Greqia, e para investitore, Italia zbret e katërta

October 1, 2016 16:33

Greqia, e para investitore, Italia zbret e katërta

Edhe pse ndodhet në një krizë të thellë prej 8 vjetësh, Greqia vazhdon të mbetet investitori më i madh i huaj në ekonominë shqiptare. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të dytë vlera e aseteve që kompanitë greke zotërojnë në ekonominë shqiptare ishte 1 miliardë e 253 milionë euro, ose sa 24 përqind e totalit të investimeve të huaja në Shqipëri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve që kompanitë e huaja kanë realizuar ndër vite në Shqipëri është 5 miliardë e 229 milionë euro dhe dominimi i kompanive greke duket i pasfidueshëm për shkak të diferencës së madhe me vendet e tjera.

Sipas Bankës, pas Greqisë investitori i dytë më i madh në Shqipëri është Holanda me 753 milionë euro, ose sa 14.5 përqind e totalit të investimeve të huaja direkte. Kanadaja renditet në vendin e tretë me 645 milionë euro, ndërsa Italia dikur investitori i huaj më i madh në Shqipëri tashmë ka zbritur në vendin e katërt.

Sipas statistikave, aktualisht vlera e aseteve të zotëruara nga kompanitë italiane në Shqipëri është 555 milionë euro, ose sa 10.6 përqind e totalit të kapitalit që ka ardhur nga jashtë.

Por cilët janë sektorët kryesorë ku ka shkuar kapitali i huaj? Vendin e parë e zë industria e telekomunikacionit, në të cilën janë investuar 1 miliardë e 249 milionë euro. Pas komunikacionit, vjen sektori financiar dhe ai i sigurimeve me 869 milionë euro dhe në vendin e tretë renditen investimet në sektorin e energjisë elektrike, pra hidrocentralet me 705 milionë euro.

Të dhënat tregojnë pas zbehjes së naftës, ai i energjisë elektrike është shndërruar sektori që po mban lart ritmin e investimeve të huaja në Shqipëri. Në tremujorin e dytë mbi 58 përqind e investimeve totale nga jashtë ishin pikërisht në sektorin e energjisë elektrike, ku pjesën më të madhe e ka patur Kaskada e Devollit.

October 1, 2016 16:33
Komento

1 Koment

  1. odrejtorembafshmezor October 2, 13:12

    me kete vend kaq te vogel e keto shuma investimi do ishte pare ndonje ndryshim por aty eshte bler kaital pa investuar dhe valuta e kapitalit te shitur ka dol jasht shtet perseri kuptohet ne bankat e ketyre invesitoreve

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*