Gripi, apeli i ISHP-së për dy viruset që po qarkullojnë

January 14, 2020 10:03

Gripi, apeli i ISHP-së për dy viruset që po qarkullojnë

Pranvera Kola

Analizat e kryera nga laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik tek qindra mostra të marra gjatë javës që lamë pas, flasin për rritje të qarkullimit të virusit të gripit në të gjithë vendin.

Pjesa dërrmuese e rasteve i përkasin viruseve të llojit A. Sipas të dhënave zyrtare të konfirmuara gjatë ditës së djeshme nga Instituti i Shëndetit Publik, saktësohet se që prej ditëve të festave të fundvitit,  në vend është evidentuar qarkullimi i viruseve A/H1pdm09, A/H3 dhe B të gripit.

“Në javën e parë të këtij viti aktiviteti i gripit në Evropë paraqet rritje, pavarësisht se shumica e vendeve raportojnë aktivitet bazë, ose të ulët. Në këtë javë 433 mostra të marra për verifikim nga survejanca sentinel janë konfirmuar me virusin e gripit. Prej të cilave 60 për qind ishin të tipit A dhe 40 për qind mostra të tipit B. Nga nëntipizimi i viruseve të tipit A, rezultojnë nëntipet A(H3N2) 58 për qind dhe A(H1N1)pdm09 me 42 për qind. Që nga fillimi i sezonit mbizotërojnë viruset e tipit A (67 për qind) krahasuar me viruset e tipit B (33 për qind)”, raporton Instituti i Shëndetit Publik.

Apeli i ISHP-së

Duke parë këtë tendencë në rritje, autoritetet e këtij institucioni apelojnë për qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë ditëve në vijim, për të shmangur jo vetëm ndërlikimet që gripi mund të shkaktojë tek ata vetë, por edhe tek personat e tjerë që qëndrojnë në të njëjtin ambient me të sëmurin.

“ISHP kërkon nga të gjithë qytetarët që të kujdesen veçanërisht për higjienën vetjake dhe të informohen për kujdesin ndaj gripit dhe të ftohtit. Kjo pasi ju mund të transmetoni virusin tek të tjerët edhe pa pasur shenja. Pra edhe kur mendoni se jeni të shëndetshëm ju mund të rrezikoni jetën e një personi tjetër”, bëjnë me dije specialistët e shëndetit publik.

Po sipas tyre, për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit të  gripit. Prindërve u është kërkuar që të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve për grupet që janë më të rrezikuara.

Ndërlikimet e të ftohtit

Gjatë ditëve të ftohta, organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35° C dhe me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin. Kjo pasi shkakton vazokonstriksion kutan dhe përshpejtim të ritmit kardiak.

Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhembshme. Nëse kryeni sforcim fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës. Ndaj këshillohet që të bëni kujdes dhe të merrni masat e duhura për të shmangur të gjitha këto ndërlikime.

 

Rrezikshmëria tek fëmijët

Foshnjat dhe fëmijët janë ndër kategoritë që rrezikojnë se tepërmi nga i ftohti dhe gripi. Sipas ekspertëve të ISHP-së, sa më të vegjël të jenë fëmijët, aq më shumë rrezikojnë nga uljet e temperaturës dhe sëmundjet, ndaj evitoni në maksimum daljet dhe siguroni një temperaturë konstante në shtëpi. Të porsalindurit deri në 6 muajsh, rrezikojnë më shumë nga i ftohti, pasi përgjigjja e organizmit të tyre nëpërmjet termorregullimit, dhe aftësia e tyre për të komunikuar, ende nuk janë zhvilluar plotësisht.

Këshillat si të mbroni fëmijët!

Për këtë arsye, prindërit duhet të kontrollojnë herë pas here këmbët, duart e veçanërisht fytyrën. Foshnjat rekomandohen të pinë rregullisht gji, sa herë të dëshirojnë, dhe nëse kanë filluar edhe ushqimet plotësuese, të mos harrohet dhënia e lëngjeve, për të garantuar hidrim të mirë të tyre. Mbani gjithnjë të pastra duart e fëmijëve, duke i larë me ujë e sapun për rreth 20 sekonda, sa më shpesh, sidomos para ushqyerjes apo pas përdorimit të tualetit. Këshillohet që të mbani të lira rrugët e frymëmarrjes, duke i mësuar të fryjnë mirë hundët dhe duke përdorur ujë fiziologjik për t’i liruar ato.

Nëse hundët janë vazhdimisht të zëna, atëherë mund të nevojitet edhe terapia me aerosol apo avuj të thjeshtë me solucion fiziologjik. Rekomandohet të përdoren facoleta me një përdorim, të cilat duhet të hidhen në kosh pas përdorimit, për të evituar kontaminimin e të tjerëve; evitoni kontaktet me të sëmurët. Për këtë nuk rekomandohet të çohen fëmijët në vende ku ka shumë grumbullime. Një tjetër këshillë që nuk duhet të neglizhoni është që të siguroni edhe qëndrimin e tyre në ambiente me temperaturë 21-23° C dhe ajrosini të paktën 2 herë në ditë. Fëmijët kanë gjithashtu nevojë të dalin të luajnë në ajër të pastër dhe të ekspozohen në diell. Zgjidhni orët më të ngrohta gjatë ditës dhe kujdesuni të mos djersitin, ndaj rekomandohet të vishen me disa shtresa, që të hiqen nëse duhet.

Regjimi ushqimor

Një ndihmë të madhe në mbrojtjen e organizmit gjatë kësaj periudhe luan edhe ushqyerja e shëndetshme. Specialistët e shëndetit rekomandojnë që gjatë ditëve të ftohta rekomandohet një ushqyerje e variueshme dhe e ekuilibruar, duke preferuar ushqime dhe pije të nxehta që ndihmojnë jo vetëm për të plotësuar nevojat më të larta ushqyese, por edhe për të prodhuar më shumë nxehtësi të brendshme.

Kur temperaturat janë veçanërisht të ulëta, rekomandohet të pini të paktën 2 litra lëngje gjatë ditës, preferoni pije të ngrohta si çaji, por edhe supat dhe lëngun e portokallit të shtrydhur. Sa i takon ushqimeve duhet të hani sa më shumë fruta dhe perime që janë të pasura me vitamina dhe kripëra minerale, të domosdoshme për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe sëmundjet që ai mbart.

Në përgjithësi rekomandohen të gjitha ushqimet që përmbajnë vitaminë E, vitaminë C dhe betakaroten (paraardhës i vitaminës A), të afta për të stimuluar mbrojtjen imunitare. Shmangni pirjen e pijeve alkoolike dhe super alkoolike, pasi ndonëse duket se fillimisht ju ngrohin, në të vërtetë ato mund të shkaktojnë humbje të energjisë që prodhon trupi, duke favorizuar kështu hipoterminë.

Gjithashtu për të rritur mbrojtjen imunitare të organizmit gjatë të ftohtit, krahas ushqyerjes së shëndetshme, rekomandohet bërja e vaksinave kundër gripit sezonal dhe marrja e integratorëve ushqimorë të përbërë kryesisht nga substanca probiotike. Probiotikët, nga vetë fjala “Pro- jetës”, janë mikroorganizma të gjalla (laktobacile, bifido-bakterie, fermente laktike, etj) që të marra në sasinë e rekomanduar, kanë efekt përmirësues në sistemin imunitar të individit.

Në mënyrë natyrore ato gjenden tek kosi dhe disa lloje bulmeti, vendosen si një shtresë në mukozën e zorrës dhe në këtë mënyrë bllokojnë viruset që hyjnë atje. Gjithashtu, ato ndihmojnë në prodhimin e vitaminës K, B dhe disa enzimave, duke shkatërruar substancat toksike. Nga produktet probiotike mund të përmendim: Imunil Flor, Propal Aid, etj…Për më tepër rreth integratorëve ushqimore, flisni me mjekun apo farmacistin tuaj.

