Gjuhëtari Xhevat Lloshi u ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm emigrantëve, për ruajtjen e gjuhës shqipe. Profesor Lloshi thotë se emigrantët duhet t’u mësojnë fëmijëve gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve, edhe në vendin ku ata po jetojnë.
“Unë nuk jam nga ata që ulërijnë se po ikin shqiptarët, pasi shqiptarët do të ikin e vijnë. Por nëse fëmijët me të cilët ata po ikin janë në moshë të vogël, ata fëmijë mund të integrohen në shoqërinë ku shkojnë. Ndërsa nëse janë në moshë më të madhe ata përdorin rrugë të tjera të shtrembëruara për t’u integruar. Lidhja që do të krijojnë ata me atë vend, do të shkëpusë lidhjet me Atdheun”, thotë gjuhëtari i njohur.
Sipas profesor Xhevat Lloshi, emigrantët duhet të kenë kujdes me fëmijët.
“Kjo shpëtohet vetëm duke mbajtur lidhjet me Shqipërinë. Në disa vende kanë krijuar qendra shqiptarë, klube shqiptare. Këto qendra duhet të jenë në kujdesin e ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Shteti shqiptar duhet të interesohet ku janë qendrat e shqiptarëve, klubet e tyre, kafenetë e tyre, ku shiten librat e tyre shqip.
Duhet krijuar një katalog me këta shqiptarë ku janë ata duke vendosur lidhje me ta. Duhen blerë librat shqip. E kam thënë edhe më parë Kurani dhe Bibla duhet të jenë në shqip. Nuk mund të jesh shqiptar nëse nuk i lutesh Zotit shqip.
Këshilla që unë kam është, emigrantë mos e shisni shtëpinë në Shqipëri, mos i prisni pemët e bahçes, se një ditë fëmijët tuaj mund të gjejnë gëzim aty. Mos i prishni urat me vendin tuaj” – e mbylli mesazhin profesor Lloshi.
m.b./dita