Globalizimi i shoqërisë dhe imagjinata sociologjike  

February 21, 2019 15:50

Globalizimi i shoqërisë dhe imagjinata sociologjike   

Prof. Fatos Tarifa

(Pjesa I)

Ç’është imagjinata sociologjike?

Përpara se të përpiqem të shpjegoj përmbajtjen e konceptit “globalizim”, zanafillën e procesit globalizues të shoqërisë dhe tiparet esenciale të tij në kohën tonë, dëshiroj të shpjegoj një prej koncepteve më të rëndësishëm në sociologjinë bashkëkohore, atë çfarë C. Wright Mills e quante “imagjinatë sociologjike”.

Ju, lexues të nderuar, mund të thoni: Çka të bëjë imagjinata sociologjike me subjektin e këtij leksioni.

Sqarimi im, me pak fjalë, do të ishte ky: Imagjinata sociologjike është ajo aftësi e jona, që mundëson të kuptojmë kontekstin e gjerë historik në të cilin jeton e vepron çdonjëri nga ne, si individ, dhe si pjesëtar i një shoqërie të dhënë.

Ju përsëri mund të pyesni: “Pse duhet një aftësi e veçantë për të kuptuar kushtet e jetës sonë shoqërore”? A nuk e kemi të gjithë këtë atribut?

Sigurisht, imagjinata sociologjike nuk është një atribut vetëm i njerëzve që merren me studimin e shoqërisë, por një cilësi që mund ta zhvillojë kushdo. Megjithatë, jam i sigurt se shumë prej jushe dëgjojnë për herë të parë këtë term, edhe pse, pa e ditur, e keni përdorur dhe e përdorni vazhdimisht imagjinatën tuajsociologjike në jetën e përditshme dhe në bashkëveprimet tuaja me njerëz të tjerë, njëlloj si borgjezi fisniki Molierit, që, për 40 vite me radhë, kishte folur në prozë pa e ditur këtë.

Ç’është, sipas Mills-it, imagjinata sociologjike?Me “imagjinatë sociologjike”, Mills kuptonte atë “aftësi të mendjes”, e cila na mundëson të kuptojmë mënyrat se si biografia jonë, si individë, ndërthuret me rrjedhën e zhvillimeve historike; ajo na ndihmon të kuptojmë se ç’ndodh në botën shoqërore që na rrethon, si dhe ta shpjegojmë atë që ndodh.Me fjalë të tjera, imagjinata sociologjike nandihmon të kuptojmë faktin që ne jemi njëherësh individualë dhe socialë, unikë dhe të zakonshëm, privatë dhe publikë. Ajo na ndihmon që t’i shohim e t’ikuptojmë shqetësimet tona personale si pjesë të problemeve më të gjera të shoqërisë në të cilën jetojmë.

Tehu kritik i një perspektive të tillë është të kuptuarit e faktit se si kultura bashkëkohore, duke nxitur individualizmin dhe duke u fokusuar në problemet e individit, injoron ose minimizon faktin që, si “kafshë shoqërore”, pavarësisht personaliteteve tona gjoja “unike” dhe të preokupimeve tona “private”, ne të gjithë jemi të varur nga familja, nga shokët, nga sistemet politikë, nga koorporatat, nga grupe të gjera shoqërore dhe nga institucionet në të cilat bëjmë pjesë.

Sot jetojmë në një shoqëri materialiste, mes një bollëku që asnjë shoqëri tjetër nuk e ka njohur më parë. Në këtë shoqëri, përparësi i jepet pushtetit dhe posedimit të pasurisë, pra gjësë materiale dhe jo diçkaje kaq të padukshme, si shpirti human.Imagjinata sociologjike na ndihmon ta kuptojmë e ta shpjegojmë pse ndodh kështu.

