Gora dhe kontributi i saj gjatë luftës Nacionaçlirimtare

November 24, 2017 10:25

Gora dhe kontributi i saj gjatë luftës Nacionaçlirimtare

Prof.As.Dr. AGRON AGOLLI

U mbushën 73 vjet nga përfundimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të vendit tonë, të zhvilluar në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, të 73 vjetëve në liri të krahinës sonë, por nderimi i mbarë gorarëve dhe historiografisë për qëndersën dhe kontributin e çmuar në këtë ngjarje, nuk ka rreshtur për asnjë moment. Edhe në kohën e mendimit të lirë demokratik, shohim dhe lexojmë se për luftën dhe qëndresën e krahinës së Gorën, si për asnjë ngjarje tjetër historike, është shkruar e diskutuar mbarë e mbrapsht, por asnjëherë nuk është lëkundur bindja e popullit të saj, se LANÇ, gjaku dhe sakrifica e djemve dhe vajzave gorare, për fitoren e saj, ka qënë e rëndësishme dhe shpëtimtare për fatet e vendlindjes dhe ardhmërinë e tyre.

Natyrisht ajo hodhi shtat mbi truallin e  mbrujtur me traditën e lashtë luftarake të të parëve tanë kundër pushtuesve të huaj të egër që shkelën viset tona, nga romakët në vitin 229 para erës së re, hunët rreth vitit 441, sllavët pas rënies së Perandorisë Romake deri në vitin 1020 (të cilët brigjet e lumit Devoll i zgjodhën si vende të përshtatëshme), sërbët në gjysmën e dytë të shekullit të 14-të (barbaria dhe gjurmët çkombtarizuese të cilëve i hasim edhe sot në emrat gjeografik të  shumë vendeve e fshatrave) e deri tek invadorët e kohëve modernë të Luftës së Parë e të Dytë Botërore.

Në këtë përvjetor ne ja rritim vlerat Krahinës sonë kur theksojmë me argumente të vërtetën historike se në këtë hapësirë gjeografike me përmasa mbi 27 km veri-jug dhe 20 km lindje perëndim, në prag të Luftës së Parë Botërore, përplaseshin  6 ushtri të huaja (grekët, francezët, austro-hungarezët, serbët, bullgarët e maqedonasit fqinj) dhe lugina e lumit tonë ishte si vijë fronti.

Fqinjë shovenë e mbretër përtej detesh i ranë brinjë e tërthor hapësirës gorare, veri jugë e lindje-perëndim, por bijtë e shpatës dhe pushkës gorare i detyruan të  iknin përsëri të coptuar e shpartalluar, pa zulm e famë andej nga erdhën. Gora dhe gorarët tashmë më me përvojë luftarake, mbetën gjithmonë atje ku i lanë trashëgim të parët, me rrënjët ngulur thellë  në truallin luftarak stërgjyshor, për të përballuar sfidat e tjera të historisë.

Shumë ngjarje e bëma janë zhvilluar në viset tona por Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) përbën faqen më të ndritur të historisë së krahinës. Duhet të mos e harrojmë se edhe lufta e bijve të Gorës, pavarësisht nga formacioni ku bënin pjesë, i kontriboi luftës çlirimtare të vendit për t’u bashkuar me aleatët, me koalicionin antifashist, me fitimtarët, me ata që ndihmuan në shkatërrimin e makinës nazi-fashiste dhe ndërtimit të një Shqipërie të re apo Europe demokratike e paqedashëse ku duam të aderojmë sot.

73 vjetori i çlirimit të krahinës së Gorës, në kontekstin e LANÇ, dhe Luftës së Dytë Botërore, duke qënë një jubile i rëndësishëm, i luftës së madhe të popujve kundër pushtuesve nazifashistë, le të kujtojë për bijtë e Gorës faktin se kjo luftë thithi në orbitën e saj 61 shtete me 1 miliard e 700 milion njerëz, afërsisht 80% e popullsisë së gjithë kontinenteve. Në formacionet luftarake u rrjeshtuan 110 milion njerëz, e shtrirë nga Atlantiku në Paqësor, duke shkaktuar më shumë se 50 milion njerëz të vrarë.

Ta themi me krenari për brezat që vinë se fillimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të organizuar në vendlindjen tonë nisën në ditët e vështira të Prillit 1939, kur okupatorët fashistë italianë, pas pushtimit të Shqipërisë, shkelën mbi vendlindjen tonë. Urrejtjen dhe akuzën ndaj administratës shtetërore të shitur dhe aktit tradhëtar që i bëhej vendit, populli i krahinës së Gorës e shprehu me vargjet e mëposhtëme:

39 mos ardhsh kurrë/ Se na rrëzove flamurë…

Janë vitet 1940, kur Gora dhe gorarët, ndër viktimat e ditëve të para të pushtimit fashist, u përleshën hapur me fashistët italianë të cilët pas agresionit fashist të 7 prillit 1939, nisën fushatën e arrestimeve, burgosjeve e internimeve në masë. Në një kohë të tillë të rëndë e trishtuese, gorarët, jo vetëm që nuk e humbën torruan, por rritën më tej ndjenjën krahinore e atdhetare, kundër fashizmit. Tua bëjmë si më1920-tën, thoshin edhe gorarët në gjithë tubimet e mbledhura, Moçan, Maliq, Pirg, Mali i Thatë, Pretushë, Barangat e Lozhanit. Përballjen e parë demostative me karabinierët italianë, por edhe ata shqiptarë në shërbim të tyre, në Gorë e bënë të rinjtë Çelnik Pane nga Tresova, Gani Agolli nga Moçani, Shefqet Cekollari nga Tresova, Ibrahim Qose nga Qëncka, Telha Shahini nga Zvarishti e Zalo Azisllari nga Dolani, pastaj dy grupet e armatosura të Dilaver Qënckës e Rrahman Zvarishtit që ekzistonin aty, ku 5 vetë prej të cilëve u dënuan me vdekje dhe 25 me burgim e internim nga Gjykata Ushtarake e Korçës.   Aksionet e fuqishme të kryera në Pezë si dhe akti i guximshëm i djaloshit shqiptar Vasil Laçi që shtiu kundër perandorit Viktor Emanuel i III-të në mes të Tiranës, çoi peshë zëmrat e djalërisë gorare dhe shtoi bindjen se ja vlente të bëheshin sakrifica për një luftë të tillë çlirimtare. Dhe në atë kohë të rëndë pushtimi, kur Italia fashiste me aleatët e saj propagandonin me të madhe fitoren në Europë dhe vendet e lindjes, pikërisht aty në krahinën e Gorës, biri i saj më në zë Teki Kolaneci, më 27 Prill 1942, në fshatin e tij të lindjes, nge Çetën e parë Partizane e cila do të shërbente si një bërthamë luftarake e formacioneve të tjera çlirimtare, si një limer nga do të fillonin epopenë e madhë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe të mos harrojmë që Çeta e Komandant Teki Kolanecit ishte e para në qarkun e Korçës dhe ndër të parat në Shqipëri, pas Çetës së Pezës (21 gusht 1941),Kurveleshit(1 prill 1942), Skraparit (14 prill 1942).

  Forcat goditëse ndaj kundërshtarit u rritën me krijimin e çetave të tjera në truallin e kësaj krahine, sidomos pas ndikimit të madh që pati në masën e gorarëve Beslidhja Gorare e 16.06.1942 e cila edhe sot sjell imazhin e LANÇ krahinore, fitoren mbi nazifashizmin dhe gjakun e dëshmorëve gorarë të rënë për liri. Mbledhjes së 200 përfaqësuesve më të mirë të të gjitha fshatrave e cila siç dihet filloi në Barangat e Zvarishtit, por për arësye sigurie, spostoi punimet e saj në fshatin Selcë të Gorës së Sipërme, për vetë misionin, detyrat dhe përgjegjësitë që mori në interes të unitetit dhe bashkimit të të gjithë gorarëve në luftën për çlirim kombëtar e shoqëror, populli dhe intelektualët e kësaj treve i kanë thurur vargjet më të bukura të shpirtit dhe zemrës së tyre.Patrioti i vjetër Isuf Krosnishti, i gëzuar për aktin e krijimit të Besëlidhjes Gorare, këndoi këngën që dëgjohet edhe sot:

Qershori dyzetedy/ Festë e madhe në krahinë

E gjithë Gora në kuvend/ Lidhën besën, fjalën dhanë

Do luftojmë për vatanë. 

Mbledhja e 5 çetave në Malin e Bofjes së Dusharit:  të Mokrës me Reshit Çollakun, të Skraparit me Mestan Ujanikun, të Gorës me Teki Kolanecin dhe veprimtarë nga Kolonja si dhe sulmi i përbashkët me njësitë e fshatrave të Gorës dhe Oparit, kundër armikut, do të shënonte suksesin e parë luftarak të gjërë të tyre në ditën e 16 qershorit 1942, ngjarje e cila tradicionalisht festohet edhe sot si festa kryesore e krahinës.

Mbi bazën e grupit të Rrahman Zvarishtit në fillim të tetorit në Selcë ngrihet Çeta e dytë Partizane, në Popçisht-Kucakë, kufi me Gorën, Shaban Zereci inaguron Çetën e tretë Partizane. Në fillim të dhjetorit 1942 Senishti gjëmonte nga zëri i patriotit dhe luftëtarit të njohur Xhezar Senishti që kishte krijuar Çetën e katërt Partizane, ndërkohë që në fillim të dhjetorit 1942, në Dolan, të tjerë gorarë Zalo Zvarishti e Haxhi Dolani do të lajmëronin për ngritjen e Çetës së pestë Partizane. Këtyre formacioneve do t’u shtohej më von edhe Çeta e gjashtë Partizane e formuar në Pirg gjatë fundit të vitit 1942 nga komandanti e patrioti i shquar Neki Dushku si dhe ajo e zonës së Malit të Thatë (çeta e shtatë) e ngritur më 16 shkurt 1943, me komandant Rakip Hoxhallarin.Kështu fundi i vitit 1942 e gjeti Krahinën e Gorës me rreth 180-200 luftëtarë të armatosur dhe të organizuar. Pas Konferencës së Pezës (16 shtator 1942), si gjithkund edhe në krahinën e Gorës, lufta antifashiste mori përmasa më të mëdha, pasi u hodhën themelet e një fronti të gjërë, të përbashkët të të gjithë forcave patriotike e antifashiste në vend. Tani krahës patriotëve vendas, në krahinë janë të pranishëm edhe komandantë e luftëtarë nga viset e tjera të Shqipërisë e drejtuar tashmë nga Fronti Nacionalçlirimtar. Rritja e përmasave të rezistencës së luftëtarëve të lirisë, padyshim që u ndikua në një masë të dukshme edhe nga situata ndërkombëtare dhe disfatat e njëpasnjëshme që kishin pësuar hordhitë hitleriane në Frontin e Lindjes. Deklarata zyrtare e aleatëve të mëdhenj si Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik e SHBA, në dhjetor 1942… për njohjen, vlerësimin e luftës së popullit shqiptar dhe ripohimin e pavarësisë së Shqipërisë, çuan në fuqizimin e mëtejshëm të luftës dhe formacioneve të saj luftarake edhe në krahinën e Gorës.

Përpjekja e parë e armatosur e luftëtarëve të Çetës së Gorës dhe asaj të Mokrës, kundër fashistëve, që përbën njëherazi edhe aksionin e parë në nivel qarku të Korçës (e realizuar në territorin e Krahinës së Gorës) e 23 gushtit të vitit 1942,është prita midis grykës së vogël të Grabovicës dhe Pretushës, ku ra dëshmori i parë i vendlindjes dhe Qarkut, Tafil Rexhepi i Pirgut dhe djali i nënës trimëreshë Pashako Selmanit.

Takimi i Lenijes i 5-6 shtatorit të vitit 1942, mbi Velçan të Gorës, forcoi akoma më shumë bashkimin e forcave luftarake krahinore (Grupeve të armatosura, çetës së parë partizane dhe njësiteve të fshatrave), të udhëhequr nga patriot, si Mitat Strelca, Cankë Velçani, Sabri Osnati, Puçe Moçani, Mehmet Qëncka, Neki Dushku, Liko Gjyrasi, Nevruz Dushku, Haxhi Tabaku e  Demkë Dolani, duke ndriçuar më shumë rrugën e luftës gorare për liri.

Fryt i ketij bashkimi edhe me çetat e Oparit është aksioni luftarak i 12 dhjetorit të vitit 1942 për asgjësimin e postës së karabinierisë në Moçan, veprim që bëri të gjëmojë më shumë hapi i luftëtarëve Gorarë dhe ushtojë kudo kënga e luftës Antifashiste.

Në mbarimi të vitit 1942 në Gorë numëroheshin mbi 650 luftëtarë të armatosur, pasi efektivi i çetave partizane ndihmohej e mbështetej në çdo aksion edhe nga rreth 500 anëtarë të njësiteve të armatosura të fshatrave të krahinës (ku numëroheshin mbi 45 njësite). Kjo siguroi dhe mbështeti kryerjen e një sërë aksionesh të tjera në krahinë si: ai i 16 janarit 1943 kundër garnizonit ushtarak të Voskopojës (postës së karabinierisë fashiste e milicisë shqiptare, që u dorëzuan pa luftë), ku morën pjesë 300 forca partizane nga të 6 çetave partizane të Gorës e Oparit dhe mbeti i vrarë dëshmori i dytë i krahinës. Lufta tek Ura e Kovaçit, ndaj autokolonës fashiste me 200 forca, të ardhur nga qyteti i Korçës në ndihmë të garnizonit të shpartalluar, ku u vranë 18 fashistë, u zunë 35 robër dhe lanë kokën majori Italian Romeo dhe N/togeri i milicisë shqiptare Sali Piluri, pati jehonë të veçantë në krahinë e më gjërë. Këtu ra dëshmori i tretë i krahinës Sajamit Mustafa Qosja i Qënckës dhe u plagosën dy të tjerë. Edhe pse armiku u detyrua të shtojë praninë e forcave më të mëdha gjatë inkursioneve të tij nëpër krahinën e Gorës, 16 janari 1943 atë e gjeti të çliruar nga çizmja fashiste dhe pasuesit e tyre.

Krijimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar Krahinor në Barangat e Zvarishtit më 14 mars 1943,me kryetar Kadri Çukën e Gribecit, Shtabit Ushtarak të Qarkut, në qershor 1943 me Nexhip Vinçanin në krye, (i pari i këtij lloji në vend), të tri komandave të Vendit, në Voskopojë me Haxhi Dolanin, në Moçan me Zalo Zvarishtin dhe Niçë me Mehmet Qënckën, Këshillit Krahinor të Rinisë Antifashiste,dhe Këshillit Krahinor të Gruas në nëntor 1943 në Barangat e Zvarishtit me kryetare Fike Gribecin, rriti orjentimin e popullit drejt radhëve të formacioneve partizane, masat mbështetëse dhe mobilizimin për fitoren e madhe.Tashmë natyra organizative e luftës në krahinë ishte rritur, jo vetëm me prezencën e Voskopojës si qëndër e madhe e lëvizjes partizane por edhe të pranisë në Gorë e Opar të 12 çetave partizane, nga 60-70 të tilla që kishte gjithë ushtria.

Duhet theksuar se në shkurt të vitit 1943, të nxitur edhe nga idetë e nacionalistëve demokratë të njohur si Mit’hat Frashëri, Safet Butka, Hysni Lepenica,  Abaz Ermenji e mbështetës të tyre në qarkun e Korçës, në teritorin e krahinës së Gorës (zonën e Maliqit) u krijua në shkurt 1943 edhe Çeta e parë e Ballit Kombëtar me komandant Pasho Kolanecin, e cila u pasua më von me formimin e Çetës së dytë balliste të komanduar nga Bajram Bej Goçës vetë), të Çetës së tretë të Sovjanit të komanduar nga Hamit Zbogji, tëÇetës së katërt të ballit të krijuar në Malin e Thatë, nga Dule Alarupi  dhe asaj të pestë Balliste të krijuar në prill 1943 (me një pjesë të çetës partizane), të komanduar nga Rrahman Zvarishtit e Hysni Selca(të dy shërbëtorë të Dule Alarupit). Pavarësisht programit që kishin këto struktura të ballit në krahinë, apo zgjidhjeve që ofronin, përfshi edhe Komandën e Ballit Kombëtar për Gorën, të krijuar në Maliq në gusht 1943 me në krye Pasho Kolanecin, nuk bëri dot me vete popullin, pasi siç dihet, duke mos u angazhuar në frontin e luftës së armatosur kundër pushtuesit, dhe ruajtur forcat për t’u dhënë goditjen vendimtare nacionalçlirimtares komuniste të krahinës, dolën jashtë loje dhe zbehën shumë rolin e tyre dhe karkterin nacionalist në popull, edhe pse sipas Abaz Ermenjit, në fund të vitit 1943 kjo strukturë numëronte 12000 anëtarë. Këtyre formacioneve, që edhe pranuan se do të futeshin në përpjekje me armikun së bashku me partizanët (takimet e përbashkëta në Podgorie, Goçë, Shipckë, Osnat, Babjen etj), por nuk e bënë asnjëherë, u ngjiten edhe disa grupe te tjera balliste te krijuara në Gorë e drejtuara nga Sabri Osnati, Mustafa Strelca, Cankë Velçani, Muke Këmbëthekri dhe Kajo Maksuti. Me këto sjellje e të tjera qëndrime të manifestuara gjate pushtimit nazist, përfundimisht strukturat e ballit në krahinën e Gorës, si në  gjithë Shqipërinë, humbën ndikimin dhe tërësisht u kthyen e shnhndërruan në rezerva të rëndësishme të ushtrisë hitleriane.

Edhe legalistët, të krijuar tashmë si formacion qysh në dhjetëditëshin e dytë të dhjetorit 1943, në Zall-Herr të Tiranës, me elementët e veçantë, shpallën prferencat e tyre në fshatrat Marjan, Senisht e Selcë, duke synuar formimin e çetës së tyre. Megjithatë përkrahësit e mbretit të prirë nga Abaz Kupi edhe pse paqaqiten nga përfaqësuesi ushtarak angles Maklin 3000-5000 vetë, konsulli gjerman në Tiranë më 1000-1500 vetë apo nga autorja angleze Elizabet Barker deri 3000 vetë (deri 8 nëntor 1943), nuk u dalluan si forcë goditëse kundër pushtuesit me bindje e disiplinë, organizim e rregull lufte. Ndërkohë partizanët kaluan në krijimin e formacioneve më të larta organizative. Kështu në maj 1943 në luadhet e Gjonomadhit e të Voskopojës, u ngritën batalionet partizane “Ali Kelmendi“, “Çlirimi“, “Tomorri” dhe ai “Gorë-Opar“, pesë  muaj më von, si pjesë e 56 batalioneve të krijuara në tërësi. Ngritja dhe veprimtaria e reparteve partizane, rriti shkallën e aksioneve, fuqinë luftarake dhe nivelin taktik të aksioneve.

Tani, sikundër e vlerësonte edhe armiku, rezistenca e formacioneve partizane në Gorë, përbënte gjithnjë e më tepër një rrezik të madh për të.  Prej lufte e në luftë gorarët, shtuan e forcuan radhët, rritën karakterin luftarak, guximin, trimërinë, sakrificën, mbështetjen për kauzën e shenjtë të lirisë, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar në shpejtimin e disfatës së Italisë Fashiste, një nga shtyllat e boshtit Berlinë-Tokio-Romë, që kapitulloi më 8 shtator 1943. Për bijtë e Gorës që drejtuan formacionet luftarake partizane nga çetat, batalionet (Bajram Tresova, Feta Selca, Qani Babjeni, Demo Muçollari, Rrahman Beragozhdi, Selami Kreka i batalionit të tretë të BrIS do të thurte vargjet  mbresëlënëse të asaj kohe të zjarrtë:

Malet e Gorës gjëmojnë/Ç’janë ata që po luftojnë

Ata janë djemtë tanë/Që lëftojnë për vatanë…

Mes drejtuesve të  Shtabeve e Komandave të Vendi (Haxhi Dolani, Zalo Zvarishti e Mehmet Qëncka), të atyre të Br9S, të krijuar 16.tetor 1944 Lozhan (Irakli Bozo e Mihallaq Ziçishti), të Br4S (Nexhip Vinçani e Pëllumb Dishnica), natyrshëm dallohet e shkëlqen me madhështi figura e spikatur e Komandantit, Gjeneralit dhe Heroit Teki Kolaneci si komandant i Br15S me Shahin Rukën. Le të mos harrojmë se nga 24 BrS që ishin të rang ushtrie, vetëm tre të tilla i kishte krahina  e Gorës dhe komandant Teki Kolaneci duke parakaluar me fitimtarët në Tiranë, e sjell tërë kahinën në krye të kësaj ngjarje të madhe dhe fitoreje të shënjtë të Shqipërisë. Ai së bashku me partizanët gorarë që luftuan dhe ranë në fushën e luftës, përbëjnë anën më të ndritur dhe fondamentale të historiografisë së vendlindjes sonë, duke i dhene një vend nderi në tërë historinë e vendit tonë.

Mario Fortuzi, kapiten Italian dhe komandant i kompanisë së  mortajave të Br4S (mbetur pas kapitullimit fashist), ngre aftësitë dhe vlerat drejtuese të Nexhip Vinçanit, duke thënë se –Nexhipi ishte perla e artit ushtarak. Kjo Brigadë Partizane i dhe Atdheut 158 dëshmorë, ndër të cilët edhe disa gorarë pa harruar komandantin trim Feta Selca, ndërsa nga BIS janë 9 dëshmorë gorarë, për të cilët shkruan edhe Rexhinald Hibert në librin e tij “Fitorja e hidhur”.

