Gratë në krye të partive politike në Shqipëri, Kryemadhi e 5-ta në historinë 100-vjeçare

June 30, 2017 11:44

Gratë në krye të partive politike në Shqipëri, Kryemadhi e 5-ta në historinë 100-vjeçare

 

Afrim Krasniqi

Historia politike e Shqipërisë është histori burrash? Tradita partiarkale ka ndikuar edhe në traditën shtetërore, ndaj edhe në himnin kombëtar citohet emërtimi “burrë”.

Shqipëria nënshkroi Konventën mbi të drejtat e Grave më 1921, por ia njohu të drejtën e votës dhe kandidimit për poste të larta politike vetëm më 1945. Midis 1945-1990 sistemi njëpartiak ndikoi në përmirësimin numerik të përfaqësimit të grave në vendimmarrjen brenda partisë, por në thelb, sistemi duke mos qenë konkurrues, u kujdes për imazhin dhe propagandën, jo për një përfaqësim horizontal social, ekonomik, politik dhe kulturor. Vlen të theksohet se gratë me pozitat më të larta në parti dhe shtet ishin Nexhmije Hoxha, Fiqiret Shehu dhe Vito Kapo, përkatësisht bashkëshortet e tre drejtuesve kryesorë të shtetit komunist, Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Hysni Kapo.

Në dhjetor 1990 më shumë se 57 studente e pedagoge nënshkruan krijimin e të parës opozitë politike, – akti më i lartë i përfaqësimit të grave në vendimmarrje dhe ndikimit politik.

Më 1991 nisi jeta politike, ku të gjitha partitë e reja u dominuan nga burrat.

Pas 27 vitesh kemi parlamentin me numrin më të madh të grave të zgjedhura (39 nga 140) dhe qeverinë me shifrën më të lartë të grave ministre në Evropë (11 nga 21).

Kemi pasur dy gra kandidate për kryeministre (janë votuar dhe kanë humbur në garë Makbule Ceco dhe Ermelinda Meksi), kemi pasur një grua kryetare parlamenti (Jozefina Topalli), disa gra zv/kryetare parlamenti (Margarita Qirko, Valentina Leskaj, Jozefina Topalli), kemi pasur gra zv/kryeministre (Makbule Ceco, Ermelinda Meksi, Ledina Mandija), kemi pasur grua ministre të jashtme (Arta Dade) apo Ministre Mbrojtjeje (Mimi Kodheli), kemi grua kryetare në një bashki të madhe (Voltana Ademi), etj.

Lajmet e fundit informojnë se LSI do të drejtohet nga një grua, Monika Kryemadhi.

Ajo është politikane karriere, numri dy në parti dhe jo rastësisht edhe bashkëthemeluesve e bashkëshortja e krijuesit të kësaj partie, Ilir Meta. Vijimi i mandatit drejtues brenda familjes është tregues i mënyrës së formatimit të kësaj partie.

Megjithatë, Kryemadhi nuk është kryetarja e parë grua në një parti politike.

Musine Kokalari ka qenë gruaja e parë kryetare e një partie, Partia Socialdemokrate, në vitet 1944-1946.

Ajo mbetet një simbol inspirues i gruas në politikë, një emër ndryshe, politikane dhe personalitet i jashtëzakonshëm. Fundi i saj ishte tragjik, si të gjithë disidentët politikë antikomuniste.

Në periudhën e tranzicionit gruaja e parë kryetare u regjistrua në Gjykatën e Tiranës më 1998. Ajo ishte Angjelina Hasani, kryetare e partisë Alternativa Liberale. Gjurmët e drejtimit dhe ekzistencës së kësaj partie vijojnë deri më 2011, ndërkohë që zyrtarisht edhe sot figuron si parti dhe si kryetare partie.

6 vjet më vonë, më 2004 Brixhilda Kokëdhima ishte gruaja e dytë kryetare partie në tranzicion. Ajo mori drejtimin e partisë Lidhja e Blertë Shqiptare.

Konkurroi më 2005 dhe 2007, dhe më 2017 ende në Regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës figuron si parti dhe si kryetare. Gruaja e tretë drejtuese në një parti është një emër pak i njohur publik, Lumturi Ratkoceri. Ajo u zgjodh në 1 qershor 2017 kryetare e Aleanca Kuq e Zi pas dorëheqjes së themeluesit Spahiu. Ajo vijon ta mbajë këtë post dhe siç dihet, AKZ konkurroi në zgjedhjet parlamentare 2013 dhe ishte aktive në protestat e opozitës deri një muaj më parë.

Së fundi, gruaja e katërt kryetare është Monika Kryemadhi.

Ajo është një aktiviste e hershme e PS, pas 2004 bashkëthemeluese e LSI dhe e sapozgjedhur deputete në Elbasan në siglën e kësaj partie.

Në secilin prej rasteve të përmendura gjatë tranzicionit, zgjedhja e një gruaje në krye të partisë është bërë pa votim konkurrues, kryesisht përmes emërimit ose dhurimit të postit. Megjithatë, kjo formë e butë e ngritjes në krye të partisë drejtuese është në tërësi edhe tipar i karrierës së 80% të burrave kryetarë partish, pra është një tipar negativ e kulturor i traditës politike shqiptare. Në parlamentin e ri do të ketë 22 deputete (gra e vajza) të reja, pra për herë të parë deputete, siç nuk do jenë pjesë e tij emra të njohur të politikës si Topalli, Dade, Leskaj, Hafizi, Doda, etj, të cilat kanë pasur rol aktiv në politikën e dekadës së fundit.

Pothuajse të gjitha u ndëshkuan për shkak të kritikave ndaj liderit të partisë, – një tregues sesi bëhet / ndërpritet karriera politike në Shqipëri.

Ka pasur dhe ka debat ende aktiv mbi rolin e grave në politikë, sistemin e kuotave, cilësitë e grave në politikë, modelin që ato ofrojnë dhe krijojnë. Ka argumente të shumta promovuese dhe kritike. Ka përvoja dhe bilance, ka eksperienca të drejtimit lokal e qendror.

Thelbi i tyre? Shoqëria shqiptare është ende në fazën e formësimit demokratik, lëviz ngadalë dhe nuk preferon ndryshime të shpejta, sistemi partiak është kryesisht piramidal dhe nominal, ndaj edhe cilësia & sasia e përfaqësimit është e mbetet e brishtë, – jo gjithnjë numrat tregojnë cilësi dhe jo gjithnjë pas cilësisë garantohet edhe sasia.

ISP dhe UN Women ka kryer një studim mbi përfaqësimin e grave ne partitë politike (2016-2017) dhe ne vijim edhe një sondazh ditën e zgjedhjeve mbi njohjet që elektorati (votueset gra e vajza) kanë ndaj listave shumë-emërore të partive, kandidateve gra, modeleve pozitive e negative të tyre në perceptimin publik dhe pritshmëritë që kanë për prurjet e reja në politikë. Të dhënat janë shumë interesante, provojnë teza dhe ngrejnë hipoteza, – dhe së shpejti do jenë publike.

June 30, 2017 11:44
Komento

7 Komente

  1. Bruins June 30, 11:59

    Me ne fund po respektohet prona private ne Shqiperi. Duhet ta kete me hypoteke Meta besoj LSI

    Reply to this comment
  2. perkthyesi June 30, 12:19

    Me ne fund, per ata qe deri me tani nuk e paten besuar, u krye privatizimi i LSI! Zgjidhja me e gabuar qe mund te imagjinohej! Parti pa te ardhme!

    Reply to this comment
  3. MH June 30, 14:34

    PD -es i ka dal tellalli per shpronsim.Kjo prone e Berishes e trashigume ne prone te Bashes u shkrumoq.Kerkohet nji kryekoket per ta marre ne dorezim PD pa tapi.
    Tjeter Parti gezon pronesine.Kjo asht LSI-a.E kishte prone Like floriri,ne fushten zgjedhori iu dorezue sekserit Petro Vasilit me kusht per t’ia dorezuar Monikes.Ky i fundit ia dhuroi nusese se Likes.
    Presim qe dhe kjo prone te shpronesohet e ti jipet nji kryekoke tjeter pa tapi.

    Reply to this comment
  4. Brace June 30, 15:18

    Lsi ja Mones do beje opozite me Bllok ne dore.

    Reply to this comment
  5. J June 30, 17:15

    Kjo quhet Nepotizëm. Kur pushteti mbetet brenda familjes.Shpresojmë te zgjidhet edhe garroqja e salihit , pastaj jemi ne rregull.

    Reply to this comment
  6. b.elshani June 30, 22:14

    Informacioni nuk eshte pltesisht i sakte: Gratö me pozitat me te larta ne parti dhe ne shtet ne kohen e komunizmit nuk kane qene nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu e Vito Kapo. Kane qene Liri Gega, antare e byrose politike dhe me pas Liri Belishova, po ashtu antare e Byrose dhe sekretare e KQ te Partise. Me pas Lenka Cuko, antare e byrose dhe sekretare Organizative e Komitetit Qendror. Post te njejte me Vitokapon kane pasur edhe Themije Thomai dhe Tefta Cami, ndersa posti i nexhmije Hoxhes si antare e KQ, ky eshte psoti i saj me i larte ne parti, ishte i njellojte me shume gra te tjera.

    Reply to this comment
  7. b.elshani June 30, 22:15

    Informacioni nuk eshte pltesisht i sakte: Gratö me pozitat me te larta ne parti dhe ne shtet ne kohen e komunizmit nuk kane qene nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu e Vito Kapo. Kane qene Liri Gega, antare e byrose politike dhe me pas Liri Belishova, po ashtu antare e Byrose dhe sekretare e KQ te Partise. Me pas Lenka Cuko, antare e byrose dhe sekretare Organizative e Komitetit Qendror. Post te njejte me Vito kapon kane pasur edhe Themije Thomai dhe Tefta Cami, ndersa posti i Nexhmije Hoxhes si antare e KQ, ky eshte posti i saj me i larte ne parti, ishte i njellojte me shume gra te tjera. Afrimi te thellohet…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*