Greqia mes fitores dhe kaosit

July 6, 2015 09:42

Greqia mes fitores dhe kaosit

Evropa po përballet me skenarin, që nuk e dëshironte aspak. Populli grek ndryshe nga ç’shpresonin ato, votoi kundër masave të propozuara. Nëse vota do të ishte “PO”, atëherë palët do të rifillonin sërish negocimet. Vota “JO” ka goditur ashpër politikën evropiane. Reagimet thuajse të pakta pas rezultatit të publikuar, ishin thatësisht objektive, duke specifikuar vetëm “mbajtjen e shënimit dhe respektin ndaj votës së qytetarëve”. Deklarata, që nuk përmendin as forcën politike fituese, as jepnin ndonjë shenjë për shpresë të mëtejshme për rifillimin e negociatave.

Por, çfarë pritet të ndodhë së shpejti ?

Evropa humbi. Humbi pasi të gjithë drejtuesit e lartë politikë ishin të angazhuar në një thirrje publike dhe të qartë ndaj popullit grek për të votuar “PO”, ndryshe vendi do të përballej me një skenar të padëshiruar. Tashmë ato gjenden në kampin e të humburve.

Qeveria e Athinës ka shprehur vullnetin e saj për rifillim të menjëhershëm të negociatave. Për të lehtësuar këtë proces, Ministri i Financave greke, Janis Varoufakis, i cili nuk ngurroi aspak t’i konsideronte si terroriste veprimet e Unionit, ka dhënë dorëheqjen. Arsyeja “ Pas rezultateve, më informuan se disa anëtarë të Eurogrupit, preferonin që të mos isha prezent gjatë mbledhjeve, për këtë arsye lë sot Ministrinë e Financave” (…) Por, a mund të ripranojë Unioni në tavolinën e negociatave, kur i konsideron publikisht terroristë ?! 

Sipas deklaratave qeveria greke shpreson dhe beson se, negociatat dhe marrëveshja do të kryhet brenda 24 orëve.

A është kaq e thjeshtë ?

Nga një këndvështrim teknik, kjo duket e pamundur. Arsyeja qëndron tek fakti se, programi apo plani i dytë i shpëtimit skadoi më 30 qershor. Pra nevojitet një program i ri, që do të kërkojë kohë, angazhim dhe projektim nga të dy palët. Por, teksa oferta e fundit e prezantuar nga institucionet kyçe është konsideruar si më optimalja dhe në limitet e mundshme, a ka hapësirë për riformulime? Askush nuk është optimist në këtë këndvështrim.

Qëndrimi i Berlinit ka qenë më i preri dhe më i drejtpërdrejti në këtë situatë, duke mbyllur çdo hapësirë të mundshme për rikonsiderim të situatës. Reagimi i fundit i zv. kancelarit Sigmar Gabriel për të përditshmen Tagespiel rikonfirmonte pozicionin e mbajtur : “ Pas refuzimit të rregullave të lojës së zonës euro, siç u shpreh me votën JO, negociatat mbi programet e ndihmës të shifruara në miliarda, duken vështirësisht të imagjinueshme”, duke e akuzuar njëkohësisht liderin radikal Tsipras se, “kishte prerë urat e fundit mes vendit të tij dhe Evropës”. Reagimi i minutave të fundit saktëson se, “Kushtet nuk janë përmbushur për negociatat për një ndihmë të re. I ngelet Greqisë të veprojë për të qëndruar në euro”

Kreu i Parlamentit Evropian, gjermani Martin Schulz, deklaroi para referendumit se, vota “JO” do të detyrojë Athinën të lerë Eurozonën dhe të fusë në qarkullim një monedhë të re. Schulz, ishte ndër të parët që reagoi pas shpalljes së rezultatit duke deklaruar se, “Po hyjmë në një kohë të vështirë dhe dramatike”, duke shtuar se, “Vendi ndoshta duhet të marrë ndihma humanitare, pasi pensionistët e moshuar dhe fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e gjendjes aktuale të Greqisë”.

Edhe kreu i qendrës së djathtë të PPE-së, gjermani Manfred Weber deklaroi se, “ Forca e tij politike do të qëndrojë krah popullit grek, si brenda apo jashtë eurozonës”.

Në këtë linjë qëndron edhe reagimi i kreut të Eurogrupit, holandezit Dijsselbloem, i cili gjatë një deklarate për shtyp e konsideroi rezultatin e referendumit “Keqardhje e madhe për të ardhmen e Greqisë. Për rimëkëmbjen e ekonomisë greke, masat e vështira dhe reformat janë të paevitueshme. Tashmë do të presim për iniciativa nga qeveria greke. Eurogrupi do ta diskutojë këtë situatë të martën, më 7 korrik”. 

Belgjika ka reaguar duke i kujtuar Greqisë se, “Ndonëse respektohet rezultati i referendumit, në të njëjtën kohë ka edhe 18 demokraci të tjera në zonën euro”. Reagimi i Sllovakisë është po në të njëjtën linjë, duke theksuar se, “Refuzimi i reformave nga Greqia nuk do të thotë se, ato do t’i marrin paratë më lehtësisht”. Pozicionimi i Lituanisë vijon në të njëjtën paletë “ Situata është bërë edhe më e vështirë”. Ndërsa reagimi i Estonisë shkon më në ekstrem duke i konsideruar politikat e Tsipras si politika komuniste.

Kreu i KE-së Junker ka deklaruar se, “ Pret të konsultohet me drejtuesit e zgjedhur demokratikisht të 18 anëtarëve të zonës euro”.

Por, duket se pozicioni i Parisit është më elastik, duke u përpjekur të ekuilibrojë ashpërsinë e Berlinit dhe duke synuar një shans për rimarrje të negociatave. Pozicionit të Parisit i bashkohet edhe qëndrimi i Romës i shprehur nëpërmjet Ministrit të Punëve të jashtme Gentiloni, për rifillimin e gjetjes së një marrëveshje.

Në këtë kuadër do vijojnë edhe bisedimet mes Merkel dhe Holond, sonte në mbrëmje në Elize.

Nga një këndvështrim politik gjërat duken më të komplikuara. Evropa siç edhe duket është e ndarë. Berlini ka konfirmuar se, pala greke “ka këputur urën e komunikimit” dhe se një marrëveshje është “vështirësisht e imagjinueshme”. Pozicioni i Parisit është më elastik, çka konfirmon edhe njëherë ndasitë e vijave ideologjike të kampeve përkatëse, majtas dhe djathtas.

A do t’ia mbyllin derën Greqisë, drejtuesit evropianë ?  Vëmendja vazhdon të jetë e lartë ndaj Bankës Qendrore Evropiane.

Të dielën në darkë qeveria greke i ka kërkuar BQE-së, të heqë tavanin e ndihmës së emergjencës. Ngrirje, që detyroi qeverinë e Athinës  të mbyllte bankat dhe të kontrollonte kapitalet. Qeveria ka premtuar hapjen e bankave të nesërmen e referendumit. Në realitet ato vlerësohen se, do të gjenden në vështirësi likuiditeti. Pa marrëveshje me kreditorët dhe më “JO”-në e referendumit duket e vështirë që BQA të vendosë për heqjen e ngrirjes. Çka do të thotë se të martën risku është që bankat greke të shkojnë drejt falimentimit. Edhe nëse supozohet se, BQE do të gjejë një mënyrë për të evituar kaosin në Greqi, një tjetër datë skadimi po afron. Pas pamundësisë së shlyerjes së 1,5 miliard euro ndaj FMN-së, Greqia në 20 korrik e ka të pamundur rimbursimin e 3.5 miliardë euro që i detyrohet BQE-së.

Në pritje të një vendimi të BQE-së, axhenda e Unionit parashikon zhvillimin e një Konference telefonike të drejtuesve evropianë, mes kreut të Komisionit Evropian Junker, kreut të Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem, kreut të Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kreut të bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi; Mbledhje të grupit të punës së Eurogrupit, drejtuesit e thesarit të zonës euro përgatisin takimin e 19 ministrave të financave të zonës euro; Mbledhje e këshillit drejtues të BQE, që mund të shqyrtojnë kërkesën e drejtuar nga Athina të dielën në darkë, mbi ngritjen e tavanit të ndihmës së emergjencës, që i akordohet Athinës; takim i Merkelit dhe Holond të hënën në darkë me synim vlerësimin e pasojave të referendumit; si edhe zhvillimin e një Samiti emergjent të Eurozonës, të martën në orën 18:00, Samit që do të paraprihet nga mbledhja e Ministrave të Financës.

Fati i Greqisë do të vendoset ditët në vijim. Skenarët e parashikuar pas një vote masive “JO” nuk janë aspak optimistë. Hapësira për një rinegocim mbi një program të ri do të varet nga vullneti i vendeve anëtare, si edhe nga vullneti i qeverisë greke për të prezantuar reforma realisht të dobishme për vendin dhe që mundësojnë edhe shlyerjen e detyrimeve përkatëse kreditorëve. Nëse BQE nuk vendos heqjen e ngrirjes së tavanit të emergjencës, skenari shkon drejt një falimentimi bankar dhe detyrim të Athinës të shkojë drejt politikës së rifutjes së dhrahmisë. Shlyerja e borxhit BQE-së, skadon më 20 korrik. Greqia e ka të pamundur ta realizojë atë. Skenarët në vijim nuk shfaqen optimistë. Gjithsesi vendimi i BQE-së do të qartësojë më tej situatën./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona

BE thirrje popullit grek : Nëse votoni JO i thoni JO Evropës

Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

July 6, 2015 09:42