Familjarët e vëllezërve Çollaku: Grekët i vranë në tokën shqiptare

Artur Qoraj December 10, 2013 10:51

Familjarët e vëllezërve Çollaku: Grekët i vranë në tokën shqiptare

Autoritetet greke u rikthejnë trupat e 2 vëllezërve familjes Çollaku në Devoll për ceremoninë mortore. Dje janë hapur dyert e mortit, pritur ngushëllime dhe kryer nderimi i fundit në fshatin Shuec për Elvis dhe Melsi Çollaku, që u vranë në kufi nga policia greke në një përleshje me armë teksa po peshkonin së bashku. Nga beteja mbeti i vrarë edhe një efektiv helen. Por dje kanë dalë fakte të reja, pasi sipas familjarëve, një prej vëllezërve është ekzekutuar në tokën shqiptare, teksa mbante në krah trupin e tjetrit duke ecur në këmbë. Për më tepër që familjarët pretenduan se viktimat nuk mbanin armë dhe se polici mund të jetë vrarë nga vetë kolegët.

 

Trupat e vëllezërve

Ditën e djeshme janë tërhequr trupat e dy vëllezërve shqiptarë, të vrarë dy ditë më parë nga policia greke, të cilët kanë mbërritur në banesën e tyre në fshatin Shuec të Korçës. Trupat u morën nga familjarët prej morgut të Kozanit, ku ndodhi ngjarja. Elvis dhe Melsi Çollaku u vranë në kufirin shqiptaro-grek, në fshatin Vrontero, pranë Follorinës. Familja Çollaku ndodhet në gjendje shoku, ndërsa mësohet se bashkëshortja e Melsi Çollakut, nga gjendja e rënduar psikologjike, i ka vënë flakën vetes. Familjarët dhe të afërmit kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Pranë banesës së tyre është stacionuar edhe një ambulancë për çdo rast të papritur. Në mesin e dhimbjes, familjarët e dy viktimave zbardhin të tjera detaje rrëqethëse, duke pretenduar se trupat e pajetë të vëllezërve Çollaku janë nxjerrë totalisht të zhveshur dhe të papastruar nga morgu i Kozanit në Greqi. Ata thonë se viktimat janë veshur në spitalin e Bilishtit, ç’ka e cilësojnë të papranueshme.

 

Reagojnë familjarët

Vëllezërit, Melsi dhe Elvis Çollaku dhe polici grek Elias Kostenis, mbetën të vdekur si pasojë e një përplasje me armë 2 kilometra brenda tokës greke në zonën e liqenit të Prespës së Vogël. Ngjarja e rëndë ndodhi 20 minuta pas mesnatës së të dielës, kur një patrullë e policisë greke prej tre efektivësh ishin duke bërë kontrolle. “Nuk është e vërtetë që janë vrarë të dy në tokën greke. Një prej tyre u vra në tokën shqiptare, teksa ndiqej nga pas. Ishin të paarmatosur dhe thjesht peshkatarë në zonën e Prespës”, thotë xhaxhai i viktimave, duke apeluar që shteti të marrë masa që të ndalohen tragjedi të tilla. Të afërmit bëjnë apel që të zbardhet e vërteta e ngjarjes. “Tjetri u vra teksa ndihmonte vëllanë. Ky është krim”, thanë familjarët. “I kanë trajtuar si kriminelë, por ata nuk ishin të tillë, luftonin vetëm për bukën e gojës dhe po ndërtonin një shtëpi të re”, tregojnë të afërmit.

 

Policia greke

Ndërkaq policia greke thotë se në një luginë prapa kasolles së improvizuar ku u gjetën dy shqiptarët, u zbulua një varkë e fshehur në kallamishte, që pretendohet se është e autorëve të krimit, brenda së cilës u gjetën dy karikatorë me fishekë kallashnikovi dhe një radio portative. Kurse Sindikata e Policëve të Janinës bëri thirrje që të shtohen forcat në kufi dhe parandalohet krimi në rritje i trafiqeve.

 

Artur Qoraj December 10, 2013 10:51
Komento

2 Komente

  1. Fllad December 10, 15:32

    Nuk ke si te pretendosh per zbardhejen e se vertetes kur je popull jetim dhe greku jep variantin qe i do prapanica atij.

    Reply to this comment
  2. cdo behet December 10, 16:17

    ne vendet normale MB ne bashkepunim me ( policine e shtetit) eshte prezente karshi qytetarit te republikes se vet ?.ne cdo vend ? ne cdo kohe ? dhe per cdo gje ? POR NE RASTIN E KETYRE TE GJOREVE bashkpunimi zero ? pergjegjshmeria zero ? dhe perfundimi versioni grek ? turp turp ?….. ngushellime familjes

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*