Sot jetojmë në një shoqëri teknologjike, që karakterizohet nga një ritëm marramendës, dhe nën presionin e këtij ritmi. Për këtë shkak, shumë herë bëhet e vështirë të mendojmë në mënyrë kritike e të reflektojmë mbi kuptimin dhe qëllimin e jetës sonë, pasi ky ritëm e bën të vështirë të shohim perspektivën e gjërave.Kompjuterat që përdorim janë të mbushur me të dhëna, por të zbrazur nga dituria. Ne kemi sot të gjitha përgjigjet që do të na duhen ndonjëherë; ato çfarë na mungojnë janë pyetjet, ato pyetje, të cilat, nëse i gjejmë, mund t’u jepnin kuptim dhe qëllim të gjitha fakteve të zbrazëta që posedojmë.Imagjinata sociologjike na ndihmon t’i shtrojmë këto pyetje, t’i kuptojmë ato dhe t’u gjejmë përgjigje.

Ne jetojmë në një hiperkulturë, një kulturë që lëviz shumë shpejt për të qenë humanisht e dobishme.Në jetët tona sundohemi nga pushteti i së tashmes, nga pushteti i një së tashmeje insistuese, që nuk njeh asnjë dimension tjetër kohor.Në një shoqëri të tillë, pak gjëra zgjasin, ose mendohet se duhej të kishin jetëgjatësi. Në të kundërt, ne rrethohemi nga një fluks i pandërprerë dhe, për rrjedhojë, duket se nuk ka vend për një përkushtim pasionant, përsa kohë që nuk ka asgjë të përherëshme, së cilës t’i përkushtohemi.Imagjinata sociologjike na ndihmon të kuptojmë se nuk kapse të ndodhë domosdo kështu.

Rrallë shohim një ndjenjë obligimi ndaj njëri-tjetrit, ose një ndjenjë obligimi ndaj çdo gjëje që është jashtë Unit tonë tranzitor.Kudo që shkojmë, sundohemi nga një urgjencë në bërjen e gjërave. Kjo nuk është një urgjencë e natyrshme, por një urgjencë elektronike, që invadon jetët tona dhe që kërkon prej nesh që t’u përgjigjemi me shpejtësinë e dritës të gjitha kërkesave e nevojave që na imponohen nga jashtë. Është e njëjta urgjencë false që po e çjerr përherë e më shumë fabrikën e jetëve tona.Imagjinata sociologjike na ndihmon të kuptojmë pse ndodh kështu dhe ç’mund të bëjmë për t’i shpëtuar këtij “fataliteti”.

Si sociologë, ne mund të shtrojmë tri pyetje esenciale:

(1) Cila është struktura e shoqërisë së sotme si një e tërë? Cilët janë komponentët përbërës esencialë të saj dhe si lidhen ata me njëri-tjetrin?Si ndryshon kjo strukturë nga ajo e sistemeve të tjerë shoqërorë?Brenda vetë sistemit të sotëm shoqëror, cili është kuptimi dhe roli që kanë tiparet e veçantë të tij në qëndrueshmërinë e sistemit ose në ndryshimin e tij?

(2) Si është sistemi shoqëror i sotëm në krahasim me sistemetë tjerë para tij? Cilët janë ata mekanizma, përmes të cilëve sistemi i sotëm po ndryshon dhe pse?Cili është vendi, rëndësia dhe kuptimi i tij në zhvillimin e njerëzimit në tërësi?

(3) Ç’llo burrash e grash janë ata njerëz që përcaktojnë natyrën e shoqërisë së sotme? Çfarë lloji njerëzish do të jenë ata që do të mbizotërojnë në të ardhmen? Në ç’mënyra janë formuar njerëzit e sotëm, si janë çliruar ata dhe si vazhdojnë të jenë të shtypur, ç’farë i sensibilizon dhe çfarë i tjetërson ata?

  1. Wright Mills argumentonte se imagjinata sociologjike i mundëson individit që të kuptojë kontekstin e gjerë historik në të cilin ky individ jeton dhe vepron. Nga ky këndvështrim, unë ju ftoj, lexues të nderuar, qëtë reflektoni mbi përmbajtjen e nocionit “imagjinatë sociologjike”për të kuptuar, përmes saj, lidhjet dhe ndërveprimet që ekzistojnë mes kushteve reale të jetës dhe biografisë së gjithsecilit prej nesh, nga njëra anë, me zhvillimet dhe tendencat historike kryesore të kohës sonë, ndër to edhe me proceset globalizuese, të cilat të gjithë nei përjetojmë në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme, si dhe lidhjen mes preokupimeve tona personale dhe çështjeve sociale bashkëkohore.

“Fruti i parë i kësaj imagjinate dhe mësimi i parë i shkencës sociale, që mbështetet në të”,thoshte Mills, “është ideja se individi mund t’i kuptojë eksperiencën dhe fatin e tij vetëm duke e vënë veten në kontekstin e kohës së vet; se ai mund t’i kuptojë shanset që ka në jetë vetëm nëse kupton shanset që kanë edhe individë të tjerë në kushte të njëjta me të. Në shumë mënyra, ky është një mësim i tmerrshëm; në mënyra të tjera, ky është një mësim i madh”.

Në çka vijon më poshtë unë përpiqem të shpjegoj kryesisht tri gjëra: (1) ç’duhet të kuptojmë me “globalizim” të shoqërisë, (2) kur dhe si ka nisur procesi i globalizimit dhe (3) cilat janë tiparet që e karakterizojnë sot këtë proces.

Ç’është globalizimi?

Unë jam tërësisht i vetdijshëm se kam zgjedhur të shkruaj sot për një subjekt, për të cilin, çdonjëri nga ju është i mirinformuar, çka e bën të vështirë pozicionin tim Por, gjithashtu, jam i vetdijshëm se ky është një subjekt i pashtershëm, ndaj edhe besoj se do mundem të them diçka “të re” për një pjesë të lexuesve të kësaj gazete.

Që në fillim dua të vë në dukje se,një ndër problemet kryesorë që ndeshet kur flitet për globalizimin është se ai është rezistent ndaj kritikave. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me faktin se globalizimi konsiderohet përgjithësisht si një fenomen i paevitueshëm, as me faktin se ai është një fenomen tepër kompleks (edhe ekonomik, edhe politik, edhe juridik, edhe teknologjik, edhe kulturor) dhe, për këtë arsye, askush nuk mund të jetë tërësisht kompetent në të gjithë këta aspekte.

Koncepti mbi globalizimin u reziston kritikave për shkak se vetë globalizimi është sfidonjës ndaj çdo përkufizimi që mund t’i bëhet atij.

Termi “globalizim” nënkupton një proces ndryshimi, por ky ndryshim nuk ka ndonjë terminus a quo (pikënisje) apo terminus ad quem (pikëmbrritje) të përcaktuar.

Prej këtej, natyrshëm mund të shtrojmë dy pyetje thelbësore:

(1) Kur ka filluar shoqëria njerëzore të globalizohet? Me fjalë të tjera, a është globalizimi ende në stadet e parë të tij, siç mendojnë disa, apo ky proces “nuk është aspak diçka e re”, por ka nisur shumë kohë më parë? Nëse ka nisur shumë kohë më parë, në cilën periudhë historike ka filluar globalizimi i shoqërisë njerëzore dhe a mund të thuhet se ai është sot në një fazë vërtet të re?

(2) A do të vijë një kohë (dhe nëse po, kur?) që ne do të jemi tërësisht të globalizuar? Apo, me fjalë të tjera, a do të jemi ne, si shoqëri humane, gjithnjë duke u globalizuar?

Vetë shtrimi i këtyre pyetjeve flet për atë se sa e vështirë është të përkufizojmë se ç’është në të vërtetë “globalizimi”. Rreth këtij fenomeni janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen libra pa fund. Sot, vetëm në gjuhën angleze ka në qarkullim rreth 10,000 libra, të cilët subjekt të tyre kanë globalizimin, ndërkohë që ekzistojnë mbi 700 tituj në frëngjisht mbi të njëtën dukuri që francezët e quajnë mondialization, mbi 600 tituj në gjermanisht mbi të njëjtën dukuri, globalisierung, dhe qindra libra të tjerë në shumë gjuhë të tjera të mëdha e të vogla.

Pavarërisht se shumica e autorëve që kanë shkruar dhe shkruajnë për globalizimin ndahen, në fund të fundit, në përkrahës ose nëkundërshtarë të globalizimit, pothuasje nga të gjithë (veçanërisht ata që fushë studimikanë sociologjinë apo shkencën politike) pranohet se dukuria që quajmë globalizim është një dukurinë mos krejt e re, të paktën tepër interesante dhe jashtëzakonish komplekse.

Për mua, si një dukuri, ose si një proces i pandërprerë, globalizimi i ngjan më shumë fluksit të “pakuptimtë” heraklitian sesa një trans-form-imi diskret aristotelian.

Përshtypja se globalizimi nënkupton një dukuri, ose proces, qënuk mund të përkufizohet bëhet edhe më e theksuar nëse shqyrtojmë se cilët agjentë janë ata që marrin pjesë në të, apo e përcaktojnë atë.

Nga njëra anë, globalizimi mendohet se është produkt i disa organizmave të fuqishëm, siç janë shtetet ekonomikisht më të zhvilluar, së bashku me—apo nën presionin e—korporatave shumëkombëshe.Nëse mbështetemi në këtë hipotezë, globalizimi, pavarësisht të tjerave, është një zhvillim historik i qëllimshëm dhe i orkestruar, edhe nëse ai përfaqëson ose jo një plan largpamës për një rend të ri politik dhe ekonomik global, ose është thjesht një formë e re kolonializmi, imperializmi, ose një konspiracion, pas të cilit fshihen intreresat egoiste dhe neo-imperialiste të fuqive më të industrializuara, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, nëse globalizimi është, siç mendojnë shumë autorë, produkt i pashmangshëm i një numri të pafund zgjedhjesh që bëjnë individët njerëzorë, atëherë, ai është jo aq një rezultat i qëllimshëm, sesa një epifenomen dytësor, që rezulton nga veprimet e qytetarëve-konsumatorë, rendja e vazhdueshme e të cilëve pas mirëqënies dhe lumturisë lehtëson—dhe lehtësohet edhe vetë ajo nga—ndryshimet e gjithanshme kulturore e teknologjike në shoqëri.

Dy pikëpamjet e mësipërme mbi shkaqet e globalizimit të shoqërisë vijnë në kundërshtim me një pikëpamje të tretë, sipas së cilës, globalizimi nuk është një dukuri prapa së cilës qëndrojnë forca të caktuara; përkundrazi, individët njerëzorë, si individë të veçantë, ose si shprehës të interesave të korporatave të mëdha, nuk janë veçse subjekte të një transformimi global, agjenti i vetëm prapa të cilit është Historia, apo marshimi drejt Progresit. Me fjalë të tjera, globalizimi kuptohet si realizim i një procesi të paevitueshëm për të ardhmen e njerëzimit.

Edhe nëse kjo nuk është ajo çfarë Marksi e shihte si qëllimin imanent të historisë—shndërrimin e individit njerëzor nga objekt i zhvillimit historik në subjekt të tij—mund të jetë një realizim i idesë hegeliane, që si objektiv të zhvillimit historik shihte rritjen e shkallës së lirisë njerëzore, për të cilën do them dy fjalë në fund. Pavarvsisht se nuk pohohet hapur, kjo është përmbajtja e nënkuptuar e meta-narrativës mbi procesin e pashmangshëm e të pandalshëm të globalizimit. Ata që e kundërshtojnë këtë proces thuhet se janë kundër rrjedhës së paevitueshme të Historisë.

Përpjekjet për të gjetur një përkufizim të saktë për globalizimin janë përqendruar  kryesisht në aspektin ekonomik të këtij procesi. Ato fokusohen në rolin qendror të tregtisë e të financave. Globalizimi paraqitet kështu një frazë shumë e përgjithshme, që ka të bëjë me zhvillimin e një ekonomie gjithnjë e më të integruar botërore, që karakterizohet sidomosnga tregtia e lirë, nga qarkullimi i lirë e kapitalit dhe tregje të huaja më të lira pune.

Nuk ka dyshim se globalizimi i shoqërisë është, kryesisht, një proces integrimi dhe ndërvarësie ekonomike.Në ditët e sotme, e sotme koorporatat shumëkombëshe (mbi 60,000 të tilla) sundojnë ekonominë botërore dhe tregtia globale ka njohur një rritje të paparë.Lidhjet mes tregjeve financiarë në vende të ndryshëm janë shtuar dhe intensifikuar si kurrë përtej çdo imagjinate. Sot, në një ditë të vetme, në tregjet financiarë të globit shkëmbehen mbi 5 triliard USD (5,000,000,000,000), shumë kjo e barabartë me GDP e Japonisë, fuqisë së tretë ekonomike më të madhe të globit. Barriera të shumta, që deri dje pengonin tregtinë e lirë dhe integrimin më të ngushtë të ekonomive kombëtare,kanë rënë, ose po bihen, ndërkohë që po bëhen më të shumta mënyrat në të cilat bota po bëhet përherë e më e vogël.

Edhe pse globalizimi është kryesisht një proces ekonomik, si një proces ndërveprimi dhe integrimi, ai lidhet me shumë aspekte sociale dhe kulturore, gjë që mundëson, deri diku, që ky proces të definohet edhe nga këndvështrime sociale e kulturore më të gjëra.Nëse fokusi ekonomik është i ngushtë dhe reduksionist, përkufizimet sociale mbi globalizimin janë më të gjera; ato fokusohen në aspekte socialë të tillë, si feja, gjuhët, kultura, sportet, artet, muzika, filmi, komunikimi, informacioni etj.

Nga ky këndvështrim, globalizimi kuptohet si një tërësi procesesh shoqërorë që krijojnë, shtojnë, zgjerojnë dhe intensifikojnë ndërvarësitë dhe shkëmbimet shoqërore në mbarë botën dhe, në të njëjtënkohë, krijojnë e nxisin te të gjithë ne një ndërgjegjësim që vjen e rritet mbi marrëdhëniet mes dukurive e ngjarjeve lokale dhe atyre në distanca të largëta.

Globalizimi mund të përkufizohej si një proces historik, që shënon një ndryshim rrënjësor, ose njëtransformim të thellënë kushtet hapësinore të organizimit shoqëror tënjerëzimit,që lidh komunitete të largëtdhe zgjeron shtrirjen e marrëdhënieve të pushtetit mes vendeve, rajoneve dhe kontinenteve të ndryshëm. Ai nënkupton kryesisht:

(1)Integrimin dhe ndërvarësinë ekonomike në shkallë globale. Korporatat transnacionale sot japin më shumë se një të tretëne produktit global; ato realizojnë mbi 70 pëfr qind të tregtisë botërore dhe mbi 80 për qind të invstimeve ndërkombëtare. Integrimi dhe ndërvarësiaekonomike sot kanë arritur një shkallë të tillë, sa efektet e krizave ekonomike ose financiare në një vend, ose rajon të botës ndihen në shkallë globale (kujtojmë krizën ekonomike të Indisë në vitin 1991,krizën financiare të Meksikës në vitin 1994, atë të Azisë në vitin 1997,depresioni emadh ekonomik të Argjentinës në vitet 1998-2002,krizën financiare të Turqisë në vitet 2001 dhe 2018, krizën e tregut të stoqeve në Kinë në vitin 2015, krizën e borxheve sovranë në BE në vitin 2009 dhe krizën greke e kohëve të fundit).

  • Mënyra dhe infrastuktura të reja të komunikimit global, të cilat kanë bërë të mundur krijimin e rrjeteve globalë individësh “like-minded” (mbi 45,000 INGOs (organizata ndërkombëtare joqeveritare, si: Green Peace, Climate Action Network, World Vision International, Sociologists without Borders), por edhe shumë grupe terroriste.
  • Përhapjen transnacionale të ideve, kulturave, informacionit, si mes njerëzve “like-minded”, ashtu dhe mes grupeve kulturorë të ndryshëm, duke inkurajuar si tendenca drejt një kuptimi më të gjerë mbi solidaritetin global,ashtu dhe dallime—në mos edhe urrejtje e armiqësi—mes tyre;
  • Migrimin global,që transcendenton të gjithë kontinentet. Sot në botë ka mbi 250 milionë emigrantë, ndërkohë që mbi gjysmë miliard njerëz udhëtojnë çdo vit anembanë globit si turistë;
  • Ndërgjegjësimin e një mase përherë e më të madhe njerëzish se problemet globale kërkojnë zgjidhje globale, sidomos ato problem që kanë të bëjnë me sigurinënë shkallë globale, të tilla si, ndryshimet e klimës, trafiku ilegal i njerëzve, i armëve apo i drogës, lufta kundër terrorizmit, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë.

Anthony Giddens, në librin e tij Pasojat e Modernitetit (1990), e karakterizon globalizimin si një proces përmes të cilit bota bëhet një vend i vetëm dhe, për rrjedhojë,vëllimi dhe thellësia e lidhjeve ndërvarësore rriten jashtëzakonisht shumë. Me fjalë të tjera, shpjegon Giddens, globalizimi mund të kuptohet si “kompresim i hapësirës sociale”. Ky shpjegim është në të njëjtën linjë me shpjegimin metaforik të filozofi kanadez Marshall McLuhan, i cili, në fillimin e viteve 1960, në veprat e tij të njohuraThe Gutenberg Galaxy: The Making of Typographic Man (1962) dhe Understanding Media (1964), formuloi idenë se “bota po bëhet gjithnjë e më e vogël”, apo një “fshat global” (global village).

Çfarë po ndryshon në fakt? Ajo që vërtet se po ndryshon në kohën e sotme është se ajo pjesë e Tokës që deri dje ishte “e huaj” për ne dhe përtej mundësive tona për ta njohur, për ta prekur e për të përfituar prej saj, po bëhet gjithnjë e më e vogël. Vetë McLuhan e formuloi konceptin e “fshatit global” në një kontekst shumë më të ngushtë sesa ai, në kuadër të të cilit zhvillohet debati mbi globalizimin në ditët tona, dhe e përdori atë në analizën e tij mbi kulturën dhe mass-mediat, për të shpjeguar pikërisht se si bota po “tkurrej” si rezultat i teknologjive të reja të komunikimit.McLuhan ishte i pari që përshkroi dhe argumentoi se si media elektronike i shemb barrierat hapësinore dhe kohore në komunikimin njerëzor, duke mundësuar që njerëzit të ndërveprojnë dhe të jetojnë në shkallë globale.

 

Vijon nesër…

February 21, 2019 15:50
Komento

2 Komente

  1. Guri Naimit D.(Dh Xh) February 22, 02:52

    Faleminderi i nderuar Pr Fatos S, Tarifa sa na perciell kete material vertet te neojshem jo thjesht per kulture.Na jep nje kutim te gjere te ketin Nocioni jo thjesht gjuhesor por nje konceptim i plote ceshte dhe c’perfshin globalizmi.
    Me te bota behet gjithnje e me e vogel”
    Faleminderit Pr. dhe per mua 83 vjecarin-mesues.. .hapur kete horizont vertet GLOBAL.

    Toronto21-02-2019 Guri Naimit D.(Dh Xh)

    Reply to this comment
  2. Gaqo Latifi February 22, 08:02

    Pordhe me rigon alla Sevo te gatuara me hudhra nga Toska I vogel. Globalizimi ka qene qe ne kohe te hereshme, migrimet e fiseve nomade dhe zhvendosjet e popujve njihen mire nga historia. Aktualisht, eshte zgjeruar dhe sofistikuar pasi ka hyre ne loje edhe shkembimi e komunikimi elektronik, qe e ka bere boten shume me te vogel se ne te shkuaren. Nejse, histori e gjate, ku Toska I vogel ja fut pordhes, alla Sevo.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*