Gjyqi i Nexhmije Hoxhës/ Dëshmitë e Ramiz Alisë, Hekuran Isait dhe Manush Myftiut

July 30, 2014 06:27

Gjyqi i Nexhmije Hoxhës/  Dëshmitë e Ramiz Alisë, Hekuran Isait dhe Manush Myftiut

Ish-presidenti Ramiz Alia mori në mbrojtje Enver Hoxhën dhe familjen e tij, ndërsa ish-ministri i Brendshëm akuzoi Ramiz Alinë se e kishte urdhëruar të qëllonte mbi popullin ditën e rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991…

 Frika nga ardhja e ballistëve në pushtet

Kur erdhi ora e pluralizmit politik në Shqipëri, ish-udhëheqësit komunistë, më shumë se çdo gjë tjetër, kishin frikën e ardhjes në pushtet të ballistëve. Në një sërë mbledhjesh të atyre ditëve, sidomos nëpër aparatet e Partisë së Punës dhe në institucione të larta shtetërore, Ramiz Alia paralajmëronte rrezikun ballist. Sipas tij, po të vinin në pushtet ballistët, ata do të hidhnin poshtë fitoret e arritura nën udhëheqjen e Partisë e të shokut Enver, do të shkelnin mbi gjakun e dëshmorëve, nuk do të kishte më socializëm, do të fillonte rrënimi i vendit dhe do të lulëzonte kapitalizmi për shtatë palë qejfe, domethënë shfrytëzimi i njeriut nga njeriu etj., etj., ndërsa bënte thirrje për unitet dhe shtrëngim të radhëve rreth Partisë dhe Komitetit Qendror…

Arrestimet e bujshme dhe gjyqet e njëpasnjëshme që u bënë menjëherë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, në një farë mase e përligjën këtë frikë dhe parandjenjë të shprehur të Ramiz Alisë. Gjyqet ndaj Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës dhe gjithë ish-udhëheqjes së lartë komuniste që kishte sunduar vendin për afro gjysmë shekulli mbartnin measazhe dhe nëntekste të pazbërthyera poltësisht edhe sot e kësaj dite…

 

 Nga Xhevdet Shehu

 

Ramiz Alia: Enver Hoxha nuk i la asnjë pasuri familjes së tij!

 

Nga dita e pestë.

Gjatë seancave të kësaj dite dëshmuan ish-zyrtarët më të lartë të partisë dhe shtetit komunist. Në mënyrë të veçantë interes ngjalli thirrja si dëshmitar e ish -presidentit Ramiz Alia, për të cilin që nga koha e arrestimit shtëpiak rreth 5 muaj më parë, kjo ishte paraqitja e parë në publik.

Zoti Alia hyri në sallën e gjyqit i shoqëruar nga policët, mes kureshtjes së të pranishmëve, që për herë të parë nuk  ngriheshin në këmbë para tij.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues në lidhje me çështjen për të cilën akuzohen të pandehurit, e veçanërisht Nexhmije Hoxha, zoti Alia tha se ka patur pikëpamjen dhe bindjen që familja e Enver Hoxhës duhej trajtuar në mënyrë të veçantë edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ai tha se E. Hoxha ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe udhëheqës i shtetit shqiptar për 50 vjet me radhë dhe shtoi se familja e tij duhej trajtuar si familja e një personaliteti të tillë, si për gjithë ish-partizanët dhe heronjtë e Luftës Nacionalçlirimtare. Zoti Alia theksoi se këtë trajtim familja Hoxha e meritonte, aq me tepër pasi e dinte që Enver Hoxha nuk i la familjes së tij, fëmijëve dhe gruas së tij as një shtëpi pasuri, as tokë dhe asnjë pasuri tjetër të tundshme ose të patundshme. Ndërkohë ai tha se nuk kishte dijeni se çfarë vendimi është marrë nga Qeveria për trajtimin në mënyrë të veçantë të familjes Hoxha, por shtoi se nuk vinte në dyshim vërtetësinë e atyre që ka thënë Nexhmija…

Prokurori, duke marrë fjalën pas dëshmisë të zotit Alia, në prani të tij, tha se vendimet partiake që janë marrë dhe zbatuar vërtetojnë se Partia ka qënë mbi shtetin. Ai tha se me anën e këtyre vendimeve është mbuluar dhe justifikuar korrupsioni i ish-udhëheqësve të lartë partiakë dhe shtetërorë. Prokurori e krahasoi këtë korrupsion me një ajsberg. Tani, tha ai, ne shohim vetëm 1/8 e këtij ajsbergu, ndërsa 7/8 e tij pritet të zbulohen gjatë proceseve gjyqësore që do të pasojnë…”.

