Greva e naftëtarëve të Patosit

November 12, 2018 01:23

Greva e naftëtarëve të Patosit

Pershendetje z. Thano!

Po ju dergoj nje shkrim historik per greven e naftetareve te Patosit zhvilluar ne vitin 1927, nëntë vjet para greves se Kuçoves.

Treva e Patosit e pasur me vaiguri u njoh si e tillë gjatë Luftës së Parë Botëre, por pretendimet e shoqërive të huaja të hidrokarbureve për shfrytëzimin e saj, u shfaqën në fillimet e viteve ’20 shekullit kaluar.  Më 18 shkurt 1925 shoqëria angleze “Anglo – Persiane Oil Co”, mori në Shqipëri 250 000 ha. tokë me të drejtë kërkimi dhe shfrytëzimi dhe ngriti qendrën e saj logjistike në Vlorë. Nga kjo sipërfaqe, vetëm në Patos kishte 5 500 ha. Duke parashikuar perspektivën e rëndësishme të këtij territori, shoqëria lëvizi qendrën e saj logjistike nga Vlora në Fier.

Gati një vit më vonë, më 20 korrik 1926, anglezët shpuan në Kasnicë me sukses pusin e parë APOK -1,me thellësi 272.5 m. trashësi shtrese 5 m. dhe prodhim 40 ton në ditë. Zbulimi i këtij vendburimi pati jehonë të madhe në të gjitha qarqet qeveritare dhe mediatike të kohës. Ministria e Punëve Botore njoftonte zyrën e shtypit në Tiranë me entusiazëm të theksuar se: “Kërkesa e petrolit që bëhet në Shqipëri prej shumë shoqërive të huaja u kurorëzua me sukses. Anglo – Persianja në vendin e quajtur Patos të nënprefekturës së Mallakastrës më 20 korrik 1926 arriti një shtresë petrol në 272,2 m. thellësi.”  Ndërsa sekretari i Legatës britanike në Durrës Mr. Paar, bëri një vizitë në pus i shoqëruar nga Ministri i Punëve Botore Musa Juka dhe Ministri i Jashtëm Hysen Vrioni.

Pas këtij suksesi kompania e lëvizi sërish qendrën e saj logjistike nga Fieri në Patosin e vjetër e cila u quajt, “Kryebaza e veprimeve të kompanisë Anglo-Persiane”. Pikërisht këtu fillon embrioni i zhvillimit industrial të kësaj njesie e cila do të bëhej më vonë pararendëse e qytetit të sotëm të Patosit.

Ndërkohë entusiazmi qeveritar për suksesin e kompanisë anglese filloi të shfaqej edhe si nëntekst i heshtjes së saj përpara shkeljeve të ndryshme kontraktuale të të huajve. Gjatë punimeve gjeologjike, përfaqësuesit e kësaj shoqërie nuk respektonin kufijtë e sipërfaqes së lejuar por ndërhynin në mënyrë abuzive në pronat private të vendasve. Kjo ngjalli konflikte me pronarët të cilët i drejtoheshin me ankesa qeverisë. Një dëshmi e tillë është edhe një telegram i dërguar nga Faslli Patozi nga Patosi fshat, i cili ankohej se; “Shoqëria Anglopersiane e konçensionit të vajgurit, po na shkel krejt si zot malli, nuk pyetemi e po na rrëmbehen pasuritë përdhunisht, ndërsa fuqia qeveritare përkrah përdhunin e Shoqërisë. Atëhere lutemi të na urdhënohet se të drejtat tona kush do na i mbroj?”

Paralel me zbulimin e këtij vendburimi, në rajonin e Patosit filloi të krijohej edhe bërthama e klasës punëtore të naftëtarëve, e cila do të luante një rol të rëndësishëm në të ardhmen. Në dokumentat e kohës dëshmohet se punëtorët vinin jo vetëm nga banorët e këtij rajoni por edhe nga zona të tjera të largëta si Mati, Kurveleshi etj. Por midis punëtorëve vendas e të huaj kishte diferencime të theksuara në mënyrën e trajtimit human, në kushtet e jetesës dhe sidomos në vlerësimin financiar të punës. Sipas shtypit të kohës, punëtorët shqiptarë të zonës vajgurore të Patosit jetonin në kushte aq të vështira sa, “fjetja e tyre ishte më e keqe se ajo e kafshëve.” Ata punonin 12 orë në ditë për 10 lekë, ndërsa kolegët e tyre të huaj punonin në kushte më të lehta dhe paguheshin më shumë.

Shfrytëzimi i egër barbar i naftëtarëve shqiptar, diferencimi i tyre i theksuar në raport me punëtorët e huaj dhe sidomos diskriminimi moral që ju bëhej nga padrinot në formën e përbuzjes së përkatësisë kombëtare, bëri që në gjirin e tyre të fillonte lëvizja e protestës. Fillimisht protesta u shpreh në forma individuale si ankime gojore, kundërshtime urdhërash dhe braktisje të vendit të punës, e më pas mori formën e një kundërshtimi të grupuar të cilat filluan të rriteshin nga dita në ditë. Me këto forma punëtorët kundërshtonin shtypjen dhe shfrytëzimin e huaj kapitalist që po futej në Shqipëri si një kapitull i ri i zhvillimit të vendit. Të tilla forma kundërshtimi erdhën duke u rritur dora dorës derisa morën përmasat e një greve. Greva e naftëtarëve të Patosit u zhvillua më 7 deri 11 mars 1927 dhe u prit me shumë shqetësim nga të huajtë. Drejtori i athershëm i kantjerit, anglezi Templeton, njoftonte i alarmuar Tiranën se:  “Zhvillimet e reja në Patos tregojnë kundërshtim të organizuar. Jemi të detyruar të ndalim plotësisht punimet në qoftëse nuk meren masat e përshtatshme nga qeveria.”

Në ditët në vazhdim greva erdhi duke u ashpërsuar deri në kërcënime ndaj të huajve. Situata po agravohej dhe Templeton i alarmuar i dërgon sërish një tjetër telegram Tiranës ku thuhej: “… kemi zhvillime kundërshtimi në Patos dhe rezulton se puntorët tan jan kërcënuar seriozisht dhe kërkojmë mbrojtjen e menjëhershme të policisë dhe kjo të jetë në numër të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha pikat tona në Patos.”

Me gjithë përpjekjet e qeverisë greva e puntorëve të Patosit mori përpjestime të mëdha dhe përfshiu të gjitha sipërmarrjet e kompanisë Anglo Persiane. Në Patos puna u ndërpre dhe në zona të tjera si Buzmadh e Ardebnicë u dëmtua baza materiale. Ndërkohë dhjetra ton materiale mbetën rrugës nga bllokimi i transportit. Tempelton raportonte Tiranën se kemi “… 30 ton materiale në rrugë për puset nr. 4 e 5 të Patosit dhe për këtë shkak do të ketë ndalje të plotë të punimeve.”

Greva zgjati deri më 11 mars 1927 kur Tirana urdhëroi ndërhyrjen e forcave policore. Në përfundim të grevës, i kënaqur nga forca shtypëse e qeverisë Templeton i dërgon Tiranës këtë telegram mirënjohjeje, “Ju falenderoj 1000 herë për ndërhyrjen tuaj në Patos.”

Greva 5 ditore  e naftëtarëve të Patosit, ishte një sinjal i ndërgjegjes kombëtare e cila manifestonte forcën e karakterit dhe shpirtin e revoltës së tyre. Ky vit shënon grevën e parë të naftëtarëve shqiptar, para grevës së naftëtarëve të Kuçovës 9 vjet më vonë, më 11 shkurt 1936, duke i dhënë Patosit vendin e parë në protestat e punëtorëve për lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e tyre njerëzor. Mjerisht kjo grevë nuk është prapaganduar ndoshta sepse në të ka munguar elementi komunist si në rastin e Kuçovës, në të cilin ky element ishte mjaft aktiv.

Me shuarjen e grevës të huajtë, pavarësisht premtimeve të bëra, nuk morën asnjë masë për përmirësimin e kushteve ekonomike të puntorëve. Pas saj, u shfaqën sërish të njëjtat marrëdhënie, e njëjta gjëndje me të njëjtat kushte trajtimi.  Madje anglezët filluan t’i zëvendësonin puntorët shqiptar me puntor të huaj, kryesisht me element të inkriminuar e të arratisur nga vëndet e tyre si, polak, jugosllav, rumun, etj. Qellimi ishte i qartë, të izolohej organizimi i shqiptarëve dhe të eleminohej ai që në embrion nëpërmjet dhunës midis tyre. Sipas kushteve kontraktuale Shoqëria duhej të punësonte punonjës të vendit, por në kundërshtim me këtë pikë, ata punësonin forca të huaja. Një problem të tillë e ngre edhe nënprefekti i Fierit i cili i drejtohej Prefekturës së Beratit me një relacion kritik. “Autoritetet  qeveritare lokale, – shkruan ai, – simbas instruksioneve  që kan marrë prej Qeverisë qendrore, nuk po kursehen me i dhanë çdo ndihmë e lehtësimë Shoqnisë A. P., por kjo si për shpërblim të ndihmave e lehtësinave, tuj përfitue nga mosinteresimi e kujdesia e autoriteteve kopetente, po mundohet si e qysh me shti në gji të vetë puntor të huaj, edhe puntorin shqiptar po e përdor si skllav, me pagimin e 1/20 – ën e rrogës që mer puntori ingliz e kushdo në vise të jashme, d.m.th. me 10 lireta në ditë.”Kjo situatë, bëri që një vit më vonë, në muajët mars – prill 1928, gjendja e naftëtarëve të Patosit të dilte sërish në skenë e të trajtohej deri në nivelet më të larta të politikës shqiptare.

Fillimisht shqetësimin e naftëtarëve e publikoi gazeta “Telegraf” me një artikull titulluar, “Shqiptarët vuajnë në Patos”  botuar në fillim të marsit 1928. Sipas “Telegraf – it” ,të huajtë silleshin në mënyrë barbare me shqiptarët,  “i shajnë, i rrahin dhe përherë u shajnë patriotizmën e shenjtë në gjuhën e tyre. Dhe kur shqiptarët e ndershëm përpiqen me mbrojtë nderin dhe kombësinë e tyre, pushohen nga puna që atë cast dhe në vend të tyre marin persona të arratisur, maxhar e jugosllavë, puntor ordiner që paguhen më shumë se shqiptarët dhe përkrahen më tepër se ata.”

Më tej artikullshkruesi vazhdon: “Dhe shqiptarët e mjerë pyesin me vete, ç’kohë është tani që të futen nën robninë e maxharëve dhe të jugosllavëve që çirren e bërtasin? A kemi ndihmë?A kemi qeverinë tonë që të na mbrojë? Po qeveria jonë e nderçme vallë a i di këto punë dhe tani që do ti mësojë jemi të sigurt se do ketë mëshirë për hir të sajë dhe do marr masa me të shpejtë.”

Sipas dokumentave të kohës, artikulli bëri bujë në opinion. Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve, Dega e Konçensioneve të Vajgurit, ngarkoi Z/ Prefektin e Ballshit, Z. Hasan Delvina të kryente vëzhgimet e duhura dhe të raportonte në qeveri situatën e krijuar. Delvina u angazhua për verifikimin e gjendjes në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai ndërmori një operacion hetimor sekret në territoret e vendburimit duke kontasktuar direkt me punonjësit dhe më 2 prill 1928, i raportoi telegrafisht Tiranës  duke pohuar se, “ankimet e puntorëve deri diku jan të vërteta.”Në raportin e tij Delvina fliste në mënyrë konkrete duke përmendur edhe emra punëtorësh. “Puntori Hasan Vaçi nga Mati, – shkruante ai, –  me detyrë rojtar i natës në kantier, Hekuran Hajredini nga katundi Pahtos, Avdi Nazmiu nga Kurveleshi, të dy puntor ordiner, duke mos duruar sharjet e rrahjet e kan lënë punën dhe kan ikur. Është rrahur gjithashtu punëtori Hasan Mehmet Kazanxhiu nga ky Qark prej një maestro Austriak, emri i t ë cilit nuk dihet. Mbas pyetjeve rezulton se mbasi e ka rrahur e ka sharë në gjuhën e tij.”Ndërkohë Delvina i kërkonte qeverisë shqiptare që përfaqësuesit të saj që ndodhej në kantier Z. Goxhomani, t’i jepeshin urdhërat e duhura “ për me pat nën vërejtje të ngushtë sigurimin e të drejtave të punëtorëve mbasi ky zotni ndodhet kurdoherë në kontakt me shoqninë.”

Por situata filloi të agravohej aq shumë sa çështja shkoi për të diskutuar deri në parlamentin Shqiptar. Këtë informacion gjithshtu e bën publik gazeta “Telegraf”në numrin e saj dt. 6 prill 1928.

Ndërkohë, qendrimi i qeverisë shqiptare ndaj shqetësimit të puntorëve shqiptar të vajgurit në Patos ishte mjaft i rezervuar . Kjo duket qartazi në një nga telegramet e përfaqësuesit të konçensioneve dërguar Ministrisë Bujqësisë dhe Pyjeve, më 13 prill 1928.  Nëpërmjet këtij telegrami, përfaqësuesi tërheq vëmendjen për të qenë të kujdesshëm me të huajt. “Duam të merremi vesh – thot ai, – me titullarin e Ministrisë mbi politikën e përgjithshme të shtetit tonë nëqoftë se duam të favorizojmë apo jo zhvillimin e ekonomisë kombëtare me anë të kapitaleve të huaja, apo t’i pengojmë ato dhe të presim deri sa të formohen kapitalet shqiptare.” Madje në vazhdim përfaqësuesi shqiptar hedh posht konkluzionet e nxjerra nga Z/ Prefekti i Ballshit dhe i quan ato të parëndësishme të cilat “mund të zgjidhen si kudo me anë të gjyqit.”

Shqetësimi i përfaqësuesit ka mar përmasa të tjera, jashtë kopetencave të tij të lejuara. Ai i kërkon ministrisë që “bisedimi në Parlament i kësaj çështjeje të bëhet me dyer të mbyllura.”Për këtë qellim, ai njofton se titullari i shoqërisë Templeton do të vinte në Durrës për “detyra vetjake” dhe nga andej do të shkonte në Tiranë për të biseduar personalisht me titullarin e asaj P.T. Ministrie mbi çështjen që i përket shoqënisë së vajgurit.”

Por as përfaqësuesi i qeverisë për konçensionet e shoqërisë së vajgurit, as titullari i kësaj shoqërie, as qeveria shqiptare nuk u treguan të vëmendshëm ndaj ankesave të punëtorëve të Patosit. Situata u bë aq alarmante sa Parlamenti shqiptar  e futi çështjen e naftëtarëve të Patosit në axhendën e trajtimit të jashtëzakonshëm në një nga seancat e tij plenare dhe detyroi qeverinë të dërgonte në kantier për inspektimin e situatës aktuale ekspertë nga Ministria e Drejtësisë. Pas kësaj ndërhyrjeje situata u normalizua. Dhe kjo, fal organizimit dhe këmbënguljes së naftëtarëve të cilët, ashtu si me grevën e tyre të 7 marsit 1927, edhe këtë herë, i treguan qeverisë shqiptare dhe shoqërisë konçensionare angleze se ishin në gjendje të përballeshin fizikisht me të huajtë për hir të lirive e të drejtave të tyre.

Gjatë këtyre përpjekjeve luftarake 2 vjeçare të naftëtarëve të Patosit, kulmon natyrshëm greva e 7 marsit e vitit 1927 e cila krijon një shtresim të rëndësishëm në historikun e naftëtarëve dhe si e tillë, duhet vendosur me dinjitet në piedestalin e lëvizjes punëtore shqiptare , në luftën e saj për të drejtat dhe liritë njerëzore.

 

Nuri Plaku

Drejtor i Muzeut Historik Fier

November 12, 2018 01:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*