Gjosha: Për integrimin të mos bëhemi pengesë e vetvetes

May 8, 2016 12:37

Gjosha: Për integrimin të mos bëhemi pengesë e vetvetes

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, ka postuar sot një mesazh  për ditën e 9 Majin, si Dita e Europës.

Në mesazhin e saj, ministrja Gjosha shprehet: “Çdo 9 maj, Dita e Europës, më shumë se një ditë feste është një ditë reflektimi. Nuk është më i pakët ky reflektim as në vendet anëtare, as në vendet që janë themelueset e Bashkimit Europian e s’duhet të jetë i tillë në një vend si Shqipëria, që për një çerek shekulli, integrimin e ka mbajtur si busull për të kaluar tranzicionin e thellë të viteve të para të demokracisë, e vijon ta mbajë të tillë për konsolidimin e saj. Askush prej nesh, nuk besoj se u përfshi nga euforia 2 vjet më parë kur morëm statusin e vendit kandidat. Të gjithë bashkë, ndamë kënaqësinë e kësaj arritjeje historike, gëzuam që Shqipëria po mbyllte më në fund një kapitull, për të cilin iu deshën jo pak vite pritje, përpjekje, lodhje e punë”.

“Sot, a kemi pse festojmë në këtë përvjetor të radhës së themelimit të Bashkimit Europian? Patjetër që po. Shqiptarët kanë pse festojnë. Të rinjtë kanë pse festojnë, sepse janë po aq të integruar sa bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera të BE-së. Të rinjtë tanë, sot janë modeli më i mirë i një të ardhmeje premtuese. Arritjet që vendi ka pasur në këto 25 vite, ndryshimet e mentalitetit, progresi i bërë, na japin motive të festojmë, sepse Shqipëria në çdo pjesë të saj është ndryshe. Megjithatë, përtej sloganeve, që bëjnë bashkë të gjithë politkebërësit e këtij vendi, aksionet që nxisin integrimin e Shqipërisë, jo gjithmonë janë të tilla që i vijnë në ndihmë këtij procesi. Nga ana tjetër, procesi i integrimit është një proces që duhet të qëndrojë mbi ujërat e interesat e politikës, është një proces që nuk i përket as të majtëve, as të djathtëve, por gjithë shqiptarëve, të cilët ky 9 maj duhet t’i gjente një hap më përpara në këtë rrugë të nisur”, shkruan Gjosha.

Po ashtu, Gjosha në vijim të mesazhit shprehet se “Qytetarët, ata që prej vitesh duan të shohin vendin e tyre në Europën e Bashkuar, vijojnë t’i japin politikës në këtë vend mbështetjen e paçmueshme si një prej popujve më proeuropianë. Është një mbështetje që klasa politike shqiptare duhet ta vlerësojë më shumë se më parë në Europën e këtyre ditëve, ku ethet e referendumeve për këtë projekt, skepticizmi, kërcënimi nga terrorizmi, janë prezentë kudo”.

“Ky 9 maj duhet t’i gjente shqiptarët me reformën në drejtësi të miratuar, me besimin e rikthyer tek shteti i së drejtës. Me një shpresë më shumë për progres. Me një tjetër realizim që ndihmon integrimin. Sot, këmbanat e datës 9 maj duhet të bien fuqishëm mbi vetëdijen e klasës politike në Shqipëri. Janë këmbana që duhet të na rikujtojnë se janë qytetarët shqiptarë që na kanë besuar, jemi të zgjedhurit e tyre dhe u detyrohemi”, shkruan ajo.

“U detyrohemi të jetësojmë premtimin për ta parë Shqipërinë europiane. Është premtimi i pandryshueshëm nga çdo sigël partiake. Ky 9 maj duhet të na gjejë bashkë vetëm me një bindje: Shqipëria nuk duhet të jetë pengesë e vetvetes në procesin e integrimit”, përfundon Gjosha.

May 8, 2016 12:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*