Goxhaj: Kush ishte heroi kavajas Indrit Cara dhe rrethanat e vrasjes në UÇK

Nga Kujtim Boriçi September 6, 2013 10:52

Goxhaj: Kush ishte heroi kavajas Indrit Cara dhe rrethanat e vrasjes në UÇK

Indrit Cara, oficeri trim nga Kavaja, (Dëshmor i UÇK-së), ishte ‘pika e dobët’ për kolonel Dilaver Goxhajn dhe funksionarët e tjerë në Shtabin e UÇK-së. Ai ishte trim dhe toga që drejtonte, kishte kryer ndër detyrat më të vështira në frontin e luftës. Në intervistën e tij në vazhdim, Goxhaj rrëfen njohjen e parë në Kosovë me Indritin, aktivitetin luftarak të djalit nga Kavaja në përballje me serbët dhe bisedën e fundit me ‘të në ditën e vrasjes…

 

Cilat forca politike ishin ato që bënin propagandimin e mobilizimit për luftë të popullit shqiptar në Kosovë?

-Kosova, deri sa shpërtheu Lufta e Armatosur për çlirimin e saj, pati trashëguar gati 10 parti të ndryshme politike, 100 ide të ndryshme, 50 shoqata të ndryshme dhe të paktën 1000 marrëzi të ndryshme. Nga këto 10 parti legale politike, derisa filloi lufta, asnjë prej tyre nuk e rekomandonte luftën me armë për liri. Ishin vetëm dy forca politike që e rekomandonin këtë variant: Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), të dyja në ilegalitet, e para brenda në Kosovë, e dyta jashtë vendit dhe individë të saj brenda në Kosovë, por jo struktura, sikundër ishte LKÇK.

Kush doli hapur pro luftës?

Indrit Cara-Kur filloi lufta, në mbështetje të saj dolën Partia Parlamentare e Adem Demaçit dhe Lëvizja Bashkuar Demokratike e Rexhep Qoses. Pas 14 muaj që po luftohej në Kosovë, në 4 janar 1999, në ditën e 400 të luftës, vihet në funksionim Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencia “Kosova Press”. Dalia e këtyre në skenën e luftës, vërtetonte se mendimi për çlirimin e Kosovës, tek popullin shqiptar në Kosovë, por edhe në të gjithë kombin, ishte bërë aq i natyrshëm sa edhe ngrënia e ushqimit dhe fjetja. Zëri i radios “Kosova e Lirë” ishte zëri që predikonte luftën tonë të drejtë, bazën e jetës sonë; ai ishte një agjitator, një kryengritës i paduruar, kryeneç dhe i shqetësuar; ai ishte fryma rebeluese në shpirtin e njerëzve, i cili sulmonte kënaqjen e njeriut me vetveten; ai ishte zëri, që zgjonte të fjeturit, u tregonte të kaluarën e afërt, u ndriçonte rrugën për jetën e re, i nxiste të mendonin thellë e të hidhnin poshtë paragjykimet për UÇK-në. Zëri i kësaj radioje ishte tingulli që çekani UÇK binte mbi kudhrën e historisë së Kosovës dhe mbi gjeneralët serbë si dhe mbi mallkuesit shqiptarë, të cilët i hutonte, pasi e panë fare qartë se asgjë nuk doli nga ofensivat e vazhdueshme të forcave serbe. Kjo radio luajti një rol të pa zëvendësueshëm…

Si e përcaktoni rolin e saj për momentin që flisni?

-Të gjithë shqiptarët e Kosovës, që e dëgjuan atë zë, u bashkuan me UÇK shpirtërisht dhe një pjesë e tyre edhe fizikisht, ndërsa gratë dhe fëmijët flinin të uritur nën nailonet në zonat ku i mbronte UÇK-ja. Nga 9 mijë luftëtarë që kishte deri atë ditë UÇK-ja në radhët e saj, pas atij zëri të fuqishëm arriti 19.800 luftëtarë të rreshtuar në formacionet që luftonin në Kosovë. Me zërin e Radios ‘Kosova e Lirë’ dhe Agjencinë Kosova Press, Kosova e plotësoi simfoninë e Luftës Çlirimtare. Duke dëgjuar këtë zë shqiptarët në Kosovë njohën forcën e tyre të madhe. Po të mos ishte kjo radio e thjeshtë, por që dëgjohej në tërë territorin e Kosovës, jo vetëm që do të binte morali i gjithë popullit shqiptar në Kosovë, por  Ushtria Çlirimtare e saj do të mbetej si peshku pa ujë dhe nuk do të kishte besim për të fituar.

Ju jini personi që kini sjellë në Kavajë eshtrat e dëshmorit kavajas Indrit Lulzim Cara. Gjatë luftës a keni kontaktuar me Indritin dhe a e kini njohur nga afër?

-Indrit Cara, në moshën 14 vjeçare regjistrohet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë, e cila ishte fidanishtja e kuadrove të ushtrisë shqiptare. Pasi e kryen këtë shkollë dërgohet të pwrgatitet për oficer kundërajror në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Pas dy vjetësh studime në atë akademi, në Shqipëri fillojnë proceset demokratike. Duke i parë qartë se si do të rridhnin ngjarjet, Indriti largohet nga shkolla, në vitin e fundit, kthehet në familje dhe pasi merr edhe miratimin e saj për atë vendim, shkon refugjat ekonomik në Itali, ku qëndron dy vjet. Më vonë kalon në Londër, ku merr edhe vëllanë tjetër, Dorjanin. Morën kurbetin, si gjithë rinia shqiptare, pasi e panë qartë se prindërit ishin të moshuar, pa shtëpi, pa punë dhe pa perspektivë edhe për ata.

Indrit Cara, nga emigrant në Londër, në radhët e UÇK-së?

-Në Londër, Indriti takohet, punon e jeton edhe me shumë djem nga Kosova. Miqësohet me ta. Në Kosovë më në fund del në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gazeta “Zëri i Kosovës” jepte gjithnjë e më shumë lajme për luftën në Kosovë. Kjo e entuziazmon Indritin. U bë më i gjallë, më shprehës, më i gëzuar… Në 18 Dhjetor 1997, Indriti boton një shkrim në gazetën e UÇK-së. Ai u bën thirrje të gjithëve që e ndjenin veten sado pak shqiptarë, të ndihmonin luftën me të gjitha format. “Ta ndihmojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, këtë filiz shprese, force dhe krenarie, që të rritet e të forcohet si një lis madhështor, t’i bëjë ballë shtrëngatës serbe. Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, mbyllet shkrimi i Indritit. Pra qysh në fillesat e saj, Indriti e ndjek në vijimësi situatën e luftës në Kosovë dhe në Janar të vitit 1999 lë Londër dhe niset për në Shqipëri, me vendimin se do të shkonte të luftonte në Kosovë, në radhët e UÇK-së. Pasi mbërrin te prindërit e tij, pas 8 vjet ndarje, (tani i gjen në banesën që ai u kish blerë), ndahet shpejt prej tyre dhe niset në Kosovë, bashkë me tre shokët e tij prej Kosove, që kishin qenë së bashku në emigracion.

Cili është itinerari dhe kontakti i parë i Indritit me formacionet e UÇK-së?

-Bëjnë tentativën e parë përmes Kukësit. I ndalon policia shqiptare, i arreston dhe i kthen në Tiranë. Dalin nga burgu me ndërhyrjen e ambasadorit shqiptar në Londër dhe nisen përsëri për në luftë. Fillim i marsit 1999. U desh të kalonin fshehtas liqenin e Fierzës dhe të mbërrijnë në Pagarushë, Neshec. Ato ditë pritej fillimi i një ofensive e ushtrisë serbe kundër zonës së Pashtrikut.

Cili është kontakti juaj me Indrit Carën?

-Në shtëpinë ku ishte vendkomanda rezervë e Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, unë dhe Shefi i Shtabit, Bislim Zyrapi u kthyem nga kontrolli i fronteve në ora 02:00 e datës 20 Mars 1999, pra në mesnatë. Nata ishte me hënë, ndërsa gjithë terreni ishte i mbuluar me borë. Ishte njësoj si ditë. Pasi ndalon xhipi, hapëm dyert të zbrisnim si unë edhe Bislimi. Ishim në të njëjtin krah të tij. Porsa zbritëm, na doli përpara një djalë i ri, duke marrë drejtqëndrimin dhe duke nderuar ushtarakisht. Mënyra se si e morri drejtqëndrimin dhe nderimin, më tërhoqën vëmendjen dhe menjëherë e pyeta: Nga të kemi mor djalë? Nga Kavaja. Po ju shef nga u kemi? Edhe unë andej jam, i thashë dhe u përqafuam. U takua edhe me Bislimin. Kur unë e pyesja, Bislimi rrinte dhe dëgjonte. Atë natë do të niseshin rreth 100 djem me armatim dhe municion për në zonën e Llapit. Pasi më tregoi se kish qenë edhe skënderbegas, u gëzova që më në fund do të kisha pranë një skënderbegas, sikundër pata qenë edhe vetë, por edhe ngaqë Bardhyl Tahiri kish shkuar në Drenicë.

Dhe e mbajtët Indrit Carën pranë jush, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së?

-Kur mësova se kish dëshirë të shkonte në Llap, bashkë me shokët që pat ardhur nga Londra, të cilët ishin nga Llapi, instiktivisht i thashë se nuk do të shkonte në Llap. Do të rrish këtu, në shtab, bashkë me mua. Në këtë kohë ndërhyri Bislimi me humor, duke imituar Mato Grudën: Atë e di unë. Qeshëm dhe u ndamë , por që do të rreshtoheshin pas pak. Në një moment e takova përsëri në korridorin e godinës dhe e pyeta në intimitet se pse e kish lënë Londër dhe erdhi në luftë. Nuk e mbarova shkollën ushtarake dhe erdha ta përfundoj këtu, në luftën e vërtetë. Që në momentin që ke vendosur të vish në luftë, i thashë, që në atë moment ti je diplomuar oficer. Do të luftojmë së bashku. Pasi kontrollohet armatimi dhe njerëzit që do të niseshin për në Llap, bëhet rreshtimi i tyre në dy rreshta. Edhe Indriti ishte në rresht. Pasi u dhanë komandat e nevojshme, Bislimi urdhëroi: Ushtar Kavaja dilni nga rreshti dhe shkoni pranë Shpëtimit (Pseudonimi i Dilaver Goxhajt. K.B.). Të tjerët urdhërohen të nisen për në Llap. Indrit Cara emërohet kuadër drejtues pranë kompanisë autonome të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me bazë në Divjakë të Berishës dhe u nis qysh atë natë. Por ngjarjet morën tjetër rrjedhë…

Cila ishte rrjedha e ngjarjeve në vazhdim?

-Ishte 31 Mars 1999. Kish më se një javë që zona e Pashtrikut zhvillonte luftime të ashpra me ushtrinë serbe. Sulme e kundërsulme të përditshme. Armiku çdo ditë e më shumë po sillte përforcime si në forca, ashtu edhe në mjete zjarri. Nga të dy anët kish humbje të konsiderueshme. Komandanti i Zonës së Pashtrikut, Tahir Sinani kishte organizuar zbatimin e vendimit për mbrojtje aktive dhe të mos e lëshonte zonën e Pagarushës, sikundër ishte urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm, për mbrojtjen e popullatës së grumbulluar në atë zonë, ku ishin me dhjetëra mijëra gra, pleq e fëmijë. Në drejtim të Samadrazhës armiku mundi të depërtonte me tanke, përgjatë luginës. Nevojiteshin përforcime për të dhenë kundërsulm. Nuk kishim më forca rezervë. U vendos që në ndihmë të zonës të sillej një togë nga kompania e shtabit të Përgjithshëm. Urdhri u dha me radio. Pas 30 minutash mbërrijnë përforcimet, me në krye Indrit Carën. Takohem përsëri me Indritin. Përqafohemi. Në secilin nga ne kishte diçka intime për njeri – tjetrin. Ndoshta na dukej se ishim ndërmjetës për secilin, për vendlindjen, shkollat ushtarake ku kishim studiuar. Na u duk sikur do të niseshim në shtëpi, pranë prindërve dhe të tjerëve. Unë e dija se ku do të shkonte Indriti me togën që po komandonte. Pas një minute do t’u jepja detyrën. Duke e përqafuar, i thashë pa e larguar kokën nga e tija: pse erdhe, ne të kemi dërguar të na stërvitësh ushtarët. Ai më tha: Unë nuk kam ardhur këtu për të ngrënë fasule.

Cila ishte detyra që mori Indriti?

-Indriti morri detyrën, që me togën e tij të rimerrte dhe të  mbante majën e malit të Gallushës, me qëllim që të goditej armiku nga shpina, për t’u tërhequr prej luginës. Bora ishte e madhe. Të ftohtit ishte i jashtëzakonshëm, por toga e Indritit pasi e morri me sulm, qëndronte e patundur në majën e Gallushës. Detyra u realizua. Armiku kundërsulmoi përsëri, pas një përgatitje të gjatë me zjarr artilerie, por nuk mundi ta rimerrte majën e Gallushës. Sulmi i tij u thye me zjarr. Pati të vrarë nga të dy anët. Bora e bardhë u bë e kuqe e errët prej gjakut. Në mbrëmje vonë kur unë me Bislimin kishim mbërritur në Divjakë dhe po tereshim pranë një stufe, erdhi komandanti i kompanisë së shtabit, u kthye edhe ai nga luftimet, kur Bislimi e pyeti se a kishin pasur humbje në njerëz, ai nuk u përgjigj. Kjo më dogji, dhe menjëherë u ktheva nga ai dhe e pyeta: Mos është vrarë gjë Kavaja?

Ishte vrarë Indrit Cara?

-Po, më tha Bislimi, është vrarë Indriti… Nuk mbaj mënd më se ç’ndodhi me mua. Mbaj mend kur më përmendën shokët. Isha tronditur së tepërmi. Kërkova të më shoqëronin atje ku e përgatisnin për herë të fundit dhe mbërrita pas një ore. Ishte natë. Kur shkova unë, shokët e kishin pastruar. E putha dhe i mbylla sytë, duke i dhënë lamtumirën e fundit. Indriti u varros nën krismën e armëve në Negrofc. Menjëherë si përfundoi lufta, i ati i Indritit, Lulzimi, erdhi për të parë vendin ku i kish rënë i biri. Në çdo ngjarje të madhe kombëtare, Carajt i dhanë kombit tonë heronj.

Diçka për kthimin e eshtrave të Indrit Carës në Kavajë?

-Në 10 Tetor 1999 eshtrat e Indrit Carës kthehen në vendlindje me helikopter. Helikopteri para se të ulej bën 2 rrotullime mbi qytetin e Kavajës dhe pastaj ulet në stadiumin e tij. Po këtë lloj përshëndetje bën helikopteri mbi qytet edhe kur largohet. Indriti iu shndërrua dhe iu kthye si engjëll Kavajës dhe familjes së tij. Bashkia e qytetit të Kavajës dhe Këshilli i Rrethit e shpallën ‘Dëshmor të Atdheut’, ndërsa Presidenti i Republikës e dekoroi me dekoratën më të lartë:’Shqiponja e Artë’. Bashkia e qytetit, në nderim të tij, vendosi që bulevardi kryesor i qytetit të mbajë emrin e Indrit Carës si dhe shkolla 8-vjeçare ku ai pat kryer ato vite. Ceremoninë mortore e ri varrosjes së Indrit Carës ishte madhështore. Kurrë nuk e mban mend Kavaja një nderim të atillë. I gjithë qyteti ndaloi çdo lloj aktiviteti. Tregu nuk u hap. Funksiononin vetëm kafenetë, të cilat tregtonin vetëm kafe. Qyteti Kavajës ishte veshur në të zeza dhe flamuri kombëtar ishte ngritur në gjysmë shtize. Asnjë makinë nuk lejohej të qarkullonte në rrugën kryesore të qytetit. Kudo mbretëronte heshtja. Kavaja mbante zi për djalin e saj Hero, Indrit Carën, Kavajën. Prej stadiumit të qytetit për në familje, prej familjes në qendër të qytetit për homazhe, prej homazheve në qendër të sheshit të qytetit, që sot mban emrin e Indritit, dhe prej andej deri në banesën e tij të fundit , trupi i Indritit u përcoll nga orkestra frymore e Ushtrisë Shqiptare, e shoqëruar nga kolona dhjetëra mijëshe e popullit të qytetit. Atë numër e rriste edhe më tepër ardhja e banorëve nga Durrësi me rrethina dhe të fshatrave të Kavajës, që janë me origjinë nga Kosova, si dhe me qindra refugjatë kosovarë që ende nuk ishin kthyer në Kosovë. Në krye të kolonës të pafundme njerëzore, që po e përcillte Indritin në përjetësi, ishin shokët e luftës së tij, që e mbanin atë në krah. Atje ishte e gjithë Shqipëria.

Pati personalitete në këtë ceremoni?

-Në ceremoninë madhështore erdhi përfaqësues nga Presidenca e Republikës, z. Sabit Broka dhe nga Ministria e Mbrojtjes, nga Kuvendi Popullor, tërë komunitetet fetare të Kavajës dhe i gjithë këshilli bashkiak i qytetit. Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së fola unë, ndërsa në emër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës foli Kadri Veseli. Garnizoni i divizionit të Shijakut organizoi homazhet e nderit në kinemanë e qytetit, ku i gjithë qyteti bëri homazh para trupit të Heroit Indrit. Homazhet zgjatën mbi 5 orë. Përshëndetjen e fundit e bënë breshëritë e armëve të ushtrisë shqiptare, motrës së UÇK-së.

Në dy vjetorin e rënies së Indrit Carës, 31 Mars 2001, Bashkia e qytetit të Kavajës, me shpenzimet e saj, ngriti në Bronx, në qendër të qytetit bustin e Indrit Carës, birit të nderuar të qytetit të vet, për ta përjetësuar dhe nderuar heroizmin e atij djali hero. Atë ditë u prezantua edhe kënga për dëshmorin Indrit Cara e kompozuar dhe ekzekutuar nga orkestra e qytetit të tij të lindjes. I gjithë qyteti i Kavajës dhe familja e tij përshëndeten çdo ditë dhe krenohen me birin e tyre të shënjtë, i cili do të jetë përherë atje, i gjallë, në qendër të qytetit.

(Vijon nesër)

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e Kolonel Dilaver Goxhajt. Këmbëngulja jonë dhe refuzimi i Presidentit Rexhep Mejdani për pjesëmarrjen në ceremoninë e dhënies së Dekoratës “Shqiponja e Artë” familjes së dëshmorit Ingrit Cara. Argumenti i Mejdanit.

-Debati i Sabit Brokajt me Mejdanin lidhur me argumentet e refuzimit të prezencës në Kavajë, në prani dhe të Ramë Bujajt, Jakup Krasniqit e Dilaver Goxhajt.

-Letrat dhe kontaktet me Presidentin Alfred Moisiu dhe pozicioni i tij lidhur me vlerësimin e kontributit të ushtarakëve nga Shqipëria që luftuan në UÇK.

 

Nga Kujtim Boriçi September 6, 2013 10:52
Komento

6 Komente

  1. Horri i Bulevardit September 6, 16:21

    Pashe nje emision kushtuar heroit te kombit Indrit Cara, nje djale simpatik dhe me shume ideale per atdheun.
    Nje perkulje para familjes qe e rriti, eshte pak, familja e heroit sot ndihet krenare, se djali i tyre, u be djali i kombit shqiptar.
    Sot mund te mburremi me atdhetarizmin, se e kemi kollaj, por Indrit Cara, na tregoi se tjeter gje eshte te llomotisesh fjale kafeneje per atdhetarizmin dhe patriotizmin dhe tjeter eshte te tregosh se si behesh patriot, pa shume buje.
    Ne emisionin qe pashe kushtuar heroit Indrit Cara, pashe se kush ishte ne te vertete ky djale nga Kavaja dhe qe shoket e therriten ushtar Kavaja, por qe kur e degjon kengen e kenduar nga kengetari i madh Ilir Shaqiri, Jam ushtar Kavaja, te mbushen syte me lot.
    I perjetshem qofte kujtimi i ketij djali nga Kavaja, qe ne diten qe ra per liri, u be djali i gjithe familjeve shqiptare.
    Faleminderit familjes se nderuar te ushtar Kavajes, qe rritet nje hero dhe si hero ra per lirine e Kosoves.
    Ri i perkulur para heroit te kombit Indrit Cara, USHTAR KAVAJA.

    Reply to this comment
  2. Dielli mbi KORAB September 6, 17:55

    Lote DHIMBJEJE dhe lot KRENARIE per kete shqiptar trim dhe atdhedashes.

    Reply to this comment
  3. veri September 6, 22:25

    Duhet njohur kontributi i ushtarakeve nga Shqiperia ne UCK, pasi pak njihet. Ky cikel shkrimesh ne ‘Dita’, eshte shume interesant….

    Reply to this comment
  4. beni September 7, 08:14

    Ne Lucerne te Zvicres kur u be mbledhja per te shkuar vullnetare ne lufte ne Kosove 200 kosovare e ngriten doren, por kur erdhi autobuzi pas nja 3 diteve per ti marre vetem 3 a 4 veta u paraqiten. Ma ka treguar nje shok qe ishte vete aty. Ata rrinin e pinin birra me Serbet ne perendim kur luftohej ne Kosove. Kur i thoshim ne : po si rrini e flisni me serbet, na thoshin se keta nuk kane faj, jane popull

    Reply to this comment
  5. I.Troplini September 7, 09:58

    Indrit Cara dha jeten e tij per kauzen shqiptare. Per te gjithe ata qe e ndjejne veten shqiptare, eshte nje detyrim moral te njohin dhe trajtojne me respekt emrin e ketij deshmori.
    Pa Kosove nuk ka Shqiperi, nuk eshte vetem nje fraze e thate dhe e larget. Ajo eshte shprehje e realitetit shqiptar qe kushtezon mbijetesen e kombit tone. Indrit Cara eshte nga ata shqiptare qe jo vetem e kane kuptuar rendesine e saj por qe me trimerine dhe kurajon qe i karakterizon, e mbushen me jete idealin e shqiptarit luftetar. Jane shqiptare si ai, qe bejne ndryshimin dhe i sherbejne brezit te ri si fanar i ndjenjave kombetare qe duhet te kene. Ndjej respekt per deshmorin Indrit Cara.

    Reply to this comment
  6. albi October 15, 13:17

    Vjen nje dite qe te gjith ne i bejme pyetje vetes ??? E un them pse te mos ndjehesh shqiptar kur je i till . Kur ne shum momente ndjen zemren qe rreh e te duket qe del nga gjoksi . Ndoshta jam pak shqiptar dhe un …. RESPEKT. Djalit ilir..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*