Goxhaj: Lufta në Llap ku u vranë kapiteni rus dhe 19 ushtarë serbë

Përgatiti: Kujtim Boriçi September 13, 2013 14:40

Goxhaj: Lufta në Llap ku u vranë kapiteni rus dhe 19 ushtarë serbë

(Vijon nga numri i kaluar)

Në luftimet e forcave të UÇK-së me repartet e rregullta të ushtrisë së Milosheviçit dhe paramilitarët, kanë marr pjesë dhe mercenarë rus, oficerë dhe ushtarë. Në ditarin luftarak të kolonel Dilaver Goxhajt, ish-Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së jepen dhe fakte të pjesëmarrjes së mercenarë rus në radhët e ushtrisë serbe… Në ditarin e Goxhajt shkruhet mes të tjerave se në betejën në zonën e Llapit, mes 19 serbëve të vrarë, ishte një kapiten rus, që sipas dokumenteve, ai kishte qenë më parë dhe në luftën e Çeçenisë… Kapiteni rus, sipas Goxhajt, u gjet i gjallë, por me gjithë ndihmën e dhënë, ai nuk mundi të mbijetoj, por vdiq pas një ore….

 

LUFTA NË PAGARUSHË

Divjakë, 8 Prill 1999, ora 07:55. Kish më se një javë që në rajonin e Pagarushës po grumbullohej popullsia e shpërngulur nga fshatrat e Komunës së Suharekës si dhe të fshatrave të tjera. Kjo popullsi gradualisht arriti shifrën prej 50 mijë njerëz, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë. Armiku mundohet që të largoj edhe fshatrat e zonave kodrinore të Studençanit, Sllapuzhanit, Peçan, Sematisht, Samadraxhë, Dragobil, Golesh i Malishevës si dhe të depërtonte në luginën Bllacë–Malishevë, por çdo ditë ka hasur në rezistencën e rreptë të forcave të UÇK-së. Në 26 Mars 1999 armiku filloi një sulm shumë të fuqishëm në drejtimin Suharekë–Semitisht, për të depërtuar në thellësi të zonës së Pagarushës, pasi mendonte se atje ndodhej komanda e Zonës Operative të Pashtrikut.

Në këtë sulm morën pjesë mbi 50 tanke e transportues të blinduar, të shoqëruar nga mbi 3 mijë ushtarë serbë. Në këtë drejtim vepronin forca të Brigadës 123, me komandant Gëzimin. Rezistenca ishte tepër e fuqishme. Armikut iu asgjësuan tre tanke dhe dy transportues të blinduar. Edhe pse artileria armike në Biraç dhe Duhël qëllonte pa pushim, luftëtarët e UÇK-së nuk e lanë armikun të depërtonte qoftë edhe një metër. U kuptua se armiku nuk kish ndërmend të tërhiqej, pasi ai solli shumë përforcime të reja në Suharekë, Malishevë e në Biraç. Këto forca mund të përbënin mbi 150 tanke e transportues të blinduar si dhe mbi 1000 ushtarë. Goditjet me artileri kryheshin edhe natën. Komandanti i Zonës së Dytë, Tahir Sinani nuk rresht duke shkuar sa në një drejtim në tjetrin, pasi forcat që komandohen prej tij shtrihen në një zonë shumë të gjerë, ku përfshihen edhe rrethinat e Rahovecit.

 

SHTABI UÇK-SË NË TERREN

Nga kontrollet që bëri Shtabi i Përgjithshëm gjatë kësaj nate pothuajse në të gjithë zonën, doli në përfundimin se Zona duhej të ndihmohej. Për këtë u komandua Drini (Eqerem Rexha) që të shkonte në drejtimin ku vepronin Brigadat 124 e 125, ku edhe u plagos. Gjithashtu në këtë zonë shkoi edhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, me qëllim që t’i ndiqte luftimet nga afër. Synimi ishte që të detyrohej armiku të hiqte dorë nga planet e veta, nga ana e jonë u ndërmorën sulme të përnatshme kundër vendqëndrimeve të forcave armike. Edhe armiku të nesërmen filloi sulmin nga drejtimi i një dite më parë, si dhe nga drejtimet Malishevë – Banjë, Bogiç – Kravasari dhe Shirokë–Studençan. Përveç artilerisë së dislokuar në Biraç e Duhël armiku vuri në veprim edhe artilerinë e ri bazuar në Suharekë, Novaica e Prizrenit, Malishevë dhe Smonicë. Luftohej në të gjitha drejtimet. Problem ishte popullsia e vendosur në fshatrat e Pagarushës. Ato ditë u ndërpre edhe tregu i Pagarushës, pasi edhe ai u godit nga artileria serbe. Luftëtarët e UÇK-së nuk i lëshonin pozicionet dhe me kundërsulme të shpejta e të shpeshta e detyruan armikun të tërhiqej.

 

SERBËT GODASIN SPITALIN

Kështu vazhduan luftimet deri në datën 29 Mars 1999. Në pasditen e kësaj date armiku zbuloi vend ndodhjen e spitalit tonë ushtarak në rajonin e Pagarushës, Kravaseri, dhe filloi goditjen intensive të tij me artileri. Gjatë natës bëmë zhvendosjen e të plagosurve për në një zonë tjetër, Dukagjin, ku një i plagosur rëndë na vdiq gjatë udhëtimit. Kamioni me të plagosurit u kthye përsëri në Kravaseri dhe e rinisëm për në Divjakë, me merakun se mund të binte në kontakt me armikun. Kaluan. Ç’gëzim! Vështirësinë e transportimit të tyre e rriste mungesa gjatë asaj nate e doktor Agim Hazrollit, i cili kish shkuar për të dhënë ndihmë direkt në vijën e frontit, pasi dëmtimet i kishim të mëdha. Të nesërmen armiku vuri në përdorim edhe aviacionin, ndërsa në drejtim të Kravasarisë e atë të Sllapuzhanit dyfishoi sasinë e tankeve si dhe filloi goditjen e pikës ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm, në Kravasari.

Nga të gjitha drejtimet armiku kishte epërsi të jashtëzakonshme. Në këto kushte u vendos që të bëhej tërheqja e popullsisë për më në thellësi, në drejtim të maleve të Berishës. Mirëpo armiku e kish analizuar drejt dhe filloi ta mbyllte rrethimin edhe në drejtimin Bllacë – Banjë, i cili është terren shumë i përshtatshëm për përdorimin e tankeve, prandaj forcave tona iu dha urdhër që ta ndalnin me çdo kusht armikun e të mos e lejonin ta bllokonte atë drejtim. Duke qenë se popullsia e grumbulluar në rajonin e Pagarushës ishte në sasi shumë të madhe, tërheqja e saj zgjati më shumë se 24 orë. Si rrjedhojë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm u vonuan në largimin nga kjo zonë që po rrezikohej së tepërmi të mbetej në rrethim. Kur ne vendosëm ta linim atë rajon, armiku pothuajse e kish mbyllur me zjarr rrethimin e zonës. Kur pjesa e Shtabit të Përgjithshëm doli në qafë të Nishorit, u diktuam nga armiku dhe u goditëm me zjarr të drejtpërdrejt të artilerisë kundërajrore vetëlëvizëse, “Praga”.

 

SFIDË RRETHIMIT

Anëtarët e shtabit dhe ushtarët që na shoqëronin mundëm të dilnin nga ai rrethim, duke i lënë mjetet e transportit dhe duke kaluar me zvarritje rrëshqanthi, duke i marrë me vete armët, municionin dhe tërë dokumentacionet. Pasi u futëm në pyll, shfrytëzuam maskimin e tij dhe me shpejtësi mundëm të zbrisnim në luginë dhe pas 5 orësh mundëm të dilnim nga rrethimi e të hynim në kontakt me Brigadën  121. Pasi u tërhoq e tërë popullata, njësitë luftarake të Zonës së Dytë Operative organizuan mbrojtje të qëndrueshme përgjatë pjesës veriore të luginës dhe gjatë natës së dytë organizuam kalimin në shpinë të armikut të të gjitha brigadave që u tërhoqën nga rajon i Pagarushës. Me të mbërritur në lartësitë e terrenit të Pagarushës, ato filluan goditjet e befasishme kundër forcave serbe. Kjo bëri të mundur që armiku ta ndryshonte drejtim e goditjes dhe si rjedhojë e largoi zjarrin nga goditja e popullsisë që po strehohej në pyjet e maleve të Berishës. Mbas katër ditë luftimesh të ashpra përballë dhe në shpinë të armikut, forcat tona e detyruan armikun të tërhiqej nga rajoni i Pagarushës dhe u bë e mundur që edhe popullsia e asaj zone të rikthehej në qendrat e tyre të banimit, ku do të mbështeteshin edhe një pjesë e forcave të Zonës së Dytë Operative.

 

ASGJËSOHET REPARTI SERB

Divjakë, Berishë, 21 maj 1999. Në orët e mesnatës të datës 19 për 20 maj 1999, nëpërmjet një sulmi të kombinuar midis forcave të Zonës Operative të Drenicës dhe asaj të Pashtrikut, u sulmua një bazë raketash kundërajrore në shpatin e malit Golesh, u asgjësua e gjithë truproja e përbërë nga katër ushtarë dhe u morën nga ana e jonë mbi tre ton municione të ndryshme xheniere dhe të armëve të këmbësorisë. Për sa u përket municioneve raketë e atyre të artilerisë me larghedhje të madhe, u asgjësuan. Ishte një sukses i radhës i forcave tona që nxiti më tej gatishmërinë e përgjegjësinë për suksese në përballjet e tjera me forcat ushtarake serbe.

 

HAKMARRJA E SERBËVE

Këtu në frontin e luftës, eksperienca na mësoi se pas çdo dështimi të forcave serbe në luftime me reparte të UÇK-së, ata nxitonin që në një kohë relativisht sa më të shkurtër, të hakmerreshin ndaj nesh. Për këtë, ne ishim në gatishmëri të plotë për kundër përgjigje. Kështu ndodhi dhe pas  fitores së mësipërme.  Në shenjë hakmarrjeje, në orët e para të datës 20 maj 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm në front të gjerë, duke kaluar në mësymje në tre drejtime: Banjë–Kravasari, Malishevë–Gajre dhe Dragobil–Morali. Të gjitha forcat mbështeteshin me tanke dhe artileri.

Që në minutat e par të fillimit të sulmit nga forcat sërbe, ato ranë në zjarrin e fuqishëm të forcave të Brigadës 123 të Zonës së Dytë Operative. Luftimet zgjatën më shumë se tre orë dhe armiku nuk mundi që të përparonte në të tre drejtimet dhe, si rrjedhojë, u detyrua të tërhiqej, duke i grumbulluar të gjitha forcat në qytetin e Rahovecit.

 

PARAMILITARËT DJEGIN FSHATRAT

Egërsinë nga humbjet në përballje me forcat tona, ushtarë e veçanërisht paramilitarë serbë, e shkarkonin mbi popullsinë e pambrojtur vendase, të cilët nuk mundën të iknin nga vendbanimet në eksodin e parë masiv… Edhe në ato fshatra që ishin boshatisur, paramilitarët me urë zjarri në dorë, shkrumbonin gjithçka…

Në fshatin Mihaliç, të Zonës Operative të Shalës, një grup paramilitarësh ishte futur dje në atë fshat dhe nisi plaçkitjen e shtëpive që janë boshatisur qysh para dy muajsh me dhunën e ushtrisë serbe. Njoftohemi nga vrojtuesit e Br.142 për këtë situatë dhe në një kohë të shpejtë marrim dhe firmosim urdhrin luftarak. Caktuam një nga njësitet me pjesëmarrës luftëtarë të përgatitur për luftime të afërta dhe në prapavijë, i cili u nis me një herë në detyrë. Me shpejtësi forcat tona të UÇK-së rrethuan fshatin Mihaliç, duke ngushtuar rrezen e rrethimit nga lëvizjet e shpejta e të maskuara nga pozicioni në pozicion, deri në momentin që situata për të ndërhyrë me armë, ishte më e përshtatshmja. U bënë çirrje paramilitarëve të armatosur që të dorëzoheshin, pasi ishin të rrethuar dhe nuk kishin asnjë shteg për t’u larguar. Por përgjigja e tyre qe e menjëhershme me breshëri armësh drejt pozicioneve që kishin zënë luftëtarët e UÇK-së. Veprimet rezultuan plotësisht të suksesshme. U rrethuan dhe u asgjësuan 20 forca paramilitare serbe, ndërsa nga ana jonë nuk pati viktima e të plagosur. Efektivat u falënderuan nga Shtabi i Përgjithshëm për suksesin…

 

DUKAGJIN, VRITET KAPITENI RUS

Orët në luftë ikin si pa kuptuar nga ngarkesa, nga krismat dhe nga tensioni duke pritur përballjen me situata që përgjithësisht janë të pa njohura dhe të pa parashikuara… Përballja e radhës me forcat ushtarake serbe ishte në Zonën Operative të Dukagjinit, ku forcat e UÇK-së kishin përballë një kompani të Milosheviçit. Kishim informacione të sigurta se në strukturat ushtarake serbe, kishte dhe oficerë e ushtarë rus, por në luftimet e deritanishme, nuk kishim mundur të verifikojmë praktikisht këtë gjë. Kjo, ndodhi në këtë luftim.

Kë zonën Operative të Dukagjinit, Br.138 sulmoi një kompani të ushtrisë serbe në afërsi të fshatit Batushë. Në këtë betejë u asgjësuan 14 ushtarë serbë, midis të cilëve ishte edhe një kapiten rus. Identifikimi i oficerit rus u bë nëpërmjet dokumenteve që iu gjetën në kontrollin e zhvilluar pas betejës. Në dokumentet e oficerit rus u verifikuan gjeneralitetet, shkollimi i tij si dhe u gjetën dëshmi të shkruara për qenien e tij edhe në luftën kundër popullit çeçen. Në momentin kur ai u kap ishte i plagosur rëndë. Edhe pse iu dha ndihmë mjekësore, pasi për ne kish interes ta kishim të gjallë, ai vdiq pas një ore. Të gjitha kufomat e të vrarëve u groposën nga forcat tona, pasi forcat serbe u tërhoqën në panik dhe nuk mundën me i tërheq trupat e të vrarëve të tyre.

 

SULMET NË ZONËN E LLAPIT

Edhe në Zonën Operative të Llapit, dje pati disa sulme kundër forcave serbe në fshatin Rep i Ulët, Orllan, Dyz dhe Siçevë, kryesisht nga forcat e Br. 153. Por në mbështetje të forcave të kësaj brigade, u aktivizuan dhe forca të reparteve të tjera të UÇK-së që vepronin në këtë zonë.

Nga sulmet tona në këto katër pika u vranë 19 ushtarë serbë, ndërsa nga forcat tona patëm vetëm një të vrarë dhe një të plagosur. Shokun tonë të vrarë në luftë, e varrosëm me nderimet që mund të aplikohen në një situatë të vërtetë lufte…

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Ditari i kolonel Dilaver Goxhajt: Prishtinë, 30 mars 2000. Çlirimi i Kosovës dhe bilanci i një lufte të vështirë që zhvilluan forcat e NATO-s dhe pjesëtarët e UÇK-së.

-Roli i strukturës së UÇK-së pas fitores në luftë dhe fati i komandantëve të njësive ushtarake e luftëtarëve pas lirisë së Kosovës.

-Marrëveshja e 18 shtatorit 1999 midis Hashim Thaçit e Agim Çekut për krijimin e TMK (Trupave Mbrojtëse të Kosovës) dhe misioni i tyre.

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi September 13, 2013 14:40
Komento

3 Komente

  1. Reparti Riedukimit Nr.313 September 14, 04:51

    Ne te gjitha betejat per clirimin e Kosoves kundra Serbeve, nuk ne del gjekundi emri i trimit te madh Ibrahim Rugova, te pakten ndonje foto kishte, qe ta shikonin brezat e rinj qe do te vijne.

    Reply to this comment
  2. arben September 14, 08:31

    Paste rahmet i shkreti Ibrahim (Rugova). Po si munde ta shikoje gjate luftes ne keto beteja bimin, ne male ku luftonin trimat e Kosoves atje nuk gjeje “uiski”. E po Bimi nuk rrinte dote pa kete lloje pije.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim