FOTO: Historitë e grave kosovare në ISIS

February 25, 2015 11:56

FOTO: Historitë e grave kosovare në ISIS

Qamile Tahiri, 23 vjeçe, së bashku me dy fëmijët e saj, më i madhi vetëm pesë vjeç, ka gati një vit që jeton përkrah terroristëve të “Shtetit Islamik” në Siri (ISIS). Kjo grua e re nga Mitrovica, fillimisht është nisur në drejtim të “Tokës së Shamit”, për të qëndruar afër bashkëshortit të saj Besim Tahiri, i cili atje kishte shkuar disa muaj para saj, por sot Qamilja ka kapur armët për të luftuar krah ISIS-it.

Një tjetër grua nga Gjilani, Shqipe Ajdini, bashkë me burrin e saj Sinan Muji, dhe vajzën Sara, vetëm tre vjeçe, në muajin gusht të vitit 2014, i ishte bashkangjitur luftës së “Shtetit Islamik” në Siri. Shqipja 30 vjeçe, ka pak muaj që është kthyer në Kosovë, me ndihmën e babait të saj Ilaz Ajdini, rreth një muaj pasi bashkëshorti i saj Sinani ka vdekur nga sulmet ajrore në Irak.

Mihane Baleci, është 23-vjeçarja tjetër, nga Drenasi, bashkëshortja e të burgosurit nën dyshimin për terrorizëm, Fitim Lladrovci, po ashtu ka qenë pjesë e ISIS-it.

Historitë e tyre janë të ndryshme, por kanë një gjë të përbashkët: vijnë nga familje të varfra, nuk kanë shkollim të lartë dhe mbi të gjitha asnjëra prej tri grave nuk vjen prej familjeve me ideologji “ekstreme”.

“Zëri” sjell reportazhin nga familjet dhe të afërmit e tyre, të cilët tregojnë sesi fëmijët e tyre iu bashkuan ISIS-it.

Image

Qamile Tahiri me fëmijët e saj
Image

Qamile Tahiri

Jeta e tyre para dhe pas bashkimit me ISIS-in

Qamile Tahiri nuk i kishte mbushur akoma 18 vjet kur ishte takuar me Besim Tahirin, që më pas u bë bashkëshorti i saj, me të cilin ishin bashkëmoshatarë. Të dy nga fshati Shipol i Mitrovicës, vinin nga familje të varfra. Menjëherë pas shkollës së mesme, Qamilja martohet me Besimin. Pa shkollim të lartë, të papunë, të dy kohën më të madhe e kalojnë duke praktikuar islamin, kurse Qamilja duke u përkujdesur edhe për fëmijën e parë që shpejt e kishte lindur, djalin Uvejs, tregon për “Zërin”, një anëtare e familjes së Qamiles, (emri i njohur për gazetën), e cila ka pranuar të rrëfejë pak nga jeta e saj, në kushte anonimiteti. Para martesës Qamilja kishte mbulesë në kokë, por pas martesës ajo mbulohet krejtësisht më të zeza, përfshirë edhe fytyrën. Para më shumë se një viti, Qamiles i thotë bashkëshorti se ka vendosur të shkojë në shkollë në Egjipt (shkollë për fenë islame), por në realitet ai kishte shkuar në Siri, vazhdon rrëfimin ajo. Qamilja, tashmë me dy fëmijë, vinte nga një familje me mentalitet të tillë, “që nuk lejon gratë të qëndrojnë pa bashkëshortin sepse konsiderohen të veja”.

Image

Qamilja me bashkëshortin Besim Tahiri

“E papunë, e pashkolluar, e varfër, pa asnjë mbështetje, Qamilja vendos t’i bashkëngjitet burrit të saj në Siri. Nuk e di si ka arritur të shkojë, as kush i ka ndihmuar, por ajo ka shkuar së bashku me dy fëmijët, më i madhi vetëm 5 vjeç”, tregon më tej kjo e afërt e familjes së Qamiles. Sot, Qamilja akoma vazhdon të jetojë në Siri bashkë me dy fëmijët, djalin pesë vjeç, Uvejsin, dha vajzën dy vjeçe Fatime. Vetë Qamilja ka ndërruar edhe emrin, në Siri njihet si “Ummu Uvejs”, ndërsa posedon edhe faqe në rrjetin social “Facebook”. E mbështjellë krejtësisht në të zeza, me armë në dorë ajo shihet në krah të ISIS-it.

Babai që bëri gjithçka për të kthyer vajzën në shtëpi

Të rrallë janë ata që i bashkëngjiten luftës në Siri, dhe më pas arrijnë të kthehen në Kosovë. Edhe nëse duan të kthehen, nuk lejohen nga ISIS-i. Por para pak muajsh, në fillim të tetorit 2014, Ilaz Ajdini, arrin që nëpërmjet disa personave, emrat e të cilëve nuk dëshiron t’i tregojë, të kthejë nga Siria në Kosovë, vajzën e tij, Shqipe Ajdini, dhe mbesën trevjeçare Sarën. Shqipja jeton sot në banesën e prindërve bashkë me vajzën, pasi që burri i saj Sinan Muji, i cili në Siri njihej me emrin “Ebu Sarah”, ka vdekur në shtator nga sulmet ajrore kundër ISIS-it, pas vetëm një muaji që i ishte bashkangjitur luftës, tregon për “Zërin”, Ilaz Ajdini. Në gusht 2014, Shqipja bashkë me bashkëshortin dhe vajzën trevjeçare nisen për në Siri, pa i treguar askujt. Dy familjet edhe ajo e Sinanit edhe e Shqipes e marrin vesh që çifti ka shkuar në Siri, kur ata lajmërohen pasi që mbërrijnë atje.

Image

Ilaz Ajdini, babai i Shqipe Ajdinit

“Kur kam kuptuar që vajza më ka shkuar në Siri, unë në atë moment kam thënë se ajo ka vdekur për mu”, kujton për “Zërin”, Ilazi.

Çifti ishte vendosur në Siri atë kohë, kurse Sinani udhëtonte nga Siria për në Irak për të luftuar, ku pas vetëm një muaji, në fillim të shtatorit 2014, ai humb jetën në Irak nga sulmet ajrore kundër ISIS.

Ilazi edhe pse ishte i zemëruar me vajzën, për shkak se kishte shkuar në Siri, kur e kupton që vajzës i ka vdekur bashkëshorti, bën çmos që ta kthejë në Kosovë.

“Si kam arritur ta kthej është sekret, por e kam kthyer pa ndihmën e Qeverisë, pa ndihmën e autoriteteve. Disa persona më kanë ndihmuar që Shqipja dhe mbesa Sara nga Siria të kthehet në Stamboll, dhe prej aty në Shkup”, tregon Ilazi.

Image

Shqipe Ajdini (para)
Image

Shqipe Ajdini (pas)

Shqipja, fëmija i vetëm i Ajdinit që merr rrugën e gabuar

Shqipja është sot 30-vjeçare, ndërsa bashkëshortin Sinanin nga fshati Bresalc i komunës së Gjilanit, e kishte takuar para katër vjetësh, ndërsa tash tre vjet të martuar.

Familja e Shqipes praktikon fenë islame, por siç thotë Ilazi, babai i saj, “ne jemi myslimanë, sikur që kanë qenë me shekuj shqiptarët, që aspak nuk ka të bëjë me islamin që sot po e praktikojnë disa të rinj”, pjesë e të cilës është bërë edhe vajza e tij Shqipja.

Ilazi tregon për “Zërin”, se vajza e tij Shqipja ka qenë praktikuese e fesë islame edhe para martesës, dhe ishte fëmija i tij i vetëm që ka dashur ta vendosë shaminë në kokë, edhe para martesës.

“Por pas martesës, ajo është mbuluar në tërësi me të zeza, për çka unë jam dhe kam qenë gjithmonë kundër, por ka qenë vendimi i saj dhe nuk kam pasur çfarë të bëj”, shprehet Ilazi.

Shqipja e kishte kryer vetëm shkollën e mesme, dhe nuk ishte e punësuar, ndërsa viteve të fundit, para se të martohet, siç tregon Ilazi, i ishte përkushtuar në tërësi fesë. Ilazi nuk e di se prej nga vajza e tij ka mësuar për këtë rrugë që ai vetë e quan të “gabueshme”.

“Sot vajzës time po i them, merre Kuranin lexoje, ajo çfarë po bën ISIS, asgjë nuk ka të bëj me islamin, as mbulesa nuk ka të bëjë me islamin. Unë gruan time e kam hequr nga shamia në vitet e 50-ta, e tani sot të mbulohet vajza ime, është shumë e rëndë për mua”, shprehet i mërzitur Ilazi. Shqipja edhe pas kthimit në Kosovë, vazhdon të jetojë e mbuluar, ndonëse babai i saj ka shpresuar se ajo do ta heqë.

Vetë Ilazi është invalid, pa një krah dhe merr vetëm një pension prej 75 eurove. Ka dy djem që jetojnë në Evropë, por janë emigrantë dhe nuk kanë mundësi ta ndihmojnë. Pos Shqipes ka edhe dy vajza tjera, njëra e martuar, e cila jeton jashtë vendit dhe një të pamartuar, e cila punon dhe shkon në shkollë. Jeton në një banesë me qira në Gjilan.

“Derisa të jem gjallë do të kujdesem për to, por është vështirë. Asnjë ndihmë nuk po e marr prej shtetit”, thotë ai, ndërsa ankohet se Komuna e Gjilanit nuk po i jep as  certifikatën e vdekjes së burrit të Shqipes, në mënyrë që të paktën mbesës së tij t’i takojë një ndihmë sociale.

“Më kanë thënë se nuk kemi fakte se ekziston kufoma, por si mund të ketë kufomë, kur ai ka vdekur në Irak, dhe cili është ai rast që kanë sjellë kufomë prej Sirisë në Kosovë”, thotë më tej Ilazi.

I dëshpëruar me jetën, me institucionet, me të gjitha, Ilazi megjithatë ka një mesazh, lutet dhe bën apel te të gjithë që të mos shkojnë në luftë në Siri, “pasi ajo që po ndodh atje nuk ka të bëjë asgjë me islamin e vërtetë”.

Image

Shtëpia e bashkëshortit të Shqipes, Sinan Mujit në Bresalc të Gjilanit

Femra në ISIS nuk ka të bëjë as me fe e as me humanizëm

Imamë dhe njohës të shkencave islame thonë se shkuarja e femrës shqiptare në luftën e Sirisë nga Kosova, nuk ka të bëjë me fenë dhe as me humanizmin njerëzor. Doktori i shkencave islame, Musli Verbani, thotë për gazetën “Zëri” se shkuarja e grave në Siri bëhet në tri lloje të grupeve: gratë që janë të caktuara të shkojnë në luftë, gratë që shkojnë me bashkëshortët e tyre, si dhe ka gra që pavarësisht lidhjes bashkëshortore shkojnë të marrin pjesë në mënyrë individuale.

“Të martuarat e ndjejnë obligim që të shkojnë me burrat e tyre, sepse edhe nëse rrinë këtu konsiderohen të veja, pra nuk iu lejohet të rrinë të veja dhe ato prandaj zgjedhin (imponohen) të qëndrojnë apo të shkojnë me bashkëshortët”, thotë ai duke përshkruar tragjedinë që ato ndeshën në tokën e Sirisë, ku të varura nga bashkëshortët me humbjen e jetës së tyre (bashkëshortëve) iu nënshtrohen rregullave të ISIS-it, e të cilat janë të dhimbshme dhe gati jonjerëzore për to, duke marrë parasysh, sipas Verbanit, rritjen dhe edukimin e femrës shqiptare sipas traditës islame dhe asaj shqiptare.

“Kur iu vritet burri i tyre, ato hiç më shumë se katër-pesë muaj pasi mbesin të veja, duhet të martohen sërish me një tjetër burrë. Pra, nuk i lejojnë në zonat e luftës të rrinë të pamartuara më shumë se katër muaj (të veja) ose i detyrojnë të martohen, ose ua imponojnë nëpërmes sistemit të grave atje (një lloj “policie e grave”) që është e vendosur brenda ISIS-it”.

Martesat e tyre atje, sipas tij, bëhen me qëllim që ato të lindin fëmijë tjerë, duke pretenduar të bëhen të denjë që të luftojnë për “Shtetin Islamik”, e që Verbani thotë se ISIS-i pretendon se është shtet që do të funksionojë dhe 100 vjet.

Kurse Bekim Jashari, imam në xhaminë “Dëshmorët e Kombit” të Podujevës dhe kryetar i Bashkësisë Islame për këtë komunë, thotë se Ambasada e Kosovës në Ankara e ka për obligim që t’u dalë në ndihmë shtetasve të vet, në këtë rast grave të mbetura të veja e me fëmijë në Siri. “Këto gra nuk kanë shkuar me vetëdëshirë, por shumicës u është imponuar, prandaj dhe shoqëria jonë e ka për obligim që t’iu rrijë afër, sepse në këtë rast femra shqiptare është viktimë”. Ai thotë se lufta në Siri nuk ka të bëjë me fenë, dhe se po ashtu nuk është luftë fetare, por “është luftë sektare ndërmjet fraksioneve të shumta në Siri”. Sipas tij, prezenca e qytetarëve të Kosovës dhe femrave nuk është luftë as në traditën islame dhe as në atë të shqiptarëve. “Dhe djemtë dhe vajzat janë viktima”, thotë ai, e sidomos duke iu referuar femrës, e cila ai thotë se nuk lejohet që të luftojë jashtë vendit të saj, pra në një vend të huaj, por vetëm brenda Kosovës ku mund të luftojë dhe ta mbrojë veten.

Image

Djali pesëvjeçar i Qamile Tahirit
Image

Shtëpia e prindërve të Qamile Tahirit në Shipol/Mitrovicë
Image

Qamile Tahiri
February 25, 2015 11:56
Komento

7 Komente

  1. Led February 25, 12:04

    Mos moj burrneshe…ku po i con ata femije!!

    Reply to this comment
  2. isi February 25, 12:35

    Shkoni moj tek shtepia se nuk vete femra shqiptare te luftoje per fellahet ne fund te botes!

    Reply to this comment
  3. Shpiragu February 25, 13:52

    Kafshate qe s’kaperxehet, eshte o Zot mjerimi !
    Vaj medet per Qeverine e Kosoves dhe, aq me teper per, per qeverisjet locale.
    Nderim dhe respekt per Juve Z.Iliaz Ajdini !
    I rekomandoi gazetes “Zeri”, qe ky artikull te te dergohet per botim ne disa gazeta perndimore , nga me prestigjozet .

    Reply to this comment
  4. Sokol February 25, 14:25

    Te gjithe kur e shikojne qe çfare skëterë,barbarizëm dhe sa shekuj mbrapa po i kthen ISIS bejne rolin e të pafajshmit,rolin e te genjyerit dhe duan te kthehen mbrapa. Duan te ikin,mbrapa djellit te shkojne. Kjo fe primitive edhe sot mbasë 2000 vjetesh ashtu ka ngelur e pa civilizuar.

    Reply to this comment
  5. Tarrasi February 25, 16:51

    Injoranca nuk ka brire por vepron ne menyren sic kane vepruar keta njerez naiv dhe te varfer. Por megjithate keta jane perkrahur dhe financuar nga njerez aty ne Kosove dhe keta duhen kalbur ne burg se po marrin ne qafe jete njerzish te paditur.

    Reply to this comment
  6. Mark uk February 25, 17:50

    Qenkan te reja luftojn ne dy fronte.Persa u takon atyre qe ju u thuani burrat e tyre,ata vetem ne letra se nuk ka gja ne dore.Ku jeni ju lumt bitha more rac muti..

    Reply to this comment
  7. Vangjel February 25, 22:17

    Gjithmone keshtu ndodh: E shohim fenomenin, rrime indiferent, nuk bejme perpjekjen me te vogel per ate qe duket se eshte e keqe.
    Dhe vjen nje dite qe vajza, per te cilen babai thote nuk e di pse vajza shkon pas islamit, perfundon ne nje jete shume tragjike.
    O njerez asgje nuk vjen prej hicit.
    E ka nje fillim.
    Dhe tani . . .
    Rrime e lexojme vajzat viktima, djemte – burrat e ketyre vajzave dhe femijte e tyre qe asnjehere nuk do marrin vesh cfare ka ndodhur me jeten e tyre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*