tanë në të gjithë institucionet: Në organet e pushtetit, në Lidhjen Komuniste Jugosllave, në arsim, në mjekësi, në organet e shtypit, në radio e kudo gjetkë. Por jo në të gjithë rastet ata të ishin edhe të organizuar. Njerëz me pikëpamje patriotike kishte kudo dhe puna e tyre duhej orientuar andej nga e kërkonte koha. Kjo do të thoshte që ne nuk do të ishim një organizatë separatiste, e mbyllur në vetvete, siç thuhej në atë kohë. Megjithëse kjo ishte një punë tepër e rrezikshme, ne prapë nuk mund të punonim hermetikisht e të izoluar.

Pika e pestë: Ne duhej të dinim që këta synime të organizatës sonë, as të krejt shqiptarëve që ndodheshin nën Jugosllavi, nuk mund të realizoheshin pa ndihmën e të tjerëve. Ndihmën e parë në do ta kërkonim tek shteti ekzistues shqiptar. Ai shtet e kishte për detyrë që ta ndihmojë pjesën tjetër të Kombit të vet për tu çliruar. Atë shtet ne e konsideronim “zona e çliruar” e Atdheut tonë, e cila kish obligim për të ndihmuar në çlirimin edhe të pjesës së paçliruar. Si aleatë të natyrshëm ne i konsideruam edhe popujt e tjerë të Federatës, si kroatët, sllovenet apo boshnjakët. Por ata nuk duhej të merreshin si përkrahës pa rezerva të kauzës sonë, për arsyen se ne ishim kombëtarisht shumë të ndryshëm prej tyre. Një mundësi ndarjeje të Jugosllavisë e kemi parashikuar qysh në atë kohe, pra në vitin 1962, ndonëse mënyrën se si do të bëhej ajo punë, nuk mund ta parashikonim. Kjo, mendojmë ne, ka rëndësi të dihet në historiografi. Për këtë mbledhje, pra dokumentacioni i saj, aktiviteti i organizatës “Liria” do të bëheshin objekt i gjyqit kundër anëtarëve të saj, organizuar nga UDB-ja jugosllave. Sot duket e pabesueshme, por që në atë kohë, (gjë për të cilën ka dokumente autentike e të administruara nga gjykata jugosllave që sot mundëm ti disponojmë), në objektivat dhe misionin e organizatës sonë shtrihej dhe angazhimi ndërkombëtar…

 

Cili ishte sensibilizimi apo angazhimi juaj ndërkombëtar për realizimin e objektivave të organizatës “Liria”?

-Kemi diskutuar e vendosur edhe mbi mundësinë për të gjetur përkrahës ndër Fuqitë e Mëdha: Evropë, Amerikë, Kinë apo Rusi. Por këtu mbetej në radhë të parë për të parë se cila prej këtyre forcave do të shprehej e gatshme për të qenë mike e shqiptarëve. Për Bashkimin Sovjetik e dinim që nuk do të na përkrahte, prandaj në atë krah as që duhej të orientoheshim… Për Shtetet Perëndimore pengonte dallimi midis regjimit të tyre kapitalist dhe regjimit që ekzistonte në Republikën e Shqipërisë. Shtetet Perëndimorë në atë kohë përdornin pikërisht Jugosllavinë si plasdarm për veprimtari subversive kundër regjimit të Tiranës. Vetëkuptohej që ata interesin kombëtar të shqiptarëve as që e kishin në rend të ditës para interesave të “llojit të regjimit”… Në këtë mbledhje u diskutua dhe mënyra e veçantë e rritjes së anëtarësisë së organizatës, në konspiracion të plotë, duke ditur se ishim vazhdimisht nën survejimin e UDB-së…

 

Si do të bëhej shtimi i radhës së organizatës?

-Në këtë mbledhje u theksua se duhej të gjendeshin edhe anëtarë të rinj, të hulumtoheshin nxënësit e mirë e të virtytshëm, por vetë grupi nuk duhej zgjeruar shumë, për shkak se ashtu nuk do të mund të ruhej konspiracioni. Si rrugë më e përshtatshme zgjerimi u zgjodh një formë tjetër: Çdo anëtar i këtij grupi, që u quajt grupi qendror, mund të krijonte grupe të tjerë në vendlindjen e vet ose gjetkë, por anëtarët e rinj të tillë grupeve eventualë nuk duhej të njihnin me emra anëtarët e grupit qendror. As grupi qendror, përveç anëtarit që e kish krijuar dhe që e udhëhiqte, nuk duhej t’i dinte emrat e anëtarëve të grupeve të tjerë. Kjo bëhej me qëllim që, në kushtet e një rrjeti shumë të sofistikuar spiunazhi nga ana e UDB-ës, nëse zbulohej njëri grup, grupet e tjerë të mos dëmtoheshin. Një nga detyrat ishte edhe gjetja dhe përhapja e literaturës me përmbajtje kombëtare. Kryetar i grupit u zgjodh Bedrush Qollaku. Një nga arsyet e zgjedhjes së tij ishte se ai ish nga Prizreni. Deri sa kjo organizatë po krijohej në Prizren, u mendua që pikërisht atij qyteti i takonte edhe nderi për ta udhëhequr këtë organizatë…

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e 75-vjeçarit Gjokë Dabaj: Si u zhvillua mbledhja e të rinjve të organizatës patriotike-atdhetare “Liria” në fillim të muajit maj të vitit 1962 dhe vendimet që u morën në të.

-Zgjerimi i rrjetit, kodet sekrete të komunikimit të anëtarëve, drejtuesve dhe mënyra e komunikimit ilegal me celulat aktive në trojet shqiptare brenda Jugosllavisë dhe strukturat shtetërore në shtetin amë, në Shqipëri.

-Vendimi për dërgimin ilegal(arratisjen) të një prej anëtarëve të kryesisë në Shqipëri,(emrin e të cilit do e dinte vetëm kryetari), caktimi i Gjokë Dabajt dhe përgatitja e tij për mision.

Nga Kujtim Boriçi July 8, 2013 20:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*