Gjyqi i Koçi Xoxes: Rivaliteti me Enverin dhe prapaskenat për Nako Spiron

Kujtim Boriçi April 22, 2013 16:27

Gjyqi i Koçi Xoxes: Rivaliteti me Enverin dhe prapaskenat për Nako Spiron

Ekskluzive / Gjyqi ndaj Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve. Debatet mes Prokurorit dhe Xoxes për pushkatimet pa gjyq, të urdhëruara nga ish-Ministri i Brendshëm Xoxe dhe pohimet e të pandehurit Nuri Huta, agjentit-ndërlidhës mes Koçi Xoxes e Rankoviçit në Jugosllavi

 

Prokurori: Për këtë krim kanë dëshmuar tek Enver Hoxha dhe në Komitetin Qendror shokët Manush Myftiu dhe Subi Dedej. Me bekimin e jugosllavëve, Koçi shmangu Enverin dhe vuri vendin nën kontrollin e Sigurimit

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Në orët e vona të mbrëmjes së datës 13 maj të vitit 1949, që shënon dhe mbylljen e seancës së tretë gjyqësore ndaj Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për ‘Tradhti ndaj Partisë e popullit’, akuza paraqet prova dhe dëshmi kundër ish-Ministrit të Brendshëm lidhur me urdhrat e dhënë për pushkatime pa gjyq dhe shërbimet agjenturore për jugosllavët, në dëm të interesave të vendit. Njëkohësisht, një nga bashkëpunëtorët e Xoxes, i pandehuri Nuri Huta, dëshmon misionin e tij në Beograd, në shërbim të detyrave të dhëna nga Koçi Xoxe. “Si i dërguar në Beograd, përveç problemeve ekonomike, me porosi të Koçi Xoxes unë kryeja biseda dhe për probleme ushtarake, si për Kosovën, etj… Isha ndërlidhës dhe njeri i besuar i Xoxes”, -dëshmon mes të tjerave i pandehuri Nuri Huta në këtë seancë…

 

Prokurori: -Vazhdojmë seancën.A e di ti i pandehur se nga varen Gjykata e Prefekturave dhe Gjykatat Ushtarake të Divizioneve?

 

Koçi Xoxe: -Gjykatat e Prefekturave varen nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Gjykata e Lartë, kurse ato ushtarake, nga Gjykata e Lartë Ushtarake.

 

Prokurori: -A ka forcë që mund të ndërhyjë në punët e gjyqeve pa përdorur dhunë? A ka forcë në botë që të insistojë për të vënë në zbatim një vendim të gjyqit që nuk ka marrë formën e prerë? A mundet Partia që të urdhërojë organet e pushtetit direkt?

 

Koçi Xoxe: -Ndërhyrja në punët e gjykatave është arbitraritet. Një vendim gjyqi që nuk ka marrë formë të prerë është arbitrar po të zbatohet. Partia, direkt, nuk mund t’u japë urdhra organeve të pushtetit, veçse i jep vijën qeverisë.

 

Prokurori: -Me çfarë cilësie nënshkruaje ti?

 

Koçi Xoxe: -Herë me cilësitë e Ministrit të Brendshëm dhe herë me cilësinë e Sekretarit Organizativ.

 

Prokurori: -Në qoftë se ti ke dhënë urdhër si Ministër i Brendshëm ose si Sekretar Organizativ që të ekzekutohen njerëz, pa marrë vendimi i gjyqit formë të prerë, çfarë e quan ti këtë?

 

Koçi Xoxe: -Në qoftë se ka urdhër të tillë është arbitraritet. Por ka raste në situata të veçanta që me vendim të Byrosë, të jepet ndonjë urdhër i tillë…

 

Prokurori: -I pandehur! Unë sot do të të kujtoj vetëm një rast që e vërtetojnë Manush Myftiu dhe Sybi Dedej, që me urdhrin tënd janë ekzekutuar në Elbasan tre veta të dënuar nga gjykata e atjeshme e Prefekturës, por që vendimi nuk kishte marrë ende formën e prerë dhe kjo vepër, i pandehur, a quhet spostim i pushtetit?

 

Koçi Xoxe: -Nuk më kujtohet rasti i Elbasanit për të cilin thotë Prokurori.

 

Prokurori: -Po a ka raste të tjera? Apo janë kaq të shumta sa që nuk i kujtohen të pandehurit?

 

Koçi Xoxe: -Mund të ketë pasur dhe raste të tjera spostimi, por mua nuk më kujtohen.

 

Prokurori: -Korrespondencën e zhvilluar me Rankoviçin përse e keni bërë në rrugë personale dhe a nuk është spostim ky?

 

Koçi Xoxe: -Ato kanë qenë çështje Partie.

(U këndua deklarata e të pandehurit mbi dualizmin për drejtimin dhe harmonizimin e organeve të pushtetit dhe për konkluzionin)

 

Prokurori: -I pandehur! Çfarë i keni thënë Safet Filipoviçit për rrjetin e spiunazhit.

 

Koçi Xoxe: -Safet Filipoviç më ka thënë se jugosllavët nuk do të ngrinin rrjet spiunazhi në vendin tonë.

 

Prokurori: -Po ky, nuk është një spostim? Marrëdhëniet me shtetet e jashtme nëpërmjet cilave kanaleve bëhen, me ato të Ministrisë së Brendshme apo me ato të Ministrisë së Jashtme?

 

Koçi Xoxe: -Kjo ishte punë që i përkiste Ministrisë së Brendshme dhe unë ja thashë qeverisë.

 

Prokurori: -Pse nuk kishin besim në Ministrinë e Jashtme jugosllavët?

 

Koçi Xoxe: -Po, ata kanë pasur besim tek Ministria e Jashtme, por ato gjëra ishin çështje konkrete dhe sekrete që i takonin Ministrisë së Brendshme. Ka pasur raste që edhe me Bullgarinë nuk i kemi praktikuar me Ministrinë e Jashtme disa çështje.

 

Prokurori: -Ti i pandehur i quan të rregullta që këto punë të bëhen me anën e Ministrisë së Brendshme?

 

Koçi Xoxe: -Po, që të bëhen nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, këto punë unë i quaj të rregullta.

 

Prokurori: -A ke bërë veprime të tjera me anë personash të tjerë në marrëdhëniet me jashtë dhe jo me kanalet e Ministrisë së Jashtme?

 

Koçi Xoxe: -Jo, veprime të tjera me anë të personave tanë nuk janë bërë.

 

Prokurori: -Të thotë i pandehuri Nuri Huta, a ka bërë ai ndonjë veprim në Beograd?

 

Nuri Huta: -Unë kur isha në Beograd kam intervenuar për çështjen e grurit… Me gjithë se nuk ishte punë e imja, kam biseduar me gjeneralin Terziç për çështje ushtarake të Kosovës, etj…, që nuk ishin punë Partie. Më vonë ka ardhur Hysni Kapo, si Ministër fuqiplotë atje. Por edhe kur ishte Hysniu atje, unë kam biseduar për punë që duhet të bëheshin me anën e përfaqësuesit tonë diplomatik. Që unë kam qenë ndërlidhës midis dy Komiteteve Centrale, që e mohon i pandehuri Koçi Xoxe, kjo gjë vërtetohet edhe me fletë-biografinë time që gjendet në Komitetin Central.

 

Prokurori: -A ishe dakord me revizionimin e Beratit, ti i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Koçi Xoxe: -Unë isha dakord vetëm me çështjen e uljes së autoritetit të Komandantit(Enver Hoxhës), kurse për të tjerat nuk isha dakord. Pjesërisht, revizionimi nuk u pranua.

 

Prokurori: -Me rastin e revizionimit, a bëri thirrje Sekretari i Përgjithshëm të bëje autokritikë në mënyrë bolshevike, të hapnim zemrat dhe të thoshim gjithçka dhe në këtë mënyrë të forcohej uniteti i udhëheqjes? Po ta pranoje revizionimin, duhej ti i pandehur të bëje një autokritikë të shëndoshë?

 

Koçi Xoxe: -Po, po të pranoja revizionimin, unë duhet të bëja një autokritikë. Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha) bëri thirrje që të hapnim zemrat dhe të shtrëngonim radhët.

 

Prokurori: -Në lidhje me mospranimin e revizionit të Beratit, a ka pasur ndonjë formacion grupi nga ana jote?

 

Koçi Xoxe: -Jo, nuk ka pasur ndonjë grup të formuar nga unë.

 

Prokurori: -Po në Plenumin e 8-të, ti i pandehur bërtisje të hapnim zemrat dhe të bënim autokritikë, kurse për veten tënde, kur t’u shfaq rasti ta bëje, nuk e ke bërë! Ti kërkon të fshehësh të vërtetën, por akuza disponon një sërë materialesh të vlefshme për të provuar këtë fajësi tënden.

