Golloborda, njerëz të varfër, në një vend të bukur dhe të pasur    

February 14, 2016 17:52

Golloborda, njerëz të varfër, në një vend të bukur dhe të pasur    

Nuk ka qytet, vepër madhore industriale, hidrocentral, fabrikë, uzinë, oxhak a furrnaltë e ndërtuar në periudhën socializmit në Shqipëri, ku të mos jetë dora dhe mendja gollobordasve famëmëdhenj në fushën e ndërtimeve. Megjithëse pa arsimin e duhur teknik, madje edhe atë 8-vjeçar, ustallarët gollobordas, me një mendje të guximshme inxhinierike, merrnin përsipër vepra të përmasave gjigante, të cilave u frikeshin dhe shmangeshin njerëz “me një barrë mend” dhe “një barrë shkollë”. Historia e këtyre njerëzve është e “shkruar në gur, në beton” në të gjithë qytetet shqiptarë, të vjetër dhe të rinj. Larg familjes, në orët e vona të mbrëmjes, në kapanone pupuliti dhe eterniti, më shumë se gëzimin e lindjes së një fëmije, që e merrnin vesh nga një telegram trefjalësh apo një lajm-thirrje telefonike, i linte pa gjumë zgjidhja e nesërme e një problemi të vështirë teknik që ekuivalentohej mes jetës, burgut dhe vdekjes.

Sot, kur shumica e atyre heronjve nuk jeton më, një pjesë tjetër që janë të moshuar, vështirë t’i besoj njeri për atë që kanë bërë dhe atë që kanë hequr. Sidoqoftë, kudo që ata kanë punuar, kanë lënë gjurmë të pashlyera të njerëzve të heshtur, punëtorë e të zotë, që më shumë se goja, u punonte mendja dhe krahu.

Duke qenë shtegtarë, me një jetë interesante, të ndarë nga pjesa më e madhe e familjes, kryefamiljarët që punonin larg, pas viteve ’90, filluan të bënin atë që bënë shumë zona dhe fshatra të thella, të merrnin rrugët drejt qytetit, duke e boshatisur pothuajse në mënyrë të pandreqshme vendlindjen e tyre të dashur, Gollobordën e bukur, me emër të mirë, por edhe me një varfëri të skajshme që nuk e ndreqi dot kurrë bishti i çekanit dhe i mistrisë.

12-12-13-29058_1Si të gjitha krahinat e Shqipërisë, edhe Golloborda sot është shkretuar. Familjet që kanë mbetur aty, në mungesë të rrugëve, jetojnë në një varfëri të skajshme. Golloborda dikur, edhe pse një vend malor, në bujqësi dhe blegtori konkurronte me zonat fushore të Shqipërisë. Zona e Klenjës ishte ndër tre më të famshmet në Shqipëri për prodhimin e patates, së bashku me Kukësin dhe Korçën. Dikur në fshatrat e Klenjës, Gjinavecit, Steblevës është arritur të prodhohej deri në 47 mijë kuintalë patate në vit! Veç patates, zona ishte e njohur edhe për prodhimin e thekrës, grurit dhe misrit. Gollobordasit kanë qenë mjeshtër të ujitjes dhe të shfrytëzimit të burimeve të ujit. Tregojnë legjenda për këtë, një nga të cilat ka qenë mjeshtri popullor Gani Tuçepi që projektonte kanale dhe sifone jo me instrumente dhe aparatura, por…me pushkë(!), Plumbi i dalë nga pushka është nivel, krijon një vijë të drejtë të pagabueshme.

Shtëpi pa çati, toka të papunuara, pleq të vjetër, që kalojnë tek tuk dhe që flasin në gjuhën e tyre, krijojnë një kontrast të thellë me bukurinë, që i ka falur natyra kësaj zone. Një traditë që nuk dihet për sa kohë mund të ruhet, sepse vendi tashmë është pothuajse i braktisur, banorët janë shpërndarë gjithandej nëpër Shqipëri, por më së shumti në Shqipërinë e Mesme, në Tiranë, Durrës e Elbasan. Nga rreth 10000 banorë që ishin para viteve ‘90, në të 16 fshatrat e zonës, sot kanë mbetur rreth 1200.

Lajmi për ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe ngritjes së pikës doganore janë sinjale pozitive, që kanë ngjallur te banorët e ikur shpresat e dikurshme. Duket se zgjidhja më e mirë për tokat e lëna djerrë është krijimi i fermave të mëdha, që do të prodhonin patate, që mund t’i shisnin pa paguar doganë në Maqedoni, tashmë që me këtë shtet ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë. Nuk duket ide e keqe as rritja dhe mbarështimi i bagëtive në periudhën e verës, duke shfrytëzuar kullotat e pafundme. Banorët presin dhe shpresojnë se tani që rruga do të shtrohet, nuk do të jetë e largët dita që pikat turistike do të fillojnë të ngrihen në malin e Raduçit dhe malet e tjerë të Gollobordës. Dhe bashkë me to do të fillojnë të ripopullohen dhe zonat e braktisura. Megjithatë, siç duken bathët, janë larg pashkët!

Për inat të sime vjehrre, vete fle me mullixhinë!

GollobordaËshtë një shprehje e urtë popullore që në kohën e sotme përdoret fare rrallë, pasi me komunikimin dixhital, edhe mund të mos kuptohet, por që në fakt shpreh një filozofi të tërë. Na u kujtua kjo fjalë e urtë, kur udhëtuam në disa fshatra të Gollobordës. Banorët e kësaj zone, të braktisur nga shteti, shajnë pushtetarët që, kur kërkojnë votat, nuk lënë gjë pa thënë dhe premtim pa bërë, por që harrojnë shpejt. Rrugët këtu janë të periudhës së socializmit, të pashtruara dhe në disa fshatra të degraduara fare, që nuk kalon as mushka. Me këdo që takuam, pakënaqësia ishte kthyer në mllef. “Për ne, të rrojë Maqedonia, ajo po na mban! – thonë ata. Atje shkojmë kur kemi ndonjë të sëmurë, kur shesim apo blejmë. Ne jemi shqiptarë, denbabaden me këtë frymë jemi rritur, por nëse na pyesin dhe nëse bëhet me firmë, të gjithë janë për kalimin e krahinës sonë me Maqedoninë, siç kemi qenë dikur, para 1913-ës. Na ka vajtur thika në palcë, i kemi shkruar Grujevskit, presidentit maqedonas, të na marrë. Këta tanët nuk duan të dinë fare për ne”.

Dhe vërtet ata të bindin se kanë të drejtë, që…për inat, të venë e flenë me mullixhinë!

Stebleva, një mrekulli e fshehur turistike

Golo-BrdoStebleva e Gollobordës, krahina mes Dibrës dhe Librazhdit, është shumë afër, por edhe shumë larg për shkak të infrastrukturës së munguar. Kujt i ka rënë rasti është çuditur me këtë perlë të paprekur të turizmit malor dhe natyrës piktoreske. Është një zonë mes Librazhdit dhe Peshkopisë. Ka vite që ka filluar rruga prej 26 km që lidh të dy krahinat, por që është lënë në mes. Si pasojë e rrugës në dimër Stebleva braktiset nga banorët, ndërkohë që mund të ishte një atraksion turistik për ski, ndoshta më i miri në Shqipëri. Hapja e pikës kufitare të Llakaicës me shtetin Maqedonas, e quajtur ndryshe si “Fusha e 30-ës”, vendi me pikë piramidën nr. 30 të kufirit shtetëror me Maqedoninë, e bën Steblevën një zonë malore turistike, vetëm 30 min larg nga Struga. Mungesa e rrugës ka bërë që në dimër kjo zonë në këmbët e parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë të jetë një pamje e paarritshme për të gjithë ata që duan të shijojnë natyrën dimërore, për të mos udhëtuar shumë drejt veri-lindjes apo drejt Maqedonisë.

Stebleva është një teatër natyror, një gërshetim i mahnitshëm i lëndinave, pyjeve, kodrinave, maleve dhe lumenjve. “Maja e Zezë”, e cila ndodhet në lartësinë 2225 m mbi nivelin e detit, është maja më e lartë në këtë zonë. I dyti renditet mali i Raduçit, me një lartësi  2084 m, i cili shtrihet në lindje të Steblevës. Stebleva përshkohet nga përrenj dhe kroje të shumtë, të cilët pasi grupohen formojnë lumin Zalli i Steblevës që përshkon rrugën Borovë – Trebisht – Okshtun, në Gjoricë të Dibrës dhe më tej bashkohet me Drinin e Zi. Krahas bukurisë, florës dhe faunës së pasur, ky lumë karakterizohet edhe nga cilësia parësore e peshkut që rritet në këto ujëra, trofta me pika të kuqe.

Të mahnitshme janë pllajat dhe lëndinat e Visharicës, malit të Kallkanit e Mllacit, të cilat përbëjnë një nga pjesët më tërheqëse të Steblevës, të përshtatshme për aktivitetet sportive gjatë muajve të verës dhe pistat natyrore për ski, gjatë sezonit të dimrit.

February 14, 2016 17:52
Komento

5 Komente

  1. asd February 14, 20:21

    Te tilla reportazhe si me siper,si per Rrogozhinen e Kukesin te beni me shpesh per Shqiperine jashte Tirane.

    Provincat e njohin shume mire jeten e kryeqytetit,por ‘tironcit’ e rinje nuk e njohin realitetin tjeter…

    Edhe ata njerez si ne jane,por kushtet u kane prere endrra dhe jete njerezore.Shume prej tyre po te kishin ‘serat me ngrohje’ te kryeqyetit mund te ishin dhe shume me te zote se ne.

    Respekte per vuajtjet e tyre dhe mbijetesen e tyre.

    Piskame per veshet e dyllosur te institucioneve,punonjesve te tyre te pa cirkosur me balte per kater vite rresht,se nje here ne kater u laperdhihen per votat.

    Tung !!!

    Reply to this comment
  2. demo February 14, 21:04

    Marshallah civilizimi/marshallah gusha dhe gjiri/,po pellcasin si shalqiri.

    Reply to this comment
  3. Niku February 14, 21:56

    Une jam nga Trebishti. Ne vitin 1913 ky fshat ka patur pese mije banore (sipas librit “Historia e Dibres” te Kristo Frasherit), dhe nuk eshte e vertete se ka qene pjese e Maqedonise. Maqedonia eshte krijuar pas marreveshjes se Shen Stefanit dhe nuk ka mundesi te kete qene kur vete shteti maqedon nuk ekzistonte. Golloborda ka emer sllav qe do te thote ne shqip kodrine e cveshur por jemi shqiptare si pjesa tjeter e Dibres se eperme. Dallimet u krijuan nga turqit, qe per vjelen e taksave e shkeputen krahinen, si dhe nga profesioni i muratorit qe u krijonte mundesi jetese. Me ndonje pasaktesi shkrimi eshte i mire dhe paraqet realitetin.

    Reply to this comment
  4. Arber February 15, 02:33

    Shteti shqiptar duhet te riparoje sa me pare rrugen e Arberit, po ku te sali Berisha!?.

    Reply to this comment
  5. Gjergj February 15, 17:02

    Interesante, fqinjet lindore te Gollobordes ne anen tjeter te maleve ne Maqedoni dun te bashkohen me Shqiprine. Vetem zona e Dibres dhe Struges ne Maqedoni kane njqind mij vete me shumic shqiptare, kurse keta shqiptare te sllavizum nji mije vete dashkan me u bashku me Maqedonine… hajde llogjike hajde. Shpresoj qe te ndertohet rruga e Arberit dhe rruget e saj dytesore qe te zhvillohet edhe kjo zone.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*