Gjuhë, rivalitet dhe para

June 15, 2017 19:40

Gjuhë, rivalitet dhe para

Vendimi për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, ka shfaqur në mënyrë të pashmangshme, shenjat e para të vënies në diskutim të rëndësisë së përdorimit të gjuhës angleze, si një prej gjuhëve kryesore të Unionit. Një frazë e shqiptuar nga Junker, pak kohë më parë, se tashmë ai preferonte të fliste në frëngjisht, pasi “ngadalë, por në mënyrë të sigurt, anglishtja po humbiste rëndësinë e saj në Evropë”, do të tërhiqte vëmendjen. Edhe pse Komisioni, do ta cilësonte thjesht si “një shaka e asgjë më shumë”, shpeshherë një shaka e thjeshtë shërben për të thënë në forma të lehta, por edhe të këndshme, ndryshimet e mundshme të mëdha. Dhe vetëm pak kohë më pas, ajo frazë shakaje do të shoqërohej me një reflektim nga Fondacioni Shuman, mbi përdorimin e gjuhëve në gjirin e institucioneve të BE-së. Do të ishte përgjegjësi i zyrës së Brukselit të këtij Fondacioni, Sharl de Marsiji, që do të përcillte reflektimin se: “Përse të detyrohemi të flasim gjuhën e një vendi, që po na lë ?!”

Por, a do të kemi me largimin e Britanisë së Madhe dhe zbehjen e rëndësisë së gjuhës angleze ?

BE, është një organizëm, që ka një pushtet influence të padiskutueshëm për sa i përket fuqisë që i jep një gjuhe të veçantë, apo disa gjuhëve të caktuara, në të gjithë Evropën. Dhe gjuha është shndërruar në një çështje politike të ndjeshme, pasi nuk është thjesht çështje prestigji apo parimi, por një çështje me karakter të pastër ekonomik, pasi përdorimi i saj përkthehet në fitime prej miliarda eurosh për një vend të caktuar. Rasti i përdorimit të anglishtes si gjuha kryesore e Unionit, sipas vlerësimeve të ekspertëve, falë pozicionit të privilegjuar, që ajo njeh përmes lehtësisë që iu krijon investitorëve, rekrutimeve të stafeve, etj, arrin në nivel përfitimi neto rreth 10 miliardë euro në vit. Edhe pse BE njeh 24 gjuhë zyrtare, jo të gjithë dokumentet përkthehen në këto gjuhë, për arsye që lidhen sa me kohën, por edhe me buxhetin e lartë që ato imponojnë. Vetëm Komisioni Evropian pa llogaritur të gjithë institucionet e tjera, ka një prej shërbimeve të përkthimit më të madh në botë, me një staf të përhershëm prej 1750 personash dhe 600 të tjerë si personel mbështetës, pa llogaritur këtu edhe 3 mijë përkthyes të pavarur.

Që me hedhjen e themeleve të Komunitetit Evropian, gjuha frënge ka qenë gjuha më e përdorur në veprimet dhe funksionet e përditshme të Komunitetit. Predominimi i së cilës, vijoi të ishte i njëjtë, deri nga vitet ’70. Në rast se, vëzhgojmë statistikat që ofron drejtoria e përgjithshme e përkthimeve e Komisionit Evropian, konstatohet momenti i rënies së influencës së frëngjishtes dhe dominimi i qartë i anglishtes, mes këqyrjes së sasisë së dokumenteve origjinalë të përpiluar në frëngjisht, që më pas i nënshtroheshin përkthimeve.

Në vitin 1970, do të ishin 60% e dokumenteve origjinalë, që hartoheshin në frëngjisht, dhe 40% e tyre hartoheshin në gjermanisht; në vitin 1989, do të kemi 49% të dokumentacionit të përpiluar në frëngjisht, vetëm 9% në gjuhën gjermane dhe 30% e tyre hartoheshin në gjuhën angleze; në vitin 1997, vetëm 40% e tyre janë përpiluar në frëngjisht, dhe 45% e tyre dominojnë në anglisht; dhe në vitin 2000, do të kemi 33% të hartuara në frëngjisht dhe 55% e tyre të hartuara në gjuhën angleze. Në vitin 2004, niveli do të ulej më tej në 26% të dokumentacioneve të hartuara në frëngjisht dhe 62 % e tyre e hartuar në anglisht. Dhe në vitin 2006, vetëm 14% e tyre përpilohej në frëngjisht dhe 72% në anglisht.

Pra, brenda harkut kohor të më pak se një dekade, përdorimi i frëngjishtes ndryshoi rrënjësisht.

Edhe pse përdorimi i një gjuhe të vetme, do të ishte një thjeshtësim pune, kohe dhe buxheti, çdo ndryshim i sistemit gjuhësor të BE-së, kërkon një vendim unanim nga Këshilli i Ministrave dhe si rrjedhojë është thuajse e pamundur rënia dakord për pasjen e një gjuhe të vetme dhe aktualisht anglishtja dhe frëngjishtja janë dy gjuhët ku operohet me nivele më të larta të përpilimeve të dokumenteve zyrtarë. Ikja e Britanisë së Madhe, mund të jetë një pikë kthese për politikën franceze, për të rikthyer dominimin e gjuhës frënge, në nivelin e para viteve dymijë, si gjuhën kryesore të përdorimit në Union. Por, kjo do të varet nga negociatat e “divorcit”, që do të zhvillohen me Britaninë e Madhe dhe se, si do të pozicionohen vendet anëtare, pra Franca dhe Gjermania nga njëra anë dhe Britania e Madhe së bashku me vendet e tjera, që kanë anglishten gjuhë zyrtare, si Irlanda apo Malta, pa harruar ndikimin, që mund të ushtrojë SHBA.

Fuqia e gjuhës frënge

Gjatë shekullit XVI dhe XVII, elita intelektuale fliste dhe shkruante latinisht. Mes kësaj gjuhe të përbashkët do të fillonte të ekzistonte ajo që njihet si Republika e Letrave. Përdorimi i latinishtes, do të jetë për një kohë të gjatë, i vazhdueshëm mes eruditëve dhe dijetarëve.

Por, se gjatë shekullit të XVIII, gjuha frënge do të dominonte. Frëngjishtja po shndërrohej në gjuhën e Evropës që në mënyrë progresive do të shpërndahej nga oborret drejt provincave, duke u shndërruar në gjuhën e diplomacisë evropiane. Në vitin 1714, traktati i Rastadit, që i dha fund luftës së Trashëgimisë në Spanjë u hartua në frëngjisht, dhe ky funksion diplomatik do të zgjaste për afro dy shekuj. Më 1762, botimi i ri i fjalorit të Akademisë franceze do ta prezantonte frëngjishten si: “pothuaj aq të nevojshme për të huajt, sa edhe gjuha e tyre natyrale”, ndërkohë që Volteri, tek “Shekulli i Luigjit të XIV”, do të shkruante se frëngjishtja tashmë “është shndërruar në gjuhën e Evropës” se “gjuha frënge është nga të gjitha gjuhët e tjera ajo, që shpreh me më shumë lehtësi, pastërti dhe delikatesë, të gjithë objektet e bisedimit të njerëzve….dhe në këtë mënyrë ajo kontribuon në të gjithë Evropën, në një prej kënaqësive më të mëdha të jetës.”

Gjithsesi, duhet kuptuar se universalizmi i saj i proklamuar, do të ishte relativ, pasi përdorimi i saj nuk ishte në shkallë popullore, por ishte në funksion të oborreve, të kancelarive, të elitave intelektuale, të mjediseve të fisnikërisë dhe të borgjezisë së kultivuar. Por se, gjithsesi, rëndësia e përdorimit të saj kishte shkuar deri në atë nivel, që sipas historianit francez Zhan Mari Gulemo, besohej se përdorimi i frëngjishtes, pra vetëm kjo gjë, “të jepte shpirt dhe të bënte filozof”.

Dhe teksa gjatë dy shekujve gjuha frënge do të predominonte, me nënshkrimin e Traktateve të Versajës (1783) në dy gjuhë, në anglisht dhe në frëngjisht, nis dhe rënia e dominimit diplomatik të gjuhës frënge.

Por, se me këtë rënie do të niste edhe një ngritje e re. Një ngritje, që do të mundësohej përmes zgjerimit kolonial, duke imponuar mes dominimit ekonomik dhe dominimin gjuhësor. Nga viti 1878, deri në vitin 1914, Franca do t’i shtonte perandorisë së saj koloniale, Marokun, Tunizinë, Indokinën, Afrikën Perëndimore dhe Afrikën Ekuatoriale. Nga ana tjetër, Belgjika, vend ku tashmë dominonte përdorimi i gjuhës frënge edhe pse shumica e popullsisë së saj ishte flamande, do të kolonizonte Kongon, dhe Ruandën. Dhe misionet e saj, do të ishin të tëra frëngjishtfolëse. Në Magreb, ku flitet gjuha arabe dhe berbere, në Afrikën e zezë, ku fliteshin disa gjuhë, frëngjishtja fillon e shpërndahet në formë progresive. Edhe pse ishin të rrallë vendasit që shkonin në shkollë, atyre iu duhej ta mësonin në forma praktike frëngjishten, e cila ishte e nevojshme në komunikim me të bardhët, për të pasur qasje në zanatet moderne si edhe në funksionet administrative. Dhe kolonizimi do të mundësonte krijimin e një elite drejtuese, që mori pushtetin më pas, në momentin kur vendet e kolonizuara filluan të shpallnin pavarësinë e tyre, duke siguruar që të mbanin frëngjishten si gjuhë të tyre zyrtare në të gjithë vendet e Afrikës, të kolonizuara nga Franca.

Kjo frankofoni, që përtej Afrikës dhe Evropës (Belgjikë, Zvicër, dhe në njëfarë mënyrë në Luksemburg), prek edhe vende si Kanadaja (Kebeku), Libani, apo Vietnami, inauguron një epokë të re të prezencës ndërkombëtare të frëngjishtes. Vendet e kolonizuara vonë, vazhdojnë ta përdorin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke i siguruar në këtë mënyrë një status të ri diplomatik. Dhe sot, frëngjishtja, është një prej gjashtë gjuhëve të mëdha ndërkombëtare, së bashku me anglishten, spanjishten, rusishten, gjuhën kineze dhe arabe.

Një veçanti për t’u theksuar është dhe fakti se lëvizjet e rezistencës në këto vende të kolonizuara, erdhën përmes përdorimit të kësaj gjuhe, duke u shndërruar nga shumë shkrimtarë që mbështesnin rezistencën, në mjetin e zgjedhur të shprehjes dhe të komunikimit. Siç edhe Zhak Rabemananjara, heroi i pavarësisë së Madagaskarit dhe një prej figurave të njohura të botës letrare, do të shprehej se: “Ne kemi qenë aq të joshur nga gjuha frënge, sa përmes kësaj gjuhe, kemi kërkuar pavarësinë tonë. Të çliruar nga çdo konotacion imperialist dhe dominues, gjuha frënge është zgjedhur nga vetë ne, për të qenë një instrument ideal, mjeti, që na lejon të komunikojmë lirisht me miliona qenie njerëzore dhe të përcjellim mes botës, mesazhin tonë.”

Përtej zgjedhjes së gjuhës frënge, si gjuhë zyrtare nga shumë ish-koloni të Francës dhe të Belgjikës, që mund edhe të kuptohet për shkak edhe të peshës, të influencës dhe të fuqisë diplomatike që mbart Franca, çka spikat është edhe mënyra e strategjive, që ajo përdorte në imponimin e përdorimit të saj. Dhe jo në kolonitë  e tyre, por në pjesët e pushtuara në territorin evropian. Dhe një ndër shembujt kryesorë të kësaj politike imponimi, do të ishte Belgjika.

Historiani belg, Van Istendal, në veprën e tij “Historia e Belgjikës”, flet pikërisht për këtë lloj të veçantë imponimi kulturor, në përdorimin e gjuhës frënge në Belgjikë, gjatë periudhës së pushtimit, prej thuajse çerek shekulli nga francezët. Në një territor, që si atëherë, por edhe në ditët e sotme është i populluar në shumicë nga flamandët flamisht-folës. Sipas Van Istendal, Jakobinët nuk e toleronin aspak përdorimin e një gjuhe vendase, krahas gjuhës së tyre frënge, përcjellëse e qytetërimit, arsyes dhe virtytit, me përjashtim të ndonjë domosdoshmërie të skajshme: “Përmes imponimit, të frëngjishtes ata shpresonin të shkëpusnin popullin nga besëtytnia dhe prapambetja. Gjuha ishte shërbyesja e Iluminizmit….Ligjet, aktet noteriale, dënimet dhe gjithçka tjetër, që lidhej me to, duhej të përpiloheshin në frëngjisht. lejohej që atyre t’u bashkëngjitej një përkthim, gjë që bëhej thuajse gjithnjë, për arsyen e kuptueshme se ndryshe personi i interesuar nuk do të kuptonte asgjë. Një gjë e tillë, nuk kishte ndodhur kurrë në Bruksel…..Ata arritën t’iu ngulitnin njerëzve se dialekti flamisht, gjuha e njeriut të zakonshëm në Bruksel, nuk kishte kurrfarë vlere, se ajo ishte  e mirë vetëm në oborrin e shtëpisë, por që nuk ishte e hijshme për sallonet…”

Dhe pas këtij imponimi prej gati çerek shekulli, dhe një politikë që vijoi më pas, nën të njëjtën traditë e përcjellë nga francezët për frëngjishtfolësit drejtues të Belgjikës, në bashkëpunim me elitën intelektuale dhe politike të flamandëve, u zhvilluan shenja të larta kompleksi dhe droje në përdorimin e gjuhës amtare, që ishte ndryshe nga ajo frënge. Sipas, Van Istendal edhe sot, vendasit kanë tendencë ta kufizojnë gjuhën e tyre të përditshme. Ajo është një gjuhë për në shtëpi, për në kopsht dhe në kuzhinë. Nuk është e përshtatshme për rrugën. Nën presionin e lartë të frëngjishtes, për dekada të tëra, gjuha e zotërinjve ishte gjuha e vetme e lejuar në shkolla dhe në zyrat e Brukselit, kurse kjo gjuhë e vendit përbënte një lloj turpi. Gjuha amtare nuk vlen fare. Pra, të  flisje gjuhën e nënës, kjo të tregonte të pakultivuar, të pakulturuar, pra thjesht dukeshe si një fshatar i pagdhendur, që kishe ardhur nga fshati në qytet, për të mbaruar disa punë administrative. Dhe kjo ndodhte edhe për shkak se, elita politike dhe intelektuale e flamandëve në vend ishte gjerësisht frëngjishtfolëse dhe jepte kontributin e saj në këtë drejtim.

Një shembull standard imponimi, por që ilustron interesat në kohë luftë dhe në kohe paqe, që përtej atyre politike, mbartin një karakter të pastër ekonomik.

Im.Ta.

DITA

June 15, 2017 19:40