 

 

Hekuran Isai: Ramiz Alia më urdhëroi të qëlloja mbi popullin kur u rrëzua Enveri

Më tej, po atë ditë dëshmuan edhe disa ish-udhëheqës të lartë komunistë, midis të cilëve Hekuran Isai, Manush Myftiu, si dhe Qirjako Mihali. Do të dëshmonte edhe Adil Çarçani, ish-kryeministër, por, sikurse u tha nga trupi gjykues, për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore nuk mund të vinte deri në sallën e gjyqit, ndaj u lexua dëshmia e tij në hetuesi.

Nga ajo ditë interes të veçantë ngjalli dëshmia e Hekuran Isait, i arrestuar prej më shumë se një viti. Pavarësisht se kryetari i trupit gjykues, e pyeti dëshmitarin se ç’dinte lidhur me trajtimin e familjes së Enver Hoxhës, Hekuran Isai kërkoi të fliste aty për arsyet e arrestimit të tij. Kryetari i trupit gjykues e kundërshtoi prerë që të mos fliste për atë çështje. Të lutem, zoti kryetar, vetëm një minutë, në një minutë unë do t’i them arsyet përse jam arrestuar dhe mbahem në burg, tha dëshmitari. Jo, e kundërshtoi prerë sërish kryetari i gjyqit, përgjigju për këtë që po të pyesim. Por ish-ministri filloi dhe vazhdoi deri sa e mbaroi ligjëratën në formën e një breshërie automatiku. Jo, zoti kryetar, ju duhet të më lini të flas në emër të drejtësisë dhe të vërtetës, sepse, unë jam arrestuar krejt padrejtësisht, zoti kryetar, e gjitha kjo është një lojë e Ramiz Alisë, se Ramiz Alia më ka dhënë urdhër të shtie mbi popullin kur u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 dhe unë si ministër i Brendshëm, zoti kryetar, e kundërshtova dhe nuk e zbatova atë urdhër, kjo është arsyeja e vetme për arrestimin tim dhe kjo është e padrejtë, ja kjo ishte e gjitha, e thashë në më pak se një minutë apo jo, zoti kryetar? – e përfundoi ligjëratën Hekuran Isai, në mes të ilaritetit të të pranishmëve, përfshi edhe trupin gjykues. Madje, edhe Nexhmije Hoxha qeshi. Por qeshi hidhur. Me sa duket, qeshi me gjestin dhe sjelljen e ish-ministrit, me mënyrën se si u shpreh ai në rolin e dëshmitarit, por jo me fjalët që tha dhe që në fakt ngacmonin një çështje tepër delikate…

(Hekuran Isai, më të shumtën e kohës ministër i Brendshëm në dhjetë vjetët e fundit të diktaturës, konsiderohej nga vëzhguesit si kyçi i shumë çështjeve dhe mistereve të kësaj periudhe. Mirëpo, çuditërisht, një vit e ca më vonë ai u gjykua dhe u dënua për të njëjtën vepër penale si gjithë ish-udhëheqësit e tjerë komunistë, për abuzime me pasurinë shtetërore ose thënë ndryshe për punë kafesh. Hekuran Isai u gjykua në një grup me Ramiz Alinë, madje ishin të lidhur dorë për dore me të njëjtat pranga dhe qëndronin vazhdimisht në tavolinën e parë, në plan të parë.

Veçse, pohimi që bëri në gjyqin e Nexhmije Hoxhës, lidhur me ngjarjen e 20 shkurtit 1991, nuk u prek kurrë më në gjyqet që u zhvilluan më pas…

Por për këtë do të flas më hollësisht kur t’i vijë radha).

 

Dëshmia e Manush Myftiut

Në gjyqin e Nexhmije Hoxhës dëshmoi edhe Manush Myftiu. Ai la përshtypje të veçantë, pasi dukej që ishte tepër i sëmurë, saqë e mbanin për krahësh dy policë. Me pamjen e një meiti, Manush Myftiu përshkoi sallën dhe kërkoi një karrike për t’u ulur gjatë dëshmisë së shkurtër që do të bënte. Gjithçka tek ai njeri dukej e ronitur, thuajse e mbaruar, pa asnjë grimë nga shkëlqimi i dikurshëm i udhëheqësit të fortë. Ai mbante veshur një triko leshi, tip golf, të punuar me dorë, ndërsa kostumi ishte krejt i zhubravitur dhe dukej që ishte veshur me mundim në çastin e fundit kur do ta sillnin në sallën e gjyqit, pasi kishte qëndruar i hedhur dosido për një kohë të gjatë në ndonjë cep të qelisë. Me atë pamje ai vërtet të ngjallte keqardhje. Dukej sikur ai kishte vdekur prej kohësh dhe, pasi e kishin shtrirë në arkivol për rrugëtimin e mbramë, ishin kujtuar papritmas se atij i duhej të dëshmonte në një proces gjyqësor… Dhe e kishin ngritur pa mëdyshje, madje me brutalitet, e, duke e mbajtur për krahësh, e sollën në sallën e gjyqit…

Fjalët e ish-zëvendëskryeministrit ishin një mërmërimë delirante që mezi dëgjohej dhe duket se nuk u morën fare në konsideratë nga trupi gjykues. Dhe, ashtu siç erdhi, edhe iku, si kufomë. Te dera e sallës së gjyqit policët nuk harruan t’i hidhnin sërish prangat…

Në ditën e gjashtë të procesit përfundoi pyetja e dëshmitarëve.

 

Nga kronikat.

“…44 persona dëshmuan rreth çështjes penale për të cilën akuzohen të pandehurit N. Hoxha dhe K. Buxheli.

Pas këtyre dëshmive, prokurori T. Mosko e quajti të ndriçuar kuadrin rreth kësaj çështjeje mbi veprimet e paligjshme që janë kryer në ish-Drejtorinë e Pritjes dhe mbi korrupsionin e ish-udhëheqësve të lartë komunistë. Ai kërkoi të hiqet dorë nga pyetjet e mëtejshme të dëshmitarëve, kërkesë që u miratua nga trupi gjykues.

Më tej e morën fjalën ekspertët ligjorë… Ata theksuan se vendimet e Byrosë Politike mbi të cilat janë bërë shpenzime të pasurisë së popullit, nuk kanë asnjë vlerë juridike dhe fuqi ligjore, pasi bien në kundërshtim edhe me vetë kushtetutën e RPSSH të vitit 1976, ku shpallej se të gjithë shtetasit ishin të barabartë para ligjit…”.

 

Më 21 janar prokurori Mosko mbajti pretencën, ku i kërkoi trupit gjykues t’i deklaronte fajtorë të pandehurit dhe t’i dënonte ata me burg, përkatësisht ai shqiptoi 14 vjet për N. Hoxhën dhe 9 për K. Buxhelin.

Të pandehurit e mbajtën fjalën e tyre të fundit 5 ditë më vonë.

 

Intervista

Dhimitër Beshiri:

 

Zoti Beshiri, le të qëndrojmë pak te ky takim i parë i juaji me Nexhmije Hoxhën. Si e priti ajo avokatinë tuaj?

Ikja e gardianes dhe e policit të shërbimit, krijoi në zyrë disa çaste heshtjeje. Prokurori dhe hetuesi, të cilët përfaqësonin akuzën, nisën të hapnin çantat që kishin marrë me vete për të nxjerrë dosjet dhe formularët e nevojshëm për marrjen e të pandehurës në pyetje. Mirëpo, pa pritur fjalën e përfaqësuesve të institucionit të akuzës, Nexhmija iu drejtua atyre me fjalët se ishte e detyruar të ripërsëriste kërkesën e bërë më parë, se nuk pranonte vazhdimin e hetimeve në ngarkim të saj, pa iu caktuar më parë avokati që do ta mbronte në zbatim të ligjit. U desh kjo ndërhyrje që prokurori t’i bënte të njohur se avokat isha caktuar unë, Dhimitër Beshiri.

Si reagoi Nexhmija në atë rast?

Ndjeva që shikimi i saj u drejtua menjëherë nga unë. Ishte një shikim i ftohtë dhe mospërfillës, ndonëse dukej tepër vëzhgues. Dhe fjalët e para që tha ishin: Të më falë avokati, por nuk e njoh cili është, çfarë aftësish profesionale ka dhe a është në gjendje të përballojë çështjen time.

Po ju si u përgjigjët?

I thashë: E kuptoj shqetësimin që ju tregoni. Edhe unë, si edhe ju, u befasova për këtë situatë të papëlqyer për ju dhe për mua. Nuk do të kisha ardhur po ta dija se nuk ishte marrë më parë pëlqimi juaj, kërkesë kjo e domosdoshme morale, por mbi të gjitha ligjore. Vështrova me kujdes fytyrën e saj për të parë efektin e këtyre fjalëve. Ndryshoi ngjyrë fare pak, në të kuqe. Kjo më mjaftoi të kuptoja se i kishte lindur një rreze shprese. Në ato momente ajo i ngjante një të sëmure të shtruar në reanimacion, e përhumbur, e veçuar nga bota dhje në gjendje psikike të tronditur, pasoja këto të izolimit në burg. Këtyre të këqijave u shtohej edhe temperatura e ulët e motit e atyre ditëve, që për moshën e saj 71 vjeçare përballohej me shumë vështirësi.

Pra më në fund Nexhmija pranoi që ju të ishit avokat i saj?

Jo menjëherë. Në momentin kur e pandehura po largohej për në dhomën e izolimit, i deklarova se interesat e mia personale do të donin që të mos e pranonte ofertën shtetërore për qenien time avokat i saj. Gjithsesi, familjarët verifikimin e kërkuar do ta bënin shpejt, sidomos nëpërmjet kunatit të vajzës së saj, me të cilin kisha punuar në të njëjtin sektor për disa kohë. Duke shkuar për në shtëpi me autobusin e linjës urbane, përpiqesha të hamendësoja ecurinë e veprimeve që do t’u duhej të kryenin familjarët e Nexhmijes për të më njohur. Me siguri, rol përcaktues prisja të luante kunati i vajzës së saj…

Dhe, pikërisht në orën 18 ai erdhi në shtëpinë time. Erdhi vetëm. Duke qeshur, deklaroi se shokët e vjetër nuk harrohen, sidomos kur jeta të shtron për zgjidhje ndonjë hall. Tha se ndihej borxhli ndaj meje, sepse në vitin 1982 kur mua më larguan nga hetuesia, ai megjithëse më njihte mirë për veprimtarinë time hetimore, nuk kishte thënë asnjë fjalë për zgjidhjen e padrejtësisë që m’u bë në atë kohë. E ndërpreva me takt, duke arsyetuar se nuk ia vlente të flisnim për të shkuarën, aq më tepër që vjehrri i të vëllait (Enveri) kishte vdekur vite më parë, ndërsa e vjehrra (Nexhmija) ndodhej në burg. “Vërtet, tha ai. Erdha i dërguar nga dy djemtë dhe vajza e Nexhmijes. Ata të falënderojnë për pranimin e detyrës së avokatit mbrojtës të nënës së tyre, në këto momente shumë të vështira dhe delikate për të dhe ata vetë, etj.”

Po ndonjë episod tjetër çfarë iu ka bërë më shumë përshtypje?

Të nesërmen rreth orës 9 po qëndroja në trotuarin e rrugës pranë portës hyrëse të burgut të Tiranës. Prisja prokurorin dhe hetuesin, siç e kishim lënë më parë. Pas pak m’u afrua një burrë reth të dyzetave, që mbante syze optike. “Sipas përshklrimit që më kanë bërë, ju duhet të jeni avokati Dhimitë Beshiri”, m’u drejtua ai me mirësjellje. Më tej, ai më tha se ishte djali i Nexhmijes. Mendojmë se jeni avokati më i përshtatshëm për mbrojtjen e nënës tonë. Ky është jo vetëm mendimi im, por edhe i pjesëtarëve të tjerë të familjes tonë…

Ndërkohë mbërritën prokurori me hetuesin dhe së bashku u futëm në ambientet e punës hetimore brenda burgut.

Pra ju u takuat me Nexhmijen atë ditë në prani të djalit të saj?

Jo. Në zbatim të asaj që kishim vendosur më parë, e arrestuara u lejua për t’u takuar dhe biseduar me të birin vetëm për vetëm në një zyrë të veçantë, ndërsa ne qëndruam së bashku në njerën nga zyrat e tjera. Por, nuk kishin kaluar as dhjetë minuta, kur u hap dera e zyrës ku ndodheshim. Në prag të saj u shfaq Nexhmija me të birin. “më jep dorën sipas zakonit që kemi ne shqiptarët në shenjë marrëveshje dhe besimi reciprok që do të kemi sot e tutje me njëri-tjetrin”, m’u drejtua ajo. Më tej shtoj se mbrojtjen juridike, pa asnjë mëdyshje, ma besonte mua etj. Takuam duart me njëri-tjetrin duke buzëqeshur. Ky veprim përbënte për mua fillimin e veprimtarisë sime në realizimin e mbrojtjes ligjore të asaj të pandehure. Pak çaste më pas, aty ku ndodheshim, filluam nga puna.

 

Vijon nesër

Nesër do të lexoni

Fjala e fundit e ta pandehurës Nexhmije Hoxha para dhënies së vendimit

Pse nuk u transmetua një kronikë në ‘Zërin e Amerikës”

Si e shikon sot pas më shumë se 20 vjetësh atë proces avokati Dhimitër Beshiri

 

Kronikë e patransmetuar.

“Kapitulli i parafundit i gjyqit me dyer të hapura ndaj të pandehurve Nexhmije Hoxha dhe Kino Buxheli zgjati rreth dy orë. Ai u mbush me fjalën e fundit të të pandehurve si dhe me mbrojtjen që u bënë atyre avokatët.

Të dy të pandehurit, pasi përsëritën se nuk pranonin asgjë nga akuza dhe pretenca e prokurorit, iu drejtuan trupit gjykues të shpallë pafajësinë e tyre. Ata shprehën konsiderata pozitive për zhvillimin e këtij procesi gjyqësor që, sipas tyre, u drejtua me kompetencë dhe aftësi profesionale nga trupi gjykues.

Zonja Hoxha në fjalën e fundit shprehu edhe një herë pikëpamjen se akuzat ndaj saj, arrestimi dhe ky proces gjykimi bëhen për qëllime politike. Ajo e quajti të tepërt të përsëriste ato që kishte thënë gjatë procesit lidhur me akuzën, të cilën e quajti absurde. Ajo deshi të shprehte pikëpamjet dhe qëndrimet e saj lidhur me zhvillimet e sotme në Shqipëri, por meqënëse kjo nuk kishte lidhje me akuzën, kryetari i trupit gjykues nuk e lejoi.

Mirëpo ajo nuk ngurroi të deklaronte se ato që do të thoshte ishin pupla para artilerisë së rëndë nga topa të ndryshkur që po përdoren jo vetëm nga gazetarët, por edhe nga personalitete zyrtare ndaj saj dhe familjes së Enver Hoxhës.

E pandehura Nexhmije Hoxha e quajti tepër të rëndë dënimin me 14 vjet burg që kërkoi për të prokurori. Ajo e quajti këtë të barabartë me dënimin me vdekje.

Zonja Hoxha, megjithëse deklaroi se nuk do të përdorte tribunën publike të gjyqit për të shprehur pikëpamjet e saj politike, përfitoi nga rasti të sulmonte forcat politike në pushtet.

Ajo bëri një biografi të shkurtër të saj si militante e Luftës Nacionalçlirimtare dhe e quajti veten luftëtare për emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit. Ajo tha se në vitet e Luftës, fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre e kishin dënuar me 13 vjet burg, por nuk ia vunë dot prangat, pasi ajo pati dalë partizane. Fati e solli, tha ajo, që 50 vjet më vonë, pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashizmit, që, sipas saj, po ngjisin shkallët e pushtetit me revan, u hakmorrën ndaj saj, e futën në burg, i vunë dhe prangat vetëm për një ditë për kënaqësinë e tyre.

E pandehura N. Hoxha e mbylli fjalën e saj të fundit duke thënë se e priste me qetësi dhe durim çfarëdo dënimi.

Ndërsa i pandehuri K. Buxheli në fjalën e tij të fundit e quajti absurd gjykimin e tij së bashku me ish-udhëheqësit e lartë komunistë. Ai tha se kishte qënë thjesht një nëpunës që ka kryer detyrat që i kanë ngarkuar të tjerët…”.

 

Nga kronikat.

Dita e fundit e procesit. (27 janar ’93).

“Siç edhe kish deklaruar në fjalën e saj të fundit një ditë më parë, e pandehura Nexhmije Hoxha e priti me qetësi vendimin Në emër të popullit për dënimin e saj nga gjykata e Tiranës.

Kryetari i trupit gjykues, zoti M. Kushi i shpalli të pandehurit fajtorë dhe shqiptoi për Nexhmije Hoxhën dënimin me 9 vjet heqje lirie, ndërsa për K. Buxhelin me 4 vjet. Koha e vuajtjes së dënimit për ta fillon nga dita kur janë arrestuar.

