Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona

July 3, 2015 14:34

Greqia tashmë ka dalë nga Eurozona

Këshilli i Shtetit në Greqi pritet të shprehet sot* mbi ligjshmërinë apo pezullimin e referendumit. Ndërkohë, Këshilli i Evropës është shprehur duke e deklaruar atë në mospërputhje me standardet evropiane, pra me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Logjika e KiE ngrihet mbi afatin kohor të pamjaftueshëm, pasi votuesit duhet të kishin të paktën dy javë kohë në dispozicion për t’u njohur me çështjen. Si edhe me faktin që ky afat kohor nuk lejonte as mundësimin e një vëzhgimi ndërkombëtar. Por, çfarë pritet të ndodhë pas zhvillimit të referendumit, nëse ky nuk pezullohet sot dhe si mund të interpretohet leksioni i demokracisë së Tsipras ?

Teksa dihet pesha dhe roli i Berlinit në Union dhe në Eurozonë, retorika politike e tij ka ardhur duke u ashpërsuar përballë qeverisë së Athinës. Mosbesimi i Berlinit shkon sa tek paaftësia e qeverisë në pushtet për të kryer reforma, por edhe tek mungesa e një ndershmërie në marrëdhëniet mes palëve, duke e etiketuar qeverinë e Athinës të padenjë për t’iu akorduar një besim i mëtejshëm. Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Shauble do të deklaronte  të mërkurën në Bundestag se:

“Nuk ka bërë asgjë që kur ka ardhur në pushtet. I ka mohuar angazhimet, që i kishte pranuar më përpara. Ne nuk e dimë, nëse do të organizojë një referendum apo jo, nëse është po apo kundër ? Sinqerisht, nuk mund ta dini se  çfarë ne presim nga diskutimet me to, në një situatë të tillë”.

Por, mosbesimi në rritje i palës gjermane shkon edhe më tej, teksa hedh hije dyshimi mbi objektivat e Tsipras ndaj destabilizimit dhe dobësimit të zonës euro:

 “Kërkon politikisht, (…) ideologjikisht, një tjetër zonë euro. Kam bindjen e plotë që ajo (Eurozona) do të jetë në rrezik nëse ne ndjekim këtë presion. Në fund, e gjithë zona euro do të bëhet e paqëndrueshme dhe do të dështojë”, ka deklaruar Presidenti i Social Demokratëve dhe zv kancelari Sigmar Gabriel.

Për Gjermaninë, Tsipras jo vetëm ka besuar se mund të kërcënojë Evropën, me kryerjen e një referendumi, por ai është edhe përgjegjësi për kthesën e fortë politike të bisedimeve, duke çuar vendin drejt një klime pasigurie:

“Ose PO-ja do të fitojë dhe ai do të japë dorëheqjen, ose JO-ja do të fitojë dhe atij do t’i duhet të krijojë një monedhë paralele, dhe brenda harkut kohor të një apo dy viteve, Greqia do të dalë juridikisht nga zona euro”, deklaron një ekspert social-demokrat gjerman, për shtypin francez.

Politikat alternative të Athinës, që dalin jashtë kuadratit disiplinues të eurozonës, sipas këndvështrimit gjerman nuk janë të mirëpritura. Nuk duhet harruar edhe ambicia gjermane, por edhe franceze mbi një rikonfigurim të eurozonës dhe krijimin e një Evrope me dy marshe.

Përtej pozicionit gjerman edhe qëndrimi evropian ka qenë i prerë dhe pa ekuivok  “Nëse votoni JO, shkojmë drejt një terreni të panjohur”.

Çka nënkupton se, po shkohet drejt vetë daljes së vendit nga Eurozona, një terren i paprecedentë dhe që nuk e parashikojnë traktatet evropiane.

Por, qeveria greke jo vetëm nuk kërkon daljen e vendit nga zona euro, por ka konfirmuar se nëse kjo ndodh në mënyrë të njëanshme, atëherë do të shkohet drejt procedurave të ankimimit juridik.

Edhe qytetarët grekë nuk e dëshirojnë aspak daljen e vendit nga euro.

Por, përse atëherë Evropa po kërcënon se, kjo votë është votë kundër Evropës ? Pra, duke lënë te nënkuptohet se kjo votë është kundër Eurozonës dhe kundër vetë Unionit.

Për sa i përket Eurozonës, ligjërisht është e pamundur dalja e një vendi, pasi nuk parashikohet nga traktatet evropiane. Edhe nëse një vend është në vonesë shlyerjesh dhe pagesash, kjo nuk mund të ndodh.

Por, nga njëra anë duhet marrë parasysh se rrethanat shtrënguese sigurisht që kanë hapësirat e duhura për të mundësuar edhe krijimin e një precedenti, që nuk është i vështirë, të shoqërohet edhe me kuadrin e nevojshëm për veprim ligjor.

Nga ana tjetër, ka një ekspozim analitik të një ane jo shumë të njohur për publikun, por që lidhet me fuqinë reale të Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Fuqia e BQE mund të detyrojë Athinën të “vetë dalë” nga zona euro. Siç edhe dihet, BQE ka refuzuar akordimin e likuiditeteve shtesë të urgjencës. Tashmë vendimi është marrë për kufizimin e shumave të tërheqjeve bankare dhe kontrollimin e kapitaleve. Por, është thjesht një gjendje e përkohshme, që do të zgjasë disa ditë. Nëse BQE, autorizon Bankën Qendrore të Greqisë të vazhdojë furnizimin me likuiditete të urgjencës, bankave të tjera në sasi rritëse, për të përballuar përshpejtimin e tërheqjeve, sistemi bankar mund të arrijë të mbijetojë. Në këtë situatë mundësohet mbajtja e një referendumi të qetë dhe negociatat me kreditorët mund të rifillojnë, gjithmonë nëse populli grek voton PO.

Por, nëse BQE urdhëron Bankën Kombëtare greke të reduktojë apo të reshtë furnizimin me likuiditete, e thënë ndryshe të asfiksojë sistemin bankar, qeveria greke do të vendoset në rrethana shtrënguese. Në pamundësi për t’u vetëfinancuar, sistemi bankar nuk është në gjendje të financojë Shtetin, dhe as ekonominë që do të reshtë së funksionuari. Në këtë situatë, qeveria greke do të drejtohet drejt një skenari për nacionalizim të bankave dhe marrjen e kontrollit të bankës qendrore greke. Pra, duhet të dalë jashtë hapësirës ligjore, që mundësojnë traktatet evropiane duke përshpejtuar drejt terrenit Grexit.

A e ka marrë tashmë BQE këtë vendim ? Sipas një ekonomisti francez, ky vendim tashmë është marrë. “ Duke refuzuar të dielën, akordimin e likuiditeteve shtesë të urgjencës, BQE ka vendosur që Greqia duhet ta lërë zonën euro”. Nëse BQE vazhdon ngrirjen e likuiditeteve Athina detyrohet për të mos fundosur sistemin bankar të shkojë drejt adoptimit të menjëhershme të monedhës vendase dhrahmisë. Skenar, që detyron Athinën të vetë dalë nga Eurozona. 

Nëse argumentimet e tij janë racionale, atëherë një JO e vendosur nga qytetarët grekë, veçse do të përmbyllë përfundimisht fatin e mëtejshëm të Greqisë në Eurozonë. 

Mund të futet monedha e re dhrahmia, sipas të njëjtit burim, por për t’u arritur kjo duhen javë të tëra pasi monedha e re kërkon kohë të shtypet, pa llogaritur këtu kohën që kërkon furnizimi i aparateve bankarë të shpërndarjes. Do të jetë një periudhë kaotike e shoqëruar me trazira dhe kaos politik.

A do të qëndrojë Greqia anëtare e BE-së? 

Sigurisht që në parim këto janë gjëra të ndara. Por, ka një problem që lidhet me “terrenin e panjohur”, që është proklamuar nga Evropa. Ky terren nënkupton edhe një opsion destabilizimi të pakontrolluar, me përmasa të pamatshme. Nëse skenari për daljen e Greqisë nga Eurozona realizohet atëherë nuk dihet se, si mund të jetë reagimi i mëtejshëm i politikës së Athinës, e cila e detyruar në kushte të egra ekonomike, kaosi politik dhe destabilizmi të përgjithshëm mund të pozicionohet negativisht përballë angazhimeve dhe detyrimeve, që burojnë nga traktatet evropiane.

Në kushtet e një kaosi ekonomik a do të mund të respektohet qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve ? A do të mund të respektohen në kushtet e një krize të paimagjinueshme ekonomike, kufijtë pa dogana?

Gjithçka është e pasigurt. Kjo pasiguri ka çuar në deklaratat politike evropiane mbi një “terren të panjohur”.

Ndërkohë që skenari i një vote pro masave shtrënguese ekonomike, është më i qartë.

Nëse grekët votojnë PO, vazhdojnë qëndrimin ne Eurozonë. Ky është edhe opsioni që partnerët evropianë janë duke investuar momentalisht. Ky skenar nënkupton dy variante. Varianti i parë, presupozon që me qeverinë aktuale Syriza, të nënshkruhet marrëveshja e propozuar. Dhe varianti i dytë me një qeveri të re, po me të njëjtën shumicë qeverisëse, ose me një qeveri të unitetit kombëtar. Gjithsesi edhe në rast të këtij opsioni, negocimi nuk fillon nga zero, por thjesht do të rimerret thelbi tashmë ekzistues i marrëveshjes paraprake.

Përtej skenarëve të mësipërm ka dhe një leksion demokracie për t’u vlerësuar. Pasi kreu i qeverisë Tsipras, i cili është i angazhuar tërësisht për një votë JO të qytetarëve grekë, ndaj masave të propozuara, vetëm pak orë përpara skadimit të afatit, i tha atyre masave PO, me vetëm disa amendime dhe ndryshime të vogla për t’u marrë në konsideratë nga partnerët evropianë. Të hidhesh në fushatë me kokëfortësi për të kërkuar një JO, ndërkohë që i the PO personalisht, kjo veçse konfirmon një kryeneçësi, që çon në përplasje interesat politike personale me ato kombëtare. Demokracia është e nevojshme, po ashtu edhe referendumi që lejon shprehjen e vullnetit popullor, por lind një pyetje : Sikur këto vende, që i japin borxh Greqisë të kërkojnë edhe ato, po të njëjtin zbatim demokracie, në forma referendare, pra t’i kërkojnë popujve të tyre nëse janë dakord për t’i dhënë borxh Greqisë, apo t’i pyesnin ato nëse janë gati të paguajnë më shumë për Greqinë, kush do të ishte konkluzioni !?/im.ta/

 

*Këshilli Shtetit, juridiksioni më i lartë administrativ në Greqi, ka refuzuar rekursin kundër ligjshmërisë së referendumit, që do të zhvillohet këtë të diel. Rekursi ishte depozituar të mërkurën dhe ankimuesit (njëri prej tyre ka qenë ish Gjykatës i Këshillit të Shtetit dhe aktualisht punon si avokat) kërkonin anulimin e referendumit, pasi organizimi i tij binte ndesh me nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës, që saktëson se kërkesa për referendum nuk mund të kryhet mbi çështje, që lidhen me financat publike. Një tjetër argument i përdorur nga ankimuesit është se, çështja është shumë e komplikuar dhe teknike për votuesit.

 

Shkrime të tjera:

BE thirrje popullit grek: Nëse votoni JO, i thoni JO Evropës

Evropa në bllok kundër Greqisë: “Të jemi logjikë dhe jo ideologjikë”

 

 

 

July 3, 2015 14:34