Gjykata shmang kompetencat e saj kushtetuese

Niazi Jaho June 6, 2013 11:12

Gjykata shmang kompetencat e saj kushtetuese

Mbasi u njoha me Vendimin Nr. 53 të datës 7 maj 2013 të mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e pashë të nevojshme të prononcohem publikisht duke parashtruar mendimet e mëposhtme:

Lidhur me zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore PS dhe kandidati për kryetar të komunës Dajç (qarku Shkodër) i janë drejtuar Gjyklatës Kushtetuese me kërkesën e bazuar në nenet 1/3, 2, 45/4, 109, 131/f dhe 134/g të Kushtetutës, si dhe në nenin 6 të Konventës Europiane të të drejtave të njeriut. Në këto kërkesa pretendohet se KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë, kanë shkelur të drejtat e tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor (neni 131, shkronja “f” të Kushtetutës. Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka arritur në konkluzionin se pretendimet e kërkuesve (PS dhe Rrok Rroku) lidhur me cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor gjatë proceseve të zhvilluara në KQZ  dhe në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye ajo vendosi “Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare”.

Neni 124 i Kodit Zgjedhor bën fjalë për të drejtën e animimit në rrugë administrative të vendimeve të komisioneve zgjedhore. Në të thuhet se: “Çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati të propozuar nga zgjedhësit, kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit”.

Ndërsa neni 145 i Kodit Zgjedhor garanton të drejtën e subjekteve zgjedhore për të bërë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij kodi.

Meqenëse kandidatura e z. Rrok Rroku është paraqitur nga një parti politike (subjekt zgjedhor), në mbështetje të neneve 124 dhe 145, Gjykata Kushtetuese nuk e ka legjitimuar kërkesën e tij.

Por argumentet e paraqitura në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos njohur as legjitimetin e PS-së dhe si rrjedhim për të mos e kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare, mendojmë se është i nxituar dhe kontradiktor. Por jo vetëm kaq: ai përbën një precedent me pasoja të dëmshme.

 

Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës (Neni 24, pika 2 e Kushtetutës)

Ajo gabon kur shprehet se “mbledhja e gjyqtarëve vlerësoi se vendimmarrja e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, si dhe procedurat e ndjekura lidhur me të, nuk janë pjesë e juridiksionit kushtetues”. Në këtë mënyrë Gjykata përjashton edhe kërkesat që mund t’i drejtohen asaj nga subjektet e interesuara zgjedhore që pretendojnë se u është shkelur e drejta e tyre kushtuese për një proces të rregullt ligjor.

Ku bazohet dhe çfarë ka vlerësuar gjykata për të arritur në konkluzionin e mësipërm? Ajo i referohet nenit 158 pika 5 të Kodit Zgjedhor, ku thuhet se “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim”.

A mundet që përmbajtja e dispozitës së mësipërme të Kodit Zgjedhor të kushtëzojë Gjykatën Kushtetuese të nxjerrë jashtë juridiksionit të saj çdo kërkesë me objekt: për një proces të rregullt ligjor, dmth, çdo kërkesë ankimore për shkeljen e kësaj të drejte kushtetuese? Në asnjë mënyrë! Ky qëndrim mendojmë se nuk është i ligjshëm. Është e vërtetë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë, por kjo nuk do të thotë se subjektit zgjedhor i mohohet e drejta t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kur pretendon se i është shkelur e drejta kushtetuese për një proces të rregullt ligjor.

Edhe sikur përmbajtjes së nenit 158 pika 5 të Kodit Zgjedhor t’i jepej një interpretim i tillë arbitrar, Gjykata Kushtetuese do të duhej të zbatonte vetëm Kushtetutën. Kjo përmendet shprehimisht në nenin 24 pika 2 të Kushtetutës. Siç dihet, Gjykata Kushtetuese në këto raste nuk vlerëson anën substanciale të çështjes, por aspektin procedural të shqyrtimit të saj. Ajo është e vetmja gjykatë kompetente që vendos nëse ky apoai organ gjyqësor ose i administratës publike ka cenuar ose jo të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese konceptin për një proces të rregullt ligjor e ka trajtuar në disa vendime të saj, jo vetëm në aspektin doktrinar, por edhe në atë praktik. Madje, ajo ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur edhe në rastet kur vendime gjyqësore të formës së prerë nuk janë zbatuar brenda një afati të arsyeshëm, duke e konsideruar atë cenim të neneve 42, 131/f dhe 134 shkronja ‘g’ (Shih vendimi nr. 12, datë 15.4.2011).

 

Një tjetër argument i pabazuar

Në paragrafin 23 të vendimit të Gjykatës thuhet: “Në kuptim të parimit të subsidiaritetit, e drejta e partive politike ose e kandidatit për të ankimuar vendimin për rezultatin e zgjedhjeve lokale në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, përfshin detyrimin e këtyre organeve për të verifikuar respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor”.

A mund të përjashtohen rastet që KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor gjatë shqyrtimit të kësaj apo asaj çështjeje, të cenojë normat procedurale që garantojnë respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor? Shkelje të tilla nuk mund të përjashtohen. Deri sa kjo mund të ndodhë, cili organ duhet t’i shqyrtojë ato? Sipas Gjykatës Kushtetuese shqyrtimi i çështjeve të tilla nuk përfshihen në juridiksionin e saj!

Siç dihet, edhe gjykatat e shkallës së parë, të Apelit dhe Gjykata e Lartë janë të detyruara të zbatojnë procedurat që garantojnë një proces të rregullt ligjor. E, me gjithë këtë, një numër i konsiderueshëm vendimesh të këtyre gjykatave janë bërë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese vetëm sepse është cenuar parimi i mësipërm. Madje është e nevojshme të përmendet se vendimet e Apelit janë të formës së prerë (vetëm në disa raste të parashikuar në ligj, ndaj tyre mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë). Vendimet e Gjykatës së Lartë janë gjithashtu të formës së prerë.

 

Një tjetër konkluzion i gabuar i Gjykatës

Gjykata Kushtetuese, faktin se vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe të paankimueshme, e lidh me vullnetin e miratimit të Kodit Zgjedhor me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, gjë që, sipas saj, “është në përputhje me rregullimet kushtetuese”. Ky parashikim – theksohet në vendimin e Gjykatës – ka për qëllim respektimin e një afati sa më optimal me rezultatin e votimit për zgjedhje lokale! Çfarë rregullimesh i janë bërë Kushtetutës?

Në fakt, lidhur me këtë çështje në Kushtetutë nuk është bërë asnjë ndryshim. Nenet 42 pika 1 dhe 131 shkronja ‘f’ kanë ngelur të pandryshuara, ashtu siç u miratuan në vitin 1998.

Ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor dhe që përmenden në paragrafin 26 të vendimit të Gjykatës, nuk kanë të bëjnë me çështjen e së drejtës ose jo për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese kur pretendohet cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Është e vërtetë se para vitit 2003 ankesat kundër vendimeve të KQZ-së i dërgoheshin Gjykatës Kushtetuese (lidhur me zgjedhjet parlamentare) dhe Gjykatës së Lartë (lidhur me zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore). Krijimi në vitin 2003 i Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë nuk i mohoi të drejtën subjektit të interesuar zgjedhor që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, pa bërë dallimin nëse kjo kërkesë kishte të bënte me zgjedhjet parlamentare apo të organeve të qeverisjes vendore.

Në paragrafin 24 të vendimit të gjykatës që i referohet ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” lidhur me afatin dyvjeçar, thuhet: “Shtrirja për zbatim e kësaj të drejte edhe në rastin e subjekteve zgjedhore për organet e qeverisjes lokale do të sillte tejzgjatje të kohës për rezultatin zgjedhor. Kjo situatë do të ndikonte në mirëfunksionimin e organeve lokale”.

Së pari, bëhet pyetja: përse gjykata përmend vetëm organet e qeverisjes lokale?!

Së dyti, a është e drejtë të arrihet në konkluzionin (ose të supozohet) se e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, mohohet sepse kjo “do të sillte tejzgjatje të rezultatit zgjedhor” se “kjo situatë, do të ndikonte në mirëfunksionimin e organeve lokale”?!

Kjo do të thotë se cenimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor, sanksionuar në Kushtetutë mund të sakrifikohej në emër të shkurtimit të afateve (të kohës) dhe të funksionimit normal të organeve lokale!

Në paragrafin e 27 Gjykata Kushtetuese vlerëson se edhe pretendimet e PS-së lidhur me cenimin e së drejtës për një proces ligjor gjatë proceseve të zhvilluara në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë nuk hyjnë në juridiksionin e saj dhe, si rrjedhim, ka vendosur moskalimin e kërkesës për shqyrtim në seancë plenare. Mirëpo, tërheq vëmendjen fakti se në paragrafin 16 të vendimit thuhet se “Nisur nga objekti i kërkesës, mbledhja e gjyqtarëve vlerëson se subjekti Partia Socialiste, në bazë të neneve 131 shkronja ‘f’ dhe 134 pika 1, shkronja ‘f’, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor”.

Nëse është kështu, nuk kuptohet përse edhe këtë kërkesë ajo e ka nxjerrë jashtë juridiksionit të saj? Po të jetë kështu, Gjykata duhet të vendoste kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare dhe, mbas shqyrtimit, ta pranonte ose ta refuzonte atë! Tërheq vëmendjen gjithashtu fakti se paragrafi i 16 që përmendëm më lart i referohet jo ndonjë rasti tjetër, por kërkesës konkrete, prandaj edhe thuhet: “Nisur nga objekti i kërkesës”.

Në paragrafin 20, Gjykata Kushtetuese i referohet edhe kodit të Praktikës së mirë në çështjet zgjedhore, miratuar në vitin 2002 nga Komisioni i Venecias.

E pashë të nevojshme të njhesha pak më gjerë me atë pjesë të këtij kodi ku bëhet fjalë për sistemin e efektshëm të Apelimit (shih faqe 11-12, botimi shqip). Në paragrafin 3.3 të kësaj pjese paraqiten disa variante të sistemit të apelimeve, por asnjë prej tyre nuk përjashton dhe as nënkupton ndonjë sistem apelimi që përjashton të drejtën e ankimit kur pretendohet cenimi i parimit për një proces të rregullt ligjor.

 

Kushtetutëbërësi ka sanksionuar të drejtën e ankimit për shkelje të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor

Nuk mund ta konceptoj atë që thuhet në vendimin e Gjykatës në paragrafin 25 se: “Kushtetutëbërësi ka konsideruar se Gjykata Kushtetuese mund të vihet në lëvizje vetëm për çështje që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, deputetëve si dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të tyre duke mos e shtrirë këtë të drejtë ndaj subjekteve të zgjedhjeve lokale. Gjykata Kushtetuese vlerëson edhe parimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor”.

Së pari, e shikoj të nevojshme të përmend se çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit dhe të deputetëve dhe të verifikimit të zgjedhjes së tyre trajtohen nga neni 131 shkronja ‘e’ të Kushtetutës si një nga kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa procesi i rregullt ligjor është një kompetencë tjetër e veçantë që trajtohet në nenin 131, shkronja ‘f’ të Kushtetutës. Janë pra dy çështje të ndryshme.

Së dyti. Për shqyrtimin e zgjedhshmërisë së deputetëve Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës ose të Kuvendit të Republikës.

Së treti. Gjykata Kushtetuese verifikon zgjedhjen e deputetëve me kërkesë të partisë politike ose të kandidatit për deputet të pavarur, duke zbatuar në këtë rast edhe dispozitat ligjore për zgjedhje të përgjithshme.

Së katërti, kërkesa për papajtueshmërinë mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese nga Kuvendi, porsa kohë vazhdon mandati i deputetit, ndërsa kërkesa për shqyrtimin e zgjedhshmërisë së deputetëve nubd të paraqitet brenda 6 muajve nga konstatimi i faktit të pazgjedhshmërisë.

Është qartësisht e kuptueshme se çështje të tilla që parashikon neni 131 shkronja ‘e’ të Kushtetutës nuk mund të vihen në lëvizje në rastet e zgjedhjeve të organeve të qeverisjeve vendore.

Nuk përjashtohet mundësia që gjatë shqyrtimit të këtyre çështjeve, Gjykata Kushtetuese të vlerësojë edhe faktin nëse janë respektuar dispozitat që kanë lidhje me një proces të parregullt ligjor. Por ky fakt nuk përjashton mundësinë që në zgjedhjet parlamentare apo të organeve të qeverisjes vendore, subjektet përkatëse t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor ka shkelur të drejtën e tyre për një proces të rregullt ligjor.

 

Vendimi i Gjykatës, precedent me pasoja të dëmshme

Ndodhemi para zgjedhjeve të 23 qershorit. Cili do të jetë qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese nëse ky apo ai subjekt zgjedhor do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor kanë shkelur të drejtën e tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor?

Sipas Kushtetutës (nenit 131, shkronja ‘f’) Gjykata Kushtetuese është kompetente të vendosë për çështje të tilla, ndërsa sipas vendimit të mbledhjes së përgjithshme të kësaj gjykate Nr. 53 datë 07.05.2013 jo! Megjithëse, siç dihet dhe siç u përmend edhe më lart, Gjykata Kushtetuese zbaton vetëm Kushtetutën!

Niazi Jaho June 6, 2013 11:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim