Greqi, grevë e përgjithshme e sektorit publik

April 7, 2016 12:21

Greqi, grevë e përgjithshme e sektorit publik

Sektori shtetëror në Greqi ndodhet prej mëngjesit të së enjtes në një grevë të përgjithshme 24-orëshe të organizuar nga Konfederata e nënpunësve të administratës publike, ADEDY, kundër reformës së pensioneve që kërkon të miratojë qeveria e kryeministrit Tsipras.

Në grevë marrin pjesë gjithë nënpunësit e sektorit publik dhe të administratës lokale, të organeve të tatim-taksave, mësuesit, juristët, spitalet shtetërore që kanë vendosur personel sigurie, mjete e shërbimit publik urban dhe nënpunësit e kontrollit ajror që kanë paralajmëruar për vonesa dhe anulim fluturimesh.

Ndërkohë, mbështesin grevën me pjesëmarrjen e tyre edhe sindikatat e gazetarëve. Sipas sindikalistëve, reforma e re e pensioneve shkatërron karakterin social të sigurimeve shoqërore dhe çon në reduktime të reja të të ardhurave.

Edhe me ligjin e ri të taksave, sipas tyre, qeveria promovon rritje të reja të rëndësishme në taksat direkte dhe indirekte për të siguruar mbledhjen e të ardhurave shtesë prej gati 2 miliardë euro në vitet 2016 dhe 2017.

“Këto masa, që gjunjëzojnë të gjithë të punësuarit, varfërojnë më tej klasën produktive dhe janë shkaku që mbi 200.000 të rinj grekë me arsim të lartë të mërgojnë në vendet e tjera europiane në pesë vitet e fundit”, thotë Konfederata në reagimin e saj.

Është greva e katërt që kjo konfederatë organizon prej dhjetorit të kaluar e që ka paralajmëruar se do të përshkallëzojë protestat e saj kur projektligji do të dërgohet në Parlament për miratim.

April 7, 2016 12:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*