Gjykata Kushtetuese si simbol i (pa) drejtësisë dhe pyetja ku do i gjejmë gjyqtarët

May 8, 2018 11:21

Gjykata Kushtetuese si simbol i (pa) drejtësisë dhe pyetja ku do i gjejmë gjyqtarët

Nga Erion Habilaj*

Në çdo vend demokratik gjyqtarët që zgjidhen për në Gjykatën Kushtetuese shihen si njerëz pa “të meta”, dhe sidomos të pa korruptuar.

Kjo ndodh, jo vetëm sepse vijnë nga një eksperiencë e gjatë në drejtësi dhe me kualifikime të thelluara, por dhe për faktin se ajo gjykatë përfaqëson shkallën më të lartë dhe përbën themelin e funksionimit të shtetit.

Por ç’po ndodh me vendin tonë? Në cilat labirinte ka kaluar ky institucion? Që nga viti 1998 që është miratuar Kushtetuta shqiptare gjithmonë ka pasur akuza ndaj personave që janë zgjedhur në Gjykatën Kushtetuese, por që gjithmonë janë anashkaluar ose dhe mbyllur sytë për shkak edhe të rëndësisë që ka ky organ kushtetues. Një anashkalim që nxjerr në pah një handikap që evidentohet dukshëm tashmë.

Pas 20 vitesh funksionim e mos funksionim, kontestim apo “mbyllje sysh”, nisja e Vettingut ka nxjerrë në pah një anë tjetër të medaljes.

Siç është parë me zë e figurë, gjyqtarët që kanë kaluar në filtër janë skualifikuar, dhe për më tepër në mënyrë të turpshme.

I pari që u dogj nga Vettingu, ishte Besnik Imeraj. Ai dha dorëheqjen për të mos kaluar në filtrin e verifikimit, por kjo nuk e shpëtoi dot nga ndjekja penale.

I dyti që u skualifikua, por i pari që doli përpara trupës së Vettingut ishte Fatos Lulo.

Ai akuzohet se nuk është i aftë të shpjegojë burimet e tij financiare ku përfshijnë pasuri të paluajtshme si një apartament në Rr. Sami Frashëri në Tiranë, një apartament në Rr. e Durrësit, si dhe një zyrë në Rr. Ismail Qemali.

Gjithashtu, KPK ka vlerësuar si deklarim të rremë në ILDKPKI edhe dhuratën e marrë nga e motra Drita Lulo në vitin 2008 me vlerë 100 mijë USD, shitjen e një apartamenti në Toronto të Kanadasë me vlerë 160 mijë dollarë kanadez, një hua prej 480 mijë USD nga e motra e shlyer brenda vitit 2005 dhe një depozitë prej 400 mijë dollarë kanadez në Toronto, që sipas gjyqtarit Lulo ka ardhur nga puna e tij si emigrant në Kanada.

Sipas relatores informacionet e marra nga një numër institucionesh kishin krijuar bindjen se gjyqtari Lulo kishte mungesë burimesh financiare të ligjshme për asetet e deklaruara dhe ato përbënin deklarim të rremë.

Pas Lulos, vettingu shkarkoi nga detyra gjyqtaren kushtetuese, Altina Xhoxhaj pas 23 viteve karrierë të nisur në gjyqësor në Shkallën e Parë të Tiranës, e të vazhduar më tej në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si edhe të mësimdhënies atje ku përgatiten brezat e gjyqtarëve e prokurorëve.

Komisioni i Vettingut deklaroi se rezultonin të pajustifikuara disa nga pasuritë e gjyqtares kushtetuese, për të cilat Xhoxhaj replikoi duke kërkuar t’i llogariteshin edhe të ardhurat e bashkëjetuesit.

Për gjyqtaren Xhoxhaj, KPK ka konstatuar mospërputhje në deklarim për burimin e parave, mbajtjen e shumë parave cash, vendime në konflikt interesi, mungesë të ardhurash për blerjen e një apartamenti në vitin 2005, 109 metra katrorë me vlerë 60 mijë euro dhe probleme edhe me një truall që ka në Gjirin e Lalzit.

Më pas erdhi radha e Fatmir Hoxhës. Si pjesë e hetimit administrativ të thelluar të aseteve të gjyqtarit Hoxha, KPK ka arritur në përfundimin se gjyqtari nuk ka burime të ligjshme për një pjesë të investimit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Apartamenti në total i kushtoi gjyqtarit Hoxha 140 405 euro, ndërsa shuma e pajustifikuar sipas KPK-së është 1.7 milionë lekë. Gjatë seancës pati dhe deklarime ‘perla’ që u kthyen në humor, pasi përfaqësuesi i gjyqtarit përdori argumentin se paratë e shtëpisë ishin mbledhur nga ato që i janë hedhur në dasmë.

Por ky filtër ka krijuar edhe debate nëse do arrijë dikush që të kalojë filtrin e Vettingut, dhe si do të plotësohen vendet vakante.

Ish kryeprokurori i përgjithshëm Theodhori Sollaku, në një reagim për mediat është shprehur: “Ka vendimmarrje të tilla që duket sikur “po kërkohet gjilpëra në kashtë” dhe me këto ritme ka një situatë ndrydhje nga gjyqtarët dhe prokurorët që me këtë situatë dhe me këtë metodologji vështirë se mund të mbeten në funksion 5% e magjistratëve, e gjyqtarëve dhe prokurorëve. T’u kërkosh sot gjyqtarëve dhe prokurorëve dokumentacion për periudhën kur ai nuk ka qenë gjyqtar, kur nuk e ka pasur detyrim në ligj për të mbajtur arshivë, nuk ka pasur dhe financier për të bërë bilancin; Sa mora këtë vit, sa harxhova dhe sa ngelën? Ka nevojë të korrektohet”.

Po ashtu dhe kreu i dhomës së penalistëve Saimir Vishaj, ka rezervat e tij për mënyrën sesi po kryhet procesi i spastrimit të “pallatit të drejtësisë”.

Problemet që nxjerr Vishaj janë disa, teksa paralajmëron se do të ketë edhe më shumë çudira, kur do të kalojnë Vettingun shkallët më të ulëta të gjyqësorit, për shkak të nivelit të ulët profesional të tyre.

Ai thotë se është e papranueshme që një gjyqtar të kushtetueses ta hetojnë tre persona të propozuar nga partitë politike, duke hedhur pikëpyetje për procesin selektiv.

“Mua më duket e papranueshme që një anëtar i Gjykatës Kushtetuese të vendoset nën hetim nga tre persona që janë zgjedhur nga partitë. Për mua ky proces duhej të ishte bërë nga vetë gjyqtarët, pasi një pjesë shumë e mirë e tyre marrin bukë me vete dhe s’kanë lidhje me korrupsionin’, shprehet Vishaj.

Por përpos këtyre, problem real në këtë histori nuk është skualifikimi i gjyqtarëve apo i prokurorëve, por ku do të gjenden gjyqtarët dhe prokurorët e rinj?

Rrezikojmë të kemi një shkollë të dytë Plepash, apo do të vijnë nga jashtë. Por ky është një hap i dytë edhe pse me rëndësi të madhe, sërish primar është pastrimi i këtij sistemi që është kthyer në gangrenë jo vetëm për shtetin e së drejtës, por dhe për gjithë shoqërinë tonë.

***

*Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias  “Media dhe Reforma në Drejtësi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet dhe  gjetjet e shkrimit janë të autorit.

May 8, 2018 11:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*