Gjysma e panjohur e “shqiptarit të Tbilisit”

May 31, 2019 13:43

Gjysma e panjohur e “shqiptarit të Tbilisit”

-Në  85 vjetorin e vdekjes

Nga  Naun  Kule

Tetëdhjetë e pesë vjet më parë, në senatoriumin Gulprisht (Shtëpia e kuqe), të qytetit të Suhumit në Republikën kaukaziane të Gjeorgjisë, (B.S.), mbylli sytë njeri nga  idealistët revolucionarë shqiptarë, mësuesi  dhe  luftëtari demokrat, atdhetari dhe dijetari i shquar, Naun Doko Prifti,-Libofshë,1896-Tbilis,maj, 1934- ish student ekselent, profesor  dhe drejtues i Universitetit  të Transkaukazisë në vitet 1926-1934). Vdiq 38 vjeç.

   Në vjeshtën e vitit 1961, mbërritën në qytetin e Fierit materialet; objekte  pune  dhe disa relike personale të “shqiptarit të Tbilisit” siç e thërrisnin  Naun Priftin. Një marrëveshje ndërshtetërore mes  qeverisë shqiptare dhe asaj të Bashkimit Sovjetik (Republikës së Gjeorgjisë), sollën në vendlindjen e Naunit dëshmi të paçmuara, objekte të punës dhe të jetës së tij publike dhe private me të cilat, u hap në Muzeun e Fierit, një pavion i posaçëm për atdhetarin dhe dijetarin e shquar, Naun Prifti.

  Pikërisht në vitet e fundit të miqësisë shqiptaro-sovjetike, një ishstudent i profesorit Naun Prifti, vjen në Shqipëri  si këshilltar ushtarak,  i nxitur edhe nga  dëshira  të  zbulojë dhe bëjë bashkë  djepin dhe varrin e  idhullit të tij,  profesorit Naun Prifti…

            -Duke kërkuar  “djepin…”

                                         

….Kishte mbërritur në Shqipëri në kohë të këqia. Gjithkund, mjegull dhe turbull. Kohë e prishur, ku trazohej e bëhej lëmsh  detyra e inxhinierit me ushtarakun, e këshlltarit me politikanin, e sekretarit me komandantin, me komisarin…Eh…!

Sa shumë kishte shpresuar. Sa plane  dhe dëshira kishte marrë me vete në këtë rrugë të gjatë  dhe të panjohur. Pa e ditur çdo t’i dilte përpara, çdo të merrte dhe jepte nga gjithësa kërkonte dhe dinte mbi të. Dinte nga ai dhe kërkonte nga të tjerët…

Por, të tjerët këtu, qënkeshin tjetër gjë… Në tjetër vend, në  tjetër shtet.. Apo në tjetër kohë…?!

Për të ardhur në Shqipëri, kundërshtoi shërbimin disamuajor në njerin  nga vendet e Europës lindore, ku do të ishte më komod, më i paguar, më afër.-Dua të shkojë në Shqipëri! i tha shefit.

-Kam rast të njoh vendlindjen e ishprofesorit tim, Naun Priftit. Fëmijërinë e tij, të tijtë…Jemi disa ishstudentë të tij në këtë mendje  …E kemi dashur dhe admiruar për vite me radhë si shok dhe profesor, si shef dhe sëfundmi si titullar i Universitetit ku u diplomuam. Na deshte dhe e donim.  Por…sa herë binte fjala për më shumë, ngrinim supet. Dinim që ishte shqiptar, ardhur kush e di pse dhe as se si. “Shqiptari i Tbilisit” e thërrisnin. Aq më pak dinim asokohe për Shqipërinë, atdheun e tij.  Ishte një  enigmë, por edhe dëshirë,  edhe kureshtje. Ndaj, ua kërkova shefave kur lexova se   edhe në Shqipëri   do shkonin këshilltarë rusë…

…Mirëpo, qenkam vonuar. Madje, shumë. I gjori njeri; i mat gjërat me aq sa sheh dhe dëgjon. Tek e sheh të qetë dhe të dystë sipërfaqen ujore të detit, nuk ndjen përplasjet e  dallgëve dhe rrymave ujore në thellësirat e tij të ftohta…

Këtë ftohtësirë e ndjeu që në javën e parë të ardhjes në Shqipëri. Kolegët rusë që po zëvendësonin,  po iknin nga sytë-këmbët, duke sharë e  shfryrë pa e ditur se kë dhe përse? Iknin, nxitonin, merrnin, mblidhnin…! Po, gjithënjë të heshtur si peshku dhe të ngarendur si minjtë, në të vetëndierën e një termeti shumëbëllsh. Gjithkush ndjehej si ndër shkallët e një pallati që priste rrokullimën me themeli.Ndërsa ai  dhe shokët sapo kishin zbritur.

Ndoshta për ta ruajtur ende imazhin e miqësisë?

…Ja, specialistë e këshilltarë rusë ikin, por të tjerë vijnë; transferohen, qarkullojnë…Paçka se me udhëzime të reja, për punë të…reja!? Kjo ishte ana e lexueshme e medaljes.

Gjithësesi, tani ai dinte më shumë. Dinte mirë edhe pse   kishte ardhur. Shefat e tij dinin edhe pse e kishin dërguar…

Ja, pikërisht këtu; tek ajo që dallonte vetardhjen nga dërgesa e shefave, qëndronin drama dhe vlera, dyzimi dhe mëdyshja; e asaj që kërkonte shteti i tij dhe asaj që i kërkonte vetvetja, shpirti dhe zemra, çka sëfundmi,  herë-herë e  cyste  si një  përkushtim  i vetëndjerë dhe i  dalë për zot…

… Por, ç’kishte arrirë? Sigurisht,  jo gjithçka pat hamendur në nisje. Por mes krisjeve dhe kërcitjeve që po dëgjoheshin gjithë një e më shumë nga përplasjet mes dy shteteve, nuk kishte bërë pak. Kishte plotësuar një peng; mall dhe dëshirë të tijën, të shokëve dhe bashkëqytetarëve në Tbilis. Po ndriçonte një enigmë, gjysmën e panjohur të asaj që  njihnin për “shqiptarin e Tbilisit”.

Këtej e tutje, do ishte i vetmi njeri ndër shokët dhe bashkëvendasit, që njihte dhe mund të bashkonte në një, gjysmat e jetës dhe të veprës së profesorit dhe mikut të tyre, Naun Priftit, fëmininë dhe rininë e tij  në Shqipëri, me “gjysmën” tjetër, studentin, profesorin, drejtorin e Universitetit të tyre, në Tbilis…

Pas këtyre muajve këtu, kishte mbetur vetëm pjesa e fundit e  detyrimit të tij madhor, e premtimit ndaj vetes dhe shokëve.   …Tanimë, kthimi  qe vendosur dhe po bëheshin gatitjet.

***

 

                      -Në vendlindje; te ”varri në këmbë” i profesorit

 

Ndjenja e të qënit punëmbaruar e gëzonte deri sa përplasej me ftohtësirën e një pasigurie për çka do të mbarte në kthim.

Kjo e brente, e mëdyshte në gëzimin e pritshëm, në çuarjen e   gjetjeve atje ku i  prisnin miqtë. Kur i sheh në valizhe, mbledhur e siguruar me aq merak, i duken pak. Shumë pak nga sa priste të gjente; të njihte dhe prekte nga jeta e profesorit të tij, nga kjo; gjysma e panjohur e asaj jete, si të ishte fjala për themelin e nje ndërtese shumëkatëshe, ngritur e pasuruar me aq emër dhe përkushtim ndër ne, sa ende në përvjetorët e jetëvdekjes së tij, mblidhen dhe çojnë lule në shtëpinë e tij, në rrugën“Çereteli” në Tbilis. Por, paçka sa dukeshin të mbledhurat për në kthim, në shpirt dhe në mendje, ishte plot. I mbushur me mbresa, kujtime dhe surpriza të pashlyeshme, sa i dukej se jeta tashmë i kishte marrë tjetër përmasë dhe përmbajtje  Se nuk mund ta kuptonte më veten jashtë dhe veç, asaj që e zotëronte prej muajësh. Nga ajo çka e solli në këto kodra dhe rrëpira shqiptare dhe po e përcillte, gjithësesi, të shumëfishuar. Madje, me tjetër kuptim për veprën dhe jetën e idhullit të studentërisë së tij. Brenda tij, profesori,  titullari, “shqiptari Tbilisit”, ishte madhuar e burrëruar, qe rritur e  shtuar me të tjera vlera..!

Ja, dita po zbardh dhe ai ende mediton e çmallet duke parë. Detyra si këshilltar ushtarak e ngjiti gjer këtu, në Ardenicë, në këtë ballkon të Myzeqesë, ku kodrat dhe pyllishtet po mbillen me tunele, tanke dhe reparte ushtarake…? Majë kodrës, nën hijen e manastirit të lashtë dhe selvive të larta, ngado që kthehet, përballet me bukuri të parrëfyera…

Në lindje, tek del nga mugu i natës,  lartohet Tomorri aq pranë, si një karakoll që mbron dhe bënë zap gjithësinë nën vete.

Në juglindje, “buajt e murrmë” të Shpiragut qarkojnë fshatrat e Sinjës, si  palat e stërmëdha të një  bruce gjigante. Tej, në perëndim të fushës së pamatë, në sipërfaqen e paqtë të detit, yjëzojnë dritat e anijeve mbi të cilat tallazitej jeta e peshkatarëve dhe udhëtarëve. Deti..!Udhët e kaherëshmne të këtyre njerëzve….!

Edhe profesori i tij,  Naun Prifti, që këtej e nisi udhën? Ky det e koloviti për ta sjellë e përplasur aq larg e aq dhimbshëm…? Për ta degëdisur maleve  e udhëve të Kaukazit, gjer tek ne..?!

Ne, njihnim vetëm mbërritjen, lartimin dhe…fundin e tij të dhimbshëm, të parakohshëm,  38 vjeçar…!

Ja, pra, këtu qënka nisja ! Këtu nis rruga dhe rruginat e shumta nga shkoi dhe shkeli “shqiptari i Tbilisit” për të mbërritur  gjer tek ne. Ja, këto i njohu, i preku… Kjo e gëzonte. Ia përligjte gjithë lodhjet, ecejaket e shumta, grindjet e shpeshta për ç’donte të vilte nga njerëzit këtu, frika se po futej në listat e të dyshuarve, se po i binte ndesh direktivës, porosive…?!

…Në nisje i udhëzuan për kujdes sepse:

“Shqipëria po e tradhëtonte marksizëm-leninizmin…se Nikita Hrushovi e paska kritikuar rreptë Enver Hoxhën si sektar, dogmatik e kokëfortë…”

Ndaj frikej se takimet me shqiptarët këtu vëzhgoheshin nga shumë sy dhe shkruheshin në disa blloqe…

Por të gjitha, hallall..! Nga gjithësa kishte parë dhe   marrë për në kthim, tri foto i veçonte si reliket më të vyera. Njera foto ishte kjo, e Ardenicës, e ishshkollës  dhe bibliotekës së dëgjuar në këtë manastir. Në këto dyer dhe mure të lartë shihte hyrjedaljet e profesorit të tij, kacavjerrjet  drejt ngjitjes në jetë.

Në shkollën e dëgjuar të këtij manastiri, Nauni kishte kryer shkollën e mesme në greqisht.

Nga më të lartat për kohën dhe vendin. Që fëmijë kishte shfletuar këtu bibliotekën e “begaçme” të këtij manastiri me libra në disa gjuhë. Në afresket e këtij kompleksi arkitekturor Nauni, pa dhe mësoi për pikturat e Onufrit dhe muzikën e Jan Kukuzelit, për veprën ikonografike të Zografëve dhe atë kulturore të Akademisë së Voskopojës, sjellë    këtu nga  diturakët si Nektar Terpoja…

…Fotoja e dytë ishte e Libofshës, e marrë nga lart, nga kodra e varrezave të kishës së  shen Gjergjit, ku preheshin të parët dhe prindërit e Naunit. Fotoja u përsërit disa herë me shpresë të  kishte brenda edhe sinoret e shtëpisë të Dokove, ku kishte lindur, qe mëkuar e mëkëmbur, profesori i tij.

E treta foto ishte ajo e bustit të tij, ngritur mes qytezës së vendlindjes-Libofshës, i lartuar mbi një piedestal mermeri. Kishte shkuar si rastësisht deri  pranë bustit dhe një koleg i besuar i fotografoi bashkë. Kjo foto i dukej aq e çmuar sa e mbante për pasuri…! E kishte parë e riparë disa herë. Kopje të saj i fshehu  edhe ndër xhepat e kostumeve. Tani e shihte sërish dhe i gëzohej   si fëmijë. Kishte marrë me vete dëshminë më  të vyer, më të vlefshme për gjysmën e panjohur të profesorit dhe mikut të tij. Kishte marrë monumentin si dëshmi  të përjetësisë së tij..!

Do kishte me vete “varrin e tij në këmbë”, për ta bërë bashkë atje, në Gjeorgji, me varrin e “shtrirë” të “shqiptarit të Tbilisit”…

Kësisoj, jeta dhe vepra e  dijetarit  dhe profesorit të tij, Naun Priftit, rritej e madhohej në sytë e ishstudentit, duke u shtrirë ndër shtete e kontinente, përtej maleve kaukaziane të Transkaukazisë,  për tu bashkuar në një të vetme; djepi me varrin atje, në atdheun e   dytë të  Naunit, ku mbështeti kokën dhe prehet ende…

***

      -Gëzohem që munda t’i shërbejë mëmës  Shqipëri..!

 

..Fjala e oratorit dëgjohej larg. Njerëzit mbanin këmbët dhe grupoheshin para Muzeut historik të qytetit të Fierit. Kishin sjellë nga  Tbilisi i Gjeorgjisë disa objekte personale të dijetarit e atdhetarit Naun Doko Priftit. Do të vendoseshin në një pavion të posaçëm të Muzeut…Njerëzia mbushën sallën. Në pëshpërimën dhe fytyrën e gjithkujt shihej dhimbja dhe krenaria. Vizitorët çapiteshin ngadalë me sytë mbi relike. Relike të ardhura nga larg, shumë larg…Por që ua sillnin aq pranë të dashurin e tyre, Naunin…! Zoica dhe Pina, motrat e Naunit, mbanin nga krahu Lenën. Apo Lena mbante ato ? Kunatat që s’u bënë dot kunata. Po shoqe u bënë. I bëri brenga dhe dashuria e përbashkët, dhimbja për të njëjtin njeriSytë sepse u mbetën në krevatin e Naunit, në jastëkët, çarçafët… Të gjithë të pazbukuruar. Asnjë  qëndisje, lule a nojmë…Edhe krevati tek…?

Më tej tavolina e punës, abazhuri, librat..

“…Nëse krushqia nuk u bë jo për fajin tonë, miqësia me ata njerëz të mirë e të nderuar, nuk ka pse të prishet…” i shkruante Nauni kushëririt në Libofshë, për ish të fejuarën, Lenën dhe familjen e  saj…

Oratori shoqëronte fjalën me pjesëza nga letrat eNaunit:”I dashur A

…Sa herë m’u dha rasti për të përmbushur detyrat ndaj atdheut, u gjenda në ballë. U burgosa dhe u plagosa…Sot gjendem në mërgim, në dhera të huaja. Por jam i gëzuar që m’u dha rasti të vuaj edhe unë për mëmën tonë, Shqipëri..!

…Mbi tavolinë, një foto e Naunit. Njerëzit sikur flisnin me të. Gjithëçka përqark ishte e tij. Po ai vet? Doemos, ishte aty. Ishte aty në gjithçka deshi; në gjithçka ëndërroi dhe bëri për njerëzit… Sytë e të gjithëve përnguleshin në sytë e tij vetullash, në ballin e gjërë dhe fytyrën ovale, si të prisnin nga ai vetëm fjalët…Por fotoja vetëm shihte. Punonjësi i muzeut shtypi sustën e abazhurit. Librat, njerëzit pranë, gjithçka mbi tavolinë u mbulua nga drita…Nga ai mjedis i lartë dhe i ndritshëm, Nauni fliste, fliste..!

Maj, 2019

May 31, 2019 13:43
Komento

1 Koment

  1. Alban June 1, 21:51

    Une nuk mora vesh nga ky shkrim se kush ishte Naum Prifti, shqiptari kaukazian. Autori hiqet si letrar por biografine, aktivitetin dhe arsyen pse perfundoi ne Tiblis ky shqiptar i ditur nuk na e thote, ashtu si dhe rethanat e vdekjes se tij te parakohshme…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim