Goxhaj:Të pa informuarit e dashakeqët e quajtën luftën e UÇK-së ‘Luftë fshatarësh’

Nga Kujtim Boriçi September 18, 2013 14:53

Goxhaj:Të pa informuarit e dashakeqët e quajtën luftën e UÇK-së ‘Luftë fshatarësh’

Për Dilaver Goxhajn, lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, në të cilën morën pjesë dhe shumë vullnetarë nga Shqipëria, ishte një luftë e ashpër, e cila falë ndërhyrjes së NATO-s, garantoi suksesin dhe fitoren e shpejtë. Sipas kolonel Goxhajt, ish-Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së, në këtë luftë u përdorën me sukses taktika e elementë rezultativ në front e prapavijë, “por lufta e UÇK-së, nuk ka qenë një ‘luftë fshatarësh’, siç e kanë përcaktuar disa specialistë e publicistë të njohur, vendas dhe të huaj”. Në intervistën e tij në vazhdim, ai sjellë argumentet e tij në këtë drejtim…

 

Z. Dilaver! Publicistët e shquar anglezë, J.Pettifer dhe M.Vickers, në librin e tyre: “Çështja shqiptare – Riformësim i Ballkanit”, krahas vlerësimeve të shumta pozitive për UÇK-në, ata, në faqen 183 të librit shprehen se: “Lufta në Kosovë ishte një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”. A ka të vërtetë në këtë përcaktim që ata i bëjnë kësaj lufte?

Është e vërtetë që ata dy gazetarët dhe publicistë anglezë Petiffer dhe Vickers shprehen në këtë mënyrë. Por, ndoshta e kanë huazuar nga ‘analistët’ shqiptarë që nuk janë të paktë në këtë drejtim. Por, të gjithë ata që mund të kenë bindjen e një përcaktimi të tillë, gabohen rëndë.

 

Si një nga drejtuesit e UÇK-së dhe specialist i njohur i çështjeve ushtarak, kë evidentoni si argumente për kundërshtimin e këtyre zërave?

-Vërtet që lufta në Kosovë u mbështet kryesisht në popullsinë që banonte në fshatrat malorë e kodrinorë të Kosovës, (si kudo në botë në të tilla luftëra), pasi fshatarësia përbënte mbi 80% të gjithë popullsisë së Kosovës dhe s’kishte si mund të ndodhte ndryshe. Por ama, dihet se të gjitha luftërat guerile atje e kanë zanafillën e parë, te fshatarësia, në male, gjë që nuk do të thotë se ajo “ishte një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”. Mirëpo, mos harrojmë që UÇK-ja u shndërrua shumë shpejt në një ushtri moderne, ndërsa kryengritjet fshatare janë një rebelim i paorganizuar. Ka shumë argumente të tjerë në këtë drejtim…

 

Kë do të veçoni?

-U kujtoj autorëve të atij libri dhe bashkëmendimtarëve si ata se 82% e efektivave të UÇK-së ishin me arsim të mesëm dhe të lartë, si rrallë ndonjë ushtri e botës moderne. Madje mbi 60% e luftëtarëve të UÇK-së vinin nga emigracioni shumëvjeçar perëndimor dhe si të tillë ishin më qytetarë se dhe tërë politikanët intelektualë kundërshtarë të tyre të Kosovës, madje edhe se vet drejtuesit e lartë të ushtrisë armike të tyre. Po të kemi parasysh atë çka thotë Viktor Hygo: “të studiosh në Paris, do të thotë se ke lindur në Paris”, mund ta perifrazojmë edhe për 60 përqindëshin e luftëtarëve emigrantë të UÇK-së: “të jetosh, të punosh dhe të mësosh me dhjetëra vjet në Evropën Perëndimore, do të thotë se ke lindur në Perëndim, je evropianoperëndimor”. Parë në këtë kënd, kemi të drejtë të themi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri e edukuar dhe jo një rebelim alla-Haxhi Qamil.

 

Luftëtarët e UÇK-së janë përfolur si rebelë?

-Po të kemi parasysh të dhënat e mësipërme për UÇK-në dhe t’i referohemi filozofit të lashtë kinez, Konfucit, i cili thotë: “Kur njerëzit e edukuar kanë kurajë kur nuk ka drejtësi, ata bëhen rebelë. Kur njerëzit e vegjël kanë kurajë kur nuk ka drejtësi, ata bëhen banditë”, dalim në përfundimin se: UÇK-ja ishte një ushtri e përbërë nga njerëz të ditur dhe të edukuar që rebeluan kundrejt një padrejtësia të madhe e bërë ndaj popullit të tyre. Jo më kot thuhet se luftërat çlirimtare janë një rebelim që përfundojnë me sukses, ndërsa rebelimi është një revolucion që përfundon pa sukses. Nëse do të kish ndodhur kjo e dyta, atëherë zotërinjtë anglezë(e disa shqiptarë) do të kishin të drejtë të shpreheshin në këtë formë. Nuk ka si të jenë rebelë dhjetëra mijëra “fshatarë” në një shtet 2 milionë banorë, kundër të cilëve u angazhua një ushtri 100 milionëshe.

 

Pra si konkluzion, ju deklaroni se UÇK-ja nuk ishte thjeshtë një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”?.

-Sigurisht, jo vetëm unë. Por mendimi shkencor ushtarak perëndimor, i aleatëve në këtë luftë… Po të pranojmë se UÇK-ja do të ishte thjeshtë një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”, atëherë edhe ne do të ishim thjeshtë një ushtri banditësh dhe do të kishim djegur e plaçkitur tërë shtëpitë e fshatrave serbe dhe shqiptare në Kosovë, sikundër bëri policia, ushtria dhe paramilitarët serbë kundrejt fshatrave shqiptare.  Po të ishim thjeshtë një ushtri fshatarësh të paedukuar, (pasi autorët me atë shprehje kuptojnë thjesht fshatarin, pa dije shkollore, ose me një edukim minimal, i shndërruar në bandit për shkak të padrejtësive dhe urrejtjes), do të kishim vrarë e hapur varre masive me kufoma serbësh, sikundër hapi ushtria, paramilitarët dhe policia serbe, 450 varre masive, dhe i mbushën me kufoma shqiptarësh. Për absurd, sot po ndodh paradoksi…

 

Cili është ky paradoks?

-Sot, në vend që të çohen para gjyqit pushtuesit(serbët e Milosheviçit), çohen këta “rebelët fshatarë”, që nuk vranë as edhe një civil të pafajshëm serb! Po të ishim thjeshtë ca fshatarë banditë, do të kishim djegur e shkatërruar edhe ne 218 kisha e manastire, sikundër dogjën ushtria e policia serbe 218 xhami dhe gjithë teqetë bektashiane në Kosovë.  Po të ishim edhe ne një turmë fshatarësh të kthyer në banditë, sikundër ishin policia dhe ushtria serbe, do të kishim grumbulluar, të paktën, tërë pasurinë e fshatarëve serbë si dhe gjitha gjënë e gjallë të tyre, sikundër bënë ushtria e policia serbe me blegtorinë e gjithë fshatrave shqiptare.  Po të ishim thjeshtë një ushtri banditësh, sikundër ishin paramilitarët dhe policia serbe, UÇK-ja nuk do të ishte e kthjellët në atë që kërkonim: krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës deri në bashkim me shtetin amë, sikundër e kishim të theksuar edhe në tekstin e betimin tonë. Kundërshtarëve të këtij realiteti unë do t’u bëj një kërkesë ose apel?

 

Cili është ky apel?

-Le të na gjejnë një rast që një kryengritje fshatarësh ka pasur betim ushtarak dhe rregullore ushtarake. Duke qenë një ushtri e komanduar nga një Shtab ushtarakësh të mirëfilltë, me rregullore dhe disiplinë të rreptë, a mund të quhet ajo luftë në Kosovë “një kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”, të cilët luftonin as për tokë, as për pasuri e as për qeveri, por për liri e bashkim. Ndaj dhe kur luftëtarët e saj, sa herë hidheshin në sulm, nga kraharorët u shpërthente kënga: “Hej Shqypni mos thuj mbarova/ Është ngrit në kambë e tanë Kosova”. Dhe flokët e tyre ngriheshin përpjetë nga guximi dhe shndërroheshin në epikë, sepse nuk kërkonin parcelën e tokës që ua kish marrë Serbia dhe që ua kish dhënë kolonëve serbë, por  kërkonin ëndrrën e Rilindjes, shumë më tepër… Po ta përpjesëtojmë tekstin e këngës së luftëtarëve të UÇK-së me natyrën tonë të civilizuar, atëherë autorët e këtij etiketimi do ta kuptojnë se sa na kanë fyer.

 

Sa të drejtë kanë autorët anglezë në deklarimet e tyre?

-Lidhur me fshatin dhe fshatarësinë, autorët e mësipërm të librit në një pikë kanë të drejtë, pasi pjesa dërmuese e luftëtarëve të UÇK-së ishin të lindur dhe kaluar fëmijërinë në fshat, pastaj kanë shkuar nëpër shkolla në qytete, ku kanë bërë shkollën e mesme dhe ato të larta. Pra, me origjinë ishin fshatarë, por sikundër thashë më lartë, fshatarë të civilizuar, ndaj dhe bazën e patën te prindërit e tyre, në fshatin kosovar. Mirëpo, mos harrojmë diçka historike, që fshatrat malore shqiptare, sikundër është Drenica, Jezerca, Karadaku, Kamenica, Malësia e Gollakut, Shala e Bajgorës, Malësia e Gjakovës dhe e Prizrenit e të gjitha malësitë shqiptare, e kanë zanafillën e vet kur trojet e Ilirisë u pushtuan nga Romakët, 200 vite para Epokës së Re. Garnizonet e ushtrive që erdhën në trojet tona, dimë që u përqendruan në fushat anës rrugëve dhe në qytete që gjetën apo krijuan, por kurrë nëpër fshatrat e thella e në malësi.  Si të tillë, banorët e këtyre fshatrave shqiptare, nga doli dhe UÇK-ja, kanë mbetur me gjak të pastër shqiptari, të pa përzier me gjak të ushtrive pushtuese. Ky është një ndër shkaqet kryesore pse të gjitha kryengritjet dhe luftërat e popullit tonë për liri janë nisur fillimisht në fshatin malor, janë zhvilluar nga popullsia e tyre dhe janë mbështetur më pas nga e gjithë fshatarësia jonë, me përjashtime të pakta. Kemi shumë fakte nga historia shqiptare…

 

Cilat fakte do evidentoni?

-Nuk kemi dëgjuar që gratë e fshatrave dhe qyteteve fushorë të jenë vetësakrifikuar për të mos i përdorur ushtritë pushtuese qoftë për presion qoftë për përdhunim, por vetëm ato, amazonat e malësive tona, si Maro Konda, Nora e Kelmendit, Shote Galica apo Xheva Lladrovci e UÇK-së. Si mund të quhet kryengritje fshatarësh dhe e fshatarëve kur në atë luftë u rreshtuan në radhët e UÇK-së rreth 400 vajza e gra luftëtare?, që do të thotë 2% e gjithë UÇK-së. “Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme”, thotë Sami Frashëri. Ju e dini që edhe sot në Krujë është një shkëmb, që quhet “Shkëmbi i Vajës”, mbi 300 metra humnerë, ku u hodhën me vaj e ulërimë 80 gra e vajza të malësisë krutane, që nuk pranuan të dërgoheshin në haremet e pashallarëve dhe ushtarëve turq.

 

Pra, sipas jush UÇK ishte ushtri kryengritësish të edukuar?

-Po. Lufta Çlirimtare e Kosovës 1997-1999, duke nxjerrë për herë të parë në Kosovë, një ushtri kryengritëse të edukuar, 82% e së cilës me arsim të mesëm e të lartë, ndaj dhe bëri me vete tërë opinionin dhe diplomacinë botërore dhe angazhoi përkrah saj edhe aleancën më të madhe ushtarake botërore, NATO-n. Kjo erdhi nga që ne, pjesëtarë e UÇK-së, ishim më të civilizuar se tërë inteligjenca e Prishtinës.

Është e vërtetë se pothuajse në përqindjen dërmuese pjesëtarët e UÇK-së ishin me origjinë dhe përbërje fshatare, por nuk është turp të jesh nga fshati dhe fshatar, është turp të mbetesh me mentalitet fshatar, siç ka mbetur edhe sot e gjithë ditën shumica e inteligjencës kosovare… Mendimi mbizotërues për UÇK-në, pra atij që mbrojmë ne, aleatët e NATO-s e ekspertët ushtarak, nuk u vjen për shtat përkrahësve rugovistë… Të gjitha këto çka rreshtuam më lart, i patën dhënë fshatarësisë kosovare një prirje natyrore qytetare të vetvetishme.

 

Cila është kjo ‘prirje natyrore qytetare të vetvetishme’?

Inteligjenca e dalë nga ajo fshatarësi e kulturuar ishte e pakënaqur nga urtësia prozaike rugoviane, ndaj dhe ata u bënë të ndjeshëm ndaj joshjes së çlirimit ideal… Po cila ishte ajo gjë që i bënte këta fshatarë të kulturuar e të civilizuar si të paracaktuar që ta kishin vetëm këta këtë fat? Ishte vuajtja shekullore, ishte emigracioni ekonomik i imponuar, ishte ndarja shumëvjeçare e prindërve nga fëmijët e tyre në Kosovë, ishte shkalla e lartë e papunësisë, mosbindja ndaj politikanëve të privilegjuar që u predikonin “durim se lirinë do na i falin” duke jetuar vetë në luks etj., të cilat dëshmonin për padrejtësinë shoqërore dhe për mjerimin njerëzor të pjesë dërmuese të Kosovës. Kam dhe një argument tjetër…

 

Cili është ky argument?

-Lufta çlirimtare në Kosovë nuk ishte “kryengritje fshatarësh”, pasi ata nuk shpërthyen as kundër tregtarëve të pasur , as kundër politikanëve të privilegjuar, as kundër mbledhësve të 3% për luksin e politikanëve të tyre, as kundër pronarëve të pasur të tokës, as kundër papunësisë bujqësore e blegtorale, as nga mos gjetja e tregut për prodhimet e tyre blegtorale e bujqësore, as për reformë agrare dhe çështje të tjera të tokës, as për ndonjë lloj lufte klasash në kuptimin klasik të tyre, pasi nuk u dha as edhe një shenjë e tillë gjatë gjithë asaj lufte, por ishte një luftë midis dy kombeve. Duke e pranuar qoftë edhe këtë të fundit, automatikisht që bie tërësisht etiketimi i zotërinjve Pettifer & Vickers se lufta jonë na paska qenë thjesht një “kryengritje fshatare dhe e fshatarëve”.

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Rrëfimin e kolonel Goxhajt: Si bashkëvepruam me krerët e Divizionit të Kukësit gjatë luftës së Kosovës. Roli i drejtuesve të tij, gjeneral Kudusi Lame dhe kolonel Selim Spahiu.

-Si realizuan goditjen me artileri pozicionet e ushtrisë serbe repartet e Divizionit të Kukësit.

-Si u vra në frontin e luftës vullnetari Astrit Suli nga Berati dhe dërgimi i eshtrave për prehje në vendlindjen e tij.

 

Nga Kujtim Boriçi September 18, 2013 14:53
Komento

9 Komente

  1. Horri i Bulevardit September 18, 15:30

    Jo zoti Goxhaj, nuk ka patur te painformuar, kishte ose te informuar dhe qe mbeshteten luften e popullit te Kosoves, ose kishte ish agjente te UDB-se, qe me qellim hidhnin fjale dashakeqese kunder UCK-se dhe luftetareve te saj dhe i pari qe e hodhi fjalen kunder UCK-se, ishte Ibrahim Rugova ne nje interviste ne vitin 97-te tek dojce vele, ku e quajti UCK-ne, dore e zgjatur e Serbise.
    Ne kete pike zoti Goxhaj, ka vetem dy qellime, ose je me UCK-ne dhe luften e saj, ose je me sllavoserbet dhe kunder UCK-se.
    Je shume i nderuar zoti Goxhaj, per informimin e sakte dhe te mjaftueshem qe po i jep lexuesit mbareshqiptar.

    Reply to this comment
  2. [email protected] September 18, 16:38

    Per ‘Horrin e Bulevardit’

    Percaktim shume i sakte!

    Reply to this comment
  3. katarakti September 18, 19:15

    Ibrahim Rugova i quajti guerrilet e para shqiptare te udhehequra nga Adem Jashari “fshatare qe duhen qetesuar”. Kerkojeni ne arkivat e kohes dhe do e gjeni. Dhe kane sy e faqe plehrat e LDK-se te ankohen se Rama nuk u permendi Shallin e tyre te dashur ne fjalimin e tij.

    Reply to this comment
  4. Pëllumb zaimi September 18, 22:21

    I dashur dilo! I lexova me vemendje argumentat qe jepje per etiketimin e luftes se uçk si fshatareske. Te gjitha ishin bindese dhe nuk mund tu shtoje gje. Teza siç thoshte nje komentues ka qene e huazuar nga rugovianet dhe do te shtoja nga bukoshasit. Jane etiketime te qellimshme qe te mernin flamurin e luftes e te pushtetit me pas? Gjoja sepse u takònte qytetareve ose me sakt mejhanexhinjve . I ke dërrmuar me argumenta dhe me shifra bindëse per te kunderten! S’kam fare cfare te shtoj. Te lumte dhe te perqafoj!

    Reply to this comment
  5. Pëllumb zaimi September 18, 22:23

    VR!!! I dashur dilo! I lexova me vemendje argumentat qe jepje per etiketimin e luftes se uçk si fshatareske. Te gjitha ishin bindese dhe nuk mund tu shtoje gje. Teza siç thoshte nje komentues ka qene e huazuar nga rugovianet dhe do te shtoja nga bukoshasit. Jane etiketime te qellimshme qe te mernin flamurin e luftes e te pushtetit me pas? Gjoja sepse u takònte qytetareve ose me sakt mejhanexhinjve . I ke dërrmuar me argumenta dhe me shifra bindëse per te kunderten! S’kam fare cfare te shtoj. Te lumte dhe te perqafoj!

    Reply to this comment
  6. Tironsi "ZZ" September 18, 22:59

    RESPEKT KOLONEL GOXHAJ
    P.S. DHE IMAMGJUNKSHI ESHTE SHEF SHTABI !!!!!

    Reply to this comment
  7. neshat koxhaj September 19, 07:05

    Qe jeni i ditur dukeni nga shkrimet qe keni botuar,qe jeni trim dukeni sekini luftuar,qe ju dhe shokettuaj nga sheti ame jeni ure lidhese Kosove-Shqiperi,per kete do te mbeteni te fiksuar ne HISTORI.

    Reply to this comment
  8. Xhavit Maloku September 19, 09:13

    Tung Dita Jone dhe Nata e Dylber Goxhaj,Shpetimit Goleshit, Pellumb Qyqes etj!
    Na keni ba keshe me intervisten e komentet e Dylber Goxhes alias Shpetim Goleshi, Pellumb Qyqja e te tjere. Nuk e dijshim se paskemi pase Dylberin ka Tirana Zv/Sheh SHP te UCK-es. Kam kene oficer i ardhun prej Bosnje dhe pjese e atij Shtabi te UCK-es dhe e njoh mire rreshtimin luftarak te SHP te UCK-es. Po habitem me veten time,se asnjehere nuk e kam has kerkuni Dylber Goxhen si Zv/ Shef Shtabi te UCK-es ne ate organike. Kishin dy oficera ka Shqipnia ne SHP te UCK-es, por si njani e tjetri, ishin si xhithe oficeret e tjere te shtabit. BardhyliTahiri per xhenjon dhe Dylber Goxhai per shtypin. Keshtu qe keto qe shkrun ky budalla ka Golemi, nuk jane xha tjeter vecse rrena e mashtrime me perfitue kredo karrjeriste ne historine lavdishme te UCK-es heroike. Turp per ket Dylber dhe ma turp e marre per ata Shqiptar (si tek Gazeta Dita), qe bien pre e marrezive karrjeriste te Dylber Goxhajit. Turpi ka me ju ndjek ka pas dhe ne varr. XH.M.

    Reply to this comment
    • ibrahimi September 21, 12:01

      Kot e ke o Spiro Butka, alias Xhavit Maloku qe po mundohesh me e fyjte Dilaverin. Duke vepruar keshtu po e prezantn veten nje ligesi e gjalle.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*