Gropa mund të jetë humnerë!

Sokrat HABILAJ September 9, 2013 09:14

Gropa mund të jetë humnerë!

Të gjithë atyre që moralizojnë se nuk është burrëri e madhe të merresh me atë që ka ikur, të gjithë atyre që me pamje kristiani shesin dëngla se për të humburin duhet të ketë, ose keqardhje, ose mëshirë ose harrim, do të duhej t’u themi se e keqja është shumë më tepër se fytyra e një kryeministri, i cili një ditë mund “të thyej qafën”, duke ikur, siç ndodhi në të vërtet. Të gjithë ata që duan të sjellin në kujtesë imazhin e një pushtuesi, i cili në ikje e sipër grabitë, djegë, përdhosë e baltos gjithçka në tokën që pati pushtuar, do të duhej të sillnin në vëmendje këtë qeveri “pushtuese”, e cila gjatë këtyre dy muajve ka shitur (grabitur), si askush tjetër. Të gjithë ata që duan të shohin si mund të arratisen “pushtuesit” e vendit të tyre, do të duhej të ndiqnin fytyrat e stamposura si meit të ca qeveritarëve të dhj…rë, të cilët gjejnë kohë të hartojnë lista pafund të shitjeve (zhvatjeve), me ndërtesa, rrugë, hidrocentrale, male, fusha, mure, gurë, pyje, etj, etj, pa u munduar të shkojnë larg e të kujtojnë një mbret me valixhe në dorë në udhën e ikjes. Të gjithë ata që ende ruajnë nostalgji për këtë lloj qeverisje, do të duhet të kuptojnë se pikërisht tani që po ndahen thërrimet e fundit nga ajo që ka mbetur për tetë vite, tani kur i pari i saj ka dal në tregun gjithë shamatë dhe fton lloj-lloj horri e matrapazi për të rrëmbyer pjesë Atdheu me çmim qesharak, nostalgjikët pra që i bënë duart plagë nga duartrokitjet dhe të ndenjurat me kallo nga bisedat me të, ledh më ledh, askush nuk i ka thirrur në këtë pazar. Të gjithë ata që besojnë se gropa e hapur nga kjo qeveri, nuk është aq e madhe sa përflitet, të gjithë ata që shpresojnë se kjo qeveri, erdhi, mori, iku, po në fund të fundit si e jona që është, mishin e hëngri, por kockën na e ka lënë, ndoshta duhet të përgatiten se do të ndodhen para një humnere të frikshme, ku nuk kanë mbetur as kocka. Dimensionet e kësaj humnere mund të jenë të gjithanshme, sa morale aq edhe financiare.
Së pari, në aspektin moral, pas ikjes së qeverisë (anti)demokratike, kjo shoqëri mund të zbulojë se ka pësuar një përthyerje të padenjë për të. Vendin e deformimeve të dikurshme që vinin si pasojë e frikës, diktatit, gardhit, servilizmit, shtypjes, shpifjes, lavazhit të trurit, mund ta ketë zënë një deformim tjetër, i cili është pasojë e rrëmujës, monotonisë, iluzionit, “lirisë”, mashtrimit, vesit, babëzisë. Si rrjedhojë e qeverisjeve të këqija, ajo që do të kuptojmë, do të jetë përfundimi i trishtë se nga deformimi vijmë në deformim shkojmë. Më tej, mund të ndodhë që qeveria në vijim, të gjendet para turmave pa fund njerëzish të çoroditur, të cilëve u është vrarë keq dëshira për të punuar dhe tej shikimit të lodhur të tyre, të lexohen copëza imazhesh të firmave piramidale, ëndrrës se janë duke jetuar në vendin më “parajsë” të botës, a pallavra të tjera që qeveria në ikje ua mbolli në tru me shumicë për njëzet vite me radhë. Mund të ndodhë që ndërsa do të kërkohet t’i vihet pritë së keqes, të shfaqet para syve një turmë e madhe policësh barkalecë, fytyrë parruar, me një kopsë mbërthyer dhe një zbërthyer që qeveria në ikje i mësoi të shesin të ndenjurat e tyre për pesëqind lekë. Mund të ndodhë të kërkohet vënia para ligjit e vesit dhe shkelësve të tij dhe të shfaqen para syve turma gjyqtarësh që qeveria në ikje i zgjodhi me kujdes dhe tani ata si rrasë mbrojtëse për ndërgjegjen e tyre të zezë, kanë mantelin e zi të postit të tyre. Mund të ndodhë që ndërsa do t’i besohen shumë detyra administratës së shtetit, në zyrat e shtetit të shfaqen ca fytyrave tuhafe, me ndërgjegje edhe aftësi profesionale të kastruar dhe që janë të aftë për të zgjidhur një problem sa mund të jetë e aftë një fytyrë mumieje, që qeveria në ikje i mblodhi nga të gjitha rrëketë dhe gjirizet e paaftësisë profesionale. E pra mund të ndodhin ato që ndodhin, kur vritet dëshira për punë, kur vritet mospajtimi me të keqen, kur vritet ndërgjegjja, kur vritet aftësia.
Së dyti, në aspektin financiar, ajo që do të zbulohet, mund t’i tejkalojë edhe përfytyrimet më të guximshme mbi humnerën. Ndërsa qeveria e re do të nis punën, mund të ndodhë që tek porta e saj të trokasin dhjetëra e dhjetëra biznesmenë të huaj e vendas, pronarë, fajdexhinj, sekserë, sipërmarrës, me lista borxhesh në duar, të cilit do të kërkojnë borxhet e tyre. Dhe pas kësaj, ajo që do kuptohet mund të jetë fakti se listat e këtyre borxhëllinjve, mund të jetë shumë më të mëdha se gjendja aktuale financiare. E keni vënë se re se askush nuk po flet për borxhin publik, në një kohë, kur dihet se ky borxh i ka kaluar kufijtë? Kjo heshtje, ky memecllëk, mundet të ndodhë, ose kur nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ose kur ky kapërcim është i frikshëm dhe fjalët nuk vlejnë më. Kur qeveria të fillojë punën, mundet të ndodhë të konstatohet se udhëheqja e mbrapshtë e ka kthyer këtë vend në një “azil pleqsh”, ku investimi më madhor, biznesi më i madh është paga e  tyre, ku gropa që mbledh pjesën më të madhe të pareve të buxhetit është pikërisht “azili”, pra pensionet. Mund të ndodhë të konstatohet se këtu, si në asnjë vend të rajonit, apo edhe më gjerë, numri i atyre që punojnë është thuajse sa numri i pensionistëve, duke u kthyer këtë vend, në aspektin financiar, nga një vend me moshë të re pune, në një vend me moshë të plakur që paguhet, ndërsa mosha për punë vjen vërdallë. Mund të ndodhë që ndërsa do të kërkohet mbledhja e të ardhurave, të gjendemi para një administrate tatimore që kjo qeveri e ka shpartalluar plotësisht dhe që trokasin tek porta e bizneseve, “për vete dhe për shtetin”, apo të shikosh biznese që fshihen pas emra qeveritarësh, apo lloj-lloj të afërmish, shokësh, miqsh, të cilët bëjnë karshillëk ndaj kësaj administrate.
Dhe së fundi, mund të ndodhë që si rrjedhojë e atyre që u thanë më lart, qeverisja e mbrapshtë, pse jo edhe qëllimisht, t’i ketë përgatitur këtij vendi  një të ardhme të trishtuar me skenar jo si Greqia, por më keq, sepse Greqia ishte pjesë e Evropës, ndërsa ne jemi të dënuar të jetojmë në fatin tonë. E pas kësaj, ajo që mbetet për t’u parë, kur kjo qeveri “pushtuese” të jetë zbythur nga pushteti, është fakti nëse ajo, duke parë gropën që i ka hapur këtij vendi, do të fërkojë duart me cinizëm, apo jo. Një përgjigje mund ta japim që tani, por le të shpresojmë se në një moment të caktuar, këtë qeveri në ikje do ta brejë ndërgjegjja dhe do të kujtohet se vërtet ishte “pushtuese”, por ishte “pushtuese” e vendit të vet.
Sokrat HABILAJ September 9, 2013 09:14
Komento

7 Komente

  1. Péllumb zaimi September 9, 13:31

    Edhe une mendoj si ju i nderuar autor. Madje e shoh pak me thelle gropen e kesaj qeverie. Nga shume vezhgime te berishizmit dhe shpejtesia me te cilen operonte ne situata te nderlikuara etj…kam pasur e kam mendimin se vendimet dhe skenaret i jepeshin te gatshem nga nje qender profesionistesh te sherbimeve inteligjente. Kushedi c’skenare te tjere jane lene per ne vijim!? Por me siguri jane lënë! Ne kete piste duhet ecur por kjo piksepari kerkon qe sherbimet e informacionit ti kesh … A do ti kete qeveria e re? Nuk e di. Ajo qe besoj eshte se ka shume gropa. Dhe pas cdo grope nje skenar nga i cili merr revanshin dhe urdhrat saliu yne! Edhe te tjere profesioniste(madje me më shume kariere se unë),kështu mendojnë! Shkrimi juaj z. Sokrat hedh drite ne shume cepa të “gropave” të lëna! Të kurtheve do të thosha… Ideja e shumeperdorur nga antaret e bandës “..per rikthimin shume shpejt ne pushtet” bazohet dhe ne pritshmeritë e rezultateve nga të rënët në kurth? Mjerë ai qe shkon symbyllur!