Zoti Kushi i hoqi të pandehurës Hoxha akuzën për shpërdorim të detyrës, duke i lënë vetëm atë të përvetësimit të pasurisë shtetërore, por edhe këtë të zvogëluar dukshëm në krahasim me shifrat që u dhanë në fillim të procesit. Po kështu ai i hoqi të pandehurit Buxheli akuzën për përvetësim të pasurisë shtetërore, duke i lënë vetëm atë të shpërdorimit të detyrës… Zoti Kushi solli disa rrethana lehtësuese për ta dhe bëri supozime se në vjedhjet me përmasa të mëdha të pasurisë shtetërore janë përzierë edhe persona të tjerë.

Sidoqoftë, as Nexhmije Hoxha, as avokati Beshiri dhe as djemtë e saj që ishin të pranishëm, nuk pranuan të bënin komente para gazetarëve rreth këtij gjyqi dhe dënimit që u dha.

Ndërkaq, megjithëse ky gjyq është vlerësuar për rregullin dhe kompetencën juridike, në qarqe të caktuara ka patur edhe vërejtje, sidomos për akuzën që iu bë së pandehurës. Sipas disa vëzhguesve, Nexhmije Hoxha nuk duhej gjykuar për faje ekonomike. Opinioni për një gjyq me akuzën për genocid politik gjatë sundimit komunist gati 50 vjeçar është shprehur vazhdimisht në shtypin demokratik shqiptar. Po kështu, në këtë shtyp Nexhmije Hoxha është quajtur herë pas here Çian Çini i Shqipërisë dhe njeriu që ka luajtur rol kryesor negativ në zhvillimet politike në Shqipëri, si gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha, por sidomos pas vdekjes së tij më 1985.

Nga ana tjetër, shtypi e akuzon familjen Hoxha për përvetësim të sasive të mëdha të floririt shqiptar, i cili mendohet se është depozituar në banka të huaja. Në shtyp është pohuar se nga fundi i vitit 1990 ka dalë një sasi e konsiderueshme e arit shqiptar me avion të posaçëm. Për këtë ka deklaruar në TV qytetari zviceran Xhon Megou. Çështja e grabitjes së floririt është një nga pikat më të ndjeshme në opinionin publik të vendit.

Mirëpo, fjala flori ishtenjë nga fjalët që nuk u përmendën asnjëherë në procesin gjyqësor të Nexhmije Hoxhës, në një kohë që mendohej se kjo çështje do të përbënte boshtin e procesit.

Sidoqoftë, Nexhmije Hoxha do ta kremtojë pas disa ditësh në burg 72-vjetorin e saj.

Ky ishte gjyqi i parë në Shqipëri për ish-udhëheqësit e regjimit 50-vjeçar komunist. Mendohet se së shpejti do të ulen në bankën e të akuzuarve ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe zyrtarë të lartë të Partisë së Punës që tashmë ndodhen në burg ose ndiqen penalisht. Ish-presidenti Ramiz Alia në një intervistë të këtyre ditëve dhënë shtypit francez, deklaronte se filloi sezoni i proceseve.

… ka të ngjarë që gjyqet që do të pasojnë për ish-udhëheqësit komunistë do të përmbajnë akuza më të rënda se ajo e Nexhmije Hoxhës, duke nënkuptuar edhe gjyqin politik ndaj tyre”.

 

Afro katër muaj më vonë u zhvillua gjykimi në shkallë të dytë për N. Hoxhën dhe K. Buxhelin. Edhe ky gjyq u zhvillua në kornizat e gjyqit të parë. Në Gjykatën e Apelit ishin ankuar të pandehurit, të cilët nuk ishin dakort me masat e dënimit që kishte dhënë gjykata e Tiranës dhe kërkonin pafajësi, ndërsa prokuroria e Tiranës kishte protestuar nga ana e saj, duke e quajtur të pavend dënimin pas gjykimit të shkallës së parë dhe kërkonte rritjen e masës së dënimit për të pandehurit, sidomos për zonjën Hoxha.

Mirëpo, prokuroria nuk sillte fakte të reja rreth kësaj çështjeje.

 

Nga kronikat.

“…ndërsa në muajin janar gjykatës së Tiranës iu deshën mbi dy javë për të dënuar me 9 vjet burg të venë e Enver Hoxhës dhe me 4 vjet ish-drejtorin e Drejtorisë së Pritjes pranë Këshillit të Ministrave në vitet 1985 – 1990, gjykatës së Apelit i mjaftuan tre seanca brenda një dite për ta rritur në 11 vjet burg dënimin për N. Hoxhën dhe për të lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për K. Buxhelin.

Pritej që ky gjyq të ndryshonte sadopak imazhin e gjyqit të janarit, i cili tashmë komentohet si një farsë gjyqësore apo si gjyqi i kafeve.

Sikurse dihet, zonja Hoxha u dënua për disa dreka e darka familjare dhe për kafet që kishte pirë pas vdekjes së Enver Hoxhës… Mirëpo, akuzat për genocid dhe për grabitjen e floririt nuk u përmendën as në gjyqin e parë, as në të dytin.

Në gjykatën e Apelit u paraqit vetëm i pandehuri K. Buxheli, ndërsa e pandehura N. Hoxha me një letër drejtuar trupit gjykues sqaronte se nuk e shihte të nevojshme pjesëmarrjen në këtë gjykim, pasi të gjitha shpjegimet rreth akuzës i kishte dhënë në gjyqin e parë, ndërsa ngarkonte avokatin të mbronte çështjen e saj…”.

 

Më 26 gusht gjykata e kasacionit la në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit duke i dhënë fund gjykimit të Nexhmije Hoxhës në të tre nivelet.

 

 

 

 

 

July 30, 2014 06:27
Komento

8 Komente

  1. Hekali July 30, 10:40

    Te byth’ e ullirit/hajde pim’ raki/ se aty more do jap një dëshmi/ nuk ka vjedh enveri o shqiptar mavri/ hajduti ish mbrapa me emrin sali/???

    Reply to this comment
    • Myzeqeja July 30, 10:49

      E ke tundur re hekal, e ke tundur? E ke tundur siç tunden kallëmat tënë? Re hekal,- a di gje re qe do të vini prapë nën hyqmin e Fierit? Ça doni më vete ju re? Hajde re hajde te rujm’ bullicat bashkê? Dhe pastaj bëj vjersha për Fierin se ne, re ne jemi qytetërim apollon? Hajdeni re tu bëfsha,hajdeni?

      Reply to this comment
  2. Dielli mbi KORAB July 30, 10:50

    Perendija i dha jete te gjate Nexhmije Hoxhes per te pare se si u shkatrrua Shqiperia qe Enver Hoxha dhe baballaret tane ndertuan per gati 50 vjet.
    Ky eshte denimi me i madh qe i eshte dhene asaj gruaje heroike ,por dhe ne te tjerve qe besonim per te jetu me djersen e ballit dhe me nder.
    Shqipni te qofsha fale me ke bir e te kam nene.

    Reply to this comment
  3. Vlora July 30, 10:57

    O myzeqe? Po e kruan shumë nashti ti o figurë? Mos fol më se e kaluam dhe fierin në vartësine tonë? Se të erdha e ta mbusha bythën me saçme! Na quajtke kallëmat qytetëri pale? Po. Bylisin e hekalit te vlorës e harrove ti o figurë? Hekali dhe Xhevdet Shehu është yni dhe mbylle gojën se po e zgjata kërrabën të mora e të hodha mu në Sazan?

    Reply to this comment
  4. njelloj July 30, 12:39

    -..jetoi per te sfiduar..

    Reply to this comment
  5. ben July 30, 13:09

    Shtet legen e cigan, per sa kohe ne Shqiperi te vazhdoje kultura e mosndeshkimit keshtu si jevgjit e Europes do te mbetemi. Gjermania e denoi Honegerin, kudo u denuan kriminelet komuniste vetem ketu jo, dhe historia jone vazhdon me abuzime e vjedhje skandaloze. Nuk behemi njerez kurre…..

    Reply to this comment
  6. shqip hesapi July 31, 02:05

    Idene e mosndeshkimit e solli Sala,se e dinte c’do te bente vete me familjen e vet per 24 vjet duke vjedhur Shqiperine.Ka 300 dite vetem kallezime,i fusin per 6-7 dite dhe dalin ne hetim te lire.Sala,Imami,Luli, e deri tek Fullani e Cefa as qe do te thirren fare ne prokurori.Ka nje marreveshje te fshehte politike dhe ne populli alojme cdo dite me lexime.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin