Goditjet në tru mund t’i zmbrapsim përmes 6 veprimeve të thjeshta

Pranvera Kola June 24, 2013 09:26

Goditjet në tru mund t’i zmbrapsim përmes 6 veprimeve të thjeshta

Goditja në tru, e njohur ndryshe si insult cerebral është një ndër sëmundjet e shpeshta që mban në nivele të larta vdekshmërinë edhe në popullatën shqiptare. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, kjo sëmundje ka të bëjë me dëmtimin e enëve të gjakut që furnizojnë trurin, e më pas shkaktojnë ato që në gjuhën mjekësore njihen si aksidente cerebrovaskulare. Sa i takon përhapjes së kësaj sëmundje autoritetet shëndetësore konfirmojnë se një në gjashtë njerëz është në rrezik për insult, ndaj dhe kujdesi duhet të jetë maksimal. Referuar të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore, rezulton se insulti cerebral është shkaku i dytë kryesor, i vdekjeve që ndodhin tek njerëzit mbi moshën 60 vjeç dhe shkaku i pestë në njerëzit e moshës 15 deri 59 vjeç. Shifrat tregojnë se kjo sëmundje nuk kursen asnjë moshë, veçanërisht tek ata persona që nuk kujdesen fare ndaj faktorëve rriskues. Madje autoritetet shëndetësore shkojnë edhe më tej duke vënë në dukje faktin se ka raste në të cilat, goditja në tru shfaqet edhe tek fëmijët, përfshirë këtu edhe të sapolindurit.  Jo më kot njihet edhe si sëmundja që nuk njeh kufij. Pavarësisht këtij fakti, ne mund të kujdesemi në mënyrë të vazhdueshme për ti mbajtur sa më larg pasojat fatale që mund të lënë në shëndet insultet cerebrale. Mjekët theksojnë se goditjet e trurit kanë të bëjnë me mosfurnizimin e trurit me oksigjen dhe glukozë, situatë e cila shkaktohet prej bllokimit të enëve të gjakut për shkak të mpiksjes. Nëse nuk i vihet në ndihmë shpejt pacientit, pasojat e goditjes në tru kalojnë në paraliza që prekin pjesë të ndryshme të trupit apo deri dhe humbje jete. Kështu, ndër simptomat e para dalluese mund të jenë dhimbjet e kokës, mpirja e gjymtyrëve, të cilat sipas mjekeve nuk duhen neglizhuar. Sipas specialistëve të shëndetit publik, : “Personat me goditje në tru, jo vetëm mund ta parandalojnë sëmundjen, por edhe të mbijetuarit mund të shërohen plotësisht dhe të rifitojnë cilësinë e jetës së tyre me mbështetje dhe kujdesin e duhur për një kohë të gjatë”. Përfitime këto që mund të sigurohen vetëm nëse tregohemi të kujdesshëm dhe veprojmë sipas gjashtë këshillave të përcaktuara. Konkretisht në këshilluesin e përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik detajohen gjashtë format e kujdesit që nuk duhet ti neglizhojmë kundrejt reduktimit të riskut për shfaqjen e insultit cerebral. Konkretisht në listën e kujdesit përfshihen rregulla të tilla si : “Çdo njeri duhet të dijë dhe të njohë mirë faktorët personalë të riskut: presion i lartë i gjakut, diabet dhe kolesterol i lartë. Në përgjithësi këto faktorë avancojnë dhe çojnë në shfaqjen e goditjeve në tru. Po ashtu çdo person duhet të jetë aktiv dhe të mos i nënshtrohet një jete sedentare me mungesa të theksuara të aktivitetit fizik. Një tjetër kujdes që duhet bërë është edhe kontrollimi i obezitetit duke mbajtur një dietë të shëndetshme. Kujdes duhet treguar edhe me përdorimin e alkoolit brenda normave të lejuara, si dhe shmangien e pirjes së duhanit. Kjo pasi këta dy faktorë, listohen si ndër më të shpeshtit për dëmet që shkaktojnë në organizëm, e veçanërisht në funksionimin normal të sistemit nervor. Në këto kushte njohja e shenjave paralajmëruese, si dhe marrja e masave për t’u mbrojtur është një hap i mirë që mundëson mbajtjen larg të pasojave të rënda që kushtëzojnë insultet cerebrale.

Goditjet në tru mund ti zmbrapsin nëse veprojmë sipas këtyre 6 mënyrave:

  • Çdo njeri të dijë të njohë faktorët personalë të riskut: presion i lartë i gjakut, diabet dhe kolesterol i lartë.
  • Individët duhet të jenë fizikisht aktivë.
  • Të shmanget obeziteti duke mbajtur një dietë të shëndetshme.
  • Të përdoret alkool brenda normave të lejuara.
  • Të shmanget pirja e duhanit.
  • Të njihen shenjat paralajmëruese të një goditje cerebrale, si dhe të merren masa për t’u mbrojtur menjëherë sapo shfaqen simptomat paralajmëruese.
Pranvera Kola June 24, 2013 09:26
Komento

2 Komente

  1. katarakti June 24, 13:44

    Shume shkrim i mire dhe i dobishem, por fatkeqesisht i mbushur me terma te huaja gjasme shkencore. Rrisk, insult, obez etj etj – mund te perkthehen lehte e bukur ne shqip. Dikur te gjitha gazetat kishin nga nje korrektor letrar. Gjuha dhe flamuri jane simbolet tona kombetare. prandaj duhet t’i ruajme dhe t’i vleresojme.

    Reply to this comment
    • Sejdi Veseli June 24, 15:12

      Vërtet një shkrim shumë i mirë, nga i cili mund të mësojë lexuesi i cili ka mundësi të zbërthej emërtimet shkencore dhe ato në gjuhë të huaj, me të cilat është qëndisur ky punim shumë qëllim mirë.
      Pajtohem me konstatimet e -katarakti- se ka patur mundësi të shqipërohen.
      Kam bindjen e plotë, se gjuha jonë e bukur shqipe nuk vuan nga varfëria e fondit të fjalëve burimore për të shqipëruar edhe këto fjalë apo emërtime shkencore.
      Kam shpresën se në të ardhmen, drejtuesit e gazetadita.al, do të bëjnë korrektimin e shkrimeve para se të publikohen, pa e angazhuar ndonjë korrektues, ngase kam bindjen se nuk ju mungon zotësia për diçka të tillë!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim