Goxhaj: Lidhja ime me Jasharajt dhe harresa zyrtare sot për Adem Jasharin

Nga Kujtim Boriçi September 17, 2013 12:01

Goxhaj: Lidhja ime me Jasharajt dhe harresa zyrtare sot për Adem Jasharin

Për Dilaver Goxhajn, luftëtari nga Shqipëria në çlirimin e Kosovës, ish-Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së, pas lirisë, shumë nga luftëtarët dhe vetë lufta, nuk u vlerësuan ashtu siç e meritojnë dhe siç ka bërë dhe bën çdo komb për luftëtarët që sjellin lirinë. Sipas Goxhajt, është e pafalshme, që qeverisja e sotme, pjesa më e madhe e së cilës janë vetë ish-luftëtarë të UÇK-së, kanë lënë në ‘hije’ dhe

Adem Jasharin ‘Heroin…’ dhe Legjendën e UÇK-së. “Është e pa falshme që drejtuesit e shtetit të sotshëm të Kosovës, Thaçi e të tjerët, të lenë në hije Adem Jasharin i cili sakrifikoi veten e familjen e tij në emër të lirisë së Kosovës. Për kundër, po vlerësohet maksimalisht Ibrahim Rugova i cili jo vetëm nu kontribuoi një ditë në favor të luftës (bashkë me forcën e tij politike e mbështetësit), por dhe pas çlirimit, nuk tha qoftë dhe një fjalë të vetme për UÇK-në e luftën e saj”- pohon mes të tjerave kolonel Dilaver Goxhaj. Në intervistën e tij në vazjhdim Goxhaj rrëfen dhe vizitat e shumta që ai ka bërë në familjen e jasharajve, përfshi dhe atë, bashkë me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe Ilir Metën…

 

Zoti Goxhaj! A kini pasur kontakte me Adem Jasharin para Luftës së Prekazit?

Jo, nuk kam pasur as kontakte dhe as dijeni rreth emrit të Adem Jasharit. Vetëm pasi ndodhi Lufta e Prekazit nga 5-8 Mars 1998 dhe pas saj, kam mësuar se kush ka qenë Adem Jashari. Fotografinë e tij për herë të parë e kam parë përmes gazetës “Zëri i Kosovës” dhe më vonë në gazetën “Rilindja”, që botohej në Tiranë. Gjatë marshimit tim të parë nëpër Kosovë për herë të parë e kam ndeshur fotografinë e tij kur ndalova disa orë në vend drejtimin e batalionit autonom të SHP të UÇK, tek Komandant Guri (Jetullah Qarri). Më pas e shihja kudo, jo vetëm në vend drejtimet e formacioneve të ndryshme të UÇK, por edhe nëpër familjet fshatare, ku ne na binte rasti të strehoheshim me orë, në varësi nga kushtet e motit dhe detyrat tona.

 

Keni shkuar disa herë në familjen Jashari dhe keni miqësi me ‘ta?

-Për herë të parë në familjen e Adem Jasharit kam shkuar pas lufte, atë ditë që erdhi në Kosovë dhe shkoi për vizitë në këtë familje kryeministri shqiptar Pandeli Majko, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Ilir Meta. Pasi mbaroi vizita e hollësishme nëpër gjitha kullat e Jasharjave, më në fund Majko dhe Meta u pritën nga Refat Jashari, vëllai i madh i Ademit, në një dhomë të vogël, e cili ishte regualluar provizorisht. Në këtë dhomë  hyra edhe unë. Në atë kohë isha caktuar shef i kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Azem Syla. Pas një bisede të gjatë të kryeministrit me gazetarët dhe familjarët e Adem Jasharit, gjeta momentin dhe, pasi u prezantova me detyrën që kisha, fillova t’i njoh shkurtimisht mbi strategjinë e UÇK-së dhe bashkëveprimin e saj me NATO-n. Në këtë moment Majko më pyeti se nga isha unë, pasi dialekti im iu duk i ndryshëm. Kur i thashë se jam nga Tirana dhe se në radhët e UÇK ka pasur edhe oficerë dhe ushtarë vullnetarë nga Shqipëria, ai më dha shenjë që të ndaloja pak dhe urdhëroi që gazetarët të dilnin jashtë.

 

Si u veprua pas ndërhyrjes së Majkos?

-Unë më pas vijova të tregoj përmbledhtas rreth vullnetarëve nga Shqipëria dhe mbi dëshmorët e rënë nga radhët e tyre. Kur mbarova, të dy, Majko dhe Meta më ftuam që në rastin më të parë të kthimit tim në Tiranë isha i mirëpritur në Kryeministri. Por unë erdha ato ditë që zhvillohej Kongresi i PS-së dhe rastësisht takova Ilir Metën tek ‘Rogneri’, i cili më sqaroi se ishin të zënë me Kongresin dhe nuk pata më rast që t’i takoja, pasi Majko nuk ishte më Kryeministër.

Më vonë unë kam shkuar dhjetëra herë të tjera në Prekaz, tek ‘Meka’ e Shqiptarëve, duke shoqëruar vizitorë të ndryshëm nga Shqipëria por edhe nga emigracioni, që vinin në Prishtine dhe më takonin. Si rrjedhojë jam njohur edhe me pjesëtarët e tjerë të mbetur gjallë nga familja e Shaban Jasharit.

 

Pra, kjo miqësi vazhdon?

-Po. Duke plotësuar njohjen rreth familjes dhe aktivitetit të Adem Jasharit dhe Hamzës, unë edhe kam shkruar rreth asaj lufte epope.

Jasharajt në Prekaz janë vizituar edhe nga Përfaqësuesi i parë Special i OKB, z. Kushner, i cili edhe deklaroi se nëse do të kish një çmim paqeje për qëndresë të tillë heroike si Jasharajt, ata do të ishin të parët që do ta meritonin atë çmim. Por çudia është se Jasharajt nuk u vizituan kurrë nga Ibrahim Rugova dhe nuk u përmendën kurrë prej tij, deri sa qe gjallë.

 

Si e shpjegoni këtë qëndrim të Ibrahim Rugovës?

-Me atë masakër ushtarake që bëri Millosheviçi ndaj familjes së komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Jasharit, ai pat menduar se do të vinte qetësinë në Kosovë, me shpresë se më pas do të kish një Kosovë të shëndetshme, me një qeverisje miqësore nën LDK-në dhe Ibrahim Rugovën, pasi me atë lloj qeverisjeje lidhej prestigji i Serbisë para Evropës dhe gjithë Perëndimit. Këtë përfundim e kam nxjerrë nga ecuria e ngjarjeve të mëpastajme, kur Rugova dhe udhëheqja e lartë e LDK-së nuk e respektuan kurrë heroizmin e Adem Jasharit dhe familjes së tij, ku nuk shkuan kurrë të përkulen para varreve të 56 heronjve të asaj lufte, të cilët, me aktin e tyre heroik çuan në këmbë jo vetëm një ushtri të tërë çlirimtare, por tërë kombin shqiptar. Për paradoks, qarqe në Kosovë dhe sot i thurin himne Rugovës, duke lënë në hije aktin e Legjendës Kosovare, Adem Jasharin.

 

Më konkretisht?

-Atë qëndrim të tyre ndaj Adem Jasharit dhe tërë luftës sonë çlirimtare e shohim edhe sot e gjithë ditën ku kanë ndërsyer dhe po paguajnë një numër mediesh, duke shprehur fyerjet më monstruoze si dhe po bëjnë gjithçka që ta përjetësojnë artificialisht figurën e Ibrahim Rugovës, duke e lartësuar atë edhe mbi Skënderbeun.  Jo më kot që nuk është ndërmarrë asnjë përpjekje që monumenti i çlirimtarit të vërtetë të Kosovës, Adem Jasharit të vendoset në kryeqytetin e Kosovës, por janë parashikuar qysh më herët që Shëtitorja e Prishtinës të marrë emrin e të përkulurës Nënë Tereza, duke e vendosur Hashim Thaçi monumentin e saj para selisë së PDK-së; por kjo shëtitore është paraparë që të përfundojë me sheshin Ibrahim Rugova, edhe pse atje ka gati dhjetë vjet që është vendosur monumenti i Skënderbeut. Për mua, këtu ka diçka të qëllimshme…

 

Më konkretisht në këtë aspekt?

-Madje, qysh në vitet e para të shekullit që lamë pas në atë vend ka qenë një hotel me emrin e Skënderbeut dhe përsëri sheshit që po ndërtojnë atje nuk e emërtuan me emrin e Heroit tonë Kombëtar! Dyshohet se me qëllim duan ta sfidojnë Skënderbeun. Dhe përveç emërtimit ‘Ibrahim Rugova’ të sheshit para monumentit të Skënderbeut, është parashikuar që  në muajin tetor të këtij viti, përballë Skënderbeut të ngrihet monumenti i Ibrahim Rugovës. Por me një ndryshim thelbësor.

 

Cili është ky ndryshim?

-Monumenti i Skënderbeut (kopja e monumentit të Krujës) është vendosur në një grope, e thellë sa i gjithë monumenti, ndërsa monumenti i Rugovës do të ngihet mbi një piedestal, është shumë të lartë. Mirëpo dihet që arti i shërben politikës. Vendosja e Rugovës përballë Skënderbeut, Rugova në qiell dhe Skënderbeu në gropë, është bërë me qëllimin e vetëm për t’i thënë popullit shqiptar në Kosovë: Rrini urtë! Kush guxon të rebelohet kundër pushtuesve të huaj, atje e ka vendin, në gropë (në ferr), si Skënderbeu dhe, cilido që u përkulet të huajve e ka vendin në qiell, në parajsë, si Rugova.

 

Ky gjykim i juaj, sikur bie ndesh me gjykimin ndryshe që mbizotëron në Kosovë dhe këtu tek ne?

-Jo. Ai që e njeh UÇK-në, luftën që ajo bëri, shumica e kosovarëve, kenë këtë mendim e gjykim që po shpreh unë. Dhe e gjithë që thash më lart, bëhet që gjithë brezat pasardhës të shqiptarëve të edukohen sipas këtij parimi: Sa më shumë të luftosh për të mbrojtur popullin tënd, aq më i poshtëruar mbetesh; sa më i nënshtruar të jesh ndaj çdo pushtuesi, aq më i nderuar mbetesh. Dhe kjo për t’i bindur brezat se liria dhurohet e nuk fitohet. Ky është edhe qëllimi kryesor pse anatemohet UÇK-ja. Gjithashtu, mos shkuarja e Rugovës dhe e tërë udhëheqjes së lartë të LDK-së për të vënë të paktën një tufë me lule atje ku prehen eshtrat e heronjve të Prekazit, nuk tregon gjë tjetër veçse mos qenien dakord me rezistencën ndaj pushtuesit të huaj. Por ajo që të befason edhe më shumë është shkuarja dhe përulja para varrit të Ibrahim Rugovës dhe të Ahmet Zogut, (dy simbolet e mospranimit të rezistencës çlirimtare), e atyre që pretendojnë se e kanë çliruar Kosovën, (Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku e të tjerë), e cila nuk tregon gjë tjetër, veçse pendesën e këtyre burrave që nuk ndoqën rrugën e Rugovës dhe të LDK-së, që guxuan dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesit shekullor serb, ndërkohë që Shefi i Shtabit i vërtetë i UÇK-së, ai që e ri ngriti atë ushtri nga e para pas shpartallimit të vitit 1998 është harruar. Bislim Zyrapi, ai që ka bërë shumë në luftën e UÇK-së, as që përmendet fare!

 

Pse ndodh kjo sipas jush?

-Kjo ngaqë ai nuk ka ndërtuar bindje për rrugën e fitores së lirisë.

Jo më kot këta “çlirimtarë” e imponuan Parlamentin e Kosovës që të ndërronte dy simbolet kryesore të kombit tonë dhe të tyre, Flamurin Kombëtar dhe Himnin Kombëtar, madje duke aplikuar një himn memec, për të thënë se populli shqiptar në Kososovë duhet të jetë një popull vuv. Dhe, paralel me këto masa, hapën një fushatë të egër kundër Gjuhës Standarte të Sotme Shqipe, të cilën e definuan me Fjalorin e hartuar nga kosovari i Tropojës, Mehmet Elezi, për të sfiduar Fjalorin e Gjuhës Shqipe të Akademisë së Shkencave Shqiptare. Dhe dihet qëllimi: Që mos të kemi asgjë të përbashkët midis Shqipërisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme. Jo më kot edhe në Tiranë, me të ardhur Berisha në pushtet u eliminua Sheshi Skëndërbej dhe Shëtitorja “Dëshmorët e kombit” si dhe u ndalua shkuarja e qytetarëve tek Skënderbeu, ku më parë liheshin takime dhe dilej edhe në fotografi, me qëllim që të harrohet simbolet kombëtare të rezistencës ndaj të pushtuesve të huaj. Por do ta kenë të vështirë. Populli ka mënyrat e tij të mos harrimit të simboleve të tij kombëtarë.

 

Nga luftëtar dhe një nga drejtuesit e UÇK-së në fitoren ndaj ushtrie serbe, Dilaver Goxhaj kthehet sot ndër kritikët më të ashpër të ish-kolegëve të luftës që aktualisht sot janë në krye të shtetit në Kosovë?

-Këtu nuk është çështje qejf mbetje, mosnjohje apo ndonjë nga këto… Përkundër. Është një realitet që po ndodh përkundër asaj që duhet të ndodhë. Lufta e UÇK-së në krah të NATO-s e aleatëve që çoi në çlirimin e Kosovës, nuk ka shumë kohë që ka ndodhur… Luftëtarët e saj janë gjallë e shumë prej tyre, ende u kullojnë plagët gjak… Jo pak dhanë jetën për këtë luftë. Minimalisht, ajo luftë heroike dhe luftëtarët e saj, kërkojnë respekt. Nga ata që në luftë nuk dihet ku ishin(për të mos thënë krijuan lehtësi për serbët), por dhe nga ata që ishin në front e sot, përballë të mirave të pushtetit, e ‘harruan’ këtë luftë. Gjithsesi, mendoj dhe kam bindjen se kjo do të jetë kalimtare… Shpejt do të vij ajo kohë që lufta e Kosovës, heroizmi i djemve të saj, historia, të vlerësohen realisht…

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e kolonel Dilaver Goxhajt: Si u aplikuan nga drejtuesit dhe komanduesit e UÇK-së disa elementë të suksesshëm të praktikave të aplikuara nga partizanët shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

-Argumentet që rendit kolonel Goxhaj në kundërshtim të cilësimit të luftës së UÇK-së si ‘luftë fshatare’ nga disa ekspertë e publicistë vendas dhe të huaj.

-Si u kombinuan veprimet e forcave të rregullta të UÇK-së me kontributin aktiv të fshatrave ku zhvilloheshin luftimet.

 

Nga Kujtim Boriçi September 17, 2013 12:01
Komento

8 Komente

  1. Lleshi September 17, 13:06

    Ah mor Bac ! Mos ki gajle se eshte Populli Shqiptar qe e mban “ndezur zjarrin” ! Renegatet e shqiptarise e kane te shkruar fundin !
    Shikojua si e kane pasur fundin : Esat Pasha , Ahmet Zogu , Verlaci & Co , Hamit Matjani & Co ….etj etj . Kane bere cfare iu ka thene zemra kunder Shqiperise , kane fitu pare me thas nga te huajt apo dhe duke vjedh Shqiperine , por nuk i kane gezuar ! Ia kane mbath nga syte kembet ose kane lene koken ! Te njejtin fund do te kene edhe keta bashkekohoret !
    T’i biesh ne qafe Shqiperise dhe Kombit martir shqiptar , eshte me shume se krim ! Por “veglat e erresires dhe te roberise” nuk mund te kene fund tjeter pervec se “Ferrit” !

    Reply to this comment
    • feniks September 17, 22:15

      E kam kritikuar gjithmone kolonelin Dilaver Goxhaj,per DITARIN e tij dhe nuk u heq asnje presje atyre qe kam shkruar!!!
      Sot i jap te drejte vetes ta LARTOJ SI FIGURE ATDHETARE,qe u ka dhene SPJEGIME LOGJIKE te gjitha ngjarjeve qe ka trajtuar me siper!!!
      JAM I NJE MENDJE me kolonelin,per HESHTJEN KRIMINALE NDAJ HEROIT ADEM JASHARI dhe kjo behet sepse keshtu kane udhezuar REGJIZORET NGA BEOGRADI!!!
      Edhe ne Tirane,Sali Berisha vendosi nje bust te vogel,teper POSHTERUES per kete figure madhore te kombit tone,sepse dikur vete Berisha kish dhene urdher qe Adem Jashari te ARRESTOHEJ ne Tirane!!!
      Te njejten gje ka bere ky kelysh i serbeve edhe per NENE TEREZEN,qe e ka bere nje shtatore 1 meter te larte dhe e ka vendosur ne nje qoshe te HUMBUR tek Universiteti!!!
      Po keshtu ka bere edhe me ISMAIL QEMALIN,qe e ka vene mbi nje cope GUR, fshehur ne nje cep te nje lulishteje ne Tirane,NDERSA TRADHETARIN AHMET ZOGOLLI E KA VENE ME NJE SHTATORE GJIGANDE NE MES TE Tiranes!!!
      Po keshtu,poshtersisht,ky serb tradhetar i historise ka POSHTERUAR edhe DITEN E PAVARESISE duke vendosur ne nje lulishte te Tiranes,nje cope betoni,qe me teper NGJAN SI WC publike dhe ne fakt per kete pune ka sherbyer deri me sot!!!
      Keshtu veprojne ARMIQTE E KOMBIT DUKE POSHTERUAR HERONJTE DHE NGRITUR LART KRIMINELET!!!
      Ata,qe e mbajne per HERO TRADHETARIN E RREZIKSHEM SERB,Sali Berishen,jane po aq te URRYER NGA POPULLI SHQIPTAR SA EDHE VETE KY ARMIK I POSHTER!!!

      Reply to this comment
  2. Marin September 17, 19:39

    Z. Goxhaj ben mire te tregoje se pse u prish me Hashim Thacin, pasi ai nuk ia jep pensionin0 qe i takon nga Kosova.

    Reply to this comment
  3. rakia September 17, 20:31

    z.Goxhaj mund te na thoni se sa luftetarë jane vrare ne Luften e Kosovës?Po Serbe dini sa jane vrare?

    Reply to this comment
  4. Pëllumb zaimi September 17, 21:11

    Jam çuditur dilo me faktet qe jepni rreth adem jasharit. Sa per qendrimet e thaçit,çekut etj.i njoh me kohë nga libri i shkelqyer i ylli polovinës “nje kolonel midis tiranes e prishtinës” të cilin mendoj se s’duhet të kete shqiptar ne te dy anet e kufirit që ta lërë pa lexuar. Shume interesante m’u duk çeshtja e trajtimit te monumenteve ne heronjve ne prishtine e tirane,çeshtja e fjalorit te gjuhës shqipe etj. Me duket se pas punëve te liga në këtë drejtim qëndron nje strategji antishqiptare e miremenduar! Sa per çeshtjen rugova jam okej me ty për te gjitha. U shtanga me spjegimet për izolimin e monumentit të skënderbeut ne tirane. Shume bindese. Por me duket se strategjia antiheroike eshte dhe nje strategji perendimore… A e ke lexuar librin e xhon king “maska e komandimit”? Aty spjegohet kjo strategji. Jam habitur pse? S’kam me teper per t’ju thene sepse kushedi sa here kemi diskutuar. Mendoj t’ju pergjigjesh disa komentuesve dashamires tek kjo pjese e rrefimit tuaj. Me përzëmërsi si gjithmone!!!

    Reply to this comment
  5. Pëllumb zaimi September 17, 21:13

    VR !!! Jam çuditur dilo me faktet qe jepni rreth adem jasharit. Sa per qendrimet e thaçit,çekut etj.i njoh me kohë nga libri i shkelqyer i ylli polovinës “nje kolonel midis tiranes e prishtinës” të cilin mendoj se s’duhet të kete shqiptar ne te dy anet e kufirit që ta lërë pa lexuar. Shume interesante m’u duk çeshtja e trajtimit te monumenteve ne heronjve ne prishtine e tirane,çeshtja e fjalorit te gjuhës shqipe etj. Me duket se pas punëve te liga në këtë drejtim qëndron nje strategji antishqiptare e miremenduar! Sa per çeshtjen rugova jam okej me ty për te gjitha. U shtanga me spjegimet për izolimin e monumentit të skënderbeut ne tirane. Shume bindese. Por me duket se strategjia antiheroike eshte dhe nje strategji perendimore… A e ke lexuar librin e xhon king “maska e komandimit”? Aty spjegohet kjo strategji. Jam habitur pse? S’kam me teper per t’ju thene sepse kushedi sa here kemi diskutuar. Mendoj t’ju pergjigjesh disa komentuesve dashamires tek kjo pjese e rrefimit tuaj. Me përzëmërsi si gjithmone!!!

    Reply to this comment
  6. Prishtinasi September 17, 21:20

    Pershenetje dilaver! Tash jam ke shtepia e jasharajve dhe po ti çoj te falat prej t’gjithve! Kan respektin ma t’nalt per ju. Kena hy n’diskutim per punen e monumentave. T’japin tyna t’drejt. Falendrimet ma t’mdha!

    Reply to this comment
  7. Horri i Bulevardit September 18, 13:23

    Rugovistet le te llapin, Epopeja e Adem Jasharit dhe familjes se tij, do te mbetet si nje nga ngjarjet me te lavdishme te kombit shqiptar mbas luftes se dyte boterore.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*