Është rasti dhe moment që të theksojmë  edhe një herë të vërtetën historike të kësaj luftë në krahinën e Gorës se… ngritja e Këshillit të Ballit Kombëtar në gusht 1943 pranë Maliqit, caktimi i Pasho Kolanecit si kryekomandant i forcave të Ballit Kombëtar në krahinë dhe tendencat e çfaqura nga paria e tij për  pritshmëri se s’ka erdhur koha të luftojmë, pse të digjemi e shkatërrohemi e t’i ruajmë ato pesë fishëkë për në fund, – ose me gjermanin nuk bëhet shaka, ai të vret, të djeg, për ndarje e parcelizimi të krahinës sipas shtrirjes demografike të strukturave luftarake të krijuara nga këta të fundit (si më 1917, në kohën e austro-hungarezëve e francezëve), çuan deri në përplasje e konflikte të armatosura mes palëve si në Pretushë, te Guri i Kamjes, kodrat e Gribecit e Guri i Bletës (16 tetorit 1943), ku pas 7 orë luftimesh, mbeti i vrarë edhe komisari i batalionit “Gorë-Opar“ Skënder Çaçi, Demis Staravecka i ballit,  vritet Ismail Bicka e plagosen 5 partizanë, mes tyre edhe komandanti i kompanisë Mislim Popçishti. Rëndon në kujtesën e gorarëve edhe sot pabesia e forcave të ballit në Pretushë ndaj kompanisë partizane të batalionit “Reshit Çollaku” të 11 tetorit 1943, ku mbeti i vrarë zëvendëskomandanti i batalionit Hetem Haxhiu dhe dy partizanët e Çetës së Malit të Thatë, Beqir Memolli dhe Sami Zgjani si dhe ballisti Demir Muçeli i Pretushës. Aty ishte zgjatur edhe dora e zezë vrastare e dy komandantëve të ballit Dule Alarupi e Ethem Dushari dhe bashkëpunëtorit të tyre Rrahman Zvarishti që kishte tradhëtuar forcat partizane. Tetë katundet e Zbogjërisë e dënuan këtë vëllavrasje të forcave balliste dhe në deklaratën e tyre theksuan gatishmërinë për të mbështetur luftën dhe partizanët. Me këto e të tjera raste, tellalët e ballit, për të justifikuar humbjen e tyre, në mënyrë dashakeqe, duan t’i japin luftës karakter e natyrë civile, gjë që s’ka qënë kurrë e tillë, kur vetë vendi ishte i pushtuar dhe shqetësimi kryesor ishte shporrja e pushtuesit të huaj.

Gorarët me pushkë i pritën fashistët italianë dhe me mitraloz i gozhduan 4 ditë tek Ura e Maliqit, kur Divizioni “Arezzo“, po tërhiqej nga Korça më 10 -14 shtator 1943. Dyqind të vrarë la ky divizion në këtë luftë, para se të largohej nga brigjet e Gorës edhe pse e goditi atë me topa, tanke e avionë. Gjaku i Çelnik Kajmakut nga Tresova 2 partizanëve të tjerë gorarë si dhe 7 të plagosurve, janë edhe sot përmendore e gjallë e kësaj lufte të pabarabartë por vetmohuese. Çetat e ballit të krahinës edhe pse kishin premtuar se do të merrnin pjesë në luftime kundër pushtuesit, nuk arritën të hyjnë në luftë, pasi sipas informacionit, në teqenë e Melçanit Safet Butka, ish anëtar i Qarkut të Ballit Kombëtar për Korçën, kishte vrarë veten. Dhe  megjithatë, për ironi të fatit që patën si pushtues, shpirti gorar merrte në mbrojtje mbi 600 ushtarë e oficerë Italian të shpartalluar, mundur e kapitulluar e mbetur si sëpata pa bisht nëpër krahinë.

E ndërsa situata në krahinë ndërlikohej pasi një pushtues kapitullonte dhe një tjetër invador më i egër po vinte (me një strategji pushtuese të përgatitur para shtatorit 1943), shpresat e gorarëve, moralin dhe qëndresën e tyre e rritëte ngritja në dhjetor 1943 në Voskopojë e Br4S si dhe e Br9S në Lozhan gjatë tetorit 1944. Kjo forcë kompakte dhe e organizuar partizane që do ta shndrronin UANÇ në ushtri të rregullt, do të përballonte betejat e ardhëshme kundër forcave gjermane si në operacionin  armik të dimrit 1943-1944, atij të qershorit 1944 e deri në çlirimin e plotë të krahinës e gjithë Shqipërisë. Në planet e çdo pushtuesi krahina e Gorës është përfshirë në hapësirën jetësore dhe sferën e interesit të tij për të kapur portat e Ballkanit dhe shtrirë më tej zgjerimin dhe sundimin e vet.

Po Gora edhe me ardhjen e nazistëve gjermanë në Korçë, nuk mbeti jashtë kësaj vëmendjeje. Një Divizion Malor (DIMalor) me mbi 15 mijë vetë nga Follorina pasi zaptoi qytetin e Korçës, me një batalion të motorizuar, më 19.10.1943 sulmoi Gorën nga drejtimi Korçë-Voskop-Voskopojë. Inkursione të njëpasnjëshme me mbi 500-600 trupa pushtuese, nga drejtime të ndryshme gjermanët ndërmorën kundër krahinës malore të Gorës më 20 e 22 tetor, 30 nëntor e 3 dhjetor 1943.Luftimet e mesit të dhjetorit 1943 sidomos nga drejtimi Pogradec – Guri i Kamjes me synim Osnat-Niçë-Velçan e thellësi të Gorës së Sipërme, qenë shumë të ashpra, me front të gjërë që vështirësonte mbullimin e tij, në distancë të afërt deri në 30-40 metra, ku u vranë e plagosën 10 partizanë, mes të cilëve edhe  Komandanti i batalionit “Gorë-Opar“ Teki Kolaneci.

Mbledhja urgjente e mbajtur në Tresovëmë 12 dhjetor, nga Komandanti i Shtabit të Qarkut Nexhip Vinçanime shtabet e batalioneve “Shqiponja”, ”Çlirimi”, “Reshit Çollaku”, “Gorë Opari” si dhe me tre komandat e vendit, qe vendimtare për mbarëvajtjen e luftës së Krahinë pasi jo vetëm që u preu oreksin forcave balliste të Pasho Kolanecit, Haki Blloshmit, Bajram Goçës e  Hamit Zbogjit që vërtiteshin sa andej e këndej nëpër Gorë, Strelce, Lozhan, Zvarisht, Tresovë, Goçë, Symiz e Shkozë por gozhduan në vend edhe trupat naziste që aq shumë e lakmonin hapësirën gorare. Pas këtij dështimi, gjermanët, duke mos hequr dorë nga kjo “vatër dhe prapavijë e sigurt“ e lëvizjes partizane, e sulmuan përsëri Gorën e Sipërme më 21.12.1943,por duke i ndarë forcat në dy drejtime, Guri i Kamjes – Osnat – Niçë – Strelcë dhe Kamje – Dolanec – Desmirë.

Masakra e Desmirës, ku u vranë rreth 20 vetë, përfshi edhe djaloshin Ramadan Shimitraku, dhe  akti heroik i nënë Eminesë që e qëlloi ushtarin gjerman me sëpatë në kokë e s’e la të shkelë pragun e shtëpisë, deri sa u dogj e gjallë nëpër flakë e zjarr, apo igruas së Dolanecit Meriko Selimllari me të bijën Shqipen në operacionin e qershorit, u tregoi Gorarve falcitetin e propagandë pushtuese e të mbështetësve të tyre, dhe se zotërimi  me çdo kusht i krahinës, ishte pjesë përbërëse e planeve të tyre  taktiko-operative për të dalë në synimet strategjike të “fortesës“ gjermane. Në të dy operacionet e ardhëshme të dimrit dhe të qershorit edhe Gorarët do të mësonin se pushtimi i vendit të tyre ishte pjesë e planit të Komandës së lartë të Vermahtit, të përpunuar shumë muaj përpara kapitullimit të Italisë fashiste, me emërtimin “Alariko” dhe që do të fillonte me parrullën “Akse“.

Ne vërtetë flasim për luftën dhe çlirimin e krahinës së Gorës, por edhe kjo si një pjesë e së tërës, u fut në planin e pushtimit gjerman të Shqipërisë nga ana e  Komandës së Lartë të Vrmahtit për zotërimin e teritoreve të zëna nga Italia fashiste në Ballkan, duke patur si qëllim kryesor…shtupjen e lëvizjes kryengritëse partizane. Mjafton të shikojmë dhe analizojmë disa nga tiparet e të dy operacioneve gjermane në Gorë për të pohuar me krenari kontributi e çmuar që ka dhënë Gora dhe bijtë e saj për lirinë e Shqipërisë.

Operacioni armik gjerman i dimrit, me plane dhe qëllime të përcaktuar,( edhe pse sipas dokumentave arkivale gjermane mban datën 7 janar), filloi më 9 janar 1944 dhe mbaroi në datën 11.01.1944, pra tre ditë iu deshën gjermanëve të përshkonin 30-40 km rrugë automobilistike dhe 20 km terren kodrinoro-malor për të dalë përtej kufijve të Gorës. Sulmi gjerman mbi krahinë u bë nga tre drejtime: Maliq-Barangat e Zvarishtit-Vërbë, Guri i Kamjes-Osnat-Niçë-Strelcë dhe Korçë-Voskopojë- Bakull.Gjermanët në të tre drejtimet futën në luftime mbi 3500 vetë pa përmendur qindra e mijra bashkëpuntorë të tyre ballistë vendas e të ardhur nga vise të tjera. Pasi lanë pas krimet, djegjet dhe shkatërrimet e shumta luftimet e dimrit jo vetëm që treguan se luftëtarët gorarë e thyen mitin e përrallës së vjetër të pathyeshmërisë së ushtarit nazist, por forcuan më shumë bindjen se janë e do të mbeten zot të vendit të tyre. Shkëlqeu në ditët e janarit të egër me dëborë të vitit 1943, akti i lartë patriotik i burrit të mençur të Strelcës Dule Shalësi që me guxim  strehoi në shtëpinë e tij ­17 partizanët e ngrirë, kur prej ditësh aty kishte edhe 10 ballistët e Haki Blloshmit që ja kishin zënë derën. Nën hundën e 400 gjermano-ballistëve që kishin zënë shtigjet e Strelcës, grupi i vogël partizan arriti të çajë e futet ilegalisht në Gorë.Nuk harrohet akti barbar i kolonës së tretë gjermane, të përbërë nga 70 vetë, që duke marshuar në drejtimin Bregu i Vëlnishtit-Cuka e Jamës-Luadhet e Priftit-Shipckës,duke ndjekur gjurmët e dëborës, kapën,lidhën dhe shpërthyen me dinamit trupat e të dy vëllezërve nga fshati Dolan Selim e Bajram Musollari.Sikur të mos mjaftonte, një tjetër mënxyrë preku fshatrave të Gorës së Poshtme nga Goça e Senishti,Tresova e Dolani, ku gjatë datave 16-17 shkurt 1944, Bajram Trebinja, me suitën e Xhemal Arrëzës e Pasho Kolanecit, bastisën, grabitën dhe dëmtuan sa mundën pasurinë e popullit, duke e lënë pa bukë në mes të dimrit.Dhe flet historia se do të dilte një Maro tjetër nga Dolani gruaja patriote Zybe Tabaku që për të ruajtur nderin e djemve partizanë iu turr këtij tradhëtari për t’i prerë kokën  me sëpatë. Trimi i Trebinjës bërë dyll e kashtë, u fsheh në aure dhe iku nga sytë këmbët, duke torturuar e hequr zvarrë, plakun patriot dhe baba të dy partizanëve të lirisë(njëri prej të cilëve dëshmor i Atdheut), Ameli Agollin. Një fund të palavdishëm do të kishte “trimi” i Trebinjës dhe 300 sejmenët e tij para forcave të BrIS, në afërsi të fshatit Dunicë.