(Për këtë, Prokurori i lexoi deklaratat e bëra më datë 24.XII.1947)

 

Prokurori: -A u interesonte jugosllavëve popullarizimi i Komandantit (Enver Hoxhës) dhe forcimi i autoritetit të tij?

 

Koçi Xoxe:- Siç e shikoj sot, ata nuk e donin një gjë të tillë.

 

Prokurori: -Po ti i pandehur, a ke qenë i shqetësuar për forcimin e pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm?

 

Koçi Xoxe: -Jo, për Sekretarin e Përgjithshëm unë nuk kam qenë i shqetësuar, pra, nëse forcoheshin pozitat e tij. Kurse për Nakon, po.

 

Prokurori: -A ke dashur ti popullarizimin e Sekretarit të Përgjithshëm?

 

Koçi Xoxe: -Po, unë e kam dashur një popullaritet të Sekretarit të Përgjithshëm, por një popullaritet në rrugë të drejtë.

 

Prokurori: -Çfarë do të thuash me këtë?

 

Koçi Xoxe: -Dua të them që kur Sekretari i Përgjithshëm shoqërohej prej ndonjë personaliteti tjetër, të zihej në gojë dhe ai personalitet, e jo vetëm Sekretari i Përgjithshëm.

 

Prokurori: -Sekretari i Përgjithshëm, a e meritonte një vlerësim më të veçantë, më shumë se të tjerët si më i zoti dhe që ka punuar më shumë?

 

Koçi Xoxe: -Po, ai, si më i zoti dhe që ka punuar e luftuar më shumë se të tjerët, meriton një popullarizim të veçantë.

 

Prokurori: -Kush vinte pas Komandantit, i dyti që duhej popullarizuar?

 

Koçi Xoxe: -Pas Komandantit (Enver Hoxhës), vija unë, e pastaj me radhë shokët e tjerë.

 

Prokurori: -A doli fotografia jote e madhe me rastin e ndonjë feste së bashku me atë të komandantit?

 

Koçi Xoxe: -Po, me rastin e 1 Majit 1947, doli dhe një fotografi e imja.

 

Prokurori: -Ka pasur gjetkë fotografi tuajat?

 

Koçi Xoxe: -Në zyrat e Partisë, së bashku me atë të Komandantit(Enver Hoxhës) ishte dhe fotografia ime.

 

Prokurori: -Vënien e citateve të Sekretarit të Përgjithshëm krahas citateve të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, si i quaje ti?

 

Koçi Xoxe: -Vënien e këtyre citateve kështu, e quaja të ekzagjeruar…

 

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Pandi Kristo dhe të na thotë nëse ka përshëndetur ndonjëherë në emër të dy Sekretarëve të Partisë?

 

Pandi Kristo: -Po. Në Shtëpinë e Rinisë, kur kam mbajtur një fjalim, kam përshëndetur në emër të dy Sekretarëve të Partisë dhe kjo ka qenë në Plenumin e 8-të.

 

Prokurori: -Të thotë i pandehuri Pandi, si është ajo puna e citateve e të të përmendurit Koçi në buletinin e Kryeministrisë?

 

Pandi Kristo: -Në buletinin e Kryeministrisë kanë qenë disa citate të Koçit, sipër atyre të Komandantit Enver Hoxha…

 

Prokurori: -A ja ke thënë Sekretarit të Përgjithshëm ato që të ka thënë Nako Spiro?

 

Koçi Xoxe: -Kur kishte ardhur akuza e jugosllavëve ja thashë Sekretarit të përgjithshëm, Nako ishte ende gjallë, se ai më kishte thënë së Sekretari i Përgjithshëm po punon dhe tani që je ti (domethënë unë Koçi Xoxe) Sekretar Organizativ, punët do të shkojnë më mirë… I thashë Komandantit se Nako ishte vënë ndërmjet ne të dyve…

 

Prokurori: -Po pse nuk ja the këto Sekretarit të Përgjithshëm më parë, por ja the pikërisht kur erdhi akuza e jugosllavëve?

 

Koçi Xoxe: -M’u dha rasti t’ja thosha dhe kur u bë revizionimi, por nuk ia thashë. Ja kisha thënë edhe dy-tre herë më parë Komandantit punën e Nakos, po ai më kishte thënë “prit një herë”…

 

Prokurori: -Ti thua tani kështu se Nako është i vdekur. Nuk ja ke thënë këto Sekretarit të Përgjithshëm kur ishte rasti, por thua se ja ke thënë pikërisht kur erdhën akuzat e jugosllavëve. Ti gjithashtu ke kërkuar të mbledhësh deklarata për udhëheqës të tjerë me qëllim që t’i mposhtësh siç mposhte Nakon. Dhe prandaj unë të akuzoj si tradhtar!

 

Koçi Xoxe: -Në atë kohë, tradhtare u konsiderua puna e Nakos dhe sot them se nuk ka qenë e drejtë kjo.

 

VENDIM: Pasi ora kaloi, audienca gjyqësore shtyhet për në datën e nesërme(14.V.1949), ora 14:30 e pasdites.

Tiranë, më 13.V.1949

(Emrat dhe firmat e kryetarit të seancës, dy nënkryetarëve dhe sekretarit)

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Debatet mes të pandehurit Koçi Xoxe me prokurorin Bedri Spahiu lidhur me përplasjet e Koçit me Nakon dhe Enverin. I pandehuri kërkon si dëshmitar në gjyq Enver Hoxhën.

-Provat dhe dëshmitë në seancën e datës 14 maj 1949 lidhur me urdhrin e dhënë nga Koçi Xoxe për pushkatimin e tre personave pa gjyq në Elbasan.

-Dëshmia e të pandehurit Vaskë Koleci: Si kontrollonte Koçi Xoxe gjithë korrespondencën, e seleksiononte, ia fshihte Enver Hoxhës dhe ja dërgonte Rankoviçit.

Kujtim Boriçi April 22, 2013 16:27
Komento

5 Komente

  1. Vasil April 22, 17:11

    Shih, shih, K. Xoxe paska luftuar kultin e individid qe ne ate kohe. Paska qene vertet marksit.

    Reply to this comment
  2. shqiptar April 22, 20:44

    Koçi Xoxe ka qene axhenti me i rrezikshem i te gjitha koherave. Po te kishte mbijetuar,Shqiperia do te ishte rrezikuar seriozisht pavaresine duke u futur nen tutelen jugosllave.

    Reply to this comment
    • Vasil April 22, 21:43

      Keto jane perralla qe i kemi degjuar prej me se 40 vjetesh. Aprovimin ose mosaprovimin (sic edhe ndodhi) per federate ballkanike e jepte Stalini dhe atij vendimi nuk i ndryshonte asnje presje as Titua, as Dimitrovi, as Enveri dhe as Koci Xoxja. Stalini ishte kunder kerkesave te Titos, jo se ne essence ato ishin antikomuniste (komunizmi presuspozon shkrirjen a kufijve, a nuk ishte BS nje konfederate, ku Stalini, nje gjeorgjian sundonte mbi milionat e ruseve) por se ato ishin te rrezikshme per paqen boterore, pasi mund te nxitnin nje konflikt te ri mbare boteror me perendimin. Ne esence Enveri nuk e ka kundershtuar federaten ballkanike. A ishte dhe ai nje agjent i jugosllaveve?

      Reply to this comment
      • beni April 23, 05:46

        A kish me bukuri,qe populli te zgjidhte sistemin politik qe i pelqente!
        Dikujt i pelqente Kapitalizmi!
        Dikujt tjeter i pelqente socializmi!
        Pra rruga qe ndoqi Tito,ishte vertet paqesore per popujt e ballkanit,ku ja ku esht kapitalizmi,kush te doje rruga esht e hapur!
        Natyrisht kush te pranoj socializmin,duhet te respektoj ligjet e sistemit Vetadministrus si nje sistem qe dha frytet e veta te asaj kohe!
        Natyrisht edhe Tito pushkatoj,por ai luftoj nacionalizmin,si te demshem per zhvillimet ekonomike te kohes!

        Reply to this comment
  3. Shaba September 27, 23:24

    KOci, I denuar me vdeekje nga Fashizmi, organizoi dhe cau Burgun, luftoi. dhe e Vrau Enveri, jo vetem Kocin Vrau dhe poshtroi te gjithe ata qe e futen ne Parti, e vune ne krye dhe e mbajten ne Duar, Tradhetari eshte vrasesi Enver Hoxha me urdhera te fshehta dhe mee kode,dhe si dictator, edhe me gjyqe te sajuara, Kocin s;e vrau fashizmi, e vrau Envri..ENVERI VET ISHTE SERVILI ME I MADH I tITOS.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*