Osman Aliu, gjyqtari që liroi 9 të arrestuar në 2 muaj

March 29, 2014 09:45

Osman Aliu, gjyqtari që liroi 9 të arrestuar në 2 muaj

Akuza ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Kavajës, Osman Aliu. Ministri i Brendshëm i nis letër të hapur Presidentit Nishani në cilësinë e kreut të KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Tahiri: Vendimet absurde të tij, skandaloze dhe shqetësim serioz, të merren masa. Naço përgjigjet, nis inspektimin. Nga të liruarit bie në sy një i akuzuar për përdhunim, punonjësi i CEZ për vjedhje dhe një i dyshuar për trafik armësh, që sulmoi policinë javën e kaluar. Lista me emrat, datat dhe veprat penale.

Ministria e Punëve të Brendshme akuzon gjyqtarin Osman Aliu të Gjykatës së Kavajës se ka liruar 9 persona të arrestuar për krime të rënda dhe të lehta në më pak se dy muaj, ku një prej tyre i akuzuar edhe për përdhunim. Ministri Saimir Tahiri i është drejtuar dje me një letër zyrtare dhe publike, Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe kolegut të tij të Drejtësisë, Nasip Naço, ku shpreh shqetësimin e përsëritur në lidhje me gjyqtarin që sipas letrës ka marrë vendime skandaloze. Bien në sy lirimi i një të dyshuari për përdhunim, i punonjësit të CEZ për vjedhjen e 1 milionë lekëve të arkëtimeve dhe të një trafikanti të dyshuar armësh që sulmoi edhe policinë.

 

Letra e ministrit

“Vendimet absurde dhe shpeshherë haptazi të kundërligjshme të këtij gjyqtari, përbëjnë shqetësim serioz për Policinë e Shtetit, e cila gjendet e detyruar të luftojë kriminalitetin ndaj të njëjtëve njerëz, që riciklohen të lirë në shoqëri nga vendime të tilla, tërësisht skandaloze”, shkruan ministri në letrën e tij. Më tej i kërkon kreut të shtetit në cilësinë e kryetarit të KLD-së që të marrë masat e duhura ndaj gjyqtarit. Përgjigjen e parë e ka marrë nga ministri Nasip Naço, që urdhëroi menjëherë ngritjen e një grupi inspektimi dhe dërgimi i tij në Gjykatën e Kavajës për kontroll të dyshimeve të ngritura. Kurse Presidenca nuk ka dhënë ende një reagim publik, ndërsa pritet që kreu i shtetit të vendosë nëse do e fusë në rend dite në mbledhjen e radhës në KLD diskutimin për vendimet e gjyqtarit Osman Aliu. Bashkë me letrën, ministri i Brendshëm ka dërguar edhe materialin dhe dosjen e plotë për të 9 precedentët që vërtetojnë shkeljet e gjyqtarit. Rastet i përkasin dy muajve të fundit, shkurt-mars 2014. Fakt interesant është se prokuroria ka qenë pothuajse në unison me policinë në këto raste dhe nuk ka kërkuar për asnjë lirim nga akuza.

 

Vendimet e gjyqtarit

Vendimi i parë është marrë më 5 mars, ku Aleksandër Tafa, i akuzuar për përdhunimin e një të miture, është liruar nga Aliu, kurse Apeli e ka rikthyer në qeli. Kurse një ditë më pas, gjyqtari liron pa masë sigurie Kujtim Shalën, që sulmoi në detyrë punonjësit e CEZ. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në 7 shkurt, kur ka liruar pa masë të dyshuarin Fatjon Metushi për vjedhje, por Apeli e rikthehu në qeli. Më 25 shkurt, Ermir Gjuzi u arrestua për korrupsion ndërsa ishte punonjës i CEZ dhe dyshohet për përvetësimin e 1 milion lekëve, por gjyqtari as nuk ka vendosur masë sigurie dhe as e ka zbardhur, duke penguar prokurorinë në apelim. Më 16-17 mars janë katër vendime lirimi pa masë sigurie për 3 të dyshuar për drejtim mjeti pa patentë dhe një për dhunë në familje. I njëjti vendim edhe më 20 mars për akuzën drejtim mjeti pa patentë. Kurse një nga rastet më skandaloze vlerësohet ai i lirimit të Kujtim Prroshkës, i cili u arrestua gjatë një operacioni fundjavën e kaluar në aksin Rrogozhinë-Kavajë, pasi iu sekuestruan në banesë dhe makinë një sërë arsenali armatimi dhe fishekësh që dyshohet se i trafikonte. Madje jo vetëm kaq, por gjatë aksionit goditi në postbllok efektivët e policisë duke i lënduar me mjetin e tij. Gjyqtari Aliu akuzohet se më 23 mars, në masën e sigurisë ka lënë të lirë të dyshuarin në sallën e gjyqit, duke mos vendosur masë sigurie.

 

 

Lista me 9 rastet e gjyqtarit Osman Aliu:

5 shkurt

Aleksandër Tafa, i akuzuar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, për të cilin prokurori kishte kërkuar “arrest me burg”, është liruar në sallën e gjyqit. Në 12 shkurt, Gjykata e Apelit e rikthen në qeli.

 

6 shkurt

Kujtim Shala, akuzuar për kanosje të punonjësve të CEZ dhe Policisë, për shkak të detyrës. Prokurori kërkoi “detyrim paraqitje”, gjyqtari e liroi në sallë pa masë.

 

7 shkurt

Fatjon Metushi, akuzuar për vjedhje, prokurori kërkon arrest me burg, gjyqtari e liron pa asnjë masë dhe Gjykata e Apelit e rikthen të akuzuarin në burg nën masën e arrestit.

 

25 shkurt

Ermir Gjuzi, punonjës i Task-Forcës së CEZ, akuzohet se ka përvetësuar 1 milion lekë nga persona të ndryshëm në shpërdorim të detyrës. Gjyqtari nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për të dhe nuk ka zbardhur ende vendimin, megjithëse ka detyrim që ta kryejë brenda 5 ditësh, duke penguar prokurorin ta apelojë vendimin.

 

16 mars

Marsel Prifti, prokurori ka kërkuar “detyrim paraqitje” për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt, gjyqtari e ka liruar menjëherë nga salla e gjyqit pa asnjë masë sigurie.

 

17 mars

Nebi Hoxha, prokurori kërkon “detyrim paraqitje” për dhunë në familje, gjyqtari e vlerëson ndalimin të paligjshëm, e liron në sallën e gjyqit, çështja është apeluar.

 

17 mars

Saimir Tatani, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon “arrest me burg”, gjyqtari e liron në sallën e gjyqit, pa asnjë masë sigurie.

 

20 mars

Ardjan Alimadhi, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, prokurori kërkon detyrim paraqitje, gjyqtari e liron në sallë pa asnjë masë.

 

23 mars

Kujtim Proshka, është liruar në sallën e gjyqit, ndërsa prokurori ka kërkuar “arrest me burg”, pasi kundërshtoi forcat e policisë, u kap me armë luftarake dhe armë gjahu e municione pa leje. Gjyqtari nuk vendosi asnjë masë për të, e liroi në sallën e gjyqit.

 

 

Naço nis inspektimin: Nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi me detyrën

I menjëhershëm reagimi i ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, pas letrës së ministrit të Brendshëm. I vënë në dijeni për dyshimet që bien mbi gjyqtarin Osman Aliu, për 9 rastet e evidentuara nga 5 shkurti deri më 23 mars, në më pak se dy muaj, kreu i dikasterit ka ushtruar kompetencat që i jep ligji “mbi ushtrimin e inspektimit”, në Gjykatën e Rrethit Kavajë dhe Gjykatën e Apelit Durrës.

Në një njoftim zyrtar, Ministra e Drejtësisë konfirmoi lajmin se ministri Nasip Naço ka urdhëruar ushtrimin e inspektimit në dy gjykatat, me objekt: “Verifikimin e zbatimit të dispozitave procedurale penale dhe administrative, nga gjyqtari Osman Aliu, në gjykimin e kërkesave për vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal”. Gjithashtu sqarohet se inspektimi i veprimtarisë së gjyqtarit Osman Aliu ndërmerret mbi bazën e shqetësimeve të paraqitura nga Ministria e Brendshme dhe do të përfshijë vendimet gjyqësore të shpallura nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe Gjykata e Apelit Durrës, për periudhën 1 janar 2014, deri më 28 mars 2014. “Ministri Naço inkurajon pavarësinë e sistemit gjyqësor përmes zbatimit të ligjit dhe shpreh vullnetin maksimal të institucionit që ai drejton se nuk do të tolerohet asnjë rast abuzimi me detyrën”, mbyllet njoftimi i dikasterit.

 

 

 

March 29, 2014 09:45
Komento

7 Komente

  1. Eli March 29, 09:53

    Vetem ne burg se atje e shikon drejtsin te shkruar….po helbete po qe se je krahu i Saliut keshtu do veproj….ose me nente muaj kurs plepash aq dijeni ka i shkreti.

    Reply to this comment
  2. Horri i Bulevardit March 29, 10:10

    I liroi nga halli, se kur ju turr gruaja ne shtepi, duke i gerthitur se , Je burre i pazot, te tjeret, shoket e tu, po ndertojne vilen e katert ne bregdet, kurse ti me zorr bere vilen e dyte.
    Dhe gjyqtari i Kavajes, ra ngushte dhe ka menduar te beje nje aksion lirimesh, per kriminelet, se keta paguajne shuma te medha, qe te hece me hapin e kolegeve te vet.
    Po te lironte nga burgu hajdute cunake qe vjedhin nje celular, sdo te kishte ndonje fitim, vetem kriminelet e rangut profesionist, paguajne shuma te medha.

    Reply to this comment
  3. Pëllumb zaimi March 29, 10:17

    Kujt lloji gjyqtari i përket 0sman aliu: 1.gjyqtarit të keq 2.gjyqtarit shume te keq 3.gjyqtarit monstër 4.gjyqtarit zero me xhufkë apo 5.gjyqtarit shpellar ??? Kush e gjen emërohet menjëherë keshilltar juridik në presidencë dhe përfiton kafe me sa bishta të dojë. Këto të fundit i ka nga unë. Përgjigjet pranohen deri më 24.00,sot.

    Reply to this comment
  4. Ilir March 29, 11:53

    KETA FUSNI NE BURG OR LAMASHER E JO MERRENI ME HAJDUTA PULASH

    Reply to this comment
  5. hosteni March 29, 13:39

    moni liron apeli shtrengon ,,,ne perfundim leket i ndajne ne dysh,,,,,,,,,,,!!!!!!!!!!!!!1

    Reply to this comment
  6. Jozi March 29, 15:28

    KTA GJYQTAR INDAJN LEKET ME NISHANIN SHIKONI DO MAR MASA NISHANI SE KESHTU THOT GJITHMON KY GJYQTAR EKAM MIK NISHANIN SME BEJN DOT GJE SA TE KEM NISHANIN

    Reply to this comment
  7. Arben March 30, 05:47

    NACO KA GJYQTARIN E FIERIT PIRO QE LIROI FATMIR KAJOLLIN I DENUAR NE ITALI.

    LE TE MERRET ME TE PO JA MBAJTI.

    KAJOLLI I KA DHENE PARA ILIR METES PER FUSHATE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*