Grabitja e 6.5 mln lekëve të bankës te Treni pa autorë, nën akuzë vetëm policët privatë

December 25, 2015 09:06

Grabitja e 6.5 mln lekëve të bankës te Treni pa autorë, nën akuzë vetëm policët privatë

Prokuroria e Tiranës përfundoi dje hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim për grabitjen e bujshme të thasëve me lekë nga banka e nivelit të dytë tek Stacioni i Trenit në kryeqytet, ku janë marrë të paktën 2,5 milionë euro.

Gati një vit hetime nuk zbuluan dot autorët e vërtetë të grabitjes, organi i akuzës çoi në gjyq 6 policët privatë të shoqërisë “Euro-Gjici”, që kishte për detyrë sigurinë e parave gjatë transportit për në Rinas. Dosja me 6 të pandehur u dërgua në Gjykatën e Tiranës, ndërsa për autorët e grabitjes materialet i kaluan policisë për mbledhje informacioni.

Grabitja e ndodhur shkurtin e këtij viti është një nga dy grabitjet më të bujshme të ndodhura përgjatë 2015-ës, ku persona ende të paidentifikuar mundën të marrin paratë e bankës të nivelit të dytë që transportoheshin nga policia private.

Sulmi tjetër ndodhi pak javë më parë në Kashar, ku kompanisë “Rogate Security”, 5 persona me maska i grabitën 3,8 milionë euro që po dërgoheshin jashtë vendit nga një prej bankave të nivelit të dytë. Edhe për këtë ngjarje të dyshuar janë 6 policët privatë.

Me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, do të përballen në gjykatë 6 punonjësit e policisë private Isuf Gjici, Artan Dervishi, Dritan Duka, Saimir Nikoçi, Ilir Syla dhe Tomorr Hidri. Ata u arrestuan pas grabitjes në muajin shkurt, por gjykata i liroi më pas për mungesë provash, me masa të lehta sigurimi.

Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se “këta persona nuk kanë respektuar rregulloren e sigurisë, ç’ka i ka krijuar lehtësi grabitësve të marrin 4 thasët me para, e të largohen në pak minuta nga stacioni i trenit drejt Laparakës, ku më pas humbën gjurmët dhe dogjën makinën”. Dyshohet se autorët e kësaj grabitjeje janë të njëjtë me atë të pak javëve më parë në Kashar.

Nën akuzë janë marrë edhe dy punonjës të bankës për neglizhencën në ushtrimin e përgjegjësive. Shefi i sigurisë së bankës, Qirjako Taçe dhe shoqëruesi i vlerave monetare të bankës, Robert Felaj, akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në sektorin privat. Kjo pasi grabitja ndodhi në hyrje të bankës, ku ishin fshehur edhe grabitësit e maskuar.

Përveç kësaj prokuroria thotë se edhe në momentin kur janë shfaqur grabitësit, punonjësit e bankës nuk janë treguar vigjilent dhe nuk kanë reaguar për të evituar grabitjen edhe pse kanë qenë të armatosur.

Po ashtu nga hetimet e organit të akuzës rezultoi se një prej punonjësve të policisë private “Euro-Gjici”, i licencuar si roje private, kishte probleme me drejtësinë, pasi ishte dënuar më parë dhe kjo është konsideruar një shkelje e rëndë.

Nën akuzë nga Prokuroria:

Isuf Gjici, drejtues i “Euro-Gjici”

Artan Dervishi, polic privat

Dritan Duka, polic privat

Saimir Nikoçi, polic privat

Ilir Syla, polic privat

Tomorr Hidri, polic privat

Qirjako Taçe, shefi i sigurisë së bankës

Robert Felaj, shoqëruesi i parave. /Dita/

December 25, 2015 09:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*