Temperaturat e duhura të ambientit

Sipas këshillave të rekomanduara, temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi. Mund të mbani një enë me ujë tek radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme, ashtu si dhe ngrohjet me dru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.

Gripi hapet përmes kollës dhe teshtitjes, ndaj këshillohet të:

  • Ruani higjienën vetjake për të parandaluar dhe për t’u mbrojtur nga gripi.
  • Lani duart.
  • Pastroni hundët me shami njëpërdorimshme.
  • Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini.
  • Evitoni ambientet e mbipopulluara dhe me shumë njerëz.
  • Ruani një temperaturë të qëndrueshme brenda banesave tuaja.
  • Ajrosni vazhdimisht ambientet ku rrini.
  • Konsultohuni me mjekun tuaj për më tepër informacion!

Çfarë duhet të bëni nëse jeni sëmurë me grip apo nga virozat e stinës:

  • Përdorni medikamente për të ulur temperaturën, paracetamol kur ajo të rritet mbi 38-38,5° C. Nëse temperatura zgjat për më shumë se 3-5 ditë dhe është mjaft rebele, atëherë drejtohuni tek mjeku i familjes.
  • Për të qetësuar kollën, përdorni qumësht me mjaltë, çaj me sherebelë, dafinë, bli, etj dhe ajrosni herë pas here ambientet.
  • Ushqehuni më mirë dhe me sa më shumë lëng mishi (sidomos lëng pule), fruta, perime, duke mos harruar edhe shtimin e lëngjeve. Disa ushqime me veti antiinflamatore apo antimikrobiale, shumë të mira për mbrojtjen imunitare, janë: xhinxheri, mjalti, hudhra, qepa, agrumet, lakra, specat, mollët dhe dardhët e pjekura, ekinacea, etj…
  • Futni këmbët në ujë të ngrohtë për 10 minuta në darkë.
  • Mos përdorni antibiotikë, pa këshillën e mjekut.
  • Në rastet kur temperatura e pacientit vazhdon të mos bjerë, fillon të shfaqet vështirësia në frymëmarrje, dhimbje veshi, fyti, koke, apo kraharori dhe gjendja e përgjithshme rëndohet, atëherë mund të keni një infeksion të rrugëve të sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes, për të cilin duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.
  • Nëse keni probleme të qarkullimit të gjakut si: morthi, scleroderma, etj…nuk duhet të dilni nga shtëpia pa përdorur kremrat e këshilluar nga mjeku dhe duhet të mbani sa më ngrohtë pjesët e ekspozuara duke përdorur dorashka leshi, shall, kapuç, etj.
  • Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, organizmi juaj nuk arrin të prodhojë aq nxehtësi sa harxhon, dhe ju do të filloni të vuani nga ulja e temperaturës trupore e me kalimin e kohës do të ndiheni të lodhur, të mpirë dhe konfuzë. Kjo, pasi si pasojë e ngushtimit të enëve të gjakut në tru; ai fillon të mos mendojë qartë dhe pastaj lëvizjet fillojnë të ngadalësohen, deri kur temperatura e trupit të bjerë nën 35° C deri në ngrirje.
  • Shenjat e para të ngrirjes janë mungesa e ndjeshmërisë, skuqja dhe dhimbjet në indet e lëkurës dhe nënlëkurës në ekstremitete (kokë, këmbë e duar) dhe zonat më të ekspozuara si fytyra, veshët, etj. Në raste të tilla nuk duhet të masazhohen pjesët e ngrira, por duhet të futeni menjëherë në një ambient të ngrohtë dhe të pini pije të ngrohta që të rrisin temperaturën e trupit, duke evituar përdorimin e alkoolit. Kujdes nëse lëkura merr ngjyrë të zbehtë deri në të verdhë- jeshile, pasi mund të shkojë deri në gangrenizim që kërkon dhe amputimin e ty.
January 14, 2020 10:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim