Gjuha letrare e sakatuar në shkresa zyrtare

September 23, 2017 16:51

Gjuha letrare e sakatuar në shkresa zyrtare

 

I nderuar zoti Adrian

Për të dalë në përfundimin e titullit të shkrimit na është dashur që në dy vitet e fundit të studiojmë 500 shkresa zyrtare me përzgjedhje të rastësishme , të formuluara nga institucione , njësi vendore e dikastere të ndryshme.Shkresat u përkasin viteve 2011-2015.

Objekt i këtij studimi kanë qenë shkresa të formuluara nga 60 institucione qëndrore në nivel vendor të qarkut Dibër si drejtori rajonale, zyra , ente ,31  komuna , 4  bashki , këshilli i qarkut , institucioni i prefektit , por dhe nga Presidenca , Kuvendi ,  Këshilli i Ministrave, ministri të ndryshme , drejtori të përgjithshme etj.

Qëllimi ka qenë që të shikohet se si përdoret gjuha letrare në shkresa , si zbatohen rregullat e drejtshkrimit dhe cilat janë gabimet kryesore drejtshkrimore , morfologjike , sintaksore  dhe semantike  në shkresat e hartuara diku e nisur për diku tjetër. Madhësia e shkresave , që i janë nënshtruar studimit, ka qenë e ndryshme , shkresa tip njoftimi me gjysëm faqeje , shkresa njëfaqëshe , dy faqëshe e trefaqëshe, në pak raste dhe ndonjë raport zyrtar me më shumë faqe të shkruara.

Pa hyrë në anën formale të hartimit të shkresave , në llojin e shkrimit e madhësinë e tij , distancat anësore , modelimin e shkresës, përdorimin e dy stemave asaj të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të njësisë vendore , komunës apo bashkisë , ndalemi në ato të meta të përgjithshme që hasen më së shumti në shkresat zyrtare.

Kategoria alarmuese në këto shkresa është ajo kur shkresa nuk plotëson asnjë parametër. Hartuesit e këtyre shkresave as që e kanë idenë se çfarë po shkruajnë , shkresa nuk merret vesh se ku fillon e ku mbaron, lidhja e fjalive është skandaloze , më saktë nuk ka fjali të lidhura, mendime të cunguara e të sakatuara , grumbuj fjalësh pa kuptim dhe në fund lexuesi nuk kupton as qëllimin e shkresës , as pse është formuluar ajo.

Gabimet drejtshkrimore në shkresa fillojnë që me shkrimin e datës , që shpesh shkruhet sipas oreksit të shkruesit pa marrë parasysh faktin që për shkrimin e datës ka një rregull të caktuar.

Nga 500 shkresat e studiuara , në 367 prej tyre data është shkruar gabim, shifër kjo që kap mbi 70% të totalit.

Numrin më të madh të gabimeve e zënë ato drejtshkrimore. Nuk bëhet fjalë për një “ë”të pa vënë në trup apo në fund të fjalës , për raste të veçanta të përdorimit të “r” apo “rr” , të “q” apo “ç”, të “r” apo “n” , të “ a” apo “ë” , por për gabime të gjithanshme drejtshkrimore , aq sa ka shkresa te të cilat,  pas korrigjimit, në fletë më shumë ka ngjyrë të kuqe  korrigjimi se të zezë shkronjash.

Një titullar vendor , i vendosur për të kryer detyrën në të gjithë gamën e saj, pasi lexoi një shkresë të një institucioni arsimor , e fotokopjoi , e korrigjoi dhe ia nisi hartuesit me një shkresë përcjellëse në të cilën ndër të tjera shkruhej: “Në shkresën Tuaj, kopje të së cilës   sjellim bashkëlidhur , në dy faqe e gjysëm format , keni bërë 244 gabime drejtshkrimore , pa hyrë në gabimet e llojeve të tjera. Edhe sanitares së institucionit , ku ju drejtoni , nuk do t’i lejoheshin gabime të tilla, nëse do ta hartonte ajo shkresën”.

Kështu shkroi titullari , por ai ishte  i vetëm. Askush tjetër nuk bën qoftë dhe një vërejtje gojore për shkresa të tejmbushura me gabime , por pasi i lexon , i arkivon dhe ato mbeten në arkiv , ashtu të sakatosura. Nga ana tjetër titullarë institucionesh firmosin shkresat e servirura pa menduar qoftë dhe për një çast të vetëm se shkresa ka me dhjetra gabime gjuhësore të natyrave të ndryshme.

Në 500 shkresat e studiuara , të cilat së bashku kanë 1218 faqe , numri total i  gabimeve është 28412 , ose mesatarisht 23 gabime për secilën faqe. Në këtë numër janë shënuar gabimet drejtshkrimore të të gjitha llojeve ku i njëjti gabim, ndonëse mund të jetë bërë dhjetra herë , është shënuar vetëm një herë, gabime morfologjike , sintaksore dhe semantike.

Natyrisht që një studim i tërë nuk mund të shpaloset në gazetë , ndaj biem për lexuesin gabimet kryesore , “ të trupëzuara”. Më së shumti në shkresa shikohet se fjalitë ndërtohen gabim , ka fjali të gjata që nuk kumtojnë , po ashtu dhe fjali të shkurtëra që nuk mbarojnë e nuk përcjellin  te lexuesi atë që shkruesi ka pasur në mendje, por në një farë mënyre duhet nënkuptuar, përdorim të gabuar të fjalëve të ndërshtëna ,  rend të gabuar gjymtyrësh , aq më shumë kur bëhet fjalë për dy a më shumë përcaktorë që përcaktojnë të njëjtën gjymtyrë apo njëra- tjetrën , vend e rend të gabuar të gjymtyrëve kryesore të fjalisë , përdorim i gabuar i mënyrave e  kohëve të foljes , formave të pashtjelluara të saj , më së shumti përdorim i gabuar i paskajores për përcjellore e anasjelltas, përdorim e shkrim i gabuar i parafjalëve , përdorim i dialektalizmave në formën  e tyre më të keqe të mundshme, përdorim “ llahtar” i shenjave të pikësimit, i shkronjës së madhe deri dhe në mes të fjalës ( duket e pabesueshme që në shkresa zyrtare gjen xhevahire të tilla ku një fjalë e shkruar me shkronja të vogla ka në mes të saj një apo dy shkronja të mëdha) e të tjera e të tjera.

Përdorimi i fjalëve të huaja, edhe në ato raste kur ekziston një fjalë e plotë dhe e bukur shqipe , e rëndon më shumë gjuhën letrare . Më i dukshëm duket ky përdorim negativ , kur fjala e huaj përdoret në vendin e gabuar , me kuptim të gabuar, më saktë përdoret një fjalë e huaj që nuk përçon atë që do të shprehë hartuesi e firmosësi i shkresës. Dhe shkresat zyrtare me fjalë të tilla janë mbushur plot.

Natyrisht nivel të ulët gjuhësor kanë shkresat e formuluara nga administratat e njësive vendore të zonave të thella rurale ku dhe niveli arsimor i administratës është shumë i ulët. Por dhe në njësi të tjera vendore apo institucione qëndrore në nivel vendor niveli gjuhësor i shkresave është shumë i ulët. Edhe në shkresat e hartuara nga dikasteret e larta shtetërore , ku nuk mund të mendohet se ka punonjës me arsim të mesëm apo 8 vjeçar , ka gabime të shumta gjuhësore , shpesh dhe të rënda. Mos harrojmë që qytetari  shkresën zyrtare e quan model të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Nëse këto shkresa të studiura do t’i konsideroje si formë diktimi për të provuar njohuritë gjuhësore , 350 shkresa nga 500 gjithsej do të vlerësoheshin me notën katër dhe vetëm 150 prej tyre do të merrnin notë kaluese nga pesa deri më tetë. Për fat  të keq asnjë shkresë nuk mund ta vlerësosh me notë nëntë apo dhjetë , pasi nuk ka të tillë të shkruar  pa gabime.