 Në vlerësimin e misionarëve aleat që vepronin në Shqipëri, gjatë LANÇ-it, përfshi edhe misionin ushtarak anglez të vendosur në Krushovë të Voskopojës, gjatë vitit 1943, thuhej se…repartet e rregullta të  LANÇ, janë të vetmet trupa me të vërtetë të organizuara në vend, ndërkohë që për dy forcat e tjera luftarake që vepronin gjatë viteve 1943-1944, ballit dhe legalitetit, duke i përcaktuar si të paorganizuara fare, me një vlerë të vogël luftarake, me prirje provincial, pa bindje e disiplinë e që s’dhanë kurrë imazhin e një faktori ushtarak, gjen veten e saj edhe gjendja dhe pasqyra e veprimeve luftarake në krahinën e Gorës dhe kompleksi i strukturave dhe formacioneve luftarake të krijuara në të.

Këto të dhëna dokumentare të besueshme, mbështesin informacionin dhe në çdo kohë do të mënjanojnë interpretimet e gabuara, mohuese, nihiliste e dashakeqe për rolin vendimtar të forcave partizane në krahinë, si forca më e madhe e kryesore  e çlirimit kundër pushtuesve nazi fashistë e shërbëtorëve të tyre deri 70.000 vetë, që do t’i shkonte me vendosmëri deri në fund kësaj lufte me shkallën më të lartë organizative të 8 Divizioneve Sulmuese e 3 Korparmata, Shtab të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashi­ste Nacionalçlirimtare (formuar në korrik të vitit 1943) dhe Komandë të Përgjithshme të kësaj ushtrie (krijuar në maj 1944. Por atë që Komanda  e DIMalor të Korpusit XXII nuk e arriti gjatë dimrit 1943-1944,pasi kishte fituar njohur më të mirë në pikëpamje ushtarake për vlerën dhe rëndësinë e terrenit të krahinës, kishte studjuar më mirë format taktike të befasisë, diversionit e mashtrimit për të depërtuar në thellësitë strategjike të vendit, për të zbatuar elementët e një taktike efikase, sulmuese, mbrojtëse, tërheqës, manovruese si dhe mbështetëse për zhvillimin e veprimeve luftarake të mëtejshme,  tentoi ta arrijë  më von gjatë Operacionit të Qershorit 1944. Synimi i vetëm i nazistëve ishte, t’i japë fund rezistencës partizane dhe krijojë prapavija të sigurta me qëllim që të shmang çdo orvajtje të Aleatëve për një zbarkim të mundshëm në hapësirën Ballkanike,ku territori shqiptar mërrte përparësi për shkak të rrugës së ngushtë detare të kanalit të Otrantos me anën tjetër  të bregdetit.  Dhe të kuptohemi, veprimet e një divizioni në territorin e një krahinë siç ishte Gora me 27 km VJ e 20 km LP, nuk qenë pak po të përmendim që në nivel kombëtar, trupat pushtuese gjermane arrinin rreth 57.000 vetë.Më 5 qershor rreth 10000-15000 trupa naziste të armatosura marshuan drejt Krahinës së Gorës po nga tre drejtime: Pogradec-Guri i Kamjes grupi i parë nazis “Malter“, Korçë-lugina e Devollit, grupi i dytë nazist “Hirschfeld“ dhe Korçë-Voskopojë, grupi i tretë nazist “Vil“. Zyrtarisht plani operacional gjerman për zhvillimin e mësymjes së qershorit ndaj Gorës duhet të fillonte që më 3 qershor, por u vonua dy ditë për të humbur gjurmët e zënë në befasi forcat partizane e krejt popullsinë që ishte tepër armiqësore me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre të çdo ngjyre. Duhet theksuar se këtë mësymje komanda gjermane e të tre grupeve luftarake, “Malter“, “Hirschfeld“ e “Vil“, (shih kalkimet në hartë), arriti që ta realizojë brenda një ditë nëpër Gorë (edhe pse ai mbaroi në 8 qershor), pasi përmirësoi mënyrën e luftimit, rriti tempet e lëvizjes, përcaktoi më mirë drejtimet taktike që mundësonte terreni i krahinës për të dalë në thellësi të Oparit sa më shpejt, bashëpunoi më mirë me kolaboracionistët dhe shërbëtorët e tij, shfrytëzoi epërsinë e mjeteve të motorizuara dhe teknikës së rëndë për të ruajtur forcat dhe goditur nga larg repartet dhe njësitë partizane etj. E ndërsa zhvilloheshin uftime të ashpra në vetullën e Dmjanecit nga batalioni “Skënder Çaçi“,  tek Borigat e Gjonomadhit nga batalioni “Tomorri“, grupi i parë nazist me emërtimin “Malter“,  i gozhduar në Krosnisht e Moçan kishte pushtuar Zvarishtin duke vrarë Adile Agollin me dy fëmijët e mitur dhe At Jorgjin, priftin patriot të Niçës dhe Anëtar i Këshillit Krahinor të Gorës. Gjithashtu në rrugëtimin e tyre për në Bode e Opar masakruan me duar të lidhura vajzën trimëreshë gorare 18 vjeçare të këtij fshati S.Bashllari, po nga fisi i Bashllarëve

Luftëtari gorar e shkëputi kantaktin e fundit me pushtuesit nazist më 7 qershor 1944 duke u kthyer në vendlindje për t’u bërë nderet dhe homazhet 11 burrave, grave e fëmijëve që masakroi gjermani gjatë këtij operacioni, 16 të internuareve pa shpresë e 40 të tjerëve të burgosur nëpër burgjet fashiste. Krisma e pushkës së 400 partizanëve gorarë oshëtiu  së fundi rrugëve të Korçës deri në çlirimin e plotë të saj më 24.10.1944.

Si përfundim mund të themi se Gora  i dha LANÇ-it mbi 1500 luftëtarë që mbushëm njësitë partizane e luftuan në tërë Shqipërinë e përtej kufive të saj, ku mes  400 dëshmorëve që ranë andej të ishte edhe gjaku i bijve gorarë, me Istref Panen e Tresovës që ra në Vuçiternë të Kosovës.  Krahina e Gorës në periudhën 1942-1944 përballoi me sukses mbi 350 sulme e goditje të armikut.Ranë në fushën e nderit për lirinë e atdheut mbi 130 bij e bija të saj, u plagosën mbi 250 vetë dhe qindra të tjerë u burgosën, masakruan e internuan. Nga 25  gra e vajza gorarë që morën pjesë në luftë, 5 ranë dëshmore për Shqipërinë. Po t’i shtojmë kësaj edhe djegjen e rreth 1000 shtëpive, shkatërrimin e 12 urave, prishjen e 10 km rrugë automobilistike, grabitjen e 1700 gjedhëve, 5300 bagetive të imta, rrëmbimin e 200 kafshëve të samarit, pemë, pyje, të mbjella, bletëve e gjithë objekteve me vlerë të kësaj krahine, humbjet ishin të mëdha e të ndjeshme.

Duke i vlerësuar forcat partizane që vepruan në krahinë si forcë e armatosur kryesore të luftës, nën dritën e një realizmi dhe objektivitetit të matur, ne kurrsesi nuk i mitizojmë e krijojmë kultet e tyre, as anatemojmë, as mohojmë apo kriminalizojmë tej masës reale, veprimet e forcave të tjera shqiptare, bashkëkohëse me partizanët. Duke qënë realë, të besueshëm, me dokumentacion të plotë e shumpalësh, ne ndihmojmë që edhe kjo pjesë e historisë të krahinës sonë, t’u shërbejë brezave, historisë së zonës e krejt vendit. Me këtë luftë, nga më të shënjtat, kundër armikut më të egër të njerëzimit, bishës nazifashiste, Gora dhe gorarët dhanë një ndihmesë të çmuar, në raport me përmasat e tyre, në interes të lirisë dhe pavarësisë së vendit, brenda kufijve të 1913, duke bërë të mundur kështu dështimin përfundimisht edhe të planeve shoviniste  për coptimin e tij.

Lavdi dëshmorëve të Krahisë së Gorës që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut,

Nder e mirënjohje të thellë gjithë luftëtarëve gorarë të kësaj lufte, atij vend që u bë bazë e fuqishme e mbështetjes së formacioneve partizane, udhëheqjes së lartë ushtarake, e cila disa herë qëndroi aty gjatë luftës, si  dhe patriotëve demokratë që iu kundërvunë pushtuesit e tradhtarëve të vendit.

November 24, 2017 10:25
Komento

3 Komente

  1. Niku November 24, 13:42

    O shqiptare!, nderoni emrat e krahinave! Krahina “Gora”, krahina “Golloborda”, etj. sherbejne si “gozhda e nastradinit ” qe sllavet te pretendojne se jane njerezit e tyre, ashtu si po bejne bullgaret tani. Perse veproni ndryshe nga sllavet qe emrat shqiptare nuk i mbajne!

    Reply to this comment
  2. demo November 24, 15:05

    Po ca kerkonin romaket,hunet ne Gore o derdimen,te semes kerkonin?Ja ke gjetur dhe vitin kur hunet qenkan ngjitur neper rrepirat e Gorres,441 .Hunet deri ne Nish,kane zbritur ne Ballkan,morrat kerkonin ne Gore?E paske bere Goren si Jerusalemi.7 Kralnite e Evropit u ndeshen midis tyre ne luften e 1bot.per te marre Goren!Gjermanet ndermoren 360 operacione 15 mije ushtare per te marre Goren!!!!!!!Aq operacione nuk i bene kunder Bashkimit Sovjetik.Gjermanet dy operacione ndermoren kunder Frances.Nje operacion maskimi nga Belgjika dhe nje operacion luftarak nga Ardenet.Per dy jave pushtuan Fransen,.Jugosllavine e pushtuan me motorcikleta,Greqine me desante ajrore.
    Ku bie kjo Gora o ????????Perpara rreshin komisaret,e hashin katundaret,;sot rrejne katunaret,e hane qytetaret.

    Reply to this comment
  3. Cjapi November 24, 16:38

    Shkrim per muzhike pensioniste. Pa ua thene jugosllavet e ruset se duhej te luftonin pushtuesin e huaj, a do ta luftonin ate PKSH dhe ato qe iu bashkuan UNÇL?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*