    Reply to this comment
  2. Péllumb zaimi September 9, 13:34

    Z. Sokrat! Edhe une mendoj si ju i nderuar autor. Madje e shoh pak me thelle gropen e kesaj qeverie. Nga shume vezhgime te berishizmit dhe shpejtesia me te cilen operonte ne situata te nderlikuara etj…kam pasur e kam mendimin se vendimet dhe skenaret i jepeshin te gatshem nga nje qender profesionistesh te sherbimeve inteligjente. Kushedi c’skenare te tjere jane lene per ne vijim!? Por me siguri jane lënë! Ne kete piste duhet ecur por kjo piksepari kerkon qe sherbimet e informacionit ti kesh … A do ti kete qeveria e re? Nuk e di. Ajo qe besoj eshte se ka shume gropa. Dhe pas cdo grope nje skenar nga i cili merr revanshin dhe urdhrat saliu yne! Edhe te tjere profesioniste(madje me më shume kariere se unë),kështu mendojnë! Shkrimi juaj z. Sokrat hedh drite ne shume cepa të “gropave” të lëna! Të kurtheve do të thosha… Ideja e shumeperdorur nga antaret e bandës “..per rikthimin shume shpejt ne pushtet” bazohet dhe ne pritshmeritë e rezultateve nga të rënët në kurth? Mjerë ai qe shkon symbyllur! Përgezime per investigimin e kthjellët!

    Reply to this comment
  3. Fatmir Musai September 9, 18:41

    Bukur, Sokrat! Zberthim inteligjent dhe, mbi te gjitha, profesionalizem, vertetesi dhe realizem!

    Reply to this comment
  4. Kuqeziu September 10, 00:37

    Kam te njejtat mendime me ju z. Sokrat por edhe ato qe thote komentuesi pellumb nuk jane pa rendesi !

    Reply to this comment
  5. Daullja September 10, 05:32

    Bukur Sokrat i dashur! Por puna eshte se…nga lufta vijme, e ne luftera shkojme!… Mostrat tona politike jane njeri me i llahtarisur se tjetri. Qofsha i gabuar, por tej shpreses qe kemi tek e majta, mire eshte ta mbajme nje sy hapur, se s’dihet ku fle lepuri. Me kete nuk dua te shpreh asnje dobesi per rrezimin e karavidheve berishiane. Por ndryshim pa vendosur autoritetin e ligjit, personalisht nuk pres. Pa u vene para pergjegjesise ligjore shkaktaret e rrenimt, une s’mund te shoh asnje shprese per rilindje. Po valle do vihen?…

    Reply to this comment
  6. pelivan September 10, 14:58

    Shkrimi i sotem i Sokratit,te tremb!… Jemi mesuar te ruhemi nga ndonje rrufe ne kohe me shira e bubullima,po kurresesi s’na shkon mendja qe rrufet qellojne per vdekje dhe ne ditet me diell. Shkrimi i sotem eshte vertet i frikshem dhe duhet te ruhemi me shume se cdo here,sepse,jemi ne keto ditet me qiell te paster… Shkrimi i sotem i sokratit,duhej te ish editorjal tek DITA, Te shihej gjithandej. U kujtohet,nje grope qe hapi ne mes te Tiranes Sejdia?!(Nje bajloz i Ketije Krye bajlozit tone).Dhe ndenji ashtu e hapur,frikshem per nje kohe te gjate… Por gropa qe ka hapur Saliu, eshte aq e madhe!… Dhe ne e dime kete,por Sokrati po na uleret ne vesh,qe kjo grope e krye bajlozit,do zmadhohet ne ditet qe vine,edhe, se Gjergj Eles Alia,i vetmi qe duhet te perballet me te, nuk ka shtate plage ne trup,por njezet e shtate…Perendia n’a marte haken,ishalla i jep fuqi dhe i’a nis per ne kuke ate, (Per te zeze te Bajlozit),topuzin e rende… Amin!

    Reply to this comment
  7. pelivan September 10, 15:04

    Edhe nje gje a gjeze…” Kudo qe vete e mer shtepine me vete! “, Kush eshte?, Saliu!,(Me falni),kermilli…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*