Gjuha shqipe dhe universiteti autonom

Artan Boriçi February 28, 2015 23:04

Gjuha shqipe dhe universiteti autonom

Projektligji i arsimit të lartë u hodh poshtë prej senatit akademik të Universitetit të Tiranës mbi bazën e një neni që përbën shkelje të hapur me Kushtetutën. Fjala është për qeverisjen e universiteteve publike, e cila deri më sot është tërësisht autonome, ndërsa projekligji parashikon një qeverisje prej institucioneve që kanë shumicën në financimin e buxhetit të universitetit. I njëjti projektligj parashikon një universitet “të pavarur publik”, që nuk është gjë tjetër veçse universitet privat jofitimprurës. Financimi i universiteteve “publike” i lihet thuajse tërëshisht familjeve shqiptare me përjashtim të studentëve të shkëlqyer dhe atyre në nevojë.

Duket sheshit se synimi i qeverisjes së sotme është privatizimi i plotë i arsimit të lartë duke kaluar në një të ardhme të afërt prej universitetit “publik” drejt atij “publik të pavarur”. Në thelb e gjithë barra financiare i lihet familjeve shqiptare që edhe kështu janë krejtësisht të rrënuara financiarisht. Qeveria ka objektiv uljen e nivelit të borxhit dhe kjo reformë i shkon shumë për shtat këtij objektivi kur ajo e ka të pamundur realisht të ndërtojë një shtet modern me qytetarë që paguajnë taksa.

Qeveria shqiptare ka hartuar një strategji të sigurisë kombëtare e cila, ndër të tjera, synon të mbrojë e të zhvillojë gjuhën, kulturën e traditën shqiptare. Por a është e mundur që ky tekst të jetësohet në kushtet e masave drastike buxhetore? Cilat janë burimet afatgjata të të ardhurave në buxhet që sigurojnë rritje të qendrueshme të tij dhe ulje të borxhit? Dhe më e rëndësishmja: a është largimi strategjik prej mbështetjes së arsimit të lartë masa “shpëtimtare” e qeverisë për uljen e borxhit?

Absolutisht jo! Shteti shqiptar duhet të garantojë arsimin e lartë falas në universitetet publike dhe ndoshta duhet të rishikojë “shëndetësinë falas” si masë për të shpëtuar buxhetin. Arsimi ka në dorë fatet e kombit shqiptar. Këtu nuk bëhet fjalë për frymorë të zakonshëm të planetit: Zoti i ka lënë detyrë shqiptarëve të ruajnë gjuhën dhe kulturën shqipe. Deri më sot shqiptarët e kanë kryer këtë detyrë megjithë rrudhjet e mëdha historike të trungut shqiptar. Sot, edhe nëse tokën po e ruajmë pak, kjo nuk mjafton. Gjuha shqipe po merr goditje të forta prej dhunës së përbotshme informative. Sot nuk mjafton të mbrosh tokën për të mbrojtuar gjuhën shqipe! Sot duhet që gjuha dhe kultura të sofistikohen në nivelin e lartë që kanë gjuhët e mëdha informative si anglishtja.

E si mbrohet gjuha? Vetëm me institutin albanologjik?

E këtu ndërlidhet reforma arsimore. Shteti po bën një gabim të dyfishtë: së pari, po devijon shqiptarët prej detyrës që i ka lënë Zoti me kthimin e tyre në konsumatorë. Së dyti, po mallkon shqiptarët për së dyti pas mallkimit që i bënë qeveritë që i dolën hapur Zotit nën parullën e nacional-komunizmit.

Arsimi është vendi ku shteti nuk duhet të kursejë. Universitetet publike duhet të jenë me tarifa zero. Shteti duhet të financojë infrastrukturën fizike dhe punën akademike universitare, ndërsa përsoneli akademik ka për detyrë të përmbushë misionin e vet dhe të administrojë universitetin në mënyrë të pavarur prej financimit që vjen 100% prej shtetit. Kjo është autonomia e saknksionuar në kushtetutë. Universiteti publik duhet të ketë numerus clausus: kuotat studentore duhet t’i kufizojë shteti në bazë të nevojave afatgjata dhe interesave shtetërore dhe kombëtare. Përsa i përket tregut të punës ka universitete private të cilat dalin e teprojnë për të përmbushur nevojat e punësimit.

Përfundimisht, shteti shqiptar duhet të konceptojë një reformë që balancon interesat afatgjatë të kombit me nevojat afatshkrutëra dhe afatmesme zhvillimore. Arsimi privat nuk ka tagrin të përmbushë nevojat afatgjata të vendit, por ai mund të luajë një rol vendimtar në zhvillimin e tregut të punës. Ndërsa arsimi publik duhet të kujdeset për nevojat strategjike të shqiptarëve, duhet të prodhojë elita kulturore, ideologjike dhe politike, duhet të prodhojë Shqipërinë e së nesërmes.

Artan Boriçi February 28, 2015 23:04
Komento

3 Komente

  1. mira March 1, 08:46

    Ata qe drejtojne sot shtetin shqiptar nuk duan t’ja dine se po shkelin Kushtetuten, as e kane idene e interesave afatgjata, apo nevojave strategjike te shqiptareve per te prodhuar elita kulturore ideologjike dhe poltike.

    Klasa politike -nese mund ti quash te tille mbasi ata nuk jane gje tjeter vetem nje turme bashibozukesh ne gare kush te vjedhe dhe te garbise me shume shtetin dhe shtetasit shqiptare, mendon vetem per interesa afatshkurtra 4 ose 8 vjecare, aq sa perpiqen te jene ne pushtet.

    Si mund te kuptojne fjalen elite kulturore aq me teper te perpiqen per mbijetese apo per prodhimin e saj ata qe jane km larg saj?

    Zoti Artan te falenderojme per shkrimin me nivel, por ata per te cilet ju shkruani jo vetem nuk mund t’ju kuptojne por as duan t’ju kuptojne.

    Megjithate nuk duhet te dorezohemi, presim shkrime te tjera nga ju.

    Reply to this comment
    • Sadi March 1, 11:44

      E cfare pret nga ky shtet vampiresh qe ka punuar dhe punon me moton ne vjedhim ju paguani taksa.

      E cfare mund te presesh nga SHEKULLI XIX, qe 4-mujorshit e plepave kerkon ti zevendesoje me nje 2-oresh testim.

      Kete jane armiq te edukimit. Pse, sepse po te bejne publike pasqyrat e notave universitare dalin me keq se fullhajni.

      Reply to this comment
  2. gregori March 1, 14:35

    Te gjitha problemet i ngre mire ore zoteri, pervec faktit te fundit qe nacional-komunizmi i paska rene ne qafe edhe gjuhes shqipe. Ketu ia ke futur kot, ose sipas varjantit “te them dicka kunder komunizmit qe te me besojne” ose je i ri dhe nuk e njeh mire historine e zhvillimit te gjuhesise shqipe, dhe kur ka njohur rezultatet me te larta dhe performancen me te mire ajo, ligjet e shtetit per ta mbrojtur gjuhen, jane vetem ato te periudhes komuniste, dhe jo tani ose para asaj periudhe, kur administrata nuk ka nje gjuhe zyrtare shqiper per te shkruar, komunikuar apo edhe per ta dokumentuar ate. Mos shkoni larg, shihni si flitet e shkruhen titrat neper TV publike e private dhe tmerreohesh, ndjehesh keq. Me dhimshmja eshte se gjuha shqipe eshte hequr si lende mesimore nga gjimnazet dhe eshte thjeshtuar shume ne shkollat 9 vjecare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*