‘Gozhda’ e Kozmait, për të vjelë Myzeqenë

Nga Naun Kule August 27, 2016 11:39

‘Gozhda’ e Kozmait, për të vjelë Myzeqenë

Vijon nga numri i kaluar

Ibrahim Pashai, i rrethuar në Kala, i kërkon Aliut një shteg:

Më lejo një shteg të lirë, vete të qëndrojë në Vlorë…

Çelsat ty ti le përherë

Hyrja triumfuese e Aliut në qytetin kështjellor, në sarajet e Pashallëkut të  Beratit, pas dorëzimit dhe ikjes poshtëruese të Ibrahim Pashës, përshkruhet si një batërdi çnjerëzore, bërë me një egërsi të pashoqe:

“Dhe vërsulet si orteku, ulurin porsi luani,

Shtangin trimat e Brahimit, dridhen si peshku te zalli,

Një mijë vet mbenë pa jetë, 500 vetë rob kanë rënë,

Lidhur varg me zinxhirë, rrugën drejt Janinës zënë..”

 Në vitin 1810, Aliu i Janinës kishte marrë gjithë territoret e Shqipërisë së jugut, përfshi edhe Vlorën, duke e ndjekur këmba këmbës Ibrahim Pashën e Beratit i cili, vraponte të fshihej fshatrave të Vlorës, të shpëtonte kokën:

“Humbi tutje Labërisë, u fsheh sipër në Smokthinë,

Trimat e Aliut nga pas, do ta rjepin ditëzinë…!” 

                                 

 Në tetor 1811, pas Beratit dhe Vlorës, Aliu mori edhe Gjirokastrën e Kardhiqin, ku bëri një masakër të vërtetë, duke vrarë 600 vetë dhe duke djegur gjithë fshatin.

Në vitin 1810, anglezi Xhon Leard, njoftonte Londrën nga Durrësi, duke e “përgëzuar Aliun për pushtimin e Beratit që ia mori armikut të hershëm, Ibrahim Pashës…

 Aliu së shpejti do ta qeverisë gjithë Shqipërinë…”

Dhe vërtetë, një vit më vonë, më 1812-13, Ali Pashai ishte bërë de facto sundimtari i një pjese të Greqisë dhe i Shqipërisë.

Ishte koha kur Viktor Hygo shkruante se:

“Ali Pashai i Janinës, është i vetmi burrë gjenial i kohës, i denjë të qëndrojë përballë Bonapartit…”  

Ndërsa anglezët e quajtën “Bonaparti mysliman”.

 

***

Davaja e  Janinës

Shprehja aq e njohur ndër myzeqarë, “ka dava Janina”, saherë dikush kërkon të zgjidhë një situatë, sherrnajë a ndodhi për të cilën duhen kohë, miq dhe para, mund ta spjegojmë pikërisht me këto ngjarje dhe figura. Pra është fjala për Janinën, qytetin emërmadh, qëndër e Vilajetit dhe e Vezir Ali Pashait. Dihet se bashkë me emrin e këtij qyteti, secili shihte a ndjente edhe emrin e Ali Pashës, i cili, paçka se që atje larg, nga Janina a më tej, buçiste dhe rrezatonte me bëmat dhe gjëmat e tij, deri këtej Vlorës dhe Vjosës, poshtë Beratit, tej e tej fushës dhe banorëve të Myzeqesë.

Është e kuptueshme se këmbëngulja e Ali Pashës deri në ethe e lakmi, për ta zaptuar dhe nënshtruar Beratin, nuk kishin të bënin vetëm për atë çka ky përfaqësonte si qytet dhe të ardhurat që jepte vetëm kasabaja e tij. Berati, siç thamë, ishte kryqendra e Shqipërisë së Poshtme apo e Toskërisë, dhe qeveriste edhe Vlorën, bitumin e Selenicës, gjithë rrethinat e jugut deri në sinoret e Pashallëkut të Janinës. Me marrjen e Beratit, Ali Pashai e shtoi pasurinë e vilajetit me një pasuri përrallore; Berati i jepte mbi 2 milion piastra në vit.

Por, gjithsesi, nuk ishte vetëm kjo…!

“…Berati ka pasur gjithënjë një rëndësi të madhe si pikë strategjike. Por mbi të gjitha, Berati sundon fushën e gjërë dhe pjellore të Myzeqesë, deri në det.. Ky sukses i solli Aliut jo vetëm kështjellën më të fortë, por edhe krahinën më pjellore të Shqipërisë, fushën  e madhe të Myzeqesë  që është hambari më i madh i gjithë vendit…

Gruri në fushat e Beratit e të Myzeqesë, mbillet në dy stinë; në tetor-nëntor dhe në shkurt. Gruri i këtij të fundit, është i vogël dhe i fortë dhe bënë një miell të shkëlqyer i cili quhet kuceli…”   

 

Por pasuritë e Myzeqesë dhe të myzeqarëve nuk ishte vetëm toka pjellore, pyjet e pafundme, ujërat dhe bimët.

“…Këtu  rriteshin edhe  kuajt më të bukur që kam parë..me vithe e gjokse të gjëra, me krifat e dallgëzuara, kokët e vogla dhe sytë e zjarrtë, njëlloj me kuajt e shkëlqyer orientalë…”

Hapësirat e lakmuara nga Aliu brenda trikëndëshit Berat-Shkumbin-Vjosë, përbënin edhe territoret kufindarëse me pronat e Bushatllinjve për të cilat, vetë Aliu, atëhere aleat i  Pashait të Beratit, luftoi dhe fitoi në fushat e Kavajës. Ndoshta në këto kohë të rinisë së tij  në fushatën luftarake, Aliu pati rastin t’i shohë dhe t’i njohë nga afër këto fusha dhe të llogariste, siç dinte Aliu, zaptimin dhe  fitimet e tyre.

Myzeqeja me gjithë fshatrat poshtë Beratit deri në bregdet, ishin pronë e Pashait beratas por gjithnjë e më shumë të lakmuara nga kundërshtarët e tij dhe jo më pak nga zaptuesit e huaj.

Ndaj, kur mëson Kurt Pashai se Aliu kërkonte dorën e të bijës për grua, dhe lutjen e Pashalleshës për ta pranuar Aliun si dhëndërr, e para gjë që i shkoi në mend, ishte dredhia e Ali  Pashës për t’i marrë Myzeqenë. Pra, gjithësa themi për Beratin, për miqësitë, dredhitë dhe sëfundmi, sulmet fitimtare të Aliut mbi këtë pashallëk, ka të bëjë  me gjithçka që zotron ai jo vetëm si pasuri oborrtarësh dhe pashallarësh të kohës, por mbi të gjitha, si prona dhe domene të patundëshme të qeverisura me ferman të Sulltanit për dekada me radhë.

Prandaj, gjithçka zhvillohet në Berat, sidomos mes ardhësve dhe vendësve, kanë  pasojat e tyre edhe në Myzeqe e më gjërë. Ky vend, i populluar dendur që në lashtësi, i përshkuar nga rrugët e hershme që lidhnin deri edhe Romën me  Ballkanin (Rruga Apia dhe më pas Egnatia), të shtrira mes kryeqëndrave antike qytetare si Durrësi, Apolonia, Bylisi-Berati, dhe disa qytete të dëgjuar, asokohe me pasuri të shumta, e përshkuar si edhe sot, nga tri lumenj me porte lumore në grykëderdhjen e secilit, nuk mund t’i shpëtonte vemendjes dhe syrit grabitqar të Vezirit të Janinës.

“Fusha e Myzeqesë nuk është vetëm një trevë bujqësore për kulturat e drithit por nga Vjosa deri në Durrës ishte një livadh i tërë pa ndërprerje”.

“…Trikëndëshi Berat-Durrës-Vlorë, ishte zona më nevralgjike e Shqipërisë së jugut…Kjo pjesë e Ultësirës shqiptare,  ishte  nga rajonet më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë, me një feudalizëm të zhvilluar…Hahni  shkruante:- Myzeqeja  ishte një Lombardi…”

 

Për më tepër, siç kemi shënuar, Myzeqeja përbënte territoret kufindarëse veriore të shtetit të pritshëm greko-shqiptar për krijimin e të cilit, Ali Pashai punoi jo pak. Idetë e Aliut për një shtet të pavarur njihen që para se të vinte në Janinë  

Ideja dhe projekti i një shteti të pavarur grekoshqiptar, në dukje ishte aq joshëse dhe e realizueshme në rrethanat e kohës, sa u tentua edhe nga të tjerë burra dhe emra të dëgjuar edhe pas vdekjes ë Aliut. Më 1854, i biri i Karaiskaqit, Dhimitri, i bërë bashkë me Xhavellën e njohur, formuluan dhe paraqitën sërish një projekt të plotë për një organizim shtetëror greko-shqiptar, gjithënjë me synimin e njohur të shkëputjes nga porta e lartë e Sulltanit. Mirëpo, kur ua parashtruan këtë projekt fuqive kryesore të kohës, Anglisë dhe Francës, çuditërisht, asnjera prej këtyre nuk ishte dakort ta mbështesnin këtë ndërmarrje të luftëtarëve shqiptarë në dëm të Turqisë. Kjo sepse, të dyja këtyre fuqive, për momentin, nuk u interesonte as fuqizimi i Greqisë, as dobësimi i  perandorisë osmane.

Theksuam planet dhe projektet e një shteti grekoshqiptar, sepse brenda tij, gjithnjë përfshihet Myzeqeja, dhe më gjërë, trikëndëshi Berat-Shkumbin- Vlorë-bregdet.

Tentativa e parë e Aliut për ta futur në dorë Myzeqenë, siç thamë, ishin ato të miqësisë, si nip i oborrit apo si dhendërr i Kurt Pashait. Tentativa e dytë, ndonëse shumë vite më vonë, ishte martesa e dy vajzave të Ibrahim Pashës së Beratit me dy djemtë e Aliut, Myftarin dhe Veliun.

Në të gjitha këto  raste synimi i Luanit të Janinës, ishte një dhe i vetëm; Myzeqeja dhe bregdeti i saj, do të ishin prika, paja e vajzave  beratase për dhëndurrët e Tepelenës.

“…Aliu martoi dy djemtë e tij me dy bijat e Ibrahim Pashë Beratit dhe arsyet ishin të rëndësisë politike por aspak të fushës së ndjenjave”.

.                                                             

Dihet se kaçaku i Tepelenës nuk i njihte këto lloj ndjenjash, siç nuk njohu tërë jetën e vet as fe e besë, as miqësi, burrëri a marrëveshje.

***

Po Myzeqenë dhe myzeqarët a i njihte Ali Pashai?

Besojmë se po. Këmbëngulja dhe përpjekjet e tij në disa dekada për ta shtënë në dorë këtë “Lombardi… apo hambar të Ballkanit”, tregojnë se Aliu, agjentët dhe këshilltarët e tij, dinin se ç’kërkonin. Informatorët  dhe agjentët e Pashait, të shpërndarë në çdo skaj të Vilajetit, përfshi edhe murgun Kozma Etolin, (1714-1779), i cili e shkeli dy herë Myzeqenë, kishin ç’t’i rrëfenin Vezirit të tyre për këtë fushë kaq pjellore, populluar dëndur nga banorë të krishterë, me aq shumë bagëti të trasha e të imta, për kuajt e lakmuar deri edhe nga princat e kohës, me bregdetin, skelat grykëlumore dhe pyjet e pafundme aq të kërkuara nga tregjet europiane për lëndën drusore. Në këtë bregdet të rrafshët e të paqtë, gjëndej e prodhohej “nafta e kohës”-prodhimi dhe tregtimi me shumicë i kripës, prodhimi i lëkurëve, mjaltit, dyllit e mëndafshit dhe sidomos, bollëku në prodhimin e drithërave, si një “hambar i Ballkanit”.

Për të kuptuar rëndësinë e kësaj tregtie dhe interesimin e shteteve të tjera për produktet shqiptare që mund t’ju siguronte  fusha dhe bregdeti i Myzeqesë, po sjellim dy nga letrat-korrespondencë të agjentëve tregtarë anglezë dërguar Vezirit të Janinës, Ali Pashait.

Maltë, 15 shtator, 1809,

Zotëri,

Bashkë me këtë letër po u bashkangjis një kopje të udhëzimeve që kam marrë nga qeveria ime (britanike-N.K.), për hapat  që  duhet të ndërmarrë për sigurimin e lëndës drusore për ndërtime detare nga territoret e vendit nën qeverisjen e Ali Pashait.

Dëshira e qeverisë është të kërkojë një njeri kompetent për të matur dhe vëzhguar drurët dhe për të caktuar rezervat dhe pyjet ku do të merret lënda e prerë duke filluar nga Durrësi   deri në Prevezë…

   Pyjet e përmendur janë të gjithë të pakultivuar, terësisht të formuar nga natyra me dru vidhi, dushku, lisi, dru arre dhe gjethe delli…

Më 1782, francezët nënshkruan një kontratë me Ali  Pashën, për të prerë lëndë drusore në territoret e tija për flotën ushtarake në Tulon…

  Meqë stina është e përshtatëshme për sigurimin e lëndës drusore, kam dëshirë të punojmë pa humbur kohë dhe të kem nga ana juaj mbështetjen e nevojëshme,  sa më shpejt të jetë e mundur.

 

Perij  Traser

Unë mbetem shërbëtor i juaj i bindur.

Letra e dytë:

Shkëlqesisë së Tij, Vezirit të Janinës

dhe Shqipërisë Otomane

Durrës, 8 janar, 1810

I nënshkruari i Madhërisë së Tij Britanike ka arritur në qytetin e Durrësit për t’i dhënë një shtysë tregtisë me osmanët si dhe për të bërë vëzhgimet e nevojëshme lidhur me pretendimet tepër të njohura të Francës për brigjet e Shqipërisë…

Kam nderin të përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj për marrjen e qytetit fortesë të Beratit nga ana e trupave Tuaja duke shpresuar që brenda një  kohe të shkurtër e gjithë Shqipëria do të ju njohi Juve si komandantin e saj… Situata tashmë në Durrës është më e përshtatëshme për të hapur një komunikim tregtar…

Prej këtu mund të transportohet lesh, lëkurë, lëndë drusore, duhan dhe çdo produkt tjetër që prodhohet këtu. Ndërsa mund të importohet sheqer, kafe dhe çdo artikull tjetër i prodhimit britanik…

Mendoj se nën mbrojtjen Tuaj, tregtia do të lulëzojë duke dhënë avantazhe reciproke si për Portën e Lartë ashtu dhe për Britaninë e Madhe.

Me konsideratat  më të larta për Shkëlqesinë Tuaj,

Shërbëtori Juaj i devotshëm, W.Leard për Ali Pashain.

 

Në bordin e anijes,”Harmonia”, Durrës, 8 janar, 1810. 

                                         ****

Mendojmë se njohja e Pashait të Janinës me vlerat dhe rezervat që mund t’i siguronte Myzeqeja dhe territoret e saj, përfshinte gjithë fushat ku prodhoheshin ose gjendeshin vlera,  deri tek ato pak ose aspak të njohura nga popullsia vëndase, siç ishin reliket e nëntokës, thesare të historisë dhe arkeologjisë në Myzeqe.

“…Njerëzit e Ali Pashës morën, ngarkuan dhe dërguan për në Berat 17 karro me gjetje arkeologjike të marra në tempullin jonik të Apolonisë…”

                                                                                                                                           

Ja pra, për derisa njohjet, informimet dhe grabitjet kanë shkuar deri tek pasuritë e nëntokës, të kësaj fushe-minierë, nuk bëhet fjalë për mbitokën, ujrat, kripën, drithërat dhe pyjet e saj.

Por Vezirit, përveç pasurive i duheshin edhe njerëzit, banorët e Myzeqesë, të cilët, i llogariste si mbështetje në përplasjet ushtarake me Portën e lartë dhe Pashallarët rivalë.

Pra i duheshin myzeqarët si mish për top…!

Kjo është arsyja pse Aliu duket kaq merakli dhe i kujdesshëm ndaj të krishterëve të Myzeqesë sa nuk kursehet të harxhojë “edhe nga qesja e vet ca aspra…”(për të ndrequr manastirin e plakut Kozma në Kolkondas…!)

Në folklorin e Myzeqesë ka edhe këngë popullore për Aliun e Janinës në të cilat, pothuaj  gjithënjë lëvdohet, paçka pabesive dhe mizorive të njohura mbi qytetin e Beratit e më tej.

“…Janinë e bukur Janinë/Priti djemtë se po vijnë,

                  Jo si me Vezir Alinë/ Por të lidhur me zinxhirë   

 

  Është fjala për djemtë myzeqarë të mobilizuar me forcë për të mbrojtur qytetin e Janinës në betejat greko-turke të dimrit të vitit 1912-1913. Ajo çka vihet re në vargjet e mësipërme është fakti se djemtë po shkonin “të lidhur me zinxhirë” dhe jo si dikur, me Vezir Alinë, kur paskin shkuar me dëshirë, a më e pakta, jo me detyrim.

Përdorimi i dëndur i emrit Janinë, në rrëfimet dhe folklorin e Myzeqesë, tregon gjithashtu për njohje dhe informim të ngjarjeve dhe figurave që lidheshin me këtë kryeqendër të dëgjuar.

Fakti që pranë qytetit të Janinës ende sot përdoret toponimi i vjetër “Burimi i Fierit”, krahas disa burimeve të tjerë ku laheshin ushtarët e grupuar sipas krahinës nga kishin ardhur, tregon se numuri i myzeqarëve të vajtur në Janinë, nuk ka qënë i paktë dhe as për pak kohë. Të bie në sy një letër e beratasve (emertim që përfshinte gjithë territoret e Nahijetit të Beratit- pra edhe Myzeqenë), dërguar Ali Pashait, të cilit i ankohen për Pashain e tyre, Ibrahimin, duke e siguruar se këtej e tutje do mbështesin Pashain e Janinës. “Ali Pasha ta mësojë se Ibrahimin s’e ndihmojmë…”

   Prandaj, për të fituar “zemrat e ftohura të ortodoksve myzeqarë-E.Lieer”, 34 vjet pas vdekjes së murgut grek Kozma Etolit, Aliu ndihu edhe vet me ca qese aspra, e urdhëroi të ngrihet manastiri.

***

MANASTIRI I PASHAIT TEK VARRI I MURGUT GREK

Zakonshëm, pashallarët kanë ndërtuar, ngritur dhe stolisur xhami, teqe a tyrbe,  por jo kisha a manastire.

Por Pashai i Tepelenës s’ishte si çdo Pasha. Madje ai s’ishte vetëm Pasha…! Aliu ka provuar me bëmat, gjëmat dhe jetën e tij aq mizore sa edhe triumfuese, se pas titujve të Pashait, Valiut e Vezirit, vlonte shpirti dhe truri i strategut largpamës, grabitqar e diplomat,  i cili, ende sot përbën referenca për kohën  dhe madhështinë e tij mizore.

Greqia dhe posaçërisht kisha greke, gjithënjë në shërbim të nacionalizmit grekomadh  vorioepirot, ka detyrimin e parë për ta nderuar Ali Pashain e Tepelenës, pasi ky Pasha shqiptar(!?), u bë shkak dhe mundësia e vetme që Greqia të ketë ende sot  një sebep, një “gozhdë të Nasradinit” të ngulur në mezin e Myzeqesë, (Kolkondas, Fier) ku, gati 300 vjet të shkuara, u varros murgu grek, Kozmai, duke na e lënë litarin jashtë…

Po ç’ishte shtysa, interesat dhe motivet që e nxitën Vezirin e Janinës të urdhëronte personalisht ndërtimin(apo ndreqjen, siç  e thotë ai…?) e një manastiri këtu, për t’ju shërbyer ortodokësve myzeqarë?

Janë të njohura sajesat folklorike dhe alibitë abuzive të krijuara qëllimshëm nga njerëzit e Aliut dhe kisha greke për gjoja miqësinë e tij me plakun Kozma dhe të ëmën Hankon, të cilës i paska thënë fatin e pritshëm të të birit “me mjekër të kuqe…”

Ali Pashai nuk njihte miqësi me mbretër e perandorë, jo më me një murg si  greku Kozma. Merret vesh se mitizimi dhe profecitë e  Kozmait për Aliun janë “mbjellë” pas “skuqjes” së mjekrës, (prerjes së kokës së Aliut-shkurt, 1821 – Koka në Stamboll, trupi në Janinë…-I.Kadare)

Ta njohim lexuesin me dy Kartat e Ali Pashait, me të cilat, ky urdhëron dhe nxit myzeqarët të ndërtojnë (apo ndreqin…?) manastirin e plakut Kozma, ndonëse 34 vjet pas vdekjes së tij…?!

Bujurdia e Aliut për ortodoksit e Beratit:

      Nga shumë i larti Vezir Ali Pashai,

Juve rumër të Beratit, myzeqarë, vllehë e grabovarë, fshatra dhe çifligje. Po ju jap zë se ja tek vura një epitrop që të më ndërtonj manastirin e xha Kozmait dhe ndiha edhe unë me aspra, dhe të ndihi edhe ju siç do t’ju thotë dhespoti që të ndërtohet ky manastir.

Dhe cilido që nuk do të jap ndihmë do më mbetet hatri dhe do ta paguanj dyfish.

Sikundër po ju urdhëronj, kështu të bëni me vendimin tim.

 Më 12 të vjeshtës së parë, 1813,

në Gjinokastër.

 

Pas një viti, Aliu dërgon letrën e dytë:

Juve duaxhinjtë e hajrit tim, dhespotit  të Beratit,

Koli Mitro dhe Haxhi Janko;

Ju përshëndes dhe po ju shpërfaq se i mora vesh për sa më shkruani dhe u bëra me shumë gaz që qenkeni bërë mukajet për xha Kozmanë.

Ja tek po vjen aty igumeni Koli me ustabashin dhe ta vini të ndërtonj odat dhe hajatin e manastirit që të bëhet tekmil nga të gjithë manastiret sepse tani që po vinj edhe vet aty, dua ta gjenj të gatishmë.

Përpiquni të gjithë ta ndërtoni dhe të gjithë rumërit e Beratit të ndihin. Ja tek po i shkruaj edhe Ibrahim Arapit që të ju bënjë mysade në çdo punë. Kështu siç po ju shkruanj të bëni dhe qofshi shëndosh.

 Në Janinë, vjeshtë e parë, 12, 1814.

Gjithësa ka mbetur në Myzeqe si referencë nga emri dhe vepra e Vezirit të Janinës, janë pikërisht këto dy letra të botuara në disa gazeta shqiptare, në fillim të shek. 20-të.  Sipas dëshmisë së  italianit Xhovani Lorenxoni dhe kulturologut beratas Llukë Karafili (Bardhyli-mësues në Lushnjë, 1940), këto dy letra origjinale, këta i kanë lexuar në Bibliotekën e hershme dhe të pasur të manastirit të Ardenicës, para se kjo të grabitej dhe të digjej, në muajin shkurt 1932.

Vijon numrin e ardhshëm

 

Nga Naun Kule August 27, 2016 11:39
Komento

4 Komente

  1. demo August 27, 17:10

    Shto uje e shto miell,,merr ketu e merr atje,po te pakten cito burimet.Eke exagjeruar Myzeqene e 200 vjeteve me pare si hambar drithi i Ballkanit,apo si Lombardia.Nuk je i vogel te mos e dish se deri ne 1956,nga ura Rrogozhines deri ne Lushnje shtrihej keneta e Terbufit,Kur vershonte Shkumbini e gjithe grykederdhja Shkumbinit,fusha Bashtoves,Cerma dhe Gosa ishin nen uje.Mos e shih sot qe te sheh syri vetem fushe.Ato 17 qerre me gure dhe monumente te grabitura nga Ibrahim Vrioni i Beratit,ne tempullin Jonik te Shtyllasit,te derguar ne Berat i ke marre nga vepra “Apolonia e Ilirise”,pa permendur autorin.Po ke ngaterruar Ibrahim Vrionin me Ali pashe Tepelenen!Ali pasha grabiti 4 statuja te Apolonise qe i dergoi ne Janine.Ate “Litarin jashte”,qe la Ali Tepelena me ndertimin e manastirit kushtuar antishqiptarit Kozma Etoliani,perseri e ke marre nga nje tjeter studiues,pa i permendur emrin.

    Reply to this comment
  2. Illo August 29, 02:27

    Nuk ka dyshim , qe Myzeqeja ka ate rendesi historike dhe ekonomike , qe permend Nauni . Ajo mund te quhet edhe Lombardi dhe fusha me e rendesishme e Ballkanit . “Demo ” ka te drejte , kur thote se shumica ka qene nen uje , por dhe ne kete natyre te reliefit , kishte po ate rendesi , se popullsia banuse e Shqiperise dhe e Ballkanit ishin 3 here me te vogla . Nauni , ka aftesi te paraqisi studim te mire historik , per kete treve , sepse eshte jo vetem studjus , por dhe guximtar I ditur , Eshte I pari , qe ngriti problemin e murgut Kozma dhe e paraqiti me identitetin e vertete . I ka dale balle per balle , Megalloidese greke , nje nga teorite , ku kisha eshte treguar shume aktive .Shteti dhe Akademija duhet te nxitin 3 studime te thelluara , per Myzeqene : Historik , urban dhe bujqesor . Ne rrast se presim ndonje ngritje ekonomike reale , duhet te bazohemi ne zonen fushore , qe eka emrin “Ultesira bregdetare ” dhe arrin 200 mije Ha , megjithe ultesiren e Maliqit . Teorite etjera , per rritjen ekonomike jane petulla me uje . Me pelqen nisma e Naunit , per studimin kompleks, me theks historik te Myzeqese . “Ultesira” eshte shume me e gjere. I. Foto

    Reply to this comment
  3. Shqiptari August 29, 22:51

    A duhet te krenohemi ne shqiptaret me Ali Pashane? Nje mizor e gjakesor te pabese sic e shkruani vete me lart? Jo. Ali Pasha nuk duhet te jete personifikimi i shqiptarit. Perndryshe duhet te krenohemi me te gjithe vrasesit e sotem ordinere. Turp!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*