Kur shkresat zyrtare hartohen kaq pa përgjegjësi, e folura e përditshme në zyrat e shtetit është pak ta quash skandaloze. Dhe gjuhëtarët  debatojnë  me njëri – tjetrin në duhet apo jo një “ë” në trup apo fund të fjalës.

Ka ardhur koha që këtij problemi t’i kushtohet rëndësi e dorës së parë pasi , kur në shkresat letrare bëhet katrahurë gjuhësore , atëherë nuk ke se ç’të presësh nga të tjerë .

Petrit Zili

September 23, 2017 16:51
Komento

15 Komente

  1. Sazan Goliku September 23, 17:00

    A është shqetësuese – për intelektualët në përgjithësi, por edhe për publicistët, gazetarët, politikanët e të tjerë që janë figura publike dhe flasin e shkruajnë për një publik të gjerë – përdorimi i fjalëve të huaja?

    Fatkeqësisht jo. Një pjesë, për mungesë të kulturës gjuhësore, pra janë të pavetëdijshëm për këtë fakt që nuk është thjesht problem gjuhësor. Një pjesë tjetër tregojnë hapur se janë snobë (shtirakë) dhe i kundërvihen atij që ia vënë në dukje kotësinë e dëmin e të përdorimit pa vend dhe pa arsye të fjalëve të huaja.

    Këtu nuk është fjala për ndërkombëtarizma e terma ose për përdorime stilistike e shkencore. Çka është e papranueshme dhe aspak dinjitoze ka të bëjë me përdorimin e fjalëve të huaja kur në shqip i kemi këto fjalë me të gjitha foletë kuptimore.

    Çdo ditë, në çdo emision radioje e televizioni, në çdo gazetë e revistë të vrasin veshët fjalët: parlament (kuvend – për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë),

    komunitet (bashkësi),

    prioritet (përparësi),

    prezencë (prani),

    aktivitet (veprimtari),

    personal (vetjak),

    eksperiencë (përvojë),

    elektoral (zgjedhor),

    lokal (vendor),

    direkt (drejtpërdrejt),

    indirekt (tërthorazi),

    ambient (mjedis),

    superioritet (epërsi)

    dominoj (zotëroj)

    pedonale (shëtitore),

    lungomare (anëdetse ose buzëdetse).

    Përmenda vetëm këto fjalë, për të mos kujtuar qindra fjalë të tjera të huaja që zëvendësohen lehtësisht, sepse i kemi në shqip.

    Gjuha jonë, siç dihet, madje dhe nga studiues të huaj, është gjuhë e begatë. Aktivizimi i fjalëve shqipe i të dy kryedialekteve e të krahinave (Çka do t’i shuante mëtimet e atyre që vënë në pikëpyetje vlerat e shqipes standarde) nuk është detyrë vetëm e shkrimtarëve dhe e gjuhëtarëve, po e të gjitha figurave publike. Ky do të ketë ndikim të dukshëm te lexuesit e dëgjuesit e thjeshtë kudo në trevat shqiptare, aq më tepër te fëmijët dhe nxënësit e të gjitha shkallëve.

    Me të drejtë një shkrimtar e publicist ka vënë në dukje se, po të bëhej një punë me pamje më të gjerë e me pikësynim strategjik gjuhësor, të qartë e gjithëpërfshirës, do të kishim një fjalor të shqipes po me aq fjalë e shprehje frazeologjike sa kemi në “Fjalorin e shqipes së sotme”, të redaktuar e të ribotuar, por jo të pasuruar siç e kërkon domosdoshmërisht koha.

    Fjalori “Për pastrimin e gjuhës shqipe” i ASHSH-së ishte një nismë e mirëpritur; pasurimi dhe ribotimi i tij nuk ka pse pengohet “nga mungesa e fondeve”. Kur shohim të sponsorizohen me dhjetëra e dhjetëra libra me vlera të dyshimta ose të diskutueshme, për të mos thënë të dobëta e madje të dëmshme, sponsorizimi i kujtdo qoftë i fjalorëve të tillë do të ishte më tepër se një ndihmesë kulturore, do të ishte një veprim sa atdhetar aq dhe shkencor.

    Pastrimi nga fjalët e huaja dhe pasurimi me fjalë të shqipes dhe me brumin e shqipes do t’i hapte udhën edhe përpjekjeve për t’u mbrojtur nga shtrembërimet morfologjike e sintaksore, të cilat janë të rrezikshme dhe fatale për autencitetin e origjinalitetin e shqipes.

    Reply to this comment
  2. Xheva September 24, 08:18

    Per te pasur vemendje per gjuhen,duhet pak atdhedashuri,cka sot mungon shume..

    Reply to this comment
  3. Plaku Xhuxhumaku September 24, 13:14

    I nderuari Sazan Goliku. Shqetesimi i autorit te shkrimit dhe pergjithesisht komenti juaj qendrojne dhe padyshim do te ishte mire qe nga organet shteterore te tregohej jo vetem me shume kujdes, por edhe te ndermerreshin hapa konkrete per ta permiresuar gjendjen. Nuk do ta kisha shkruar kete koment po te mos kisha vene re qe ne disa prej fjaleve qe keni zgjedhur per te ilustruar idene te mos kishte nje paperputhshmeri ne zevedsimet e ndersjella. Per mendimin tim nqs nje fjale shqipe mund ta zendesoje nje fjale te huaj ne te gjitha perdorimet e saj, atehere zevendesimi eshte me vend, ne te kundert zevendesimi mund te sjelle paqartesi ne te kuptuarit e mendimit. Si shembull po marr aktivitet – veprimtari, ne shqip kemi edhe termin aktivitet i burimit radioaktiv, shqip nuk mund te themi VEPRIMTAR ei burimit radioaktiv, pa cenuar ne thelb kuptimin. Po keshtu perderisa themi komune, perse te mos themi komunitet? Po e perkthyem komunitet me bashkesi, atehere Teoria e Bashkesive (Set Theory) nuk do te ishte e njevlefshme me Teoria e Komuniteteve, po keshtu termi elektoral eshte shume me specifik se sa termi zgjedhor. Dominoj me zoteroj nuk jane te njevlefshem ne te gjitha kuptimet e mundshme, keshtu mund te thuash qe zoteroj pronen time, po nuk mund te thuash dominoj pronen time, po me te njejtin kuptim, etj/ etj. Me kete nuk dua te them qe nuk duhen bere perpjekjet maksimale per zevendesimin e fjaleve te huaja me fjale shqipe, por kjo kerkon komeptence profesionale dhe nuk mund te behet nga kushdo.

    Reply to this comment
  4. DRENICA E KUQE September 24, 19:30

    E, shoku Sazan! Kjo qe thoni ju eshte shume e drejte, por a keni kujt t’i thoni ti dhe autori Petrit. Ketu, per te ardhur gjerat ne vend te vet, duhet dora e shtetit, ligjet qe penalizojne keqshkrimin dhe keqperdorimin e gjuhes se njesuar shqipe…
    Ajo qe duhet thene, eshte fakti se duhet t’ju pergezoj juve dhe autorin, per shkrimin e mbare dhe te drejte.

    DRENICA E KUQE

    Reply to this comment
  5. Gallapi September 24, 22:56

    Shqetësimet e shprehura nga autori i shkrimit dhe komentuesit, të cilat kanë të bëjnë me goditjet e përditshme, që po i bëhen gjuhës së njësuar shqipe (edhe pse u përvidhen gabime drejtshkrimore), konsideroj se janë të qëlluara. Por, përkundër faktit, se godasin drejt në shenjë, ata nuk propozojnë rrugët dhe as mjetet për zgjidhjen e këtij problemi me plotë rreziqe, përjashtuar këtu komentuesin DRENICA E KUQE, i cili deklaron:” … per te ardhur gjerat ne vend te vet, duhet dora e shtetit, ligjet qe penalizojne keqshkrimin dhe keqperdorimin e gjuhes se njesuar shqipe…” Edhe unë mendoj diçka ngjashëm me këtë komentues, se shteti duhet të nxjerr akte normative- ligjore për mbrojtjen, jo vetëm të gjuhës së njësuar, por të kulturës tonë kombëtare, në përgjithësi. Diçka ngjashëm siç ka bërë dhe benë Franca…

    Reply to this comment
  6. Laiku September 25, 21:31

    Shqetësimet e shprehura nga autori i shkrimit dhe komentuesit, të cilat kanë të bëjnë me goditjet e përditshme, që po i bëhen gjuhës së njësuar shqipe (edhe pse u përvidhen gabime drejtshkrimore), konsideroj se janë të qëlluara. Por, përkundër faktit, se godasin drejt në shenjë, ata nuk propozojnë rrugët dhe as mjetet për zgjidhjen e këtij problemi me plotë rreziqe, përjashtuar këtu komentuesin DRENICA E KUQE, i cili deklaron:” … per te ardhur gjerat ne vend te vet, duhet dora e shtetit, ligjet qe penalizojne keqshkrimin dhe keqperdorimin e gjuhes se njesuar shqipe…” Edhe unë mendoj diçka ngjashëm me këtë komentues, se shteti duhet të nxjerr akte normative- ligjore për mbrojtjen, jo vetëm të gjuhës së njësuar, por të kulturës tonë kombëtare, në përgjithësi. Diçka ngjashëm siç ka bërë dhe benë Franca…

    Reply to this comment
  7. Arber I September 25, 21:45

    Drejtshkrimi i Gjuhes Shqipe duhet te perditesohet ne raport me rregullat nderkombetare te gjuheve me te zhvilluara, vecanerisht anglishtes. Psh: Emrat e muajve te vitit dhe te diteve te javes jane te pervecshem dhe duhet te shkruhen me germe te madhe, ndersa drejteshkrimi i vitit 1972 i rekomandon te shkruhen me germe te vogel, sic shkruhen emrat e pergjithshem.

    Reply to this comment
  8. Noriku September 26, 16:27

    Me falni nje pyetje, se helbete njerez pa shkolle jemi:
    – Po te marresh njerez qe s’kane hapur nje liber ne jeten e tyre dhe t’i vendosesh neper zyra shteti, cfare pritet te prodhojne?
    Po dihet qe stalle do e bejne vendin, se lope jane, e bar kane ngrene.
    Ndaj ceshtja nuk eshte se gjuha na qenka sakatuar, po si te sakatosh gjuhen dhe gishtat e ketyre gjedheve qe gjedhojne ne administraten shteterore.
    Po ne andej nga fshati i themi – nuk e kane fajin keta vicat e vegjel, fajin e ka ai kau i madh qe e mbushi administraten me lope te beshme, gjoja po barazon prezencen e grave ne organigrama. Kriteri i vetem per perzedhje, duhet te jete se sa miell te ka trasta, jo se ca shenje horoskopi je ne mes te kembeve.
    Pika kompleksit te tij te Edipit!

    Reply to this comment
  9. Visari September 26, 22:24

    e kush e ka mendjen sot tek zbatimi i rregullave te dejtshkrimit!Ne shkolla nuk behet fare lenda e gjuhes e nxenesit po harrojne te shkruajne shqip.Gazeta, revista, publikimet ne rrjetet sociale,emailet, te gjitha shkruhen me gabime dhe askush nuk kontrollon e nuk i ndalon te mos botohen.Ndoshta ka rene vendimi i Kongresit te drejtshkrimit

    Reply to this comment
  10. Bogonica September 27, 03:26

    Eshte vene re se ka nje lufte konsistente,per te cmontuar gjithcka qe eshte arritur nen diktature,ku pa dyshim unifikimi i gjuhes eshte nje nga veprat me te qytetruara .Keshtu gjuha ka marre goditjen qe kane marre edhe sektore te tjere te jetes pra goditja eshte ne radhe te pare “politike”.Cmund te thuash me teper kur sot ka mesues gjuhe, qe nuk e dine gjuhen shqipe!?C’mund te thuash kur nje zyrtar ze vendin e punes me diplome te blere?C’mund te thuash kur per 27 vjet (ne dijenine time) nuk ka nje Akt Qeverie(VKM) qe te vendose pikat mbi “i” per kete problem,dmth.zbatimin me rigorozitet te Gjuhes Standarde Shqipe ne te gjithe Administraten Shtetrore dhe vecanrisht ne dokumentat shtetrore,te shoqeruar me sanksionet perkatese?.Eshte shkaterruar shkolla,prandaj eshte shkaterruar gjuha.Gjuha standadre mesohet ne shkolle.Pergezoj grupin qe eshte marre me studimin e gjendjes.Te pakten plaget jane treguar,mbeten te shohim rruget per sherimin e tyre.Natyrisht “daullet bien” per qeverine.

    Reply to this comment
  11. vasili September 27, 10:54

    Ku jeton o derbardhe,qe kerkon luks atje ku ka plasur gjirizi?
    Nuk e di ti qe institucionet e ketij vendi,nga lart deri poshte,u pushtuan nga katundaret e bandes haxhiqamiliste-komuniste veriore.
    Vazhduan bile ta tridhnin vendin dhe gjuhen tone,duke i dhene formen e percudnuar te Babes aziatik,dhe vazhdojne te marrin orgazem kur kujtojne si ja u ka leruar gjyshet dhe nenat.
    Duhet thene,qe dhe ministrat e Rames,ndonse shquhen per aftesi,por ndihen jo shume me taban ne themel te edukates dhe kultures se tyre te mirefillte.
    Por si fillim shume mire keshtu,te shihet kryesorja,mbasandaj hap mbas hapi shkohet larg.
    Keshtu mendojme dhe na vjen mire te shpresojme..

    Reply to this comment
  12. Tradita September 27, 20:38

    Autori i artikullit ka qellim shume te mire dhe fisnik, por duhet te saktesojne termat qe perdor. Mund te thuhet per shkresat -gjuhe e njesuar zyrtare ose sipas standardit te gjuhes se sotme jo gjuhe letrare, ajo eshte gjuhe e letrsise se shkruar dhe jo domosdoshmerisht e njesuar.

    Reply to this comment
  13. MH September 29, 17:39

    I nderuari Sazan Goliku !!!
    Nuk i hiqet asnji pike e asnji presje komentit tende,e jo ma vrejtje qe te ban plaku xhuxhumaku.
    Plaku Xuxumaku e shtron si me te “drejte” shprehjen aktivitet per burim radioaktiv.Sepse keshtu na asht mesuar veshi qe nga mesuesi i fizikes apo i kimise.
    Por nese vihemi me gjelozi dhe konsekuence ne perdorimin e shqipes.Fjala perdorim do behet e kenaqshme per veshin dhe ne kuptimin konkret te domethenies perdorim.
    Po gafa ma e madhe qe kam konstatue ne shume penda te gazetarve.Ku ne vend te mbathjeve perdorin veshje.
    Psh.Veshi pantallonat,qorapet,kepucet,sandalet dhe kulmi:Veshi MBATHJET.
    Veshi mbathjet asht njisoj sikur te thuhet mbathi kapelen,shallin kemishen,trikon apo kapoten etj etj.
    Kur fjala veshje vjen nga kalimi i cdo petkut nga koka drejt veshve ne trup qe ka marre dhe fjalen veshje.

    Reply to this comment
  14. Arberia September 29, 18:23

    “Drejteshkrimi” i vitit 1972 eshte i mbeshtetur ne gjuhen frenge, per t’i bere qejfin tiranit Enver Hoxha.

    Reply to this comment
  15. Enkeleda Yllku September 30, 05:32

    Gabime do te kemi mjaft perderisa gjuha zyrtare vazhdon te jete toskerishtja e standartizueme.
    Autori nuk ka dhane asnji shembull te gabimeve.
    Do te ishte mire te jepej edhe perkatesia krahinore e autoreve te shkresave.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*