Goleadori i Superiores, Sukaj ose Salihi për të thyer “mitin Pejic”

November 6, 2015 14:51

Goleadori i Superiores, Sukaj ose Salihi për të thyer “mitin Pejic”

Pas 2 sezoneve nën shenjën e Pero Pejic, me sulmuesin kroat që nuk u dha asnjë shans rivalëve, ky është sezoni i duhur që “Këpuca e Artë” e Superiores të përfundojë në duart e një sulmuesi shqiptar. Me largimin e Pejic, por edhe me rikthimin në Superiore të dy bomberave me peshë si Xhevahir Sukaj dhe Hamdi Salihi, gjasat janë të mëdha që golashënuesi më i mirë i kampionatit të shpallet sërish një futbollist shqiptar.

Në sezonin e kaluar me Kukësin, Pejic shënoi gjithsej 31 gola duke mos pasur rivalë në garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa në atë paraardhës me Skënderbeun e mbylli sezonin me 20 finalizime, duke lënë pas me 3 gola më pak Sokol Cikalleshin, që në atë periudhë ishte pjesë e Kukësit.

Megjithatë Pejic tashmë nuk është më, pasi është transferuar në kampionatin iranian te Esteghal dhe në Superiore ka ardhur koha që “Këpucën e Artë” ta fitojë një sulmues shqiptar. Pas përfundimit të fazës së parë listën e golashënuesve e kryeson Sukaj me 7 gola, ndërsa pas tij pozicionohet një tjetër shkodran si Salihi me vetëm një finalizim më pak.

Edhe këtë sezon ekziston rreziku që mban emrin Piter Olainka. Nigeriani i Skënderbeut ka realizuar 5 gola në 9 javët e para dhe me formën e treguar ndeshje pas ndeshjeje nuk mund të përjashtohet nga gara për t’u shpallur golashënuesi më i mirë i Superiores. Gjithsesi përballë dy goleadorëve të lindur si Salihi dhe Sukaj, 19-vjeçari afrikan nuk do të ketë një mision aspak të lehtë.

November 6, 2